A është homoseksualiteti vërtet mëkati më i keq?
nga Pastor John Piper
Pyetja e sotme është një pyetje e rëndësishme dhe na vjen nga një dëgjues i quajtur Daniel. “Përshëndetje Pastor John! Shumë shpesh të krishterët vënë në dukje mëkatin e homoseksualitetit si problem i madh në vendin tonë, dhe duket sikur harrojnë për numrin e jashtëzakonshëm të mëkatarëve të varur ndaj modeleve të tjera mëkatare në jetën e tyre. A është homoseksualiteti vërtet më i dëmshëm për shoqërinë sesa mëkatet e tjera? Si do ta përshkruanit ju ndikimin kulturor të këtij mëkati për shembull në krahasim me mëkatet e krenarisë, grykësisë dhe lakmisë?”
Përgjigja ime për pyetjen e fundit është e drejtpërdrejtë. Nuk kam dyshim që miliona më tepër njerëz shkatërrohen në këtë jetë dhe në atë që vjen përmes lakmisë dhe smirës, përmes krenarisë, përmes egoizmit, përmes zemërimit të skajshëm sesa nga orientimi ndaj të njëjtës gjinie apo përmes sjelljes homoseksuale. Arsyeja për këtë opinion nga ana ime është e dyfishtë.
Nga njëra anë, mëkatet e lakmisë dhe krenarisë, egoizmit dhe zemërimit janë më të përhapura se tërheqja ndaj të njëjtit seks apo sjellja homoseksuale. Nga ana tjetër, mëkatet e lakmisë, krenarisë, egoizmit dhe zemërimit janë më të fshehta dhe e maskojnë veten më lehtë si të pranueshme. Po, numri i njerëzve që shkatërrohen në këtë jetë dhe në atë që vjen prej mëkateve të lakmisë, krenarisë, egoizmit dhe zemërimit është jashtëzakonisht më i madh se numri i njerëzve që shkatërrohen nga orientimi ndaj të njëjtës gjine apo sjellja mëkatare homoseksuale.
Këtu do të shtoja që mjerimet sociale që shkaktohen nga ato mëkate janë gjithashtu shumë herë më të mëdha në shtrirjen e tyre sesa nga ndonjë mjerim që vjen përmes mëkatit seksual. Hamendësimi im është që Danieli nuk do që të ndaloj aty, sepse kjo është përgjigja ime ndaj pyetjes së tij, por ndoshta do të dojë që tani të bëj pyetjen e nënkuptuar në përgjigjen time; domethënë, atëherë, pse i kushtohet kaq shumë vëmendje homoseksualitetit? Mendoj që kjo qëndron pas pyetjes së tij.
Të gjithë ne funksionojmë në mënyra të ndryshme njerëzimi, dhe nuk di asnjë gjë rreth kontekstit të Danielit. Në kontekstin tim, njerëzit që unë i shoh më nga afër në udhëheqje sigurisht e dallojnë shqetësimin e Danielit; domethënë, që homoseksualiteti nuk është mëkat më tepër vdekjeprurës dhe sigurish nuk është më i përhapur se lakmia, krenaria, egoizmi dhe zemërimi. Njerëzit mes të cilëve jetoj unë janë shumë të vetëdijshëm për këtë gjë dhe janë të gatshëm t’i bëjnë gjërat të qarta sikurse do t’i bëj edhe unë tani. Megjithatë, mund të mos jetë kështu në situatën e Danielit. Nuk e di. Më lejoni të sugjeroj tri gjëra për faktin pse unë mendoj që homoseksualizmit po i kushtohet më tepër vëmendjen në kohën tonë.
1. Është për shkak se media po flet për këtë çështje. Nuk janë të krishterët ata që e bënë lajm homoseksualitetin. Të krishterët janë të detyruar të shpjegojnë pozitën e tyre në sferën publike përmes predikimit dhe shkrimit sa herë që e bëjmë këtë për shkak se media e ka bërë këtë çështje aq publike saqë ndihemi se duhet t’u shërbejmë të krishterëve me përgjigje të kujdesshme biblike, dhe kemi nevojë të qartësojmë për jo të krishterët sesi mendojmë ne. Kjo që po bëjmë tani është shembull i mirë i kësaj.
2. Më e rëndësishmja është se unë mendoj që ndryshe nga mëkatin e lakmisë i cili shoqërohet nga vjedhja, krenarisë që pasohet nga poshtërimi i të tjerëve, egoizmit që ndiqet nga shfrytëzimi i të tjerëve, dhe zenërimi që ka përkrah ligësinë dhe abuzimin, ndryshe nga këto mëkate, sjellja homoseksuale ka avokatë dhe mbrojtës të fortë dhe të artikuluar. Kjo është një nga arsyet që e bën mëkatin e marrëdhënieve homoseksuale të jetë kaq i dallueshëm sot.
Nëse do të kishte avokatë të artikuluar, të fortë dhe të zjarrë për lakminë dhe vjedhjen, krenarinë dhe poshtërimin e të tjerëve, egoizmin dhe shfrytëzimin e të tjerëve dhe për zemërimin dhe abuzimin, nëse këto mëkate do të reklamoheshin dhe mbroheshin publikisht, atëherë do kishte të ngjarë që edhe atyre do t’u kushtohej më tepër vëmendje nga media. Ka fare pak njerëz për të mos thënë asnjë të cilët po përpiqen të normalizojnë poshtërimin, shfrytëzimin dhe abuzimin e zemëruar, por gjeni me mijëra njerëz që po përpiqen të normalizojnë sjelljen homoseksuale. Kjo është arsyeja e dytë pse ky mëkat ka një vend të veçantë në shoqërinë tonë tani. Ky është një mëkat që ka avokatë të flaktë.
3. Marrëdhënia homosksuale ka një status të pazakontë në diskutimet tona morale për shkak se në një mënyrë të veçantë është duke shkuar kundër natyrës. Apostulli Pal e përshkruan në këtë mënyrë: “Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në pasioneve të ulëta, sepse edhe gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet natyrore në atë që është kundër natyrës. Në të njejtën mënyrë burrat, duke lënë marrëdheniet e natyrshme me gruan, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin, duke kryer akte të pandershme burra me burra, duke marrë në vetvete shpagimin e duhur për gabimin e tyre.” (Romakëve 1:26-27).
Për ta përsëritur përgjigjen time, nuk kam dyshim që miliona më tepër njerëz shkatërrohen në këtë jetë dhe në atë që vjen prej lakmisë, krenarisë, egoizmit, zemërimit të skajshëm nga sa shkatërrohen përmes orientimit ndaj të njëjtës gjinie apo sjelljes homoseksuale. Arsyeja për vëmendjen që i kushtohet sjelljes homoseksuale nuk është për shkak se ajo shkatërron më tepër njerëz, por për shkak se 1) kjo përbën lajm, 2) është një mëkat publik që ka avokatë të flaktë, dhe 3) në mënyrë të veçantë është kundër natyrës. Ne që besojmë se orientimi ndaj të njëjtës gjinie është shtrembërim i natyrës dhe që mund të rezultojë në marrëdhënie të mëkatshme homoseksuale na kërkohet, sikurse më është kërkuar mua tani, të japim përgjigje për pyetje të tilla dhe si rrjedhim ta bëjmë këtë gjë publikisht.
Por po e mbyll me këtë. Kjo është gjëja më e rëndësishme që kam për të thënë. Dëshiroj të theksoj që Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, erdhi në botë që të shpëtojë mëkatarët – mëkatarët heteroseksualë dhe mëkatarët homoseksualë, lakmitarë, krenarë, egoistë, mëkatarë të zemëruar dhe mëkatarë që kryejnë veprime homoseksuale. Ne të gjithë kemi nevojë për të njëjtin Shpëtimtar, dhe gjaku i Krishtit është i mjaftueshëm për të pastruar çdo mëkat, për të larguar çdo gjykim dhe për të na sjellë në shërim dhe gëzim të përjetshëm.
Original Article from DesiringGod.org
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!