Pse Bibla e thekson fuqinë e emrit të Jezusit?

nga Pastor John Piper

Pse Bibla e thekson fuqinë e emrit të Jezusit? Kjo pyetje na vjen nga një dëgjues i quajtur Jared. “Përshëndetje Pastor John. Kam një pyetje të cilën unë dhe bashkëshortja ime e kemi konsideruar për një farë kohe tani. Pse ka një theks biblik në lavdërimin e emrit të Jezusit? Për t’u lutur në emrin e Jezusit? Sigurisht që kjo është ajo që duam të bëjmë, dhe e dallojmë këtë model në gjithë Dhiatën e Re, dhe në mënyrë të veçantë tek libri i Veprave të Apostujve (2:38, 3:6, 16, 4:10, 18, 5:40-41, 8:12, 9:27, 10:48, 16:18, 19:13, 26:9) dhe tek shkrimet e Palit (1 Korintasve 1:2, Filipianëve 2:10). Një mënyrë tjetër për të bërë të njëjtën pyetje është, Pse ka fuqi në emrin e Krishtit në vend që të themi që ka fuqi në personin e Krishtit?” Çfarë mund t’i thuash Jaredit dhe bashkëshortes së tij?

Përgjigja për pyetjen e fundit është e lehtë: Nuk ka. Nuk ka fuqi në emrin e Krishtit, përveçse nëse thua që ka fuqi në personin e Krishtit. Në emrin e Krishtit ka fuqi sepse ka fuqi në personin e Krishtit. Por Jared e di këtë. Ky thjesht ishte një formulim i çuditshëm fjalësh.

Ajo që ai vërtet dëshiron të dijë, mendoj se është ajo që tha në fillim: Pse shohim një theks të tillë në lavdërimin e emrit të Jezusit, në të luturit në emrin e Jezusit, në të bërët e të gjitha këtyre gjërave në emrin e Jezusit? Çfarë nënkupton fokusi tek emri në Dhiatën e Re? Më lejoni që t’i përgjigjem kësaj pyetje ndoshta në tre hapa.

Çfarë kuptimi ka emri?
Fakti që në Dhiatën e Vjetër Perëndia e theksoi aq fort lidhjen mes emrit të të dhënë nga Perëndia dhe gjësë thelbësore të rëndësishme rreth atij personi është tepër domethënës. Për shembull, Zanafilla 17:5, emri i Abramit u ndryshua në Abraham. “Dhe nuk do të quhesh më Abram, por emri yt do të jetë Abraham, sepse unë të bëj babanë e një shumice kombesh.” Apo emri Saraj u ndrushua në Sara: “Për sa i përket Sarajt, gruas sate, mos e quaj më Saraj, por emri i saj do të jetë Sara. Dhe unë do ta bekoj dhe do të bëj që ajo të të japë edhe një bir; po, unë do ta bekoj dhe prej saj do të lindin kombe” (Zanafilla 17:15-16). Pastaj emri Jakob u ndryshua në Izrael kur Perëndia tha, “Emri yt nuk do të jetë më Jakob, por Israel, sepse ti ke luftuar bashkë me Perëndinë dhe me njerëzit, dhe ke fituar.” (Zanafilla 32:28).

Më i rëndësishmi është vetë emri i Perëndisë. Ai i dha një emër vetes së Tij. Mendoj se kjo është një nga pjesët më të rëndësishme në Bibël. Eksodi 3:13-14:

Atëherë Moisiu i tha Perëndisë: “Ja, kur të shkoj te bijtë e Izraelit dhe t’u them: ‘Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju’, po të jetë se ata më thonë: ‘Cili është emri i tij?’, ç’përgjigje duhet t’u jap?”. Perëndia i tha Moisiut: “UNË JAM AI QË JAM”. Pastaj tha: ‘Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: “UNË JAM-i më ka dërguar tek ju'”.

Prandaj Jahve, emri që është përdorur më tepër se gjashtë mijë herë nga Perëndia në Dhiatën e Vjetër – zakonisht shkruhet me shkronja të mëdha Z-O-T-I – është ndërtuar mbi frazën: “Unë jam Ai që jam.” Me fjalë të tjera, çdo herë që lexojmë emrin e Perëndisë, emrin e duhur Jahve, Ai dëshiron që të kujtojmë thelbin e Tij. Kjo është ideja. “Kur thua emrin tim, kujto thelbin tim. Unë jam në mënyrë absolute. Kjo është arsyeja pse i dhashë vetes një emër me një kuptim. Pa fillim, pa fund, pa zhvillim, pa ndryshim. Unë jam në mënyrë absolute. Unë jam i vërtetë. Unë jam i besueshëm.” Çdo herë që thua Z-O-T-I, Jahve, kujtoje këtë gjë. Ky është vëzhgimi i parë.

Prezantimi i Realitetit
Së dyti, kur Biri i Perëndisë erdhi në botë si prania e vetë Perëndisë, atij iu dha një emër: Jezus. “Ti do t’i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre.” (Mateu 1:21). Jezus do të thotë shpëtimtar. Ai është më tepër se kaq, por nuk është më pak se kaq. “Të cilit do t’i venë emrin Emanuel, që do të thotë: ‘Zoti me ne'” (Mateu 1:23). Duhet t’ia vëmë emrin Krisht sepse Ai është Biri i Perëndisë së gjallë. Mateu 16:16, “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë.”

Tek Filipianëve 2:10 emri Jezus zëvendëson vetë emrin Jahve, duke i bërë jehonë asaj që thotë Isaia 45:23. Kur e citon atë tekst Pali vendos emrin e Jezusit atje, “që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore”. Dhiata e Vjetër thotë që çdo gju do të bjerë para Jahves. Prandaj me tepër guxim Pali thotë që Jezusi është Jahve dhe që gjithçka që ishte e vërtetë për atë emër tani është e vërtetë për emrin Jezus.

Prandaj, ashtu sikurse tha edhe Jared në pyetjen e tij në fillim, emri i referohet thelbit, realitetit përcaktues të personit. E shihni vazhdimisht që fjala qëndron në vend të një aspekti përcaktues të personit. E shihni herë pas here që emri dhe personi janë të këmbyeshëm.

Për shembull, tek Kolosianëve 3:17 thuhet, “Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus.” Pastaj vazhdon në këtë mënyrë, “duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij.” Në vend që të thotë sërish emrin e Jezusit, gjë të cilën mund ta kishte bërë, ai tha, “nëpërmjet tij.” Pra, bëni gjithçka në emrin e Jezusit, duke e falënderuar Atin përmes tij sepse ai dhe emri i Zotit Jezus janë të këmbyeshëm në atë varg. Ky është vëzhgimi i parë.

Një botë pa tituj
Pyetja reale e Jardit, pyetja ime është, Pse? Ne të gjithë mund ta shohim këtë gjë në Bibël, që emri vërtet ka rëndësi, emri vërtet përfaqëson thelbin. Dhe gjuhën tonë e kemi përshtatur me këtë gjë. Ne as që mendohemi dy herë kur lutemi në emrin e Jezusit apo kur bëjmë diçka tjetër në emrin e tij. Pyetja është pse ka një shpeshtësi kaq të dallueshme referimi ndaj emrit? Ja cila është përpjekja ime për të dhënë një përgjigje, përderisa Bibla nuk na e paraqet në një mënyrë të drejtpërdrejtë teologjike dhe sistematike që të na thotë, “Ja cili është shpjegimi pse përdor emrin kaq shumë herë.”

Përpiquni të imagjinoni çfarë do të ndodhte nëse nuk do të kishte emra. Nuk do të kishte përcaktime, madje as numra. Nuk ke një numër. Nuk je përcaktuar si 72389. Çfarë do të na mungonte nëse askush nuk do të kishte një emër, sikur askush të mos kishte një numër, dhe nëse askush nuk do të kishte ndonjë përcaktim personal? Çfarë do të na mungonte?

Mua më duket që do të na mungonte lehtësia e të folurit me dikë në nivel personal. Si do t’jua tërhiqnit vëmendjen? Nuk është tepër personale të thuash, “Hej, ti.” Është e vështirë të thuash shumë herë “Hej, ti.” Nuk mund të tregohesh i afërt me dikë në bisedë duke thënë vazhdimisht “Hej, ti,” dhe të mos përdorësh kurrë ndonjë përcaktim personal për faktin se kush janë ata persona individualisht. Kjo pra është gjëja e parë. Do na mungonte kjo mënyrë personale e të folurit.

Së dyti, do ta kishim të vështirë të flisnim me dikë nëse donim të diskutonim me rreth tyre. Nuk e po them që të flasim për ta në një mënyrë me thashetheme. E kam fjalën thjesht për të folurt në mënyrë pozitive rreth dikujt. Madje as nuk do kishim mundësi t’i emërtonim. Si do ta dinim se për kë do flisnim nëse nuk do kishim mundësi ta emërtonim dikë? Nuk mund të flisnim dot për ta, dhe as nuk mund t’iu përgëzonim.

Së treti, do ta kishim të vështirë t’a lavdëronim dikë nëse nuk mund t’i emërtonim dot. Pra, pa emra, e gjithë kjo është e pamundur – i gjithë ky komunikim i arsyeshëm do të dështonte. Perëndia e dinte këtë gjë dhe e nisi botën duke iu vendosur gjërave emra. Pasi Perëndia i emërtoi gjërat, Adami emërtoi kafshët; ai u vendosi emra të gjitha kafshëve dhe i vendosi emrin edhe gruas së tij. Kjo e bën komunikimin të mundshëm. Që hershëm Perëndia vendosi emra që korrespondonin me diçka të rëndësishme që një person e kishte apo do të kishte.
Meqë ra fjala, më lejoni të jap një koment të shpejtë. I inkurajoj prindërit të mendohen shumë kur iu vendosin emra fëmijëve të tyre, t’iu vendosni emra që kanë kuptim, në të cilin mund të rriten. Mos mendoni thjesht, “Oh, ky emër tingëllon bukur.” Sigurisht që jeta është shumë më tëpër se një tingull i bukur. Kaq mjafton. Ndoshta për këtë do të flasim një herë tjetër.

Për famën e emrit të tij
Ja cila është rrjedhoja: Referimi kaq shpesh ndaj emrit të Jezusit është një mënyrë për të thënë, “Këtë person nuk duhet ta trajtosh në mënyrë private. Ai nuk duhet të fshihet, nuk duhet të jetë një thelb i fshehur në zemrën apo në dhomëzën tënde. Ai duhet të jetë publik, të njihet në mënyrë globale, të pranohet si një person me një identitet me të cilin njerëzit flasin dhe për të cilin flasin – të cilin njerëzit e lavdërojnë dhe i këndojnë.” Theksi tek emri i tij shoqërohet nga theksi i pretendimit të tij publik, të jashtëm dhe global për vëmendjen e njerëzve.

  • Romakëve 1:5: “me anë të të cilit ne kemi marrë hir dhe apostullim, për bindje në besim midis të gjithë kombeve për hir të emrit të tij.”
  • Romakëve 9:17: “që të shpallet emri im mbi mbarë dheun”.
  • Romakëve 15:9: “Për këtë do të të përlëvdoj ndër kombe, dhe do t’i këndoj lavdërime emrit tënd!”
  • Romakëve 10:13: “Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet.”

Prandaj, një mënyrë për të menduar për këtë gjë është që emri i Jezusit shkon krah për krah me famën e Jezusit. Mendoj që kjo mund të jetë mënyra më përmbledhur për të mbajtur mend atë që jam duke u përpjekur të them. Emri i Jezusit shkon krah për krah me famën e Jezusit. Një emër është një mënyrë për të komunikuar me dhe rreth atij për të cilin jeni duke folur me të gjithë botën. Jezusi ekziston që të njihet; ai ekziston që të kërkohet dhe lavdërohet në mbarë botën. Fjala emër të tërheq vëmendjen vazhdimisht tek synimi verbal, publik dhe global i famës së tij.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*