Komentim – Hebrenjve 2

Hebrenjve 2:1-18

nga Matthew Henry

Skica e kapitullit

  • Detyra e qëndrimit të palëkundur në Krishtin dhe ungjillin e Tij (1-4)
  • Vuajtjet e Tij nuk e kundërshtojnë përparësinë e Tij (5-9)
  • Arsyeja e vuajtjeve të Tij dhe dobia e tyre (10-13)
  • Fakti që Krishti morri natyrë njerëzore dhe jo atë të engjëjve ishte i nevojshëm për ofiqin e Tij priftëror (14-18)

Hebrenjve 2:1–4

Në këto vargje zbatohet doktrina e Krishtit si superior ndaj engjëjve. Mendja dhe kujtesa jonë janë si enë të shpuara, dhe pa treguar një kujdes të madh ato nuk e ruajnë atë që derdhet në to. Kjo vjen prej prishjes së natyrës, prej tundimeve, shqetësimeve dhe kënaqësive të botës. Neglizhimi i një shpëtimi kaq të madh është mëkat kundër Ungjillit; do të thotë të përbuzësh hirin shpëtues të Perëndisë në Krishtin, të mos i japësh mjaft rëndësi, të mos interesohesh për të, të mos çmosh vlerën e ungjillit dhe as nevojën tonë për të, si dhe gjendjen tonë të pa shpresë pa të. Gjykimet e Zotit në epokën e Ungjillit janë kryesisht frymërore dhe për këtë arsye duhet t’u druhemi edhe më tepër. Këtu po u bëhet apel ndërgjegjes së mëkatarëve. Edhe neglizhimi i pjesshëm nuk ka për t’i shpëtuar qortimit; këto neglizhime shpesh sjellin errësirë edhe në shpirtrat që nuk i shkatërrojnë përfundimisht. Shpallja e Ungjillit u vazhdua dhe u konfirmua prej atyre që e dëgjuan Krishtin, prej ungjilltarëve dhe profetëve, ata që ishin dëshmitarë të asaj që Jezu Krishti nisi të bënte dhe mësonte; përmes dhuratave të Frymës së Shenjtë ata u kualifikuan për veprën për të cilën ishin thirrur. E gjitha kjo u bë sipas vullnetit të Perëndisë. Ishte vullneti i Perëndisë që ne të kemi një bazë të sigurt për besimin tonë, një themel të fortë për shpresën tonë ndërsa e pranojmë Ungjillin. Le ta konsiderojmë këtë gjë si të domosdoshme dhe t’ua vëmë veshin Shkrimeve të Shenjta, të cilat u shkruan prej atyre që i dëgjuan fjalët e Zotit tonë të hirshëm dhe u frymëzuan prej Frymës së Tij; atëherë do të jemi të bekuar me të mirën që nuk mund të na hiqet kurrë.

Hebrenjve 2:5–9

As epoka e tanishme e kishës dhe as ajo kur do të jetë plotësisht e ripërtërirë, kur princi i kësaj bote do të flaket jashtë dhe mbretëritë e kësaj bote do të bëhen mbretëria e Krishtit nuk janë lënë nën pushtetin e engjëjve: Krishti do të marrë fuqinë e Tij të madhe dhe do të mbretërojë. Cili është motivi thelbësor i gjithë mirësisë që Perëndia tregon ndaj njerëzve kur u jep atyre Krishtin që të sakrifikohet për ta? Ky është hiri i Perëndisë. Si shpërblim për përulësinë e Krishtit që duroi vdekjen, Ai ka sundim të pakufizuar mbi të gjitha gjërat; kështu ky shkrim i lashtë u përmbush në Të. Në këtë mënyrë Perëndia ka bërë gjëra të mrekullueshme për ne në krijim dhe në providencë dhe për këto bekime kemi treguar mirënjohje shumë të vogël.

Hebrenjve 2:10–13

Çfarëdo që të imagjinojë apo kundërshtojë mendja jobesimtare, krenare dhe mishore, ajo frymërore ka për të parë një lavdi të veçantë në kryqin e Krishtit, do të kënaqet me Atë që në gjithçka shpalos përsosmëritë e Tij duke sjellë shumë bij në lavdi, duke e bërë Autorin e shpëtimit të tyre të përsosur përmes vuajtjeve. Shtegu i Tij drejt kurorës kaloi përmes kryqit, kështu duhet të ndodhë edhe për njerëzit e Tij. Krishti shenjtëron; Ai ka marrë dhe dërguar Frymën shenjtërues; Fryma shenjtëron si Fryma e Krishtit. Besimtarët e vërtetë janë shenjtëruar, janë pajisur me fuqi dhe parime të shenjta, dhe janë veçuar për qëllime të larta dhe të shenjta. Krishti dhe besimtarët janë të gjithë prej të njëjtit At qiellor i cili është Perëndia. Ata janë sjellë në një marrëdhënie me Krishtin. Fjalët, “nuk e vjen turp t’i quajë vëllezër” shprehin superioritetin e lartë të Krishtit ndaj natyrës njerëzore. Kjo tregohet nga këto tre tekste të Shkrimit. Shih Psalmi 22:22, 18:2; Isaia 8:18.

Hebrenjve 2:14–18

Engjëjt u rrëzuan dhe mbetën pa shpresë apo ndihmë. Krishti nuk kishte kurrë për qëllim të bëhej Shpëtimtari i engjëjve të rënë për këtë arsye nuk morri natyrën e tyre; dhe natyra e engjëjve nuk mund të ishte një sakrificë shlyese për mëkatin e njeriut. Këtu kemi çmimin që u pagua, i mjaftueshëm për të gjithë, i përshtatshëm për të gjithë për shkak se u pagua në natyrën tonë. Këtu u shfaq dashuria e mrekullueshme e Perëndisë, atëherë kur Krishti e dinte se çfarë duhej të vuante në natyrën tonë, sesi duhej të vdiste në të, e megjithatë me gatishmëri e morri përsipër natyrën tonë. Kjo shlyerje hapi udhën që populli i Tij të çlirohej prej zgjedhës së Satanit dhe të merrte faljen për mëkatet e tyre përmes besimit. Ata që i tmerrohen vdekjes dhe që përpiqen t’i mposhtin frikërat e tyre le të mos përpiqen më t’i qetësojnë apo të bëhen më trima, le të mos bëhen të pakujdeshëm apo të ligj përmes dëshpërimit. Le të mos presin ndihmë prej botës apo ideve njerëzore, por le të kërkojnë falje, paqe, hir dhe shpresën e gjallë të qiellit përmes besimit në Atë që vdiq dhe u ringjall, dhe kështu kanë për t’u ngritur mbi frikën e vdekjes. Kujtimi i vuajtjeve dhe tundimeve të Tij e bën Krishtin të vëmendshëm ndaj sprovave të popullit të Tij dhe të gatshëm për t’i ndihmuar. Ai është i gatshëm t’i ndihmojë ata që tundohen dhe e kërkojnë Atë. Ai u bë njeri, u tundua që në çdo mënyrë të mund të kualifikohej për t’i ndihmuar njerëzit e Tij, duke kaluar Vetë përmes të njëjtave tundime por duke dalë gjithmonë i paprekur prej mëkatit. Prandaj le të mos dëshpërohen të tunduarit dhe të lënduarit, as të mos i lënë vend Satanit sikur të ishte gjë e gabuar që në tundimet e tyre të shkojnë tek Zoti në lutje. Asnjë shpirt nuk ka humbur në tundim kur i alarmuar prej rrezikut i ka klithur Zotit, me besim dhe pritje çlirimi. Kjo është detyra jonë që në momentin kur befasohemi nga tundimet dhe kështu tregohemi të mençur në ndalimin e procesit të tundimit.

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*