Dashuri Disiplinuese – John MacDuff

“Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi!”

“Unë të gjithë ata që i dua i qortoj dhe i ndëshkoj” – Zbulesa 3:19

“Të kam provuar në furrën e pikëllimit” – Isaia 48:10

A e vënë në gjumë tingujt e njohur të zërit të nënës foshnjën që është trembur në djep nga ëndrrat e frikshme? Këto dy “mendime të Perëndisë” në fillim të këtij meditimi – zëri i Prindit tonë qiellor, mund ta qetësojnë shpirtin tonë të trazuar dhe të na bëjnë ta mbështesim kokën me siguri mbi jastëkun e vullnetit të Tij të shenjtë.

Është e vërtetë që ka kohë kur pavarësisht nga bindjet e mira dhe një filozofi më e vërtetë, mendimet tona përzihen me dyshime fajtore – të cilat nganjëherë nuk janë të denja – në lidhje me drejtësinë e trajtimeve Hyjnore. Ne themi dhe mendojmë bashkë me Jakobin plak, “Të gjithë këto gjëra janë kundër meje.” “Po,” vjen përgjigja e Disiplinuesit Hyjnor, “ajo sprovë, me gjithë ashpërsinë e saj të dukshme, është një mendim i dashurisë Time – një provë, një garanci e interesimit Tim për mirëqenien tënde. Në këto zjarre të forta furre, të kam zgjedhur – në mes të këtyre zjarreve do të të mbaj; nga këto zjarre do të të nxjerr si një enë të rafinuar dhe të përshtatshme për përdorimin e Zotërisë!”

“Fakti që kjo vuajtje është një dashuri e patregueshme,” thotë dikush që shkruan nga thellësitë e përjetimit të vet, “nuk kam pikë dyshimi; sepse Ai që e ka dërguar nuk është një Mik i ri – por një Mik i çmuar dhe i sprovuar.” Një tjetër thotë, “Vuajtjet me të cilat përballemi janë të gjitha pusulla në të cilat Perëndia na thotë, “Nuk të kam harruar!” Ai është ulur si metalurgu i furrës së Tij, duke kontrolluar furinë e flakëve. Prindi njerëzor, kur disiplinon, me raste mund të veprojë edhe në mënyrë kapricioze, duke u motivuar nga një shtysë e pakontrolluar, “por Perëndia na disiplinon për të mirën tonë – që ne të bëhemi pjesëtarë të shenjtërisë së Tij.”

Përkundrazi, disiplina më urgjente, goditja më e rëndë e shkopit – që të mos lihemi pa kontroll dhe të pazot në kërkimin tonë pas botës, harresës dhe mëkatit – është kur Perëndia shqipton këto fjalë të rënda, “Pse doni që të goditeni edhe më? Do të ngrinit krye edhe më tepër.” Është sikur Ai të kishte thënë, “Pse të ‘mendoj’ më gjatë për ju, apo të përpiqem që t’ju rifitoj? Paralajmërimet dhe qortimet e Mia janë të kota – do të kthehem në vendin Tim – do të heq dorë prej teje!” Oh, qortimi më i frikshëm nga të gjithë – kur mendimet më të dashura, më të durueshme dhe më të vetë-përmbajtura të Perëndisë shteren dhe kur mosbesimi ynë kokëfortë e bën Atë të shqiptojë dënimin e braktisjes!

O i sprovuar, tani e tutje dallo në vuajtjet e tua më të dhimbshme thuprën e Atit, dëgjo në to zërin e Atit, shiko në secilën prej tyre se çfarë do t’i veshë ato me një rrezatim lavdie të përulur, edhe pse mund të jetë mister – por megjithatë ky është një ‘mendim i çmuar’ i Perëndisë, dhe ky është mendimi i mirësisë dhe mëshirës. Humbja e pasurive tokësore – ishte një mendim i Perëndisë. Ai zhgënjim përvëlues, tretja e shpresës suaj – ishte një mendim i Perëndisë. Ajo sëmundje e zgjatur, ajo lëngatë e mundimshme – ishte mendimi i Perëndisë. Thyerja e idhullit prej argjile – ishte mendim i Perëndisë.

Kjo sigurisht që mjafton për t’i rizgjuar telat e këputur dhe të çakorduar të zemrës tuaj që të prodhojnë një melodi, “Perëndia ndreq atë që do dhe fshikullon çdo bir që i pëlqen.” Ai nuk është kurrë më pranë jush sesa në kohën e sprovës – Ai nuk e zbulon kurrë zemrën e Tij më tepër sesa në atë moment. Sprova është letra e dashurisë së Perëndisë për njerëzit e Tij të dashur. “Unë do të ngazëlloj dhe do të kënaqem me mirësinë tënde, sepse ti ke parë pikëllimin tim dhe i ke kuptuar ankthet e shpirtit tim.”


“Thoughts of God” by John MacDuff

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

%d bloggers like this: