Lavdia e Perëndisë Fiton!

prej Jonathan Parnell, 29 Tetor 2013

Ungjillin nuk do ta besojnë të gjithë. Pse?

Sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë, Shpëtimtarit tonë i cili dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës.” 1 Timoteu 2:3-4. “Unë në fakt nuk ndjej asnjë kënaqësi me vdekjen e atij që vdes” thotë Zoti, Zoti. “Ndërroni rrugë, pra, dhe do të jetoni”. Ezekieli 18:32. Atëherë, pse ka disa njerëz që refuzojnë të besojnë tek Jezusi dhe kështu vdesin të humbur në mëkatet e tyre?

Për këtë pyetje ka dy përgjigje të ndryshme.

Ne duhet të kuptojmë që këto dy përgjigje shkojnë përtej kuptimit që kemi për vullnetin e dekretit të Perëndisë dhe vullnetin e urdhërimit të tij. Këto “dy vullnete” në Perëndinë përshkruajnë dallimin biblik që është shprehur në mënyra të ndryshme në Shkrim dhe përgjatë shekujve. Xhon Pajpër shkruan, “dy vullnetet” e Perëndisë nënkuptojnë që Perëndia dekreton që gjërat të jenë në një mënyrë të caktuar dhe në të njëjtën kohë vendos dhe mëson që një gjëndje tjetër të ndodhë” (Does God Desire All to Be Saved?, 16). Kjo do të thotë që Perëndia dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtohen (“vullneti i urdhërimit” të tij), po vetëm ata që janë zgjedhur në Krishtin do ta besojnë ungjillin dhe do shpëtohen (“vullneti i dekretit” të tij). Sado i vërtetë që është ky shpjegim ende nuk i përgjigjet pyetjes pse. Pse ndodh kështu? Pse Perëndia nuk i dekreton të gjitha ato që urdhëron?

Këtu përballemi me dy përgjigje të ndryshme.

Një përgjigje është që ekziston diçka shumë më e fuqishme se Perëndia dhe ka mundësi ta pengojë vullnetin e tij. Kështu themi që Perëndia është i mirë kur dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtohen, por në fakt nuk e ka fuqinë për ta bërë këtë gjë të ndodhë. Përgjigja e dytë me fjalët e Xhon Pajpër është, “Perëndia vendos që të mos i shpëtojë të gjithë, edhe pse ai “dëshiron” që të gjithë të shpëtohen, për shkak se ka diçka tjetër të cilën ai e vendos apo e dëshiron më tepër, gjë e cila do të humbiste nëse ai do ta ushtronte fuqinë e tij sovrane për t’i shpëtuar të gjithë” (theksi i shtuar, fq 39).

Përgjigja e dytë është ajo të cilën e mbështesin si Kalvinistët ashtu edhe Arminianët. Që të dyja palët thonë që Perëndia nuk i shpëton të gjithë për shkak se është i përkushtuar ndaj diçkaje më tepër se thjesht shpëtimi i të gjithëve. Ndryshimi mes Kalvinistëve dhe Arminianëve duket tek fakt se çfarë është ky përkushtim më i lartë.

Xhon Pajpër shpjegon,

Përgjigja që Arminianët japin është që vetëvendosja njerëzore dhe marrëdhënia e mundshme e dashur me Perëndinë janë më të vlefshme se shpëtimi i të gjithë njerëzve përmes hirit sovran dhe të efektshëm. Përgjigja që japin të Reformuarit është që vlera më e madhe është manifestimi i gjithë spektrit të lavdisë së Perëndisë si në zemërim ashtu edhe në mëshirë (Romakëve 9:22-23) dhe përulja e njeriut në mënyrë që t’i japë gjithë lavdinë Perëndisë për shpëtimin e tij (1 Korintasve 1:29)

Prandaj një shpjegim thotë që përkushtimi më i lartë i Perëndisë është që ta lërë fatin e shpirtit tonë të përjetshëm në dorë të vendimarrjes tonë. Përkushtimi më i lartë është që Perëndia siguron të drejtën tonë që zgjedhjet tona të jenë faktori vendimtar për faktin se ku do ta kalojmë përjetësinë. Shpjegimi tjetër – përgjigja Kalviniste – thotë që përkushtimi më i lartë i Perëndisë është shpalosja e plotë e lavdisë së tij. Lavdia e Perëndisë fiton, gjë e cila do të thotë që zemërimi i tij i drejtë derdhet mbi çdo padrejtësi, dhe mëshira e tij derdhet me bollëk mbi të gjithë ata që Ai i do.

Përkushtimi më i lartë i Perëndisë – përtej vullnetit të tij moral që të gjithë njerëzit kudo ku janë të pendohen, është të shkëlqejë e gjithë panorama e lavdisë së tij. Kjo lavdi është mëshira, hiri, dashuria e pathyeshme dhe besnikëria e tij, dhe fakti që ai nuk e lë të pandëshkuarfajtorin… në mënyrë që enët e tij të mëshirës të mund të njohin pasuritë e lavdisë së tij (Eksodi 34:6-7; Romakëve 9:23).

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*