Komentim – Jakobi 1
Letra e Jakobit
nga Methju Henri
Kjo letër e Jakobit është një prej shkrimeve më udhëzuese në Dhiatën e Re. Duke adresuar kryesisht gabime të caktuara të asaj kohe mes të krishterëve Judenj nuk përmban të njëjtat deklarata të plota doktrinore sikurse letrat e tjera por na prezanton me një përmbledhje të admirueshme të detyrave praktike të të gjithë besimtarëve. Të vërtetat kryesore të Krishterimit shpalosen përgjatë kësaj letre dhe nëse konsiderohen me vëmendje ato bien dakord plotësisht me deklaratat e Palit për sa i përket hirit dhe drejtësimit ndërsa është e mbushur plot me nxitje të zellshme për durimin e shpresës dhe bindjen e besimit dhe dashurisë, të kombinuara me paralajmërime, qortime dhe inkurajime të përshtatshme për personat të cilëve iu drejtohet. Të vërtetat e shpalosura janë shumë serioze dhe është e nevojshme që të ruhen; rregullat e praktikës duhet të zbatohen në të gjitha kohërat. Në Krishtin nuk ka degë të thata dhe pa lëng jetësor, besimi nuk është hir i kotë; kudo që ndodhet ai prodhon fryt në vepra.
Kapitulli 1
Skica e kapitullit
- Si të reagojmë ndaj Perëndisë në sprova dhe si të sillemi në rrethana të begata dhe armiqësore. (1-11)
- Ta konsiderojmë burimin e çdo ligësie në veten tonë dhe çdo mirësie nga Perëndia. (12-18)
- Detyra për t’u ruajtur nga një zemërim i shpejtë dhe për ta pranuar Fjalën e Perëndisë me butësi. (19-21).
- Të jetuarit sipas Fjalës së Perëndisë (22-25)
- Ndryshimi mes shtirjes së kotë dhe fesë së vërtetë (26-27)
Jakobi 1: 1–11
Krishterimi i mëson njerëzit të jenë të gëzuar në sprova: këto sprova janë dërguar prej dashurisë së Perëndisë; sprovat në shtegun e detyrës do ta kalitin karakterin tonë sot dhe kanë për ta shkëlqyer kurorën tonë ditën e fundit. Në kohët e sprovave le të kujdesemi që në ne të veprojë durimi dhe jo zemërimi: çfarëdo që të thuhet apo bëhet le të jetë durimi që të flasë dhe veprojë. Kur të kryhet vepra e durimit ka për të na siguruar çdo gjë të nevojshme për garën dhe betejën tonë të krishterë. Nuk duhet të lutemi aq shumë për largimin e mundimit sa duhet të lutemi për urtësi në mënyrë që ta trajtojmë si duhet. Kush nuk dëshiron që të drejtohet prej urtësisë kur gjendet në sprova si për të qeverisur shpirtin e vet ashtu dhe veprat? Këtu kemi një përgjigje për çdo prirje shkurajuese të mendjes kur shkojmë tek Perëndia të pushtuar nga ndjesia e dobësisë dhe marrëzisë tonë. Nëse pas gjithë kësaj dikush do të thotë, mund të jetë kështu për disa, por kam frikë se unë nuk do t’ia dal, premtimi është ky, “Kujt kërkon do t’i jepet.” Mendja që ka si fokus të vetëm mbizotërues interesin e vet frymëror dhe të përjetshëm, që qëndron e palëkundur në qëllimet e saj për Perëndinë, do të bëhet më e urtë përmes mundimeve, do të vazhdojë të jetë e zjarrtë në përkushtim dhe ka për t’u ngritur mbi sprovat dhe kundërshtimet.
Kur besimi dhe shpirti ynë ngrihen dhe bien nga shkaqe dytësore nuk ka për të pasur qëndrueshmëri në fjalët dhe veprimet tona. Kjo mund të mos shkaktojë gjithmonë përbuzje në botë, por shtigje të tilla nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë. Nuk ka asnjë gjendje në jetë që mund ta pengojë ngazëllimin në Perëndinë. Ata që janë nga shtresa të ulëta mund të ngazëllohen nëse janë lartësuar për të qenë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë së Perëndisë; dhe të pasurit mund të ngazëllohen në parashikimet përulëse të cilat i çojnë tek një gjendje përuljeje. Pasuria e botës është si lulja që fishket. Prandaj ai që është i pasur le të ngazëllohet në hirin e Perëndisë i cili e bën dhe e ruan të jetë i përulur; si dhe në sprovat të cilat i mësojnë të kërkojë lumturinë në Perëndinë dhe prej Perëndisë dhe jo tek kënaqësitë që humbasin.
Jakobi 1:12–18
Nuk bekohet çdo njeri që vuan; por ai që me durim dhe këmbëngulje kalon përmes gjithë vështirësive në shtegun e detyrës. Mundimet nuk mund të na bëjnë të mjeruar nëse nuk është për fajin tonë. I krishteri i sprovuar ka për të qenë i kurorëzuar. Kurora e jetës u është premtuar të gjithë atyre në zemrat e të cilëve mbretëron dashuria e Perëndisë. Çdo shpirt që vërtet e do Perëndinë do të shpërblehet plotësisht në botën sipër për sprovat e tij këtu poshtë, në atë botë ku dashuria do të përsoset. Urdhërimet e Perëndisë dhe vendimet e providencës së tij sprovojnë zemrat e njerëzve dhe tregojnë prirjen mbizotëruese brenda tyre. Asgjë e mëkatshme në zemër apo sjellje nuk mund t’i atribuohet Perëndisë. Ai nuk është autori i ndryshkut edhe pse sprova e tij e zjarrtë është ajo që e ekspozon. Ata që e vendosin fajin për mëkatin në gjendjen e tyre apo të botës, apo pretendojnë që s’mund të mos mëkatojnë ia hedhin fajin Perëndisë sikur ai të ishte autori i mëkatit. Mundimet dërgohen prej Perëndisë dhe kanë për qëllim të nxjerrin në pah hiret tona dhe jo prishjen tonë. Origjina e ligësisë dhe tundimit është në zemrën tonë. Ndaleni mëkatin që në embrion ose gjithë ligësitë që do të pasojnë do të na atribuohen plotësisht ne. Perëndia nuk gjen kënaqësi në vdekjen e njerëzve ashtu si nuk ka gisht në mëkatin e tyre; por si mëkati ashtu dhe mjerimi janë prej tyre. Ashtu si dielli është i njëjtë në natyrë dhe ndikim edhe pse toka dhe retë shpesh hyjnë në mes dhe bëjnë që të na duket sikur ka ndryshuar, kështu edhe Perëndia është i pandryshueshëm, ndryshimet dhe hijet tona nuk janë për shkak të ndonjë ndryshimi tek Ai. Ashtu si dielli është në natyrë kështu është Perëndia në hir, providencë dhe lavdi; madje pafundësisht më tepër se dielli. Ashtu si çdo dhuratë e mirë vjen prej Perëndisë në mënyrë të veçantë fakti që jemi lindur sërish bashkë me të gjitha rrjedhojat e saj të shenjta dhe të lumtura vijnë prej Tij. Një i krishterë i vërtetë bëhet një person tjetër nga ai që ishte para ndikimeve ripërtëritëse të hirit Hyjnor, është sikur të jetë formuar sërish. Të gjitha aftësitë tona duhet t’ia kushtojmë shërbimit të Perëndisë në mënyrë që të jemi fryti i parë i krijesave të Tij.
Jakobi 1:19–21
Në vend që të fajësojmë Perëndinë kur jemi në sprova le të hapim veshët dhe zemrat për të mësuar atë që Ai po na mëson përmes tyre. Nëse njerëzit kontrollojnë gjuhën e tyre duhet të kontrollojnë emocionet. Gjëja më e keqe që mund të kontribuojmë në një mosmarrëveshje është zemërimi. Këtu kemi një këshillë për të lënë mënjanë, të hedhim tej si një rrobë e pistë të gjitha praktikat mëkatare. Kjo duhet të përfshijë mëkatet e mendimit dhe dëshirave si dhe ato të gjuhës dhe praktikës; çdo gjë të prishur dhe mëkatare. Duhet t’ia dorëzojmë veten tonë fjalës së Perëndisë me një mendje të përulur dhe të mësueshme. Të jemi të gatshëm të pranojmë gabimet tona, duke i pranuar jo vetëm me durim por me falënderim. Synimi i fjalës së Perëndisë është që të na bëjë të ditur për shpëtimin; ata që sugjerojnë synime më të ulëta për t’ia vënë veshin e çnderojnë ungjillin dhe kështu zhgënjejnë vetë shpirtrat e tyre.
Jakobi 1:22–25
Nëse do të dëgjonim një predikim çdo ditë të javës dhe predikuesi të ishte një engjëll prej qiellit e megjithatë po të mbështeteshim vetëm tek dëgjimi kjo gjë nuk do të na çonte kurrë në qiell. Thjesht dëgjuesit janë mashtrues të vetes; në fund mashtrimi i vetes do të dalë si mashtrimi më i keq. Nëse i bëjmë qefin vetes ky është faji ynë; e vërteta ashtu si gjendet në Jezusin nuk i bën qefin asnjeriu. Dëgjojeni me kujdes fjalën e së vërtetës, ajo ka për të na treguar prishjen e natyrës tonë, problemet e zemrës dhe jetës tonë dhe ka për të na thënë shkoqur se çfarë jemi. Mëkatet tona janë njollat që na i zbulon ligji: gjaku i Krishtit është burimi që na tregon ungjilli.
Më kot e dëgjojmë fjalën e Perëndisë dhe shohim në pasqyrën e ungjillit nëse largohemi dhe i harrojmë njollat tona në vend që t’i pastrojmë; nëse e harrojmë kurën në vend që ta marrim në jetën tonë. Kështu është me ata që nuk e dëgjojnë fjalën ashtu si duhet. Kur e dëgjojmë fjalën shohim në të për këshillë dhe drejtim dhe kur e zbatojmë ajo bëhet jeta jonë frymërore. Ata që e zbatojnë ligjin dhe fjalën e Perëndisë janë dhe do të jenë të bekuar në të gjitha udhët e tyre. Shpërblimi i tij i hirshëm pas kësaj jete do të lidhet me paqen dhe ngushëllimin e tij të tanishëm. Çdo pjesë e zbulesës Hyjnore ka dobinë e saj për ta sjellë mëkatarin tek Krishti për shpëtim dhe në drejtimin dhe inkurajimin e tij për të ecur në liri, përmes Frymës së birësimit, sipas urdhërimeve të Perëndisë. Vini re dallimin, asnjë njeri nuk bekohet për veprat e tij por në veprat e tij. Nuk janë fjalët por jeta që do të na çojë në qiell. Krishti do të bëhet më i çmuar për shpirtin e besimtarit i cili përmes hirit të tij do të bëhet edhe më i përshtatur për trashëgiminë e shenjtorëve në dritë.
Jakobi 1:26, 27
Kur njerëzit përpiqen shumë të duken fetarë në vend që të jenë vërtet të tillë kjo është një shenjë që feja e tyre është e kotë. Mos kontrollimi i gjuhës, gatishmëria për të folur për të metat e të tjerëve apo përçmimi i urtësisë apo përshpirtshmërisë së tyre janë shenja të një feje të kotë. Njeriu që ka një gjuhë të zgjidhur s’mund të ketë vërtet një zemër të hirshme. Fetarët e rremë mund të njihen prej papastërtisë së tyre dhe mungesës së bamirësisë. Feja e vërtetë na mëson të bëjmë gjithçka si në praninë e Perëndisë. Një jetë e panjollë duhet të shkojë krah për krah me bamirësinë dhe dashurinë pa shtirje. Feja jonë e vërtetë është e barabartë me masën me të cilën këto gjëra kanë zënë vend në zemrën dhe sjelljen tonë. Le të kujtojmë që në Krishtin Jezus asgjë nuk ka vlerë përveç besimit që vepron përmes dashurisë, që pastron zemrën, nënshtron epshet mishore dhe iu bindet urdhërimeve të Perëndisë.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!