A kam nevojë të pendohem nëse Krishti vdiq për të gjitha mëkatet e mia?
nga Pastor John Piper
Lee na shkruan dhe na bën këtë pyetje: “Pastor John, si i krishterë shpesh jam konfuz për mënyrën sesi të reagoj ndaj Perëndisë kur mëkatoj. Nga njëra anë besoj që Jezusi i pagoi të gjitha borxhet e mia një herë e përgjithmonë, të shkuarat, të tashmet dhe të ardhmet, prandaj nuk kam nevojë të kërkoj falje kur i lutem Perëndisë të më ripërtërijë dhe të më ndihmojë të eci me Të. Nga ana tjetër ndiej nevojën që të kërkoj falje në mënyrë që të mund të falem sërish. Pyetja ime është kjo, a duhet që një i krishterë t’i kërkojë faleje Perëndisë çdo herë që mëkaton apo jo?”
Pyetje e shkëlqyer. Jam përleshur me këtë pyetje herë pas here përgjatë viteve dhe jam përpjekur që jo vetëm të mendoj se çfarë thotë Bibla për këtë por gjithashtu cila është edhe mënyra më e mirë për të folur rreth kësaj gjëje. Prandaj së pari le të themelojmë faktin që vdekja e Jezusit në vendin tonë si zëvendësi ynë është ajo që i anulloi të gjitha mëkatet tona, jo vetëm ato para se të konvertoheshim. Mënyra më e mirë për ta treguar këtë është duke filluar me një përkufizim dhe pastaj të shkojmë tek Dhiata e Re. Ja përkufizimi nga Psalmi 32. Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen. Çfarë do të thotë kjo? Ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin. Lum ai njeri të cilin Zoti nuk e padit për paudhësi. Prandaj, të jesh i falur do të thotë që të të mbulohet mëkati, domethënë, Perëndia nuk e trajton atë si bazën e dënimit dhe madje nuk e llogarit. Ai nuk e numëron. Kjo është falja.
Pali i citon këto vargje tek Romakëve 4:4-8 kështu. Ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi. Me fjalë të tjera, përmes besimit tonë, dhe jo përmes veprave tona, Perëndia na numëron si të drejtë. Pastaj ai citon Psalmin 32. Sikurse Davidi shpall lumturinë e njeriut të cilit Perëndia numëron drejtësi pa vepra, duke thënë: ”Lum ata të cilëve u janë falur paudhësitë dhe të cilëve mëkatet u janë mbuluar. Lum njeriu të cilit Zoti nuk do t’ia numërojë mëkatin.”
Prandaj, në mendjen e Palit të numërohesh i drejtë ka të njëjtin kuptim me të mos numërohesh si mëkatar. Këtu është gjëja e rëndësishme. Kjo është një ngjarje që ka ndodhur një herë e përgjithmonë në mendjen e Palit e cila e themelon një herë e mirë identitetin tonë me Perëndinë. Ne nuk dalim dhe hyjmë nga drejtësimi. Deklarimi i drejtësisë tonë ndodh përmes besimit kur bashkohemi me Krishtin prandaj sikurse thotë edhe Filipianëve 3:9 nuk kemi drejtësinë tonë por drejtësinë që vjen nga Perëndia përmes besimit. Falja e mëkateve është e lidhur në mënyrë të pandashme me atë llogaritje një herë e përgjithmonë të drejtësisë. E njëjta gjë është edhe tek libri i Hebrenjve kapitulli 10. Kjo është Besëlidhja që unë do të bëj me ata… nuk do t’i kujtoj më mëkatet e tyre dhe paudhësitë e tyre.” Edhe atje ku ka ndjesë të këtyre gjërave – domethënë përmes vdekjes së Jezusit – nuk ka më ofertë për mëkatin.
Prandaj ideja është kjo: Kur Krishti vdes për mëkatet i gjithë sistemi i flijimeve ndaloi për shkak se ajo ngjarje i mbuloi të gjitha mëkatet dhe nuk ka më nevojë që të bëhet ndonjë flijim tjetër. Prandaj kjo gjë ka një element një herë e përgjithmonë, sepse sipas Kolosianëve 2:14, Ai e zhvlerësoi dokumentin e urdhërimeve, që ishte kundër nesh.
Kur ne vendosim besimin tonë në Jezusin kjo gjë bëhet jona. E gjithë arritja e Tij bëhet e jona. Veprat 10:34 thotë, “kushdo që beson në të merr faljen e mëkateve me anë të emrit të tij,” e merr të gjithë paketën. Prandaj tani pyetja shtrohet… këtë pyetje bëri Lee. A duhet të lutemi për faljen e mëkateve kur mëkatojmë si të krishterë? A nuk i mbuloi Krishti që të gjitha? Pse pra të lutemi për falje?
Do të shkoj vetëm tek një vend për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, tek letra e parë e Gjonit, për shkak se asnjë libër nuk është më i qartë për faktin që të krishterët mëkatojnë dhe se çfarë duhet të bëjnë në këtë rast. Jemi tek 1 Gjoni 1:7. Po të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi njeri me tjetrin, dhe gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat. Vini re. Kjo është gjë shumë e madhe. Po të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi njeri me tjetrin, dhe gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat. Çfarë do të thotë të ecësh në dritë? Vargu 8 thotë, “Po të themi se jemi pa mëkat, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne.” Prandaj, të ecurit në dritë nuk mund të ketë kuptimin e pamëkatshmërisë. Ecja në dritë duhet të ketë kuptimin që jeni të vetëdijshëm kur mëkatoni, nuk jeni të verbër dhe në errësirë ndaj kësaj. Ju e shihni. Vargu nëntë. “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet. Ai sapo ka thënë që nëse ecim në dritë merr pastrimin nga mëkati, dhe tani po thotë nëse i rrëfen mëkatet e tua Ai është besnik dhe i drejtë të na i falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.
Prandaj, rrëfimi i mëkateve duhet të jetë pjesë e të ecurit në dritë. Prandaj, gjaku i Jezu Krishtit na pastron vazhdimisht ndërsa ecim në dritë dhe të ecurit në dritë do të thotë të jemi të vetëdijshëm kur mëkatojë. Ta rrëfejmë mëkatin, dhe kjo do të thotë që e pranoj. E bëra. E urrej. Nuk e dëshiroj. Kjo do të thotë që të themi të vërtetën në lidhje me mëkatin tonë dhe kur e bëjmë këtë jemi duke ecur me Perëndinë në dritë. Nuk jemi duke dalë dhe hyrë në një marrëdhënie me Perëndinë apo dritën. Ne po ecim në dritë. E shohim mëkatin tonë si mëkat. E urrejmë mëkatin tonë. E rrëfejmë mëkatin tonë. Dhe kështu po shijojmë premtimin e vargut shtatë që kur ecim në dritë po pastrohemi nga mëkati ynë.
Si e lidh Gjoni gjakun e Jezusit me mëkatin tonë origjinal? Mua më duket që ai e bën të qartë. Mëkatet tuaja janë falur për hir të emrit të tij një herë e përgjithmonë, 1 Gjoni 2:12. Por këtu duhet të ecim në dritë për të vazhduar që të përjetojmë faljen pastruese që Ai ka blerë një herë e përgjithmonë.
Çfarë do të thotë të vazhdojmë ta shijojmë këtë gjë? Do të thotë të rrëfejmë, të mos e mohojmë, të biem dakord që mëkati ynë është i pranishëm dhe ta urrejmë atë. 1 Gjoni 2:1 thotë, “Në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin.” Me fjalë të tjera, ka një rrëfim qiellor dhe një rrëfim tokësor të mëkatit tonë. Ne e rrëfejmë mëkatin tonë dhe turremi tek gjaku i Jezusit i cili e mbulon dhe Jezusi në qiell e rrëfen dhe aplikon gjakun e Tij në të. Ai është avokati ynë. Ai vazhdimisht e merr veprën e Tij të përfunduar dhe na e zbaton ne ditë pas dite ndërsa ne vazhdimisht e aplikojmë veprën e Tij në jetën tonë ditë pas dite.
Prandaj, përgjigja ime ndaj pyetjes: A duhet të lutemi për falje për mëkatet e vazhdueshme?, është po, nëse me këtë duam të themi: At, rrëfej që kam mëkatuar. Më vjen keq për këtë gjë. E urrej faktin që të çnderoj Ty në këtë mënyrë. Ki mëshirë për mua tani dhe mbuloje mëkatin tim me gjakun e Birit Tënd, sepse për këtë vdiq Ai. Mbahem fort tek Ai si shpresa ime e vetme.
Kur Jezusi na thotë tek Predikimi në Mal: Lutuni kështu, “Na i fal fajet tona sikurse i falim edhe ne fajtorët tanë,” mendoj se këtu e ka fjalën. Mendoj që Ai do të thotë, “Po shkoj në kryq për ju. Do të derdh gjakun tim të besëlidhjes për faljne e mëkateve. Shkoni tek Ati çdo ditë. Kapuni pas asaj që unë kam blerë për ju.
Nëse Lee pyet, A duhet të rrëfej çdo mëkat? Përgjigja ime është: Jo, për shkak se ti as nuk ke mundësi që t’i kujtosh të gjitha. Nuk i di të gjitha mëkatet e tua. Përkundrazi, bashkohu me psalmistin e Psalmit 19 dhe lutu kështu. “Kush i njeh gabimet e tij? Pastromë nga ato që nuk i shoh. Përveç kësaj ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit, dhe bëj që ato të mos më sundojnë mua; atëherë unë do të jem i ndershëm dhe i pastër nga shkelje të mëdha.”
Original Article from DesiringGod.org
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!