Thirrur për Vuajtje dhe Ngazëllim: Që të fitojmë Krishtin

23 Gusht 1992 | prej Xhon Pajpër

Filipianëve 3:1-14

Së fundi, o vëllezërit e mi, gëzohuni në Zotin; për mua nuk është e rëndë t’ju shkruaj të njëjtat gjëra, po për ju është siguri. Ruhuni nga qentë, ruhuni nga punëtorët e këqij, ruhuni nga të prerët. Sepse rrethprerja e vërtetë jemi ne, që i shërbejmë Perëndisë në Frymë dhe që mburremi në Krishtin Jezus pa besuar në mish, megjithëse unë kam përse të besoj edhe në mishin; nëse ndonjë mendon se ka përse të besojë, unë kam akoma më shumë: u rrethpreva të tetën ditë, jam nga kombi i Izraelit, nga fisi i Beniaminit, Hebre nga Hebrenj, dhe sipas ligjit farise, sa për zellin, përndjekës i kishës; për sa i përket drejtësisë, që është në ligj, i pa qortueshëm. Por gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje. Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin, dhe që të gjendem në të, duke pasur jo drejtësinë time që është nga ligji, por atë që është nga besimi në Krishtin: drejtësia që është nga Perëndia, me anë të besimit, që të njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij dhe pjesëmarrjen në mundimet e tij, duke u bërë vetë i ngjashëm me të në vdekjen e tij, që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ringjalljes prej së vdekurish. Jo se unë tashmë e fitova çmimin ose jam bërë i përsosur, por po vazhdoj të rend për ta zënë, sepse edhe unë u zura nga Jezu Krishti. Vëllezër, sa për vete, nuk mendoj se e kam zënë, por bëj këtë: duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara, po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus.

Bibla premton vuajte për popullin e Perëndisë

Këto javë jemi fokusuar tek nevoja për t’u përgatitur për të vuajtur. Arsyeja për këtë nuk është thjesht ndjesia ime që ditët janë të mbarpshta dhe që shtegu i drejtësisë ka një kosto, por premtimi i Biblës që populli i Perëndisë do të vuajë.

Për shembull, Veprat 14:22 thotë që Pali u tha të gjitha kishave të reja që kishte themeluar, “Me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.” Dhe Jezusi tha, “Nëse më përndoqën mua, do t’ju përndjekin edhe ju.” (Gjoni 15:20). Pjetri thotë, “Shumë të dashur, mos ju duket çudi për provën e zjarrit që u bë ndër ju për t’ju provuar, se si ju ndodhi diçka e jashtëzakonshme.” (1 Pjetri 4:12). Me fjalë të tjera nuk është e çuditshme, këtë duhet të prisni. Dhe Pali tha tek 2 Timoteu 3:12, “Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen.”

Prandaj pranojeni këtë si një të vërtetë biblike që sa më të zellshëm të bëhemi për të qenë kripa e tokës dhe drita e botës, duke i arritur popujt e paarritur të botës, duke demaskuar errësirën dhe duke i këputur prangat e mëkatit dhe të Satanit aq më shumë do të vuajmë. Prandaj duhet të përgatitemi. Kjo është edhe arsyeja që këto javë po predikoj nga tekste që do na ndihmojnë të përgatitemi.

Këto mesazhe trajtojnë katër qëllime që Perëndia ka në vuajtjen tonë ndërsa i shërbejmë atij. Një është qëllimi moral dhe frymëror: në vuajtje ne shpresojmë në mënyrë më të plotë në Perëndinë dhe besojmë më pak në gjërat e botës. Së dyti, kemi qëllimin e intimitetit: Krishtin e njohim më mirë kur marrim pjesë në vuajtjet e tij. Ky është fokusi ynë sot.

Qëllimi i një intimiteti më të madh me Krishtin

Perëndi na ndihmo të përgatitemi për të vuajtur duke na mësuar dhe treguar që përmes vuajtjes ne duhet të shkojmë më thellë në marrëdhënien tonë me Krishtin. Ju e njihni atë më mirë kur merrni pjesë në dhimbjen e tij. Njerëzit që shkrujnë më thellë dhe më ëmbël për vlerën e çuar të Krishtit janë ata që kanë vuajtur thellë me të.

Vuajtja në jetën e Xheri Birxhis

Për shembull, libri i Xheri Birxhis, Besim tek Perëndia, Edhe kur Jeta të Lëndon, është një libër i thellë dhe i dobishëm rreth vuajtjes dhe si të afrohesh më tepër me Perëndinë përmes mundimeve. Prandaj nuk është habi të mësosh që kur ai ishte 14 vjeç, e dëgjoi nënën që i thirri nga dhoma ngjitur, krejt papritur, dhe arriti duke e parë që dha frymën e fundit. Ai gjithashtu ka mangësi fizike që e pengojnë të luajë sport. Para pak vitesh e shoqja vdiq prej kancerit. Fakti që i ka shërbyer Perëndisë me shoqatën Navigatorët nuk e ka kursyer prej dhimbjes. Ai shkruan thellë rreth vuajtjes për shkak se ka hyrë thellë në të bashkë me Krishtin.

Vuajtja në jetën e Horatius Bonarit

Para mëse njëqind vitesh Horatius Bonari, pastori dhe autori i himneve Skocez, shkroi një libër të vogël që e quajti Nata e Vajtimit, ose, “Kur fëmijët e Perëndisë vuajnë.” Në libër ai thotë që qëllimi i tij ishte, “t’u shërbente shenjtorëve… të kërkonte të mbante barrët e tyre, të lidhte plagët e tyre, dhe të thante disa prej lotëve të tyre të shumta.” Ky është një libër i butë, i thellë dhe plot urtësi. Prandaj nuk është habi ta dëgjojmë atë të na thotë,

Ky libër është shkruar prej dikujt që vetë po kërkon të përfitojë prej sprovave, dikush që dridhet se mos kalon tej si era sipër gurëve, duke e lënë atë po aq të ngurtë sa ishte; prej dikujt që në çdo brengë i afrohet më tepër Perëndisë që të mund ta njohë Atë më tepër, dikush që nuk heziton të rrëfejë që ende nuk di shumë.

Brixhis dhe Bonar na tregojnë që vuajtja është një shteg që shkon thellë në zemrën e Perëndisë. Perëndia ka zbulesa të veçanta për fëmijët e tij që vuajnë.

Fjalët e Jobit, Stefanit dhe Pjetrit

Pas muajsh vuajtjeje, Jobi më në fund i tha Perëndisë, “Veshi im kishte dëgjuar të flitej për ty por tani syri im të sheh” (Jobi 42:5). Jobi ka qenë një burrë i perëndishëm dhe i drejtë, që i pëlqente Perëndisë, por ndryshimi mes asaj që njihte prej Perëndisë në begati dhe asaj që njohu prej Tij përmes vështirësisë ishte ndryshimi mes dëgjimit për diçka dhe shikimit të saj.

Kur Stefani u arestua dhe u nxor në gjyq për besimin e tij dhe ju dha mundësia të predikonte, rezultati ishte që udhëheqësit fetarë u tërbuan dhe po kërcisnin dhëmbët kundër tij. Ata ishin gati ta tërhiqnin zvarrë jashtë qytetit dhe ta vrisnin. Tamam në atë moment, Luka na thotë, “Por ai, mbushur me Frymë të Shenjtë, i nguli sytë nga qielli, pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezusin që rrinte në këmbë në të djathtën e Perëndisë” (Veprat 7:55). Ka një zbulesë të veçantë, një intimitet të veçantë, që është përgatitur për ata që vuajnë me Krishtin.

Pjetri e tha kështu, “Në qoftë se ju fyejnë për emrin e Krishtit, lum ju, sepse Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë prehet mbi ju” (1 Pjetri 4:14). Me fjalë të tjera Perëndia rezervon një një ardhje dhe prehje të veçantë të Frymës së Tij dhe të lavdisë së tij mbi fëmijët e tij që vuajnë për emrin e tij.

Tre vëzhgime nga teksti

Fokusi i mesazhit të sotëm është tek faktori i intimitetit në vuajtje. Një prej qëllimeve të vuajtjes së shenjtorëve është që marrëdhënia e tyre me Perëndinë të bëhet më pak formale, më pak artificiale, më pak e largët, më tepër personale, më reale, më intime, e afërt dhe e thellë.

Në tekstin tonë (Filipianëve 3:5-11) dëshiroj të shohim të paktën tri gjëra:

  1. Së pari, përgatitja e Palit për vuajtje duke i kthyer kokëposhtë vlerat e tij;
  2. Së dyti, përjetimi i Palit me vuajtjen dhe humbjen si kostoja e bindjes së tij ndaj Krishtit;
  3. Së treti, synimi i Palit në gjithë këtë gjë, të fitojë Krishtin; ta njohë atë, të gjendet në të dhe të ketë një bashkësi më intime dhe reale se ajo që ka me shokët e tij më të ngushtë Barnabën apo Silën.

1. Përgatitja e Palit për të vuajtur

Në vargjet 5 dhe 6 Pali rradhit veçantitë që gëzonte para se të bëhej i Krishterë. Ai jep prejardhjen e tij etnike si një pasardhës i vërtetë i Abrahamit, një Hebre prej Hebrenjsh. Kjo i sillte atij një përfitim të madh, një ndjesi të madhe rëndësie dhe sigurie. Ai ishte Izraelit. Pastaj përmend tri gjëra që gjenden në zemër të jetës së Palit para se të bëhej i krishterë (në fund të vargut 5): “sipas ligjit farise, sa për zellin, përndjekës i kishës; për sa i përket drejtësisë, që është në ligj, i pa qortueshëm.”

Vlerat e Palit para se të takonte Krishtin

Kjo ishte jeta e Palit. Kjo i jepte kuptim dhe rëndësi. Ky ishte fitimi i tij, pasuria, gëzimi. Këto gjëra janë të ndryshme për njerëz të ndryshëm, dhe për Palin ishte fakti që i përkishte ajkës së zbatuesve të ligjit, Farisenjve, që në mes tyre ai ishte aq i zellshëm saqë udhëhoqi persekutimin e armiqve të Perëndisë, kishës së Jezusit, dhe që e zbatoi ligjin në mënyrë të paqortueshme. Ai përfitonte nga përkatësia, përfitoi nga shkëlqesia, përfitoi nga Perëndia – ose të paktën kështu mendonte – për shkak të drejtësisë së tij të paqortueshme në ligj.

Pastaj takoi Krishtin, Birin e Perëndisë së gjallë, rrugës për në Damask. Krishti i tregoi sa shumë duhej të vuante (Veprat 9:16). Dhe Pali e përgatiti veten.

Pali i konsideroi vlerat e tij të shkuara si humbje

Mënyra si e përgatiti veten përshkruhet në vargun 7. “Por gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje.” Pali e sheh pozitën e tij në krye të ajkës së shoqërisë fetare të Farisenjve; e sheh lavdinë e të qenurit në majë të atij grupi me gjithë lëvdatat dhe përfitimet e saj; e sheh zellin e tij në zbatimin e ligjit dhe ndjenjën e krenarisë fetare që gëzonte dhe përgatitet të vuajë duke e marrë gjithë botën e tij dhe e kthen kokëposhtë, duke shkëmbyer vlerat e tij: “Por gjërat që më ishin fitim [ato që thuhen në vargjet 5-6], i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje.

Para se të ishte i krishterë kishte një tabelë me dy kolona: njëra thoshte fitime dhe tjetra thoshte humbje. Nga ana e fitimeve ishte lavdia njerëzore e vargjeve 5-6. Nga ana e humbjes ishte gjasa e tmerrshme që lëvizja e Jezusit të mund të dilte jashtë kontrollit, që Jezusi të dilte i vërtetë dhe të fitonte. Kur Pali e takoni Krishtin e gjallë në rrugën për Damask, mori një laps të madh të kuq dhe shkroi “HUMBJE” me shkronja të mëdha mbi kolonën e tij të fitimit. Ai shkroi “FITIM” me shkronja të mëdha mbi kolonën në të cilën kishte vetëm një emër: Krishti.

Jo vetëm kaq, sa më tepër që Pali mendonte rreth vlerave relative të jetës në botë dhe për madhështinë e Krishtit, shkoi përtej atyre pak gjërave të përmendura në vargjet 5-6 dhe në atë kolonën e parë shkroi gjithçka tjetër përveç Krishtit: Vargu 8, “Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim.” Ai nisi duke numëruar arritjet e tij më të çmuara dhe përfundoi duke konsideruar gjithçka si humbje, përveç Krishtit.

Krishterimi normal

Kështu e kupton Pali që të bëhesh i krishterë. Në mënyrë që asnjë prej nesh të mos mendojë se ishte i veçantë apo i rrallë, vini re që në vargun 17 ai thotë me gjithë autoritetin e tij apostolik, “Bëhuni imituesit e mi, vëllezër.” Ky është Krishterimi normal.

Ajo që Pali po bën këtu është që po na tregon sesi mësimi i Jezusit duhet të jetohet. Për shembull, Jezusi tha, “Përsëri, mbretëria e qiejve i ngjan një thesari të fshehur në një arë, që një njeri që e ka gjetur e fsheh; dhe, nga gëzimi që ka, shkon, shet gjithçka që ka dhe e blen atë arë.” (Mateu 13:44). Të behesh i krishterë do të thotë të zbulosh që Krishti (Mbreti) është një Sëndyq Thesari gëzimi të shenjtë dhe të shkruash “HUMBJE” mbi gjithçka tjetër në botë në mënyrë që të fitosh atë. “Shet gjithçka që ka dhe e blen atë arë.”

Apo sërish tek Lluka 14:33 Jezusi thotë, “Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im.” Me fjalë të tjera, të bëhesh dishepull i Jezusit do të thotë të shkruash “HUMBJE” me shkronja të mëdha mbi të gjitha zotërimet dhe gjithçka tjetër që të ofron kjo botë.

Çfarë do të thotë kjo në praktikë

Çfarë do të thotë kjo gjë në praktikë? Mendoj që do të thotë katër gjëra:

  1. Do të thotë që sa herë të më kërkohet që të zgjedh mes çdo gjëje të kësaj bote dhe Krishtit, të zgjedh Krishtin.
  2. Do të thotë që do t’i trajtoj gjërat e kësaj bote në mënyra që më afrojmë më tepër tek Krishti që të fitoj më tepër prej Krishtit dhe të kënaqem më tepër me të përmes mënyrës si e përdor botën.
  3. Do të thotë që gjithmonë do t’i trajtoj gjërat e kësaj bote në mënyra që tregojnë që ato nuk janë thesari im, por që përkundrazi të tregojnë që Krishti është thesari im.
  4. Do të thotë që nëse humbas ndonjë apo të gjitha gjërat që kjo botë mund të më ofrojë, nuk do ta humbas gëzimin tim, thesarin apo jetën, për shkak se Krishti është gjithçka.

Tani kjo ishte bindja në shpirtin e Palit (v.8), “ Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim.” Krishti është gjithçka dhe gjithçka tjetër është humbje.

Përse është kjo një mënyrë përgatitje për të vuajtur?

Tani le të ndalojmë për një moment dhe të shohim ku gjendemi. Jam ende duke u marrë me pikën e parë, domethënë, që kjo është mënyra si Pali po përgatitet për të vuajtur. Përse e them këtë gjë? Pse fakti që të bëhesh i krishterë dhe të shkruajturit “HUMBJE” mbi gjithçka në jetën tuaj përveç Krishtit është një mënyrë përgatitjeje për të vuajtur?

Përgjigja është që vuajtja nuk është asgjë më tepër se heqja e gjërave të këqija apo atyre të mira që botë na ofron për kënaqësinë tonë – reputacioni, vlerësimi nga moshatarët, puna, paraja, bashkëshortja, jeta seksuale, fëmijët, shëndeti, forca, shikimi, dëgjimi, suksesi, etj. Kur këto gjëra nga hiqen (me forcë, nga situatat apo me zgjedhje), ne vuajmë. Por nëse kemi ndjekur Palin dhe mësimin e Jezusit dhe tashmë i kemi konsideruar këto gjëra si humbje në krahasi me vlerën e jashtëzakonshme të fitimit të Krishtit, atëherë jemi të përgatitur të vuajmë.

Nëse kur bëhesh i krishterë shkruan fjalën “HUMBJE” me shkronja të kuqe dhe të mëdha mbi gjithë gjërat e botës me përjashtim të Krishtit, atëherë kur Krishti të bën thirrje të heqësh dorë prej disa prej atyre gjërave, nuk është e çuditshme apo e papritur. Dhimbja dhe brenga mund të jenë të mëdhaja. Lotët mund të jenë të shumtë, ashtu si ishin për Jezusin në Gjethsemane. Por do jemi të përgatitur. Do ta dimë që vlera e Krishtit ua tejkalon të gjitha gjërave që bota mund të na ofrojë dhe kur t’i humbim ato fitojmë më tepër prej Krishtit.

2. Përjetimi i Palit me vuajtjen

Prandaj në pjesën e dytë të vargut 8 Pali kalon nga përgatitja për të vuajtur tek vetë vuajtja. Ai kalon nga konsiderimi i të gjitha gjërave si humbje në pjesën e parë të vargut 8 tek përjetimi i humbjes së të gjitha gjërave në pjesën e dytë të vargut. “… për shkak të të cilit [ky është Krishti] i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin.” Këtë gjë do ta shohim javën që vjen: Pali kishte përjetuar aq shumë humbje reale të përfitimeve dhe rehative normale të botës saqë mund të thoshte që nuk ishte thjesht konsiderimi i gjërave si humbje, ai po përjetonte humbje. Ishte përgatitur duke i kthyer vlerat e tij kokëposhtë, dhe tani po sprovohej. A e vlerësonte Krishtin mbi gjithçka?

3. Synimi i Paulit (dhe qëllimi i Perëndisë) në vuajtje

Prandaj më lejoni ta mbyll duke e rikthyer vëmendjen tonë tek synimi i Palit dhe qëllimi i Perëndisë në këtë vuajtje. Përse e caktoi Perëndia Palin që të pranonte humbjet që përfshiheshin me të qenurit i krishterë?

Pali e jep përgjigjen herë pas here në këto vargje prandaj nuk mund të na shpëtojë. Ai nuk është pasiv në këtë humbje me vuajtje. Ai ka qëllim. Dhe qëllimi i tij është të fitojë Krishtin.

Vargu 7: “gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit”

Vargu 8a: “I konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit”

Vargu 8b: “për shkak të të cilit i humba të gjitha këto”

Vargu 8c: “dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin”

Vargu 9: “…dhe që të gjendem në të, duke pasur jo drejtësinë time… por atë që është nga besimi në Krishtin: drejtësia që është nga Perëndia”

Vargu 10a: (ende duke dhënë synimin e tij në pranimin e humbjes së të gjitha gjërave) “…që të njoh atë.”

Vargu 10b-11: (vazhdon me katër veçanti se çfarë do të thotë të njohësh Krishtin)

  1. “të njoh fuqinë e ringjalljes së tij”; dhe
  2. “pjesëmarrjen në mundimet e tij”;
  3. “duke u bërë vetë i ngjashëm me të në vdekjen e tij”;
  4. “që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ringjalljes prej së vdekurish”

Me fjalë të tjera, ajo që e mbështet Palin në vuajtje dhe në humbjen e të gjitha gjërave është siguria që në humbjen e gjërave të çmuara për të në botë ai po fiton diçka edhe më të çmuar – Krishtin.

Ky fitim quhet dy herë njohje – vargu 8a: “… në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim.” Vargu 10, “Që ta njoh atë.” Ky është faktori i intimitetit në vuajtje. A duam ta njohim atë? A dëshirojmë të jemi më personalë me të, më të thellë, më realë dhe më intimë – aq sa të konsiderojmë gjithçka si humbje për të fituar thesarin më të madh nga të gjithë?

Nëse e bëjmë këtë, do jemi gati për të vuajtur. Nëse jo, do na vijnë gjërat si surprizë dhe do rebelohemi. Na i haptë Zoti sytë për vlerën e jashtëzakonshme të njohjes së Krishtit!

Seria: Thirrur për vuajtje dhe ngazëllim Tema: Vuajtja

Read it in English

© Desiring God

Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim ndaj lejes së mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.

By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org

 

 

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

%d bloggers like this: