Feniksi i Firences

Pjetër Martir Vermili
1499–1562
nga Kris Kastaldo

Që nga fëmijëria Pjetër Martir Vermili dëshironte të jepte mësim fjalën e Perëndisë. Në moshën 15-vjeçare u bë pjesë e rendit të murgjve augustinianë në Fiezole të Italisë, një qytezë pranë qytetit të tij të lindjes, Firences. Pasi ndoqi studimet teologjike për plot tetë vjet, Vermili u shugurua si prift dhe fitoi një doktoraturë në teologji.

Vitet pas shugurimit i hapën Vermilit mundësi të reja shërbese. Ai u caktua në postin e predikuesit publik, një pozitë kjo shumë e lartë për kohën e tij. Teksa emri i tij u bë i famshëm në qytetet më të mëdha të Italisë, Vermili u ngrit në detyrë në pozitën e abatit në manastirin e rendit të tij murgjëror që gjendej në Spoleto, para se të zhvendosej në jug të vendit për të shërbyer në bazilikën e madhe të Shën Pjetrit të Aramit në Napoli. Pikërisht në këtë vend të ri shërbese jeta e tij do të ndryshonte një herë e përgjithmonë.

Drejtësia e Rivendosur

Sipas kolegut dhe biografit të tij, Josia Simler, gjatë qëndrimit të Vermilit në Shën Pjetër (1537-1540), “drita e madhe e të vërtetës së Perëndisë” nisi të ndriçonte tek ai. Kjo e vërtetë, sipas fjalëve të vetë Vermilit, kishte të bënte me faktin që “drejtësia e Krishtit, të cilën Perëndia na e ka llogaritur neve, e rivendos plotësisht çka i mungon drejtësisë tonë të dobët e të cunguar” (Tregimi i Pjetër Martirit, fq. 147). Ky ishte një rizgjim ungjillor, i cili e shndërroi rrënjësisht jetën dhe shërbesën e tij.

Pasi fitoi një vizion të ri të Krishtit dhe ungjillit, Vermili u zhvendos në veri të vendit në maj të vitit 1541 për t’u bërë abati i manastirit emërmadh të Shën Fredianos në Republikën e Lukës. Ndërsa ishte atje, ai u bë nismëtari i një sërë reformash arsimore dhe kishtare, të cilat me të drejtë krahasohen me veprën e Kalvinit në Gjenevë.

Por pas pesëmbëdhjetë muajsh rilindjeje ungjillore, Papa Pali III u sigurua që kjo reformë të shtypej duke rithemeluar inkuizicionin kishtar. Duke e kuptuar se ishte momenti për nëntë hile e një trimëri Vermili hoqi dorë nga betimet murgjërore dhe mori vendimin e vështirë për t’u larguar nga mëmëdheu.

Nga Strasburgu në Oksford

Martin Buceri ishte ai që bëri të mundur përfshirjen e Vermilit në stafin akademik të Kolegjit të Shën Tomës në Strasburg. Mërgimtari italian pritej të jepte mësim Shkrimet e Shenjta, gjë të cilën filloi ta bënte nga Dhiata e Vjetër.

Gjatë qëndrimit në Strasburg, Vermili gjithashtu u martua me një ish murgeshë nga Metzi, e cila quhej Katerina Damartin, “një grua që e donte besimin e vërtetë” dhe që admirohej shumë për veprat e saj të bamirësisë. Pas tetë vitesh martesë, ajo vdiq në shkurt të vitit 1553, por Pjetër Martiri u martua sërish me një Katerinë tjetër në maj të vitit 1559.

Pas pesë vitesh të frytshme mësimdhënieje në Strasburg, Vermili mori një ftesë në vitin 1547 nga Kryepeshkopi i Kentërbërit Tomas Krenmër për të forcuar Kishën e Anglisë, e cila sapo kishte fituar pavarësinë, me teologji të reformuar si Profesori Mbretëror i Teologjisë në Oksford. Mes shumë arritjeve të Vermilit gjatë kësaj periudhe, mund të përmendim mësimdhënien nga Letra e Romakëve, botimin e trajtesave të ndryshme teologjike, luajtjen e rolit si mbrojtësi i pikëpamjeve të Protestantizmit në Debatin e famshëm rreth Eukaristisë në vitin 1549 dhe mbështetjen që i dha Krenmërit në hartimin e një liturgjie të re për Kishën e Anglisë.

Studiuesi i Zyrihut

Me ardhjen në pushtet të Mbretëreshës Meri Katolikja në vitin 1553, Vermili u detyrua të largohej nga Anglia. Pasi u kthye në Strasburg u rivendos menjëherë në postin e tij prej pedagogu në Shkollën e Lartë, ku përveçse dha mësim dhe shkroi vepra teologjike, takohej me mërgimtarë të tjerë nga Anglia në shtëpinë e tij për të studiuar dhe për t’u lutur. Më pas ai pranoi një post mësimdhënieje në Akademinë e Zyrihut.

Pavarësisht mundësive të panumërta për të dhënë leksione rreth Evropës, përfshirë këtu edhe shumë ftesa nga Kalvini për të dhënë mësim në Gjenevë dhe për t’u bërë pastori i bashkësisë italiane në Gjenevë, Vermili qëndroi në Zyrih. I vetmi përjashtim ishte udhëtimi i tij për të marrë pjesë në Këshillin e Puasisë në krah të Teodor Bezës në vitin 1561, ku debatoi me drejtues katolikë para Kurorës Franceze dhe i dëshmoi Mbretëreshës Katerina de Mediçi në gjuhën e përbashkët amtare të tyre që është italishtja.

Mësues i Librit

Vermili vdiq në Zyrih më 12 nëntor 1562, në prani të bashkëshortes dhe miqve të tij. Ky humanist fiorentin dhe studiues i reformuar që për nga rëndësia dhe vlera ishte i barabartë me Kalvinin dhe Bullingerin do të mbahet mend për përkushtimin e tij ndaj Shkrimit dhe për pasionin që kishte për rilindjen e ungjillit. Siç thoshte Teodor Beza ai ishte një “feniks që u ngrit nga hiri i Savonarolës”. Edhe piktura e Vermilit që gjendet në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Londër dëshmon për bindjen e tij biblike. Në atë portret, sytë depërtues të Vermilit shohin në distancë përtej kornizës së zbukuruar teksa ky bën shenjë drejt librit të vetëm që ka në dorë dhe ky libër është Bibla.

Nëse do të kishte një thënie të pavdekshme në gojë të Vermilit, ka të ngjarë që do të ishte nxitja e mëposhtme: “Le të zhytemi vazhdimisht në Shkrimet e shenjta, le të punojmë fort për t’i studiuar dhe falë dhuratës së Frymës së Krishtit gjërat që janë të nevojshme për shpëtim do bëhen të qarta, të drejtpërdrejta dhe plotësisht të dukshme” (Jeta, Letrat dhe Predikimet, fq. 281).


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*