Tri gjëra që duhet t’i dimë për Perëndinë!

Three things we should know about God!
prej Jonathan Parnell | 11 Korrik 2013

A.W. Tozer gjithmonë thoshte çfarëdo që na vjen në mendje kur mendojmë për Perëndinë është gjëja më e rëndësishme rreth nesh. Kur ju dëgjoni fjalën “Perëndi” çfarë mendoni? Çfarë imazhesh e mbushin mendjen dhe zemrën tuaj kur mendoni kush është Perëndia?

Kjo pyetje është e rëndësishme për shkak se të gjithë ne kemi një lloj përgjigjeje. Gjithsecili ka një mendim të caktuar kur bëhet fjalë për Perëndinë. Ne dëshirojmë që ajo tabllo të jetë e vërtetë, domethënë të jetë formuar prej asaj që Perëndia ka thënë për veten, dhe jo prej asaj që na dikton përjetimi ynë.

Kjo është një përpjekje tjetër për ta kapur saktë këtë ide sipas asaj që na mëson Bibla. Ka të paktë tri gjëra që duhet t’i dimë për Perëndinë.

1. Perëndia është Atë.

Majkëll Rivs thotë “Gjëja më themelore rreth Perëndisë nuk është një cilësi abastrakte por fakti që ai është Atë.” Në librin e tij ‘Të Kënaqurit në Trininë’ Rivs nis me këtë fakt të rëndësishëm dhe shpesh të harruar që Perëndia në të vërtetë është Atë, ashtu siç na dëshmon dhe Shkrimi dhe si e kërkon teologjia e Krishterë.

Shumë prej nesh kur duhet të zgjedhim ka të ngjarë të mendojmë për Perëndinë si Krijues. Ne e shohim atë si të fortë, të fuqishëm dhe si shkakun e gjithçkaje tjetër që ekziston. Kjo është e vërtetë. Por nuk shkon në thelb të faktit se kush është Perëndia.

Rivs e thekson këtë pikë me mjeshtëri në kapitullin e parë të librit të tij, “Çfarë bënte Perëndia para Krijimit.” Nëse në thelb Perëndia do të ishte Krijues kjo do të thoshte që ai ka nevojë për krijimin e tij për të qenë kush është. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Perëndinë si Sundues apo si Gjykatës. Secili prej këtyre titujve është përshkrim i saktë për Perëndinë por dështojnë të na e tregojnë Perëndinë në vetë thelbin e tij. Secili prej tyre varet nga diçka tjetër si shkak. Ne duhet të pyesim kush është Perëndia në veten e tij. Kush është Perëndia veçmas gjithçkaje tjetër?

Përgjigja është Atë. Bibla na e thotë këtë gjë (Isaia 63:16, 64:8, LiP 32:6). Kështu mahnitshëm nis të shpaloset zbulesa biblike për Trininë. Perëndia nuk ka nevojë për asnjë gjë përveç vetvetes në mënyrë që kjo gjë të jetë e vërtetë. Para se të kishte ndonjë gjë, Perëndia ishte – Ati i përjetshëm i cili e ka dashur nga përjetësia Birin e Tij në bashkësinë e pandërprerë të Frymës. Ky është Perëndia.
2. Perëndia është i lumtur.

Xhon Pajpër e nis kapitullin e parë të librit të tij ‘Kënaqësitë e Perëndisë’ duke cituar në frazë të rëndësishme nga 1 Timoteu 1:11 – “ungjilli i lavdisë të të lumit Perëndi”. Pajpër na tërheq vëmendjen tek fjala Greqish që qëndron pas fjalës “të lumit” e cila është fjalë “i lumtur”. Apostulli Pal e quan Perëndinë “Perëndia i lumtur.”

Prandaj nuk mjafton që ne të mendojmë për Perëndinë vetëm si Atë. Ai është një Atë i lumtur.

Kur mendoni për Perëndinë, a mendoni për të si një person i lumtur? Apo e mendoni si një person të ashpër? Fatkeqësisht për ne është e zakonshme të mendojmë për Perëndinë ashtu si do ta prezantonte një karikaturë negative. A medoni për të si dikush i vrenjtur? Mos po shpërthen nga zemërimi si një despot kapricioz? Apo e shihni atë me zemër të gëzuar – i ngazëlluar në lavdinë e Birit të Tij dhe në bashkësinë që shijojnë? A e shohim atë si Ati që i tha Jezusit pa ndonjë hezitim, “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur ”. (Mateu 3:17)? A e shohim atë si Ati që i pëlqen të na japë mbretërinë (Luka 12:32)? A e shohim atë si Perëndia që shpërthen në gëzim kur një mëkatër i vetëm pendohet (Luka 15:)?

Për aq kohë sa mëkati të ekzistojë ai ndjen zemërrim çdo ditë karshi tij (Psalmi 7:11). Por në zemrën e vet – kush ai është në vetvete – Perëndia është i lumtur. Nëse e kuptojmë këtë të vërtetë kanë për të ndodhur mrekulli në shpirtin tonë.

3. Perëndia do!

Perëndia është një Atë i lumtur që nga përjetësia e ka dashur Birin e Tij në bashësinë e pandërprerë të Frymës. Kjo do të thotë që në vetë natyrën e tij, Perëndia do. Kjo nuk do të thotë që Perëndia nuk zemërohet kurrë. Ai është i zemëruar, për shkak të mëkatit, padrejtësisë dhe talljes tonë rrebeluese nga dashurisë së tij. Zemërimi i Perëndisë është një reagim ndaj diçkaje jashtë tij. Në natyrën e tij, në zemrën e tij, Perëndia do. Në të vërtetë, Perëndia është dashuri (1 Gjoni 4:8).

Rivs shpjegon, “Para çdo gjëje tjetër, qysh nga përjetësia ky Perëndi ishte i dashur, duke i dhënë jetë dhe duke u kënaqur në Birin e Tij.” Prandaj në thelb Perëndia është dhënës. Ashtu si e krahasoi edhe Xhonatan Eduards me një burim apo me dritën (1 Gjoni 1:5). Në natyrën e vet Perëndia shkëlqen. Në thelb ai gufon. Kështu ai krijoi botën në kënaqësinë e tij, prej dashurisë së tij të bollshme, për shkak se ky është Perëndia.

Si të mos e adhurojmë këtë Perëndi? Si të mos vrapojmë me dëshirë tek një Perëndi i tillë? Për shkak se mëkati e korrupton bashkësinë për të cilën u krijuam. Dashuria atërore e Perëndisë është një e vërtetë karshi të cilës jemi mjaft të prishur sa ta urrejmë për shkak se ajo e bën armiqësinë tonë ndaj tij të paarsyeshme. nëse do të tregoheshim të sinqertë, në errësirën tonë ndihemi më tepër rehat me një hyjni të zemëruar dhe jopersonal. Por një Perëndi i cili është një Atë i lumtur që do përjetësisht me një gëzim jetëdhënës – me një Perëndi të tillë është e vështirë të zemërohesh. Kjo e bën rebelimin tonë të jetë i pakuptimtë.

Rebelimi i pakuptimtë ishte historia jonë – ai është historia jonë – derisa e vërteta e ungjillit depërton në ne. Ati e dërgoi Birin të jetonte dhe të vdiste në vendin tonë, të vuante zemërimin që ne meritonim, në mënyrë që ne të mund të mirëpritemi në bashkësinë e dashur të Perëndisë. Dhe ungjilli i tij nuk erdhi me asnjë detyrim.

Ungjilli nuk është përpjekja e Perëndisë për të ekulibruar peshoren me zemërimin e tij. Përkundrazi, ungjilli zbulon tamam zemrën e Perëndisë. Perëndia tregon dashurinë e tij për ne thotë Pali jo pasi Jezusi erdhi dhe vdiq por në faktin që Jezusi erdhi dhe vdiq (Romakëve 5:8), në mënyrë që ne të jemi bijtë dhe bijat e tij që kënaqen në bashkësinë e përjetshme që Ai ka përjetuar me Birin përmes frymës qysh nga përjetësia (Gjoni 17:24-26).

Perëndia – Ai është një Atë i lumtur që do.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*