15 Korrik – Octavius Winslow

“Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet tij.” 1 Gjoni 4:9

“Perëndia është dashuri” ishte e vërteta e madhe që Jezusi erdhi ta bënte të njohur. Prandaj, dashuria e Perëndisë është në mënyrë të qartë një zbulesë ndaj njeriut, në vend që të jetë një zbulim nga njeriu. Dashuria hyjnore ishte përsosmëria e fundit e Hyjnisë e cila do t’i shpëtonte kërkimit të urtësisë njerëzore. Atributet e tjera mund të dallohen në mënyrë të zbehtë në krijim. Disa tregues të vegjël të urtësisë, fuqisë dhe mirësisë së Perëndisë mund të dallohen në “gjërat që janë bërë,” por si mundej Perëndia që t’i donte mëkatarët, të mund t’i shpëtonte dhe shpengonte mëkatarët, ishte një pyetje të cilës orakujt e natyrës nuk mund t’i jepnin dot përgjigje.

Në ushtrimin e fuqive të mëdha me të cilat Krijuesi i tij e ka veshur, njeriu mund të zbulojë gjithçka, përveç kësaj. Ai heton kupën e Tij qiellore me teleskop, dhe para syve të tij shfaqet një konstelacion me lavdi të pashoqe. Ai zhytet në tokën poshtë tij, dhe kështu zbulon një qytet të lashtë dhe që ka shekuj që ka humbur. Ai zgjidh një problem, dhe shkenca zhvillon një mrekulli të re dhe të mahnitshme. Por ka një zbulim të cilin ai nuk mund ta bëjë – një mrekulli që ua kalon të gjitha mrekullive, më e mrekullueshmja dhe më marramendësja të cilën nuk mund ta zbulojë dot. Natyra që e ndihmon në të gjitha kërkimet e tij nuk i jep as edhe një të dhënë në këtë gjë. Rrezet e diellit nuk e pikturojnë mbi renë ndriçuese; akullnaja nuk e refketon me sipërfaqen e saj verbuese; burimi në luginë nuk e pëshpërit me muzikën e tij të butë; as nuk gjëmon në oshtimën e oqeanit; nuk flet mes flladit të mbrëmjes; nuk hukat në lulen që çel; gjithë natyra është thellësisht e heshtur rreth një teme kaq hyjnore dhe të mahnitshme, kaq të gjerë dhe të butë sa tema e dashurisë shpenguese të Perëndisë për njeriun.

Por Biri, u largua nga gjiri i Atit, në të cilin ishte prehur nga përjetësia dhe tek i cili u kthye në “plotësimin e kohërave”, ka zbritur në botën tonë për të korrigjuar keqkuptimet tona dhe për të hequr dyshimet tona, për të na qetësuar frikërat dhe për të na siguruar sërish pë shpresën me sigurinë e faktit të mrekullueshëm, që Perëndia ende kujdeset për njeriun dhe gjen kënaqësi tek ai; që asnjë revoltë apo veçim, asnjë armiqësi apo mosmirënjohje nuk e ka larguar zemrën e Tij nga njeriu. Ai ende e do, me një dashuri të tillë, Ai “aq shumë e deshi botën sa dha Birin e Tij të vetëmlindurin, që kushdo që beson në të të mos humbasë por të ketë jetën e përjetshme.”

Kështu erdhi Ai, si përfaqësuesi i Atit të tij, për ta shpallur Atin te njeriu. Dhe ndërsa kreu mrekullitë e tij të shkëlqyera me një fuqi të jashtëzakonshme – dëshmoi kështu faktin e Hyjnisë së Tij; dhe ndërsa dha fjalimet e Tij me urtësi të pafundme – i hapi thesaret e hirti të Tij; dhe ndërsa shkoi i ngarkuar me mëkatet tona në kryq – e hapi burimin e dhembshurisë së Tij, Ai mund t’u thoshte të gjithë atyre që e sfidonin natyrën hyjnore të misionit të tij, apo që kërkonin prej tij një vizion të Atit, “Ai që më ka parë mua ka parë Atin,” – “Unë dhe Ati jemi një.”

Shikoni misionin e Shpëtimtarit të botës tonë! Ai ka ardhur që ta heqë velin dhe të zbulojë zemrën e Perëndisë – zemrën që rreh me një dashuri aq të pafundme sa vetë natyra e Tij, dhe aq të pavdekshme sa qenia e Tij. Ai nuk erdhi të frymëzonte, por të zbulonte dashurinë e Perëndisë. Shlyerja nuk ishte fillesa e dashurisë së Atit por shpalosja e saj – dashuria tashmë ishte e pranishme në zemrën e Tij. Mëkati thjesht e kishte mbuluar me re ekzistencën e saj, rebelimi thjesht e kishte penguar rrjedhën e saj.

Në përpjekjen dhe dëshirën e saj për t’u shprehur plotësisht dhe e papenguar, kjo dashuri nuk mund të gjente dot një formë shprehjeje dhe as një kanal të përshtatshëm për të arritur te njeriu, përveçse në dorëzimin dhe flijimin e thesarit të vet më të çmuar dhe më të shtrenjtë. Biri i Perëndisë duhej të derdhte gjakun dhe të vdiste, para se dashuria e Atit të mund ta përqafonte objektin e saj. Dhe tani, fëmijë i Perëndisë, veli është hequr, reja e dëndur është larguar tej, dhe Perëndia yt qëndron para teje i veshur me një dashuri të patregueshem, zemra e Tij është tenda jote hyjnore, gjiri i Tij është banesa jote e shenjtë. “I vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e Atit, ai e bëri të njohur.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*