Perëndia i Madhërishëm i Marisë!
2 Dhjetor
Dhe Maria tha: ”Shpirti im e madhëron Zotin, dhe fryma im ngazëllon në Perëndinë, Shpëtimtarin tim, sepse ai e shikoi me pëlqim ultësinë e shërbëtores së tij; sepse ja, tani e tutje të gjitha brezat do të më shpallin të lume, sepse i Pushtetshmi më bëri gjëra të mëdha, dhe i Shenjtë është emri i tij! Dhe mëshira e tij shtrihet nga brezi në brez për ata që e druajnë. Ai veproi pushtetshëm me krahun e vet; i shpërndau krenarët me mendimet e zemrave të tyre; i përmbysi pushtetarët nga fronat e tyre dhe i ngriti të përulurit; i mbushi me të mira të uriturit dhe i ktheu duarbosh të pasurit. Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke i kujtuar për mëshirën e tij, ashtu si ua pati deklaruar etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhësve të tij, për gjithmonë”. – Luka 1:46-55
Maria shikon shumë qartë një gjë tepër të jashtëzakonshme rreth Perëndisë: Ai është gati të ndryshojë drejtimin e gjithë historisë njerëzore. Tani po nisnin tri dekadat më të rëndësishme të të gjitha kohërave.
Ku është Perëndia? Duke punuar me dy gra të panjohura dhe të përulura – njëra plakë dhe shterpë (Elizabeta), tjetra e re dhe virgjëreshë (Maria). Maria ndikohet shumë prej këtij vizioni të Perëndisë, atij që do të përulurit, prandaj shpërtheu në këngë – një këngë kjo që tani njihet si “Manjifikati” (Luka 1:46-55).
Maria dhe Elizabeta janë heroina të mrekullueshme në tregimin e Lukës. Atij i pëlqen besimi i këtyre grave. Gjëja që i bën më tepër përshtypje duket se është ajo që dëshiron t’ia ngulisë Teofilit, këtij lexuesi fisnik, dhe kjo është përulësia e gëzueshme e Elizabetës dhe Marisë.
Elizabeta tha, “Përse po më ndodh kjo, që nëna e Zotit tim të vijë tek unë?” (Luka 1:43). Maria tha, “Ai e shikoi me pëlqim ultësinë e shërbëtores së tij.” (Luka 1:48).
Të vetmit njerëz, shpirti i të cilëve mund ta lartësojë me të vërtetë Perëndinë janë njerëz si Elizabeta dhe Maria – njerëz që e pranojnë gjëndjen e tyre të përulur dhe janë pushtuar prej denjësisë së një Perëndie të madhërishëm!
© Desiring God
Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim ndaj lejes së mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.
By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org