Agjërimi për fillestarë

Gjasat janë që ju jeni mes shumicës masive të të krishterëve të cilët agjërojnë rrallë apo nuk agjërojnë aspak. Nuk është për shkak se nuk e kemi lexuar Biblën apo nuk kemi dëgjuar predikime besnike rreth fuqisë së agjërimit, dhe as që me të vëërtetë nuk duam ta bëjmë këtë gjë. Thjesht nuk e kemi provuar kurrë.
Pjesë e arsyes mund të jetë që ne jetojmë në një shoqëri në të cilën ushqimi është aq i kudogjendur saqë hamë jo vetëm kur nuk kemi nevojë të hamë, por ndonjëherë edhe kur nuk duam të hamë. Ne hamë për të ndarë një vakt me të tjerët, për të ngritur dhe ndërtuar marrëdhënie (arsye të mira), apo thjesht si shpërqendrim nga përgjegjësia.

Sigurisht, kemi dëshirat dhe sëmbimet tona për rehati të cilat na mbajnë larg parehatisë së agjërimit.

Mos u nxitoni

Agjërimi është heqja dorë vullnetarisht prej ushqimit – apo nga çdo dhuratë tjerët e Perëndisë të cilën e shijoni rregullisht – për hir të një qëllimi frymëror. Agjërimi është qartësisht kundër kulturor në shoqërinë tonë të konsumit, në mënyrë të ngjashme me abstenimin nga seksi deri në martesë.

Nëse duam të mësojmë artin e humbur të agjërimit dhe të shijojmë frytet e tij, kjo gjë nuk do të vijë duke ia vënë veshin shoqërisë, por nga Biblat tona të hapura. Prandaj, shqetësimi nuk do jetë nëse do të agjërojmë, por kur. Jezusi e pranon që ndjekësit e tij do të agjërojnë dhe madje premton që kjo do të ndodhë. Ai nuk tha “nëse” por “kur të agjëroni” (Mateu 6:16) Ai nuk thotë që ndjekësit e tij mund të agjërojnë, por “ata do të agjërojnë” (Mateu 9:15).

Ne agjërojmë në këtë jetë për shkak se besojmë në jetën që po vjen. Nuk ka pse ta marrim gjithçka këtu dhe tani, për shkak se kemi një premtim që do të kemi gjithçka në epokën që do të vijë. Ne agjërojmë nga ajo që mund të shohim dhe shijojmë për shkak se kemi shijuar dhe parë mirësinë e Perëndisë së padukshëm dhe të pafundmë – dhe jemi dëshpërimisht të uritur për më tepër prej tij.

Masa radikale dhe të përkohshme

Agjërimi është për këtë botë, për t’i zgjeruar zemrat tona që të thithin ajër të pastër përtej dhimbjes dhe shqetësimit përreth nesh. Agjërimi është për betejën kundër mëkatit dhe ligësisë brenda nesh. Ne e shprehim pakënaqësinë me veten tonë mëkatare dhe dëshirën për më tepër nga Krishti.

Kur Jezusi të kthehet nuk do të ketë më nevojë për agjërim. Kjo është një masë e përkohshme, për këtë jetë dhe epokë, në mënyrë që ta pasurojë gëzimin tonë në Jezusin dhe për t’i përgatitur zemrat tona për jetën që po vjen – për ta parë atë ballë për ballë. Kur ai të kthehet, nuk do të shpallë një agjërim, por do të shtrojë një gosti; atëherë gjithë abstenimi i shenjtë do t’i ketë shërbyer qëllimit të vet të lavdishëm dhe të gjithë do ta shohin se çfarë dhurate e jashtëzakonshme që ishte.

Deri sa të vijë ajo ditë ne do të agjërojmë.

Si të filloni të agjëroni

Agjërimi është i vështirë. Tingëllon shumë më i lehtë në konceptim sesa del të jetë në praktikë. Mund të jetë e habitshme se lehtësisht acarohemi kur na ka shpëtuar një vakt. Shumë agjërues të rinj idealistë si ne kanë vendosur të lënë një vakt dhe kemi zbuluar që barku ynë na shtyrë ta zëvendësojmë shumë kohë para se të vinte vakti tjetër.

Agjërimi tingëllon si shumë i thjeshtë, e megjithatë bota, natyra jonë mëkatare dhe djalli komplotojnë për të prezantuar lloj-lloj komplikimesh të cilat e pengojnë të ndodhë. Me synimin për t’ju ndihmuar ta filloni këtë shteg të ngadaltë drejt agjërimit të mirë, po ju japim gjashtë këshilla. Këto sugjerime mund të duken tepër të hollësishme, por shpresa është që këshilla të tilla kaq bazë mund t’u shërbejnë atyre që janë të rinj në agjërim apo nuk e kanë provuar kurrë seriozisht.

1. Filloni me diçka të vogël.

Mos kaloni nga mos agjërimi tek përpjekja për të agjëruar për një javë të tërë. Filloni me një vakt; ndoshta agjëroni një vakt në javë për disa javë rresht. Pastaj provoni dy vakte, dhe përpiquni të arrini një agjërim një ditor. Ndoshta pastaj mund të provoni një agjërim dy ditor duke përdorur vetëm lëngje.

Një agjërim me lëngje do të thotë të hiqni dorë nga ushqimi dhe pijet me përjashtim të lëngut dhe ujit. Lejimi i vetes për të përdorur lëngje ju siguron lëndët ushqyese dhe sheqerin të cilat e ndihmojnë trupin tuaj të funksionojë, dhe në të njëjtën kohë e ndjeni efektin e lënies mënjanë të ushqimit të fortë. Nuk rekomandohet që të hiqni dorë nga uji gjatë agjërimit pavarësisht nga gjatësia e tij.

2. Planifikoni se çfarë do të bëni në vend të të ngrënit.

Agjërimi nuk është thjesht akt i privimit të vetes, por një disiplinë frymërore për të kërkuar më tepër nga plotësia e Perëndisë. Kjo do të thotë që duhet të kemi një plan për çfarë përpjekjesh pozitive do të ndërmarrim gjatë kohës që normalisht na duhet të hamë. Ne kalojmë një pjesë të mirë të ditës tonë me ushqimin para nesh. Një pjesë e rëndësishme e agjërimit është koha që krijon për lutje dhe meditim mbi fjalën e Perëndisë apo për ndonjë vepër dashurie ndaj të tjerëve.

Para se të hidheni me kokë në një agjërim, krijoni një plan të thjeshtë. Lidheni planin tuaj me qëllimin e agjërimit. Çdo agjërim duhet të ketë një qëllim specifik frymëror. Identifikoni se cili është ky qëllim dhe krijoni një fokus për të zëvendësuar kohën që do e kishit kaluar duke ngrënë. Pa një qëllim dhe një plan nuk është më agjërim i krishterë; është thjesht të të marrë uria.

3. Konsideroni sesi kjo gjë do t’i ndikojë të tjerët.

Agjërimi nuk është leje për të mos u treguar të dashur. Do ishte gjë e trishtueshme të na mungonte interesimi dhe kujdesi për të tjerët përreth nesh për shkak të kësaj shprehjeje të fokusit më të lartë tek Perëndia. Dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin shkojnë krah për krah. Agjërimi i mirë ndërthur interesimin horizontal me atë vertikal. Përkundrazi, të tjerët duhet të ndihen më të dashur dhe më të kujdesur prej nesh kur jemi duke agjëruar.

Prandaj, ndërsa planifikoni të agjëroni, konsideroni sesi kjo gjë do t’i ndikojë të tjerët. Nëse keni dreka të rregullta me kolegët apo darka me familjen apo shokët e dhomës, vlerësoni sesi do të ndikohen ata prej abstenimit tuaj, dhe lajmërojini me kohë, në vend që të mos paraqiteni, apo t’jua thoni në momentin e fundit që nuk do të hani.

Gjithashtu, konsideroni këtë frymëzim të papritur për agjërim: Nëse keni një praktikë ditore apo javore për të ngrënë me një grup të caktuar miqsh apo familjarësh, dhe ato plane ndërpriten nga udhtimi, pushimet apo rrethanat e papritura të dikujt, konsiderojeni atë si një mundësi për të agjëruar në vend që të hani vetëm.

4. Provoni lloje të ndryshme agjërimi.

Forma tipike e agjërimit është personale, private dhe e pjesshme, por ne gjejmë një larmi formash në Bibël: personale dhe komunitare, private dhe publike, kongregacionale dhe kombëtare, periodike dhe rastësore, absolute dhe të pjesshme.

Në mënyrë të veçantë, konsideroni agjërimin bashkë me familjen, grupin tuaj të vogël apo kishën tuaj. A keni ndonjë nevojë të përbashkët dhe të veçantë për urtësinë dhe udhëzimin e Perëndisë? Mos ka ndonjë vështirësi të pazakontë në kishë apo shoqëri për të cilën keni nevojë për ndërhyrjen e Perëndisë? A doni ta mbani parasysh ardhjen e dytë të Krishtit? Përgjërohuni me zell të veçantë për ndihmën e Perëndisë duke u radhitur krah për krah me besimtarë të tjerë për të agjëruar së bashku.

5. Agjëro nga diçka tjetër përveç ushqimit.

Agjërimi nga ushqimi nuk është domosdoshmërisht për këdo. Disa kushte shëndetësore i pengojnë edhe besimtarët më të devotshëm nga ndjekja e agjërimit tradicional. Megjithatë, agjërimi nuk kufizohet tek abstenimi nga ushqimi. Sikurse tha edhe Martyn Lloyd-Jones, “Agjërimi për hir të një qëllimi të veçantë frymëror duhet që të përfshijë abstenimin nga çdo gjë e cila në vetvete është e ligjshme.”

Nëse për ju është e udhës që për shkak të kushteve tuaja shëndetësore të mos abstenoni nga ushqimi, konsideroni të agjëroni nga televizor, kompjuteri, mediat sociale apo nga ndonjë formë tjetër kënaqësie e cila do ta përkulë zemrën tuaj drejt një kënaqësie më të madhe të Jezusit. Pali madje flet për çiftet e martuar që të agjërojnë nga marrëdhëniet seksuale “për një farë kohe, që t’i kushtoheni agjërimit dhe lutjes” (1 Korintasve 7:5).

6. Mos mendoni për gjëra pa lidhje.

Kur stomaku juaj i zbrazur të fillojë ankohet dhe t’i dërgojë trurit tuaj mesazhe “më ushqe” mos u kënaqni duke e lënë mendjen tuaj të fokusohet tek fakti që nuk keni ngrënë. Nëse duroni me një vullnet të hekurt i cili i thotë jo stomakut tuaj, por nuk i kthen sytë e mendjes tuaj dikur tjetër, kjo flet më tepër për dashurinë tuaj për ushqimin sesa për dashurinë tuaj për Perëndinë.

Agjërimi i krishterë e kthen vëmendjen e vet tek Jezusi apo tek një kauzë e madhe e tij në këtë botë. Agjërimi i krishterë kërkon të durojë dhimbjet e urisë dhe t’i kalojë ato në çelësin e një himni të përjetshëm, qoftë kur po lufton kundër mëkatit, qoftë kur përgjërohet për shpëtimin e dikujt, qoftë për çështjen e atyre fëmijëve që abortohen, apo për ëndjen për një shijim më të thellë të Jezusit.

David Mathis (@davidcmathis) është redaktori ekzekutiv për desiringGod.org dhe pastor i kishës Cities Church në Minneapolis/St. Paul. Ai është bashkëshort, baba i katër fëmijëve dhe autor i librit Habits of Grace: Enjoying Jesus through the Spiritual Disciplines [Zakonet e Hirit: Të kënaqesh me Jezusin përmes Disiplinave Frymërore].


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*