Gjashtë Arsye pse Ngjitja e Jezusit ka Rëndësi

prej Brian Tabb

image

A e keni shënuar ndonjëherë në kalendar Ditën e Ngjitjes së Jezusit në qiell? Sa prej nesh kemi dëgjuar ndonjëherë për Ditën e Ngjitjes? Kemi dëgjuar vallë një predikim për ngjitjen e Jezusit në qiell? është e pamundur që ta mbitheksosh rëndësine e të Premtes së Mirë, kur Jezusi vdiq për mëkatet tona, dhe të Dielën e Pashkës kur u ringjall prej së vdekuri – por shërbesa tokësore e Jezusit nuk mbaroi këtu.

Pas ringjalljes Jezusi i mësoi dishepujt e tij për mbretërinë e Perëndisë për dyzetë ditë (Veprat 1:3) dhe pastaj u “rëmbye” në qiell (Veprat 1:2, 11). Kryqi dhe varri bosh gjenden në zemër të mesazhit të ungjillit që është shpallur prej ndjekësve të Jezusit përgjatë historisë (shih 1 Korintasve 15:1-4). Sidoqoftë, për shumë të krishterë dhe kisha Ungjillore ngjitja e Jezusit është thjesht një mendim shtesë pas Pashkës dhe të Premtes së Mirë.

Në këtë artikull dëshiroj të nënvizoj gjashtë aspekte të ngjitjes apo lartësimit të Jezusit, duke shpresuar që kjo ngjarje domethënëse dhe kulminante në jetën e Jezusit të mos jetë më një mendim shtesë për ju.

1. Jezusi vazhdon të punojë edhe pas ngjitjes në qiell

Tek Veprat 1:1-2 lexojmë, “Tregimin e parë e bëra, o Teofil, mbi të gjitha gjërat që Jezusi nisi të bëjë dhe të mësojë, 2 deri në ditën në të cilën u muarr në qiell…” Fjala e shkurtër por e rëndësishme ‘nisi’ na sinjalizon që ngjitja e Jezusit nuk tregon pushimin por vazhdimësinë e punës së tij si Zot dhe Mesia. Për këtë gjë flet libri i dytë i Lukës, “Veprat e Zotit Jezus të ringjallur,” të cilat ai i bën prej qiellit, përmes popullit të tij, me anë të Frymës së Shenjtë, për përmbushjen e qëllimeve të Perëndisë.

2. Zoti Jezus i lartësuar dërgon Frymën e Shenjtë tek populli i tij.

Pas ringjalljes së tij Jezusi u tha ndjekësve të vet, “Dhe ja, unë po dërgoj mbi ju premtimin e Atit tim, por ju qëndroni në qytetin e Jeruzalemit deri sa të visheni me pushtet nga lart ” (Luka 24:49). Në predikimin e tij ditën e Pentekostit Pjetri shpjegoi, “Ai, pra, duke qenë i ngritur në të djathtë të Perëndisë dhe duke marrë nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, ka përhapur atë që ju tani shihni dhe dëgjoni” (Veprat 2:33). Perëndia premtoi tek Joeli 2:28, “Mbas kësaj do të ndodhë që unë do të përhap Frymën tim mbi çdo mish” dhe ky premtim u përmbush prej Zotit qiellor të lartësuar, Jezusit. Zoti i lartësuar dërgoi Frymën që të ishte i pranishëm me popullin e tij (Gjoni 14:16), që t’i fuqizonte për mision mbarë botëror (Veprat 1:8, 4:31), dhe për t’i transformuar besimtarët që të jetojnë një jetë të re duke reflektuar mbretin e tyre (Romakëve 8:9-11, 2 Korintasve 3:18).

3. Ngjitja e Jezusit është kurorëzimi i tij qiellor si Mbret.

Kur Jezusi u ngjit në qiell u vendos si mbreti i vërtetë i botës. Sipas Kredos së Apostujve, ai “u ngjit në qiell dhe është ulur në krahun e djathtë të Perëndisë, Atit të Plotfuqishëm.” Jezusi u rëmbye në qiell mbi një re (Veprat 1:9-11) dhe Stefani shpalli se pa Birin e Njeriut që qëndronte në të djathtë të Perëndisë (Veprat 7:56). Këto tekste na sugjerojnë që ngjitja e Jezusit në qiell përmbush profecinë e rëndësishme të Danielit 7:13-14.

Unë shikoja disa vegime nate, dhe ja mbi retë e qiellit po vinte dikush që i ngjante një Biri njeriu; ai arriti deri te i Lashti i ditëve dhe iu afrua atij. Atij iu dha sundimi, lavdia dhe mbretëria, me qëllim që gjithë popujt, kombet dhe gjuhët t ‘i shërbenin; sundimi i tij është një sundim i përjetshëm që nuk do të kalojë, dhe mbretëria e tij është një mbretëri që nuk do shkatërrohet kurrë “.

Mbretëria e Jezusit nuk mund të shkatërrohet dhe nuk do të kalojë! Sipas Zbulesës 3:21 Jezusi fitoi dhe u ul bashkë me Atin e vet në fronin e Tij ku po merr lavdërime pa fund (Zbulesa 5:6-13). Jezusi do mbretërojë në të djathtën e Perëndisë derisa të gjithë armiqtë e tij të vendosen poshtë këmbëve të tij (Psalmi 110:1, Veprat 2:34-35, 1 Korintasve 15:25, Hebrenjve 1:13). Kështu mbretëria e Perëndisë është inaguruar përmes kurorëzimit të Jezusit, i cili tani është ulur në fronin qiellor dhe do të kthehet për ta sjellë plotësisht mbretërinë e tij mbi tokë ashtu si në qiell.

4. Ngjitja e Jezusit është kthimi tek Ati i tij.

Para dhe pas vdekjes dhe ringjalljes së tij Jezusi shpalli që ishte dërguar prej Atit dhe duhej të kthehej tek Ati:

“Unë dola nga Ati dhe erdha në botë; përsëri po e lë botën dhe kthehem tek Ati ” (Gjoni 16:28, 13:1, 3)

Jezusi i tha Marisë, “Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita te Ati im; por shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj ”. (Gjoni 20:17)

Në historinë e botës nuk ka pasur asnjë bashkim më të ëmbël se kthimi i Jezusit tek Ati i tij! Ndoshta krahasimi më i afërt është një ushtar guximtar i plagosur që kthehet tek të dashurit e tij pas fitores së një beteje të ashpër. Jezusi e realizoi plotësisht misionin e tij dhe e lavdëroi Atin mbi tokë, dhe në ngjitjen e tij në qiell Ati e lavdëroi Birin (Gjoni 17:4-5). Merrni zemër prej faktit që kthimi i Jezusit tek Ati përgatit udhën edhe për ne që të jemi përgjithmonë me Jezusin (Gjoni 14:2-4).

5. Zoti Jezus i lartësuar është kryeprifti dhe ndërmjetësi ynë qiellor.

Jezusi është ndërmjetësi i veçantë mes Perëndisë dhe njerëzve (1 Timoteu 2:5). Vdekja dhe ringjallja e tij siguruan faljen, shfajësimin dhe pajtimin tonë me Perëndinë (Romakëve 4:25-5:1, 2 Korintasve 5:18-21). Vini re gjithashtu që Zoti Jezus i lartësuar tani është në qiell duke ndërmjetësuar për popullin e tij si avokati dhe kryeprifti ynë i vërtetë (Romakëve 8:34, Hebrenjve 1:3, 7:25, 81, 1 Gjoni 2:1). Gjatë shërbesës së tij tokësore puna e Jezusit ishte e kufizuar nga ana gjeografike – ai nuk jepte mësim në Etiopi ndërsa po shëronte në Kinë. Por tani ai është duke punuar kudo, në gjendje të dëgjojë dhe reagojë ndaj lutjeve të popullit të tij pavarësisht vendit apo kohës. Ai identifikohet me përleshjet tona dhe premton të bëjë çfarëdo që të kërkojmë në emrin e tij (Gjoni 14:13-14, Hebrenjve 4:15-16).

6. Zoti Jezus i lartësuar do të kthehet si Mbret dhe Gjykatës.

Tek Veprat 1:11 dy engjëj u shpjeguan dishepujve, “Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell ”. Mbretërimi qiellor i Jezusit një ditë do të realizohet plotësisht mbi tokë (Zbulesa 11:15, 19:10-16, 22:3). Kjo është ajo që kërkojmë kur lutemi “Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt në tokë si në qiell” (Mateu 6:10). Në kthimin e tij, Zoti Jezus do të ushtrojë gjykim hyjnor, duke i dhënë të drejtë popullit të tij të shtypur dhe duke gjykuar armiqtë e tij.

Çfarë do të thotë kjo për jetën tonë

Për ta përmbledhur, edhe pse shpesh anashkalohet, ngjitja është ajo që e plotëson misionin tokësor të Jezusit dhe tregon kurorëzimin e tij si mbreti qiellor. Jezusi e ka plotësuar misionin e Atit dhe tani mbretëron me autoritet dhe ndërmjetëson plot dhembshuri si ndërmjetësi dhe kryeprifti ynë. Po e mbyll me katër rrjedhoja të ngjitjes së Jezusit në qiell për jetën tonë tani.

1. Kujtoni që tani Jezusi po mbretëron si mbret dhe vazhdon të jetë i përfshirë në mënyrë aktive në botë dhe në jetën tonë.

2. Prandaj jetoni me guxim, me siguri dhe në mënyrë strategjike si shërbëtorë të mbretit të lartësuar të qiellit. Ta dini që mundi juaj në Zotin Jezus nuk është i kotë (1 Korintasve 15:58).

3. Ju që vuani, merrni zemër, Jezusi nuk është indiferent ndaj përleshjes suaj. Ai ka duruar vuajtje të mëdha dhe prandaj është këshilltari dhe ndërmjetësi më i mëshirshëm dhe i dhembshur. Ia jepni shqetësimet tuaja Zotit tuaj të lartësuar i cili i dëgjon lutjet tuaja dhe përgjigjet me gjithë autoritetin e qiellit.

4. Përfundimisht, shpresoni në një të ardhme të lavdishme. Zoti i ringjallur do të kthehet si gjykatës dhe mbret. Ai do të heqë tej padrejtësinë, do t’i japë fund vuajtjes, do të shkatërrojë vdekjen, dhe do të vendosë mbretërinë e tij të së vërtetës, drejtësisë dhe dashurisë. Më e mira fare është që do të jemi me mbretin tonë përgjithmonë.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*