Jezusi i jep fund etnocentrizmit

20 Janar 2002, prej John Piper

Pastaj erdhi në Nazaret, ku ishte rritur, dhe si e kishte zakon ditën e shtunë, hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. I dhanë në dorë librin e profetit Isaia; e hapi dhe gjeti vendin ku ishte shkruar: ”FRYMA E ZOTIT ËSHTË MBI MUA, SEPSE AI MË VAJOSI PËR TË UNGJILLIZUAR TË VARFËRIT; AI MË DËRGOI PËR TË SHËRUAR ATA QË E KANË ZEMRËN TË THYER, PËR TË SHPALLUR ÇLIRIMIN E TË BURGOSURVE DHE KTHIMIN E TË PARIT TË VERBËRVE, PËR TË ÇLIRUAR PËRSËRI TË SHTYPURIT, DHE PËR TË PREDIKUAR VITIN E PRANUESHËM TË ZOTIT”. Pastaj, si e mbylli librin dhe ia dha shërbyesit, u ul; dhe sytë e të gjithëve në sinagogë u drejtuan mbi të. Atëherë ai nisi të thotë: ”Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja”. Dhe të gjithë jepnin dëshmi dhe mrekulloheshin për fjalët e hirit që dilnin nga goja e tij, dhe thoshin: ”Po ky, a nuk është biri i Jozefit?”. Dhe ai u tha atyre: ”Me siguri ju do të më përmendni fjalën e urtë: “Mjek, shëro veten tënde”; të gjitha ato që dëgjuam se u bënë në Kapernaum, bëji edhe këtu në atdheun tënd”. Por ai tha: ”Në të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet. Në të vërtetë po ju them se në kohën e Elias, kur qielli u mbyll për tre vjet e gjashtë muaj dhe u bë një uri e madhe në gjithë vendin, ishin shumë të veja në Izrael; e megjithatë tek asnjëra nga ato nuk u dërgua Elia, përveç se te një grua e ve në Sareptë të Sidonit. Dhe në kohën e profetit Elise kishte shumë lebrozë në Izrael; megjithatë asnjë prej tyre nuk u pastrua, përveç Naamanit Sirian”. Kur i dëgjuan këto fjalë, të gjithë ata që ishin në sinagogë u zemëruan shumë. Dhe u ngritën, e dëbuan nga qyteti dhe e çuan deri në buzë të majës së malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, për ta hedhur poshtë. Por ai, duke kaluar përmes tyre, u largua.

Luka 4:16-30

Të Dielën e kaluar i rashë borisë për një vizion të cilin e quajta Mbjellja e një Pasioni. A mund të mblidhemi si bashkësi dhe të shkojmë krah për krah drejt një ëndrre për të mbjellë një kishë në vitin 2002 diku tjetër në Qytetet Binjake – apo edhe përtej (si në Sharlotë të Karolinës së Veriut për të koinçiduar kështu me zhvendosjen e Organizatës Ungjillëzuese të Billi Grahamit atje)? E quajta vizionin Mbjella e një Pasioni në mënyrë që të jetë e qartë që ky është një fokus i veçantë i deklaratës së misionit të kishës tonë: Ne ekzistojmë të përhapim një pasion për epërsinë e Perëndisë në të gjitha gjërat për gëzimin e të gjithë popujve përmes Jezu Krishtit. Por e bëra të qartë që synimi nuk është që të mbjellim një kishë çfarëdo. Për këtë vizion iu dhashë disa përshkrime të veçanta: me Perëndinë në qendër, që lartëson Krishtin, e zhytur në Bibël, që mobilizon për mision, që fiton shpirtra, që kërkon drejtësinë, etj.

Kërkimi i drejtësisë

Kur përdora frazën “që kërkon drejtësinë” kisha në mendje të paktën dy çështje: fokusin e kësaj të Diele tek harmonia raciale dhe fokusin e të Dielës së ardhshme tek shenjtëria e jetës. Dy çështjet më të mëdha në vendin tonë në fillim të këtij shekulli të 21-të janë çështjet e drejtësisë raciale dhe drejtësisë për të foshnjat e pa lindura. Besoj që ka një lidhje mes të qënurit një kishë që punon për drejtësinë dhe të qënurit një kishë e zhytur në Bibël, që lartëson Krishtin dhe ka Perëndinë në qendër.

Ne kemi nevojë të jemi më të zhytur në Bibël, më tepër të përqendruar në Perëndinë dhe ta lartësojmë Krishtin më tepër.

Një prej arsyeve pse kisha ungjillore – në mënyrë të veçantë kisha ungjillore e bardhë (edhe pse titulli është aq i papërshtatshëm sa dhe tjetri “kishë zezake”) – një prej arsyeve pse nuk kemi ndjekur drejtësinë shoqërore dhe drejtësinë për foshnjat e pa lindura me po aq pasion sa kemi mundësi është që nuk kemi qenë aq të përqendruar tek Perëndia, aq lartësues të Krishtit dhe aq të zhytur në Bibël sa mendojmë se jemi.

Kur themi që, “Ne ekzistojmë të përhapim një pasion për epërsinë e Perëndisë në të gjitha gjërat për gëzimin e të gjithë popujve përmes Jezu Krishtit,” a kemi menduar vërtet thellë sesi po e bëjmë Perëndinë suprem në marrëdhëniet ndër-raciale? A kemi menduar sesi po lartësohet Krishti në marrëdhëniet ndër-raciale? A kemi menduar sesi Bibla po i mbush mendimet dhe ndjenjat tona rreth marrëdhënieve etnike dhe çështjeve të racës, arsimimit, strehimit, ekonomisë dhe përbërjes së trupit të Krishtit? A po formohen mendimet, ndjenjat dhe veprimet tona prej epërsisë së Perëndisë, lavdisë së Krishtit dhe prej mesazhit radikal të Biblës në “të gjitha gjërat për gëzimin e të gjithë popujve”?

Paraliza e pa-përsosmërisë

Kur mendojmë për kishë mbjelljen nuk është që tashmë kemi arritur dhe si rrjedhim jemi gati ta riprodhojmë vetveten. Nëse presim deri sa të jemi të përsosur që të guxojmë të bëjmë një gjë të tillë, nuk kemi për ta bërë kurrë – nuk keni për t’u martuar kurrë, apo të qëndroni të martuar, të merrni punën e parë apo të vazhdoni me të, të shkoni në mision apo të qëndroni në mision, të vendosni të keni fëmijë apo të nisni një shërbesë. Pak gjëra janë ato që i paralizojnë njerëzit e mirë më tepër se pa-përsosmëria e tyre. Nxjerrtë Perëndia një popull që do të dëgjojë, mësojë dhe ta lërë mënjanë kritikën paralizuese të kundërshtuesve. Ne nuk kemi për synim të mbjellim një kishë për shkak se jemi të përsosur, por për shkak se kemi një ëndërr: që një kishë e re në një vend të ri me udhëheqës të rinj do t’i bëjë disa gjëra shumë herë më mirë nga sa i bëjmë ne këtu, të shtyrë nga i njëjti vizion Biblik.

Jeto për një Çështje të madhe jo për një Rehati të madhe

Një nga mënyrat sesi mendoj rreth Mbjelljes së një Pasioni është që po mbjellim një popull të përkushtuar për të jetuar për një çështje të madhe, dhe jo për një rehati të madhe. Kam predikuar edhe më parë për temën: Të jesh i Krishterë do të thotë të shkosh drejt nevojës dhe jo drejt rehatisë. Të zgjohem në mëngjes dhe të shkoj të fle në mbrëmje jo duke ëndërruar sesi të shtoj rehatitë e mia por si të çoj përpara një çështje të madhe që ka Perëndinë në qendër. Mbjellja e një Pasioni do të thotë të mbjellim një popull që nuk e tret veten ditë e natë pas ruajtjes, lartësimit dhe argëtimit të tij, por që ndjek diçka më të madhe dhe më madhështore se vetja, familja apo kisha e vet.

Cila është Çështja e madhe për të cilën po jetoni ju? Këtë të Dielë dhe atë të ardhshme po bëj pyetjen, A do të ketë disa prej jush – disa qindra prej jush – që do të thonë, “Çështja e madhe e jetës time është të madhëroj Jezu Krishtin përmes harmonisë dhe drejtësisë raciale që ka Perëndinë në qendër dhe që është e zhytur në Bibël”? Ose që thonë, “Çështja e madhe e jetës time është të madhëroj Jezu Krishtin përmes drejtësisë për foshnjat e pa lindura, një çështje që ka Perëndinë në qendër dhe që është e zhytur në Bibël.” Nxjerrtë Perëndia kundër çdo egoizmi, besnikërie të përkohshme dhe përkushtimi të padisiplinuar burra dhe gra që mbështesin një çështje të madhe, jo ashtu siç ndodh për shkak të adrenalinës por ashtu siç ndodh për shkak të zemrës! Adrenalina prodhon një vërshim të nevojshëm energjie dhe pastaj e lë trupin të pafuqishëm. Zemra vazhdon të pompojë jetë në trup në kohë të mira dhe të vështira, në dimër dhe verë, në trishtim dhe lumturi, në forcë dhe dobësi, në sëmundje dhe shëndet! Oh sikur të kishim më tepër të Krishterë me zemër në çështjen e drejtësisë raciale sesa thjesht të Krishterë adrenaline!

Kemi nevojë për njerëz si Uilliam Uillbërfors

Kush prej jush është Uilliam Uillbërforsi i kohës tonë? Ai ishte i Krishterë i përkushtuar, ungjillor plot jetë, dhe pasionant për afat të gjatë në çështjen e drejtësisë raciale në Angli. Në 28 Tetor 1787 ai shkroi kështu në ditarin e tij kur ishte 28 vjeç, “Perëndia i Plotfuqishëm ka vendosur para meje dy objektiva të mëdha, heqjen qafe të Tregtisë së Skllevërve dhe Reformimin e [Moralit]” (John Pollock, Wilberforce, p. 69). Betejë pas beteje ne Parlament ai u mund për shkak se tregtia e skllevërve Afrikanë ishte shumë e ndërthurur me interesat financiare të kombit. Por ai nuk u dorëzua kurrë dhe nuk u tërhoq kurrë. Ai nuk ishte një i Krishterë me adrenalinë, por një i Krishterë me zemër. Në 24 Shkurt 1807 në orën 04:00, njëzetë vjet pasi kishte shkruar në ditarin e tij, u bë votimi vendimtar dhe kështu Tregtia e Skllevërve u bë e jashtëligjshme. Gjithsesi puna nuk ishte mbaruar pas 20 vjet këmbëngulje. Po zotërimi i skllevërve? Në 26 Korrik të vitit 1833, 16 vjet më vonë, tri ditë para vdekjes së Uillbërforsit, u bë votim që e bëri të jashtëligjshme Skllavërinë në Angli dhe në kolonitë e saj.

Prandaj kur unë mendoj për Mbjelljen e një Pasioni, mendoj për mbjelljen e një kishe që do të kultivojë këtë lloj pasioni, një pasion zemre dhe jo një pasion adrenaline. Një kishë e përqendruar tek Perëndia, që lartëson Krishtin, të zhytur në Bibël, që përpiqet për drejtësinë, dhe që ka një përkushtim të pavdekshëm ndaj një Çështje të madhe dhe jo ndaj rehatisë.

Prandaj nëse dëshironi të vendosni Perëndinë në qendër, të lartësoni Krishtin dhe të jeni të zhytur në Bibël le të shkojmë tek ungjijtë dhe të dëgjojmë Jezusin, të shohim Jezusin dhe kështu t’i japim fund etnocentrizmit. Etnocentrizmi është bindja apo ndjenja që grupi im etnik duhet të trajtohet si superior apo i privilegjuar.

Luka 4:16-30, Mbretëria e Perëndisë është ndryshe nga ana etnike nga ajo që mendojmë

Fillojmë tek Luka 4:16-30. Këtu kemi një djalë që është rritur në një qytet dhe po kthehet aty sërish, në Nazaret. Kjo ndodh pasi ai kishte fituar nam të madh në Kapernaum. Ai shkoi në Sinagogë dhe një turmë vjen për ta dëgjuar. Ajo që bën ai në këtë mesazh është pothuaj e pabesueshme. Ai pothuaj sa nuk shkakton një trazirë. Ai e bën këtë gjë qëllimisht. Së pari, ata i japin rrotullën e profetit Isaia që të lexojë prej saj dhe ai zgjodhi kapitullin 61. Atje flitet për shpenguesin që po vinte i cili do t’i çlironte të shtypurit dhe do të shpallte vitin e hirit të Zotit (v.18b-19); ai pretendon që këto vargje po përmbusheshin në veshët e tyre. Vargu 21 thotë: “Atëherë ai nisi të thotë: ”Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja.” Kjo ishte diçka e jashtëzakonshme. Titujt e lajmeve thoshin: “Djali i rritur në Nazaret pretendon të jetë Mesia.” Por kjo gjë nuk do të shkaktonte trazira. Vargu 22 thotë: “Dhe të gjithë jepnin dëshmi dhe mrekulloheshin për fjalët e hirit që dilnin nga goja e tij.” Deri tani gjithçka ishte në rregull.

Por shihni çfarë thotë ai më pas. Krejtësisht e papritur! E pashpjegueshme nëse dëshiron të fitosh ndjekës. E pashpjegueshme nëse dëshiron thjesht rritjen e kishës. Ai zgjedh të tregojë dy histori nga Dhiata e Vjetër që e kundërshtojnë hapur etnocentrizmin e qytezës së tij. S’ka sesi të ishte më tepër ofenduese se kaq. Ai e di cili ka për të qenë reagimi i tyre për shkak se në vargun 24 thotë, “Në të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet.” Me fjalë të tjera, PO, tani po flisni mirë për mua (v.22) ndërsa keni konceptin tuaj për atë që Mesia do të bëjë dhe si do të jetë mbretëria e tij. Por prisni derisa t’ju them çfarë jam gati të bëj dhe si do të jetë mbretëria ime.

Pastaj ai iu tregon historinë e parë. Vargjet 25-26 janë shkëputur nga 1 Mbretërit 17: “Në të vërtetë po ju them se në kohën e Elias, kur qielli u mbyll për tre vjet e gjashtë muaj dhe u bë një uri e madhe në gjithë vendin, ishin shumë të veja në Izrael; e megjithatë tek asnjëra nga ato nuk u dërgua Elia, përveç se te një grua e ve në Sareptë të Sidonit (Fenikia).” Krejt papritur ai iu tregon një histori për faktin sesi Perëndia i anashkaloi Judenjtë etnikë për të sjellë një bekim të mrekullueshëm tek një grua e huaj, pagane nga vendi i Sidonit (Fenikia). Ai e bën këtë gjë hapur dhe me forcë pa e zbutur aspak dhe pa shpjegime: Në Izrael kishte shumë të veja, dhe Perëndia bekoi një të huaj.

Sikur kjo të mos ishte mjaft ai u tregoi një histori të dytë në vargun 27 nga 2 Mbretërve 5, “Dhe në kohën e profetit Elise kishte shumë lebrozë në Izrael; megjithatë asnjë prej tyre nuk u pastrua, përveç Namanit Sirian.” Sërish ideja është kjo: nga gjithë njerëzit që Perëndia mund të kishte zgjedhur për t’i shëruar nga lebra Ai vajti dhe zgjodhi një gjeneral të huaj, një Sirian, jo një Jude.

Këto dy histori nuk kishin humbur në etnocentrizmin e Nazaretit. Vargjet 28-30 thonë, “Kur i dëgjuan këto fjalë, të gjithë ata që ishin në sinagogë u zemëruan shumë. Dhe u ngritën, e dëbuan nga qyteti dhe e çuan deri në buzë të majës së malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, për ta hedhur poshtë. Por ai, duke kaluar përmes tyre, u largua.” Ata e kuptuan dhe nuk u pëlqeu.

Cila është ideja e kësaj historie? Ideja është kjo: Mbretëria që po sjell unë u thotë Jezusi, është ndryshe nga ana etnike nga sa mendoni ju. Pozita juaj e zgjedhur si Izrael nuk ka prodhuar përulësi dhe dhembshuri, por krenari dhe përbuzje. Jezusi i jep fund etnocentrizmit. Më shihni. Mësoni prej meje, u thotë ai, unë kam ardhur të shpengoj një popull nga çdo grup etnik, jo vetëm nga një apo disa prej tyre. Mjerë ju për shkak të dështimit tuaj për të dalluar në drejtësinë dhe mëshirën e Perëndisë zellin e tij për të mbledhur nga të gjithë popujt një mbretëri priftërinjsh dhe miqsh.

Mateu 8:5-13, Besimi në Jezusin ia kalon etnisë

Mos vallë kam shkuar tepër larg kur shpalla një mjerim mbi njerëzit e Nazaretit? Vendoseni vetë ndërsa konsideroni një histori tjetër, kësaj here nga Mateu 8:5-13. Jezusi mbaroi Predikimin në Mal tek Mateu 5-7 dhe pastaj tek Mateu 8:1-4 preku një lebroz, një prej njerëzve më të përbuzur dhe të veçuar në Izrael dhe kështu e shëroi. Pastaj te Mateu 8:5 ai hyri në Kapernaum dhe takoi personin e dytë më të përbuzur dhe më të pështirë – një kryeqindës Romak. Ky ishte pak a shumë siç është një Marinës Amerikan për një luftëtar lirie Taleban. Fakti që ky Kryeqindës ka një lloj popullariteti mes Judenjve (Luka 7:3-5 nuk përmendet prej Mateut. Kjo nuk është e rëndësishme për mësimin e tij. Ky është një i huaj, një jo-hebre. Kjo ka lidhje me mësimin e Mateut.

Cila ka për të qenë ideja kryesore e historisë? Kryeqindësi i përgjërohet Jezusit duke thënë, “’O Zot, shërbëtori im rri shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë”. Pa pyetur fare dhe pa pikë hezitimi Jezusi thotë në vargun 7, “Do të vij dhe do ta shëroj.” Pastaj Kryeqindësi thotë diçka e cila Jezusit i duket e jashtëzakonshme. “Zot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën strehën time; por thuaj vetëm një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.” Sepse unë jam një njeri nën urdhrin e të tjerëve, dhe i kam ushtarët nën vete; dhe, po t’i them dikujt: “Shko”, ai shkon; dhe po t’i them një tjetri: “Eja”, ai vjen; dhe po t’i them shërbëtorit tim: “Bëje këtë”, ai e bën”.

Vargu 10 thotë, “dhe Jezusi, kur i dëgjoi këto gjëra, u mrekullua.” Pastaj ai e merr gjithë këtë situatë të cilën të gjithë mendonin se kishte të bënte me shërimin, pushtetin dhe autoritetin dhe e kthen në diçka krejt të ndryshme, domethënë, në një situatë rreth përbërjes së mbretërisë me të huaj dhe për rrezikun e mbështetjes tek identiteti etnik për bekim. Vargu 10 vazhdon, “Në të vërtetë po ju them, se askund në Izrael nuk e gjeta një besim aq të madh. Unë po ju them se shumë do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi…”

Lindja dhe perëndimi! Çfarë janë këto? Kjo është Fenikia (rripi i Gazës), Egjipti, Greqia, Arabia, Persia (Jordani, Irani, Iraku, Afganistani, Pakistani, India, Kina). Çfarë do të ndodhë kur të vijnë ata – këta të huaj të pa rrethprerë, pa ligje ushqimore dhe me pamje të huaj? Vargu 11b thotë, “dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isaakun dhe me Jakobin, në mbretërinë e qiejve, por bijtë e mbretërisë do të flaken në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllimi i dhëmbëve.”

Kjo është krejtësisht tronditëse! Duhet ta ndjeni forcën e kësaj gjëje. Jezusi po i thotë popullit të zgjedhur të Izraelit që më së pari Romakët, si ky Kryeqindës që besoi, dhe pastaj lloj-lloj jo hebrenjsh etnikë të papastër do të hyjnë në mbretërinë e qiellit, por ju “bijtë e mbretërisë” do të hidheni në errësirën e jashtme. Nuk dëgjojmë pothuaj asnjeri që të flasë në këtë mënyrë për racën e zgjedhur. Çfarë është duke thënë Jezusi? Ai po thotë: Jezusi i jep fund etnocentrizmit.

Apo për ta thënë në mënyrë më pozitive: Jezusi po thotë që me ardhjen e tij ka ardhur edhe një mënyrë e re dhe krejt radikale për ta përcaktuar popullin e Perëndisë, domethënë, nëpërmjet besimit në të. Besimi në Jezusin ka prioritet mbi etninë dhe këtë gjë e shohim herë pas here në ungjij:

  1. Historia e Samaritanit të Mirë – i huaji është heroi i dhembshurisë (Luka 10:33)
  2. Shërimi i dhjetë lebrozëve, vetëm një prej tyre u kthye për të falënderuar; çfarë ishte ai? Një Samaritan, i huaji shkëlqeu plot mirënjohje të përulur (Luka 17:16).
  3. Shërimi i bijës së gruas Sirofenikase (Marku 7:26).
  4. Adhurimi i dijetarëve nga Lindja, ndoshta nga Persia apo Arabia (Mateu 2:1).
  5. Dhe më në fund, vdekja dhe ringjallja e Jezusit të cilat ai vetë i interpreton që më parë në shëmbëlltyrën e vreshtarëve (Mateu 21:33-44). Pronari i vreshtit dërgoi birin e vet për të marrë të pjesën e tij nga populli. Ata e vranë. Dhe Jezusi pyet, “Tani, kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?” Çfarë do të bëjë Perëndia kur Biri i Tij të hidhet poshtë prej popullit të tij të zgjedhur? Vargu 43 na jep përgjigjen: “Prandaj unë po ju them se juve do t’ju hiqet mbretëria e Perëndisë dhe do t’i jepet një kombi që do ta bëjë të japë fryt.”

Jo Ngjyra por Besimi në Krishtin

Këtë gjë po vinte në dukje Martin Luter King në fjalimin e tij më të famshëm kur tha, “Kam një ëndërr që katër fëmijët e mi të vegjël një ditë do të jetojnë në një komb ku nuk do të gjykohen prej ngjyrës së lëkurës së tyre por prej përmbajtjes së karakterit të tyre.”

Jezusi i jep fund etnocentrizmit. Shenja e mbretërisë nuk është ngjyra e lëkurës por besimi në Krishtin. Noela dhe unë po kujtonim dje ndërsa flisnim në telefon me djalin tonë Beniamin në Çikago. Na u kujtua konferenca Urbana 1967. Uoren Uebster e pyetën para 15,000 studentëve, “Po sikur vajza jote të vendosë të martohet me një Pakistanez ndërsa je duke shërbyer në atë vend?” Përgjigja e tij na kumbon ende në veshët tanë dhe shpresoj që ky mesazh të kumbojë në mënyrë të njëjtë edhe në veshët tuaj. Ai tha, “Më mirë të martohet me një Pakistanez të Krishterë dhe të varfër sesa me një bankier të bardhë dhe të pasur Amerikan i cili nuk beson. Me fjalë të tjera, Krishti dhe jo ngjyra e lëkurës është faktori vendimtar. Jezusi i jep fund etnocentrizmit!

Nëse do të mbjellim një kishë që ka Perëndinë në qendër, që lartëson Krishtin, që është e zhytur në Bibël, që përpiqet për drejtësinë këtë duhet të synojmë. Çfarë gjëje e bukur është kur përfundon me çdo fis, racë dhe popull që lartësojnë Krishtin së bashku. Zot, bëje realitet!

Read it in English

© Desiring God

Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim nga leja e mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.

By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*