A shpëtohen të gjithë përmes Krishtit ashtu si humbën përmes Adamit?

Pyetja 27

A shpëtohen të gjithë njerëzit përmes Krishtit ashtu si humbën përmes Adamit?

Jo, vetëm ata që janë të zgjedhurit e Perëndisë dhe të bashkuar me Krishtin përmes besimit. Megjithatë në mëshirën e tij Perëndia u tregon hir të zakonshëm edhe atyre që nuk janë të zgjedhur duke kufizuar efektet e mëkatit dhe duke mundësuar veprat e kulturës për mirëqenien e njerëzve.

Në fakt, në qoftë se prej shkeljes së këtij njërit vetëm vdekja mbretëroi për shkak të atij njërit, akoma më shumë ata që marrin bollëkun e hirit dhe të dhuratës se drejtësisë do të mbretërojnë në jetë me anë të atij njërit, që është Jezu Krishtit.

Romakëve 5:17

Komentim

Hiri i zakonshëm është termi që përdoret për ato bekime të përgjithshme të cilat Perëndia ua jep të gjithë burrave dhe grave pa dallim ashtu siç i pëlqen Atij, jo vetëm popullin e Tij, por për të gjithë burrat dhe gratë sipas vullnetit të Tij. Ose, hir i zakonshëm janë ato vepra të përgjithshme të Frymës së Shenjtë në të cilat, pa shkaktuar ripërtëritjen e zemrës, Ai ushtron ndikim moral duke kufizuar mëkatin, ruan rendin në jetën shoqërore, dhe nxit drejtësinë shoqërore. Ky është përkufizimi i përgjithshëm. Fryma e Shenjtë ka vepruar në këtë botë që prej fillimit. Ai e ushtron ndikimin dhe efektet e Tij mbi burra dhe gra që nuk janë shpëtuar dhe kanë shkuar në humbje. Ndërsa ishin në këtë jetë dhe këtë botë ata përjetuan këto veprime të përgjithshme jo shpëtuese të Frymës së Shenjtë. Ky nuk është një ndikim shpëtues, nuk është as ndikim shpengues, por është pjesë e qëllimit të Perëndisë. Nëse Fryma e Shenjtë nuk do të vepronte tek burrat dhe gratë në këtë mënyrë të përgjithshme, qeniet njerëzore, si rezultat i Rënies në mëkat do të ishin harruar shumë kohë më parë. Pas hirit të zakonshëm vjen ajo që në përgjithësi përkufizohet si kulturë. Me këtë dua të them artet dhe shkenca, interesimi për mendjen, literaturën, arkitekturën, skulpturën, pikturën dhe muzikën. Nuk mund të ketë pikë dyshimi që qytetërimi i arteve është i mirë. Ai nuk është shpengues, por ama i përmirëson njerëzit, bën që të jetojnë jetë më të mirë. Pyetja është, prej nga vijnë gjithë këto gjëra të mira? Si mund ta shpjegojmë ekzistencën dhe gjenialitetin e njerëzve si Shekspiri dhe Mikelanxhelo? Përgjigja nga Shkrimi është që të gjithë këta njerëz kishin dhunti dhe ishin në gjendje t’i ushtronin ato si rezultat i veprimit të hirit të zakonshëm, këtij ndikimi të zakonshëm të Frymës së Shenjtë.

David Martin Lloid Xhons (David Martyn Lloyd-Jones, 1899–1981). Doktor dhe shërbestar Protestant nga Uellsi. Lloid Xhons është më i njohur për predikimin dhe mësimin e tij për tridhjetë vjet në Uestminster Çëpëll (Westminster Chapel) të Londrës. Ai kalonte muaj të tërë, madje dhe vite për të shtjelluar një kapitull të Biblës varg pas vargu. Ndoshta botimi i tij më i famshëm është seria e komentarëve me 14 volume për letrën e Romakëve.

Lutje

Nga gjithë dështimet e mia të dobëta dhe më tepër se kaq
Nga gjithë fitoret që duket se kam korrur
Nga zgjuarsia që kam treguar për hirin Tënd
Me të cilat engjëjt qajnë dhe audienca qesh;
Nga gjithë provat e mia për hyjninë Tënde,
Ti që nuk jep asnjë shenjë, më çliro.
Mendimet janë si monedhat. Bëj që të mos u besoj
veç Teje, dhe imazhit Tënd në to.
Nga gjithë mendimet e mia, madje dhe ato për Ty,
Ti o Qetësi e bukur, bjer mbi mua e më çliro.
Zot i portës së ngushtë dhe vrimës së gjilpërës,
Largo prej meje çdo gjë të pavlerë, ndryshe do të vdes.

C. S. Ljuis (C. S. Lewis, 1898–1963). Profesor i letërsisë Angleze në Universitetin e Oksfordit dhe njëkohësisht drejtor i Katedrës së Anglishtes në Universitetin e Kembrixhit. Ljuis shkroi kritika letrare, letërsi për fëmijë, letërsi fantastiko shkencore, si dhe teologji. Veprat e tij më të njohura janë Thjesht Krishterim, Letrat e Hirziut dhe Kronikat e Narnias. Ljuis ishte anëtar i Kishës së Anglisë. Kthimi i tij në Krishterim u ndikua prej mikut dhe kolegut të tij në Oksford J. R. R. Tolkien.

New City Catechism was adapted by Timothy Keller and Sam Shammas from the Reformation catechisms. Copyright © 2012 by Redeemer Presbyterian Church.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*