Cili është vullneti i Perëndisë dhe si mund ta njohim?

22 Gusht 2004 | prej John Piper

O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mençur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.

Romakëve 12:1-2

Synimi i Romakëve 12:1-2 është që e gjithë jeta të bëhet “adhurim frymëror.” Vargu 1, “paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mençur.” Synimi i gjithë jetës njerëzore në sytë e Perëndisë është që Krishti të duket aq i çmuar se është në realitet. Adhurim do të thotë të përdorim mendjen, zemrën dhe trupin tonë për të shprehur vlerën e Perëndisë dhe gjithë sa Ai është për ne në Jezusin. Ka një stil jete, një stil dashurie që e arrin këtë gjë. Ka një mënyrë sesi mund ta bëni punën tuaj që shpreh vlerën e vërtetë të Perëndisë. Nëse nuk mund ta gjeni, kjo do të thotë që duhet të bëni një punë tjetër. Ose ndoshta vargu 2 nuk është duke ndodhur në atë shkallë që duhet të ndodhë.

Vargu 2 është përgjigja e Palit për mënyrën sesi mund ta kthejmë gjithë jetën në adhurim. Ne duhet të transformohemi. Duhet të transformohemi. Jo vetëm në sjelljen tonë të jashtme por në mënyrën si ndihemi dhe mendojmë – duhet të transformohemi në mendjen tonë. Vargu 2 thotë, “por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj.”

Bëhuni ata që jeni

Ata që besojnë në Krishtin Jezus janë tashmë krijesa të reja në Krishtin të blerë me gjakun e Tij. “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja.” (2 Korintasve 5:17). Por tani duhet të bëhemi ata që jemi. “Hiqni, pra, majanë e vjetër, që të jeni një brumë i ri, siç jeni pa maja; sepse pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne.” (1 Korintasve 5:7).

Edhe veshët njeriun e ri, që përtërihet në njohurinë sipas shembullit të atij që e krijoi.” (Kolosianëve 3:10). Ju jeni bërë krijesa të reja në Krishtin; tani po ripërtëriheni ditë pas dite. Në këtë gjë u fokusuam në javën e fundit.

Kësaj here do të fokusohemi tek pjesa e fundit e vargut 2, domethënë, synimi i një mendjeje të ripërtërirë: “Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, [këtu Pali prezanton synimin] që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.” Prandaj fokusi për sot do të jetë termi “vullneti i Perëndisë” dhe mënyra sesi e dallojmë atë.

Dy vullnetet e Perëndisë

Në Bibël ekzistojnë dy kuptime të qarta dhe shumë të ndryshme për termin “vullneti i Perëndisë.” Ne kemi nevojë t’i dimë dhe të vendosim se për cilin prej tyre po flitet këtu tek Romakëve 12:2. Në fakt, njohja e ndryshimit mes këtyre dy kuptimeve të “vullnetit të Perëndisë” është kritike për të kuptuar një prej gjërave më të mëdha dhe të ndërlikuara në gjithë Biblën, dhe ky fakti që Perëndia është sovran mbi gjithçka e megjithatë ka shumë gjëra që Ai nuk i miraton. Kjo do të thotë që Perëndia nuk i miraton disa prej gjërave të cilat Ai i cakton që të ndodhin. Kjo do të thotë që Ai i ndalon disa prej gjërave që i bën të ndodhin. Ai gjithashtu urdhëron disa prej gjërave të cilat i ndalon. Apo për ta thënë në mënyrë më paradoksale: në një farë kuptimi Perëndia vendos që disa ngjarje të ndodhin dhe në një kuptim tjetër nuk i vendos.

1. Vullneti i Dekretit apo Vullneti Sovran

Le të shohim ata pjesë të Shkrimit që na bëjnë të mendojmë kështu. Së pari, konsideroni ato pjesë që e përshkruajnë “vullnetin e Perëndisë” si kontrollin e tij sovran mbi gjithë sa ndodh. Një prej pjesëve më të qarta është mënyra sesi Jezusi foli për vullnetin e Perëndisë në kopshtin e Gjetsemanes ndërsa ishte duke u lutur. Ai tha, tek Mateu 26:39, “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti.” Kujt i referohet vullneti i Atit në këtë varg? I referohet planit sovran të Perëndisë që do të ndodhë gjatë orëve në vazhdim. E mbani mend sesi e thotë këtë gjë Veprat 4:27-28, “Sepse pikërisht kundër Birit tënd të shenjtë, që ti e vajose, u mblodhën Herodi dhe Ponc Pilati me johebrenjtë dhe me popullin e Izraelit, për të bërë të gjitha ato që dora jote dhe këshilli yt kishin paracaktuar se do të ndodhnin.” Prandaj “vullneti i Perëndisë” ishte që Jezusi të vdiste. Ky ishte plani i tij, dekreti i tij. Ky plan nuk do të ndryshonte, prandaj Jezusi u përul dhe tha, “Kjo është kërkesa ime, por Ti bëj atë që është më e mirë për t’u bërë.” Ky është vullneti sovran i Perëndisë.

Të mos iu shpëtojë ajo pika shumë kritike e cila përfshin mëkatet e njerëzve. Herodi, Pilati, ushtarët, udhëheqësit Judenj – që të gjithë mëkatuan ndërsa po plotësonin vullnetin e Perëndisë që Biri i Tij të kryqëzohej (Isaia 53:10). Prandaj në këtë gjë të jeni shumë të qartë: Perëndia vendos që të ndodhin disa gjëra të cilat Ai i urren. Ja një shembull nga 1 Pjetri 3:17 ku shkruhet, “Sepse është më mirë, nëse është i tillë vullneti i Perëndisë, të vuani duke bërë mirë, se sa duke bërë keq.” Me fjalë të tjera, mund të jetë vullneti i Perëndisë që të krishterët të vuajnë për shkak se bëjnë të mirën. Këtu Pjetri ka ndër mend përndjekjen. Por përndjekja e të krishterëve që nuk e meritojnë, është mëkat. Prandaj sërish, nganjëherë Perëndia vendos që të ndodhin gjëra në të cilat përfshihet mëkati. “Sepse është më mirë, nëse është i tillë vullneti i Perëndisë, të vuani duke bërë mirë.”

Pali jep një përmbledhje të përgjithshme për këtë të vërtetë tek Efesianëve 1:11, “Në të edhe kemi qenë zgjedhur për një trashëgimi, duke qenë të paracaktuar sipas vendimit të atij që vepron të gjitha sipas këshillës së vullnetit të tij.” Vullneti i Perëndisë është qeverisja sovrane e Tij i të gjitha gjërave që ndodhin. Ka dhe shumë pjesë të tjera në Bibël që na mësojnë që providenca e Perëndisë mbi universin arrin deri tek hollësitë më të imëta të natyrës dhe vendimeve njerëzore. Asnjë harabel nuk bie për tokë pa lejen e Atit qiellor (Mateu 10:29). “Shorti hidhet që në barkun e nënës, por çdo veprim varet nga Zoti.” (Fjalët e Urta 16:33). “Prirjet e zemrës i përkasin njeriut, por përgjigja e gjuhës vjen nga Zoti.” (Fjalët e Urta 16:1). “Zemra e mbretit në duart e Zotit është si rrjedhat e ujit; atë e drejton ngado që do ai.” (Fjalët e Urta 21:1).

Ky është kuptimi i parë për vullnetin e Perëndisë: kontrolli sovran i Perëndisë mbi të gjitha gjërat. Këtë do ta quajmë “vullneti i tij sovran” apo “vullneti i dekretit.” Ky nuk mund të shkelet. Ky vullnet duhet të ndodhë gjithmonë. “Ai vepron si të dojë me ushtrinë e qiellit dhe me banorët e dheut. Askush nuk mund t’ia ndalë dorën ose t’i thotë: “Çfarë po bën?” (Danieli 4:35).

2. Vullneti i urdhërimit

Kuptimi tjetër për termin “vullneti i Perëndisë” në Bibël është ai të cilin mund ta quajmë “vullnet i urdhërimit.” Vullneti i Tij është ajo të cilën ai na urdhëron që ta bëjmë. Ky është vullneti i Perëndisë të cilit mund të mos i bindemi dhe të dështojmë që ta plotësojmë. Vullnetin e dekretit e bëjmë, besojmë apo jo në të. Vullnetin e urdhërimit mund të dështojmë që ta bëjmë. Për shembull, Jezusi tha, “Jo çdo njeri që më thotë: “Zot, Zot” do të hyjë në mbretërinë e qiejve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej.” (Mateu 7:21). Jo të gjithë njerëzit e bëjnë vullnetin e Atit të tij në qiell. Jezusi vetë e thotë këtë gjë. “Jo çdo njeri do të hyjë në mbretërinë e qiejve.” Pse? Për shkak se jo çdokush e bën vullnetin e Perëndisë.

Pali thotë tek 1 Thesalonikasve 4:3, “Sepse ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj; të hiqni dorë nga kurvëria.” Këtu gjejmë një rast tepër specifik për atë që Perëndia na urdhëron: shenjtëri, shenjtërim, pastërti seksuale. Ky është vullneti i urdhërimit. Por fatkeqësisht shumë njerëz nuk i binden këtij vullneti. Pastaj Pali thotë tek 1 Thesalonikasve 5:18, “Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.” Edhe këtu kemi një aspekt specifik të vullnetit të tij të urdhërimit: falënderoni në çdo situatë. Por shumë persona nuk e bëjnë këtë vullnet të Perëndisë.

Ja dhe një shembull tjetër, “Dhe bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë.” (1 Gjoni 2:17). Jo të gjithë njerëzit do të qëndrojnë përjetë. Disa po. Disa jo. Ku qëndron ndryshimi? Disa e bëjnë vullnetin e Perëndisë. Disa nuk e bëjnë. Vullneti i Perëndisë, në këtë kuptim nuk ndodh gjithmonë.

Prandaj nga këto tekste dhe shumë të tjerë në Bibël arrij në konkluzionin që ka dy mënyra për të folur për vullnetin e Perëndisë. Që të dyja janë të vërteta, që të dyja janë të rëndësishme për t’i kuptuar dhe besuar. Njërin e quajmë vullneti i dekretit të Perëndisë (apo vullnetin e tij sovran) dhe tjetrin e quajmë vullneti i urdhërimit të Perëndisë. Vullneti i tij i dekretit realizohet gjithmonë, besojmë apo jo në të. Vullneti i tij i urdhërimit mund të shkelet, dhe kështu ndodh çdo ditë.

Vlera e çmuar e këtyre të vërtetave

Para se të bëj lidhjen me Romakëve 12:2 më lejoni të komentoj për faktin sa të çmuara janë këto dy të vërteta. Që të dyja korrespondojnë me një nevojë të thellë që kemi të gjithë ne kur përjetojmë humbje të madhe apo lëndohemi thellë. Nga njëra anë, kemi nevojë për sigurinë që Perëndia është në kontroll dhe si rrjedhim është në gjendje të bëjë që gjithë dhimbja dhe humbja jonë të bashkëveprojnë për të mirën tonë dhe për të mirën e gjithë atyre që e duan atë. Nga ana tjetër, kemi nevojë të dimë që Perëndia simpatizohet me ne dhe nuk kënaqet në vetë mëkatin apo dhimbjen tonë. Këto dy nevoja korrespondojnë me vullnetin e dekretit dhe vullnetin e urdhërimit të Perëndisë.

Për shembull, nëse ju abuzuan rëndë kur ishit fëmijë dhe dikush iu thotë, “A mendoni se ky ishte vullneti i Perëndisë?” tani keni një mënyrë për të pasur një kuptim biblik për këtë përjetim dhe kështu të jepni një përgjigje që nuk bie ndesh me Biblën. Ju mund të thoni, “Jo, nuk ishte vullneti i Perëndisë; për shkak se ai urdhëron që njerëzit të mos jenë abuzues, por ta duan njëri-tjetrin. Ky abuzim e shkeli urdhërimin e tij dhe si rrjedhim e trazoi zemrën e tij me zemërim dhe brengë (Marku 3:5). Por në një kuptim tjetër, po, ishte vullneti i Perëndisë (vullneti i Tij sovran), për shkak se ka njëqind mënyra sesi ai mund ta kishte penguar të ndodhte. Por për arsye të cilat nuk i kuptoj plotësisht, Ai nuk e ndaloi.”

Korresponduake me këta dy vullnete janë dy gjëra për të cilat keni nevojë në këtë situatë: një është një Perëndi mjaft i fortë dhe sovran që t’i kthejë gjërat për mirë; dhe tjetra është një Perëndi që është në gjendje të simpatizohet me ju. Nga njëra anë, Krishti është një Mbret i Madh Sovran, dhe asnjë gjë nuk ndodh pa vullnetin e tij (Mateu 28:18). Nga ana tjetër, Krishti është një Kryeprift i Madh dhe i mëshirshëm që simpatizohet me dobësitë dhe dhimbjen tonë (Hebrenjve 4:15). Fryma e Shenjtë na mposht ne dhe mëkatin tonë kur vendos ta bëjë këtë gjë (Gjoni 1:13, Romakëve 9:15-16), dhe herë të tjera lejon që të të mposhtet, brengoset dhe zemërohet (Efesianëve 4:30, 1 Thesalonikasve 5:19). Vullneti i tij sovran është i pamposhtur, dhe vullneti i tij i urdhërimit mund të thyhet rëndë.

Ne kemi nevojë për të dyja këto të vërteta – për të dyja këto kuptime të vullnetit të Perëndisë – jo vetëm për të kuptuar Biblën, por edhe për t’u mbajtur fort tek Perëndia në mes të vuajtjes.

Për cilin vullnet bëhet fjalë tek Romakëve 12:2?

Tani për cilin prej këtyre vullneteve bëhet fjalë tek Romakëve 12:2, “Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.” Sigurisht që përgjigja është që Pali po i referohet vullnetit të urdhërimit të Perëndisë. E them këtë gjë për të paktën dy arsye. Njëra është që Perëndia nuk ka për qëllim që të njohim qysh më parë pjesën më të madhe të vullnetit të tij sovran. “Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë, por gjërat e shfaqura janë për ne dhe për bijtë tanë për gjithnjë, me qëllim që të zbatojmë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji.” (Ligji i Përtërirë 29:29). Nëse doni të dini hollësitë e ardhshme të vullnetit të dekretit të Perëndisë, nuk ke nevojë për një mendje të ripërtërirë, por për një top kristali. Kjo nuk quhet transformim dhe bindje, por quhet parashikim, apo të shtiesh në fall.

Arsyeja tjetër pse them që vullneti i Perëndisë tek Romakëve 12:2 është vullneti i urdhërimit të tij dhe jo ai i dekretit është që fraza, “që të provoni cili është” nënkupton që duhet ta zbulojmë vullnetin e Perëndisë dhe pastaj t’i bindemi me vullnet. Por në fakt ne nuk duhet të aprovojmë mëkatin dhe ta bëjmë atë, edhe pse ai mund të jetë pjesë e vullnetit sovran të Perëndisë. Kuptimi i Palit tek Romakëve 12:2 është thënë me fjalë të tjera pothuaj në mënyrë ekzakte tek Hebrenjve 5:14 ku thuhet, “kurse ushqimi i fortë është për të rriturit, të cilët, nga përvoja, i kanë të zhvilluara vetitë për të dalluar të mirën dhe të keqen.” (Shihni një frazë tjetër tek Filipianëve 1:9-11.) Ky është synimi i këtij vargu: jo hamendësimi i vullnetit sekret të Perëndisë të cilin ai ka në plan ta realizojë, por dallimi i vullnetit të zbuluar të Perëndisë të cilin duhet ta zbatojmë ne.

Tri faza njohjeje dhe bërje të vullnetit të zbuluar të Perëndisë

Ekzistojnë tri faza për njohjen dhe përmbushjen e vullnetit të zbuluar të Perëndisë, domethënë vullnetit të tij të urdhërimit. Që të gjitha këto faza kërkojnë një mendje të ripërtërirë me dallimin e dhënë prej Frymës së Shenjtë për të cilin kemi folur herën e kaluar.

Faza e parë

Së pari, vullneti i urdhërimit të Perëndisë është zbuluar me një autoritet final dhe vendimtar vetëm në Bibël. Ne kemi nevojë për një mendje të përtërirë për ta kuptuar dhe përqafuar atë që Perëndia na urdhëron në Shkrim. Pa një mendje të ripërtërirë kemi për t’i shtrembëruar Shkrimet për të mënjanuar urdhërimet e tyre radikale për vetëmohim, dashuri dhe kënaqësi supreme vetëm në Krishtin. Vullneti autoritar i urdhërimit të Perëndisë gjendet vetëm në Bibël. Pali thotë që Shkrimi është i frymëzuar dhe i bën të krishterët “që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.” (2 Timoteu 3:16). Jo vetëm për disa vepra të mira. Por, “për çdo vepër të mirë”. Oh çfarë energjie, kohe dhe përkushtimi që duhet të shpenzojnë të krishterët në meditimin e Fjalës së shkruar të Perëndisë.

Faza e dytë

Faza e dytë e vullnetit të urdhërimit të Perëndisë është zbatimi ynë i të vërtetës biblike në situata të reja që mund të jenë trajtuar ose jo në mënyrë të drejtpërdrejtë në Bibël. Bibla nuk të thotë me cilin person të martohesh, çfarë tip makine të ngasësh, të kesh një shtëpi apo jo, të marrësh pushime ose jo, me cilën kompani të marrësh shërbimin celular, apo çfarë lloj lëng portokalli të pish. Bibla nuk të thotë se çfarë zgjedhje të bësh për një mijë gjëra të tjera si këto.

Ajo që është e nevojshme është që të kemi një mendje të ripërtërirë, një mendje që është formuar dhe qeverisur në mënyrë të tillë prej vullnetit të zbuluar të Perëndisë në Bibël saqë të jemi në gjendje të shohim dhe vlerësojmë të gjithë faktorët e rëndësishëm përmes mendjes së Krishtit, dhe kështu të dallojmë atë që Perëndia po na thërret të bëjmë. Kjo është shumë e ndryshme nga përpjekja e vazhdueshme për të dëgjuar zërin e Perëndisë që të të thotë bëj këtë apo atë gjë. Njerëzit që përpiqen ta jetojnë jetën e tyre duke dëgjuar zëra nuk janë duke jetuar në përputhje me Romakëve 12:2.

Ekziston një ndryshim i madh mes lutjes dhe përpjekjes për një mendje të ripërtërirë që e dallon sesi ta zbatojë Fjalën e Perëndisë nga njëra anë dhe zakonit të kërkimit prej Perëndisë që t’ju japë një zbulesë të re se çfarë të bëni, nga ana tjetër. Falli nuk kërkon transformim. Synimi i Perëndisë është një mendje e re, një mënyrë e re të menduari dhe gjykuari, dhe jo thjesht informacion i ri. Synimi i tij është që ne të transformohemi, të shenjtërohemi, të çlirohemi prej së vërtetës së Fjalës së tij të zbuluar (Gjoni 8:32, 17:17). Prandaj faza e dytë e vullnetit të urdhërimit të Perëndisë është zbatimi dallues i Shkrimit në situata të reja në jetë përmes një mendjeje të ripërtërirë.

Faza e tretë

Përfundimisht, faza e tretë e vullnetit të urdhërimit të Perëndisë është ajo pjesë masive e jetës ku nuk ka ndonjë reflektim të ndërgjegjshëm para se të veprojmë. Guxoj të them se 95% e sjelljes tuaj nuk është e paramenduar. Kjo do të thotë që shumica e mendimeve, qëndrimeve dhe veprimeve tuaja janë spontane. Ato janë thjesht reflektim i asaj që gjendet brenda. Jezusi tha, “Sepse ç’ka zemra qet goja. Njeriu i mirë nga thesari i mirë i zemrës nxjerr gjëra të mira; por njeriu i keq nxjerr gjëra të këqija nga thesari i tij i keq. Por unë po ju them se ditën e gjyqit njerëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë që kanë thënë.” (Mateu 12:34-36).

Pse e quaj këtë pjesë të vullnetit të urdhërimit të Perëndisë? Për një arsye. Për shkak se Perëndia na urdhëron gjëra si: Mos u zemëroni. Mos jini krenarë. Mos lakmoni. Mos u shqetësoni. Mos jini xhelozë. Mos kini smirë. Asnjë prej këtyre veprimeve nuk është i paramenduar. Zemërimi, krenaria, lakmia, shqetësimi, xhelozia, smira – ato të gjitha thjesht dalin prej zemrës pa ndonjë reflektim apo synim të ndërgjegjshëm. Ne jemi fajtorë për shkak të tyre. Gjëra të tilla e shkelin urdhërimin e Perëndisë.

Prandaj a nuk është e qartë që në jetën e krishterë ka një detyrë të madhe: Të transformohemi përmes ripërtëritjes së mendjes. Ne kemi nevojë për zemra dhe mendje të reja. Bëjeni pemën të mirë dhe fryti i saj do jetë i mirë (Mateu 12:33). Kjo është sfida e madhe. Këtë ju thërret Perëndia që të bëni. Nuk mund ta bëni dot vetë. Keni nevojë për Krishtin që vdiq për mëkatet tuaja. Keni nevojë që Fryma e Shenjtë t’ju udhëheqë tek e vërteta që lartëson Krishtin dhe që të prodhojë në ju një përulësi që përqafon të vërtetën.

Jepjani veten tuaj këtij synimi. Zhytuni në Fjalën e shkruar të Perëndisë; mbusheni mendjen tuaj me të. Lutuni që Fryma e Krishtit t’ju bëjë aq të rinj saqë ajo që do të reflektohet nga brendësia të jetë i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.

By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*