Komentim – Hebrenjve 8

Hebrenjve 8

nga Methju Henri

Skica e kapitullit

  • Përsosmëritë e priftërisë së Krishtit mbi atë të Aaronit (1-6)
  • Përsosmëria e besëlidhjes së re ndaj asaj të mëparshme (7:13)

Hebrenjve 8:1–6

Thelbi apo përmbledhja e atyre që janë shpallur ishte që të krishterët kishin një Krye Prift të tillë siç iu nevojitet. Ai mori mbi vete natyrë njerëzore, u shfaq mbi tokë dhe aty e ofroi veten si sakrificë tek Perëndia për mëkatet e popullit të tij. Nuk duhet të guxojmë t’i afrohemi Perëndisë apo t’i paraqesim ndonjë gjë Atij veçse në dhe përmes Krishtit, duke u mbështetur tek meritat dhe tek ndërmjetësimi i Tij sepse ne vetë jemi pranuar vetëm në të Dashurin. Me gjithë bindjen dhe adhurimin duhet të qëndrojmë pranë fjalës së Perëndisë e cila është standardi i vetëm i përsosur. Krishti është thelbi dhe synimi i ligjit të drejtësisë. Por besëlidhja së cilës i referohet këtu ishte ajo që u bë me Izraelin si komb dhe e cila u siguroi përfitime të përkohshme. Premtimet e gjithë bekimeve frymërore dhe të jetës së përjetshme që zbulohen në ungjill të cilat janë siguruar përmes Krishtit kanë një vlerë jashtëzakonisht më të madhe. Le të bekojmë Perëndinë që kemi një Krye Prift të përshtatshëm për gjendjen tonë të pashpresë.

Hebrenjve 8:7–13

Përsosmëria superiore e priftërisë së Krishtit mbi atë të Aaronit tregohet prej besëlidhjes së hirit për të cilën Krishti u bë Ndërmjetës. Ligji jo vetëm që i nënshtroi të gjithë dhe i shpalli fajtorë që të dënoheshin për mëkatin por gjithashtu nuk kishte mundësi të largonte fajin dhe ta pastronte ndërgjegjen nga ndjesia dhe tmerri i tij. Kurse përmes gjakut të Krishtit sigurohet një pastrim i plotë i mëkatit saqë Perëndia nuk i kujton më ato. Dikur Perëndia ua shkroi njerëzve ligjet e tij, tani Ai do t’i shkruajë ato ligje brenda tyre; Ai do t’iu japë kuptim për t’i njohur dhe besuar ligjet e tij; do t’iu japë kujtesë për t’i ruajtur; do t’iu japë zemra për t’i dashur, guxim për t’i rrëfyer dhe fuqi për t’i zbatuar në praktikë.

Ky është themeli i besëlidhjes; dhe kur ky themel hidhet detyra kryhet me urtësi, sinqeritet, vullnet, lehtësi, vendosmëri, vazhdueshmëri dhe ngushëllim. Një derdhje e bollshme e Frymës së Perëndisë ka për ta bërë shërbesën e ungjillit aq të efektshme saqë ka për të pasur një rritje dhe përhapje të pushtetshme të njohurisë së Krishterë tek njerëz të të gjitha shtresave. Oh sikur të përmbushet ky premtim në kohën tonë, që dora e Perëndisë të jetë mbi shërbëtorët e Tij në mënyrë që një numër i madh njerëzish të besojë dhe të kthehet tek Zoti!

Falja e mëkatit do të shoqërojë gjithmonë njohurinë e vërtetë të Perëndisë. Vini re lirinë e kësaj faljeje; plotësinë e saj; patundshmërinë e saj. Kjo mëshirë falëse është e lidhur me të gjitha mëshirat e tjera frymërore: mëkati i pa falur e pengon mëshirën dhe sjell poshtë gjykim; por falja e mëkatit e pengon gjykimin dhe hap një portë të gjerë për të gjitha bekimet frymërore. Le të shohim nëse po mësohemi prej Frymës së Shenjtë për ta njohur Krishtin në mënyrë që ta duam, t’i druhemi dhe t’i bindemi Atij në mënyrën më të përshtatshme. Të gjitha kotësitë e botës, privilegjet e jashtme apo thjesht dukjet e fesë shumë shpejt do të humbasin dhe kanë për t’i lënë ata që besojnë në këto gjëra në mjerim të përjetshëm.

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*