Mendime Shtjelluese Mateu 11

Ungjilli sipas Mateut kapitulli 11

nga J. C. Ryle

Mateu 11:1-15
Gjëja e parë që kërkon vëmendjen tonë në këtë pjesë, është mesazhi që Gjon Pagëzori i dërgoi Zotit tonë Jezu Krisht. Ai i dërgoi dy nga dishepujt e vet dhe i tha, “A je ti ai që duhej të vinte apo të presim për një tjetër?”

Kjo pyetje nuk doli nga dyshimi apo mosbesimi nga ana e Gjonit. Tregohemi të padrejtë me atë burrë të shenjtë nëse e interpretojmë pyetjen në këtë mënyrë. Kjo pyetje u bë për të mirën e dishepujve të tij. Kishte për qëllim që t’u jepte atyre një mundësi që të dëgjonin nga vetë buzët e Krishtit, provën e misionit të Tij hyjnor. Nuk ka dyshim që Gjon Pagëzori ndihej që shërbesës së tij i kishte ardhur fundi. Diçka brenda tij i thoshte që nuk do të dilte më kurrë nga burgu i Herodit, por me siguri do të vdiste aty. Ai kujtoi xhelozistë e paditurisë që ishin treguar nga dishepujt e tij ndaj dishepujve të Krishtit. Ai ndoqi shtegun më të pazakontë për t’a hequr qafe përgjithmonë atë xhelozi. Ai dërgoi ndjekësit e tij të “dëgjonin dhe shihnin” për veten e tyre.

Sjellja e Gjon Pagëzorit në këtë çështje na ofron një shembull të jashtëzakonshëm për shërbestarët, mësuesit, prindërit, kur i afrohen fundit të garës së tyre. Dëshira e tyre e madhe duhet të jetë që t’i bindin ata të mbahen fort pas Krishtit. Vdekja e atyre që na kanë drejtuar dhe udhëzuar mbi tokë duhet që gjithmonë të ketë këtë efekt. Duhet të na bëjë që të kapemi edhe më fort tek Ai i cili nuk vdes më, por “mbetet përjetë,” dhe i cili “ka një priftëri të patjetërsueshme.” (Hebrenjve 7:24).

Gjëja e dytë që kërkon vëmendjen tonë në këtë pjesë, është dëshmia e madhe që Zoti ynë dha për karakterin e Gjon Pagëzorit. Asnjë njeri i vdekshëm nuk mori kurrë një lëvdim kaq të madh sa ky që Jezusi i jep mikut të tij të burgosur. “Ndër ata që janë lindur prej gruas nuk ka dalë kurrë ndonjë më i madh se Gjon Pagëzori.” Në të shkuarën Gjoni kishte rrëfyer me guxim Jezusin përpara njerëzve, si Qengji i Perëndisë. Tani Jezusi e shpall Gjonin hapur si dikush që është më tepër se një profet.

Nuk ka dyshim që kishte disa të cilët ishin të prirur të mendonin ulët për Gjon Pagëzorin, pjesërisht nga padituria rreth natyrës së shërbesës së tij, dhe pjesërisht prej keqkuptimit të pyetjes që ai dërgoi dishepujt t’i bënin Jezusit. Zoti ynë Jezusi ua mbylli gojën këtyre njerëzve të pavëmendshëm përmes deklaratës që bëri këtu. Ai u thotë që të mos mendojnë se Gjoni ishte i një burrë i paqëndrueshëm, i druajtur dhe hezitues, “një kallam që e tund era.” Nëse mendonin kështu, e kishin krejtësisht gabim. Ai ishte një dëshmitar i guximshëm dhe i patrembur për të vërtetën. Ai u thotë të mos supozojnë që Gjoni në zemrën e tij ishte një njeri i botës, të cilit i pëlqenin oborret mbretërore, dhe jeta plot luks. Nëse mendonin kështu, gaboheshin rëndë. Ai ishte një predikues i pendimit i cili e mohoi veten, që rrezikoi të përballej me zemërimin e mbretit, në vend që të mos e qortonte për mëkatet e tij. Me pak fjalën, Ai dëshiron që ata ta dinë se Gjoni ishte “më tepër se një profet.” Ai ishte dikush të cilit Perëndia i kishte dhënë më tepër nder sesa gjithë profetëve të Dhiatës së Vjetër. Ata me të vërtetë profetizuan për Krishtin, por ata vdiqën e pa e parë Atë. Gjoni jo vetëm që profetizoi për Të, por edhe e pa ballë për ballë. Ata parathanë që ditët e Birit të njeriut do të vinin me siguri dhe që Mesia do të shfaqej. Gjoni në fakt ishte dëshmitar real i këtyre ditëve, dhe një instrument i nderuar në përgatitjen e njerëzve për këto ditë. Atyre ju dha që të parashikonin që Mesia do të “udhëhiqej si një qengj për therrje,” dhe që “do të këputej.” Gjonit ju dha të tregonte drejt Tij, dhe të thoshte, “Ja Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës.”

Në këtë dëshmi që Zoti ynë jep për Gjonin ka diçka shumë të bukur dhe ngushëlluese për të krishterët e vërtetë. Na tregon interesimin e butë që Kreu ynë i madh ndjen në jetën dhe karakteret e të gjithë gjymtyrëve të Tij. Na tregon se çfarë nderi Ai është i gatshëm të vendosë mbi gjithë punën dhe mundin që ata kalojnë në kauzën e Tij. Ky është një parashijim i ëmbël i rrëfimit që Ai do të bëjë për ta para gjithë botës së mbledhur bashkë, kur t’i paraqesë të patëmetë para fronit të Atit të Tij në ditën e fundit.

A e dimë se çfarë do të thotë të punosh për Krishtin? A jemi ndjerë ndonjëherë të hedhur poshtë dhe të shkurajuar sikur nuk po bënim asgjë të mirë, dhe që askush nuk interesohet për ne? A tundohemi ndonjëherë të mendojmë kur jemi të vënë poshtë nga sëmundja apo të tërhequr nga provania, “Jam munduar më kot, e kam harxhuar forcën pa dobi?” Le t’i përballim mendime të tilla duke kujtuar këtë pjesë. Le të kujtojmë që ekziston Njëri që çdo ditë shënon gjithë sa bëjmë për Të, dhe sheh më tepër bukur në punën e shërbëtorëve të Tij nga sa shohin ata vetë. E njëjta gjuhë që dha dëshmi për Gjonin në burg, do të japë dëshmi për gjithë njerëzit e Tij ditën e fundit. Ai do të thotë, “Ejani, të bekuar të Atit tim, trashëgoni mbretërinë që u përgatit për ju që para themelimit të botës.” Pastaj, dëshmitarët e tij besnikë do të zbulojnë, për habinë dhe mahnitjen e tyre, që nuk kishte asnjë fjalë të cilën e thanë për llogari të Zotërisë së tyre e cila të mos marrë një shpërblim.

Mateu 11:16-24
Këto thënie të Zotit Jezus u motivuan nga gjendja e kombit Jude ndërkohë që Ai ishte mbi tokë. Por ato na flasin shumë edhe ne ashtu sikurse edhe Judenjve. Ato hedhin një dritë të madhe në disa pjesë të karakterit natyror të njeriut. Ato na mësojnë gjendjen e rrezikshme të shumë shpirtrave të pavdekshëm në kohën e tanishme.

Pjesa e parë e atyre vargjeve na tregon pa arsyeshmërinë e shumë njerëzve të pakonvertuar në gjërat e fesë. Judenjtë në kohën e Zotit tonë kritikuan çdo mësues që Perëndia dërgonte mes tyre. Në fillim erdhi Gjon Pagëzori duke predikuar pendimin – një burrë i rreptë, dikush që u distancua nga shoqëria dhe jetoi një jetë asketike. A kënaqi kjo gjë Judenjtë? Jo! Ata e kritikuan duke thënë, “Ai ka një demon.” Pastaj erdhi Jezusi Biri i Perëndisë, i cili predikoi Ungjillin, jetoi si njerëzit e tjerë dhe nuk praktikoi asnjë nga zakonet e veçanta asketike të Gjon Pagëzorit. A i kënaqi kjo gjë Judenjtë? Jo! Ata sërish kritikuan duke thënë, “Ja një grykës dhe një pijanec, miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve!” Me pak fjalë, ata ishin aq të shthurur dhe të vështirë për t’i kënaqur sa dhe ‘fëmijët ankues’.

Është fakt për t’u vajtuar që gjithmonë ka mijëra nga ata që rrëfejnë se janë të krishterë të cilët janë po aq të paarsyeshëm sa edhe Judenjtë. Ata janë po aq të shthurur dhe po aq të vështirë për t’i kënaqur. Çfarëdo që të mësojmë dhe predikojmë, ata sërish gjejnë diçka për të kritikuar. Cilado qoftë mënyra e jetës tonë, ata sërish janë të pakënaqur. A u tregojmë atyre për shpëtimin prej hirit, dhe për drejtësimin me anë të besimit? Ata menjëherë thërrasin kundër doktrinës tonë si lejuese dhe kundër ligjit. A ju flasim për shenjtërinë që kërkon Ungjilli? Ata menjëherë këlthasin që jemi tepër striktë, preçizë dhe e mbajmë veten për shumë të drejtë. A jemi të gëzuar? Ata na akuzojnë për mendjelehtësi. A jemi seriozë? Ata na quajnë të zymtë dhe të hidhët. A qëndrojmë larg nga lojërat dhe garat? Ata na akuzojnë si puritanë, përjashtues dhe mendjengushtë.

A hamë, pimë dhe vishemi si njerëzit e tjerë dhe ndjekim thirrjet tona në këtë botë dhe shkojmë në shoqëri? Ata me përqeshje lënë të kuptojmë që nuk shohin ndonjë ndryshim mes nesh dhe atyre që nuk ka asnjë rrëfim fetar, dhe që nuk jemi më të mirë se njerëzit e tjerë. Çfarë është e gjithë kjo përveçse sjellja e Judenjve e përsëritur sërish? “Ne i kemi rënë fyellit për ju dhe ju nuk kërcyet; nisëm vajin dhe ju nuk u brengosët.” Ai që i shqiptoi këto fjalë i njihte zemrat e njerëzve.

E vërteta e qartë është që besimtarët e vërtet nuk duhet të presin që njerëzit e pakonvertuar të kënaqen, as me besimin dhe as me praktikën e tyre. Nëse e presin këtë gjë, janë duke pritur atë që nuk do ta gjejnë. Ata duhet ta ndajnë mendjen që të dëgjojnë kundërshtimet, ankimet dhe justifikimet, pavarësisht se sa e shenjtë mund të jetë jeta e tyre. Mirë tha Kuesnelli, “Çfarëdo mase që të marrin njerëzit e mirë, nuk kanë për t’u shpëtuar dot kurrë kritikave të botës. Mënyra më e mirë është të mos shqetësohesh për to.” Në fund të fundit, çfarë na thotë Shkrimi? “Mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë.” “Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë.” (Romakëve 8:7, 1 Korintasve 2:14). Ky është shpjegimi për gjithë këtë çështje.

Pjesa e dytë e këtyre vargjeve nga tregon ligësinë e jashtëzakonshme të mospendimit të vullnetshëm. Zoti ynë shpall që “ditën e gjyqit, Tiro dhe Sidoni do të trajtohen me më shumë tolerancë,” se ato qytete ku njerëzit kishin dëgjuar predikimet e Tij, kishin parë mrekullitë e Tij dhe nuk ishin penduar.

Në këtë thënie ka diçka shumë serioze. Le ta konsiderojmë me kujdes. Le të mendojmë për një moment se çfarë vendesh të errëta, idhujtare, imorale dhe të shthurura që duhej të ishin Tiro dhe Sidoni. Le të sjellim ndër mend ligësinë e patregueshme të Sodomës. Le të kujtojmë se qytetet e përmendura na Zoti ynë, Korazini, Betsaida dhe Kapernaumi, ka të ngjarë që nuk ishin më keq se qytetet e tjera Judease dhe në çdo rast ishin shumë më të mirë se Tiro, Sidoni dhe Sodoma. Pastaj, le të vëzhgojmë që njerëzit e Korazinit, Betsaidës dhe Kapernaumit do të gjenden në nivelet më të poshtme të ferrit për shkak se e dëgjuan Ungjillin dhe megjithatë nuk u penduan – për shkak se ata kishin avantazhe të mëdha fetare dhe nuk i shfrytëzuan ato. Sa e frikshme që tingëllon kjo!

Sigurisht që këto fjalë duhet t’i bëjnë veshët e kujtdo që të tingëllojnë, veshët e atyre që e dëgjojnë Ungjillin rregullisht e megjithatë qëndrojnë të pakonvertuar. Sa i madh që është faji i një njeriu të tillë para Perëndisë! Sa i madh është rreziku para të cilit gjendet çdo ditë? Pavarësisht se jeta e tij mund të jetë e moralshme, e mirë dhe e respektueshme, ai në fakt është më tepër fajtor se një idhujtar i Tiros apo Sidonit, apo një banor i mjerueshëm i Sodomës. Ata nuk kishin dritë frymërore: ai ka dhe e neglizhon. Ata nuk e dëgjuan Ungjillin; ai e dëgjon por nuk i bindet. Zemrat e tyre mund të ishin zbutur, nëse do të kishin patur privilegjet e tij. Tiro dhe Sidoni “do të ishin penduar.” Sodoma “do të kishte ekzistuar deri më sot.” Zemra e tij mbetet e ngurtë dhe e palëvizshme nën shkëlqimin e plotë të Ungjillit. Ka vetëm një konkluzion të dhimbshëm që mund të nxirret. Faji i tij do të jetë më i madh se faji i tyre në ditën e fundit. Është shumë e vërtetë fjala e një peshkopi Anglez i cili tha, “Mes gjithë acarrimeve të mëkateve tona, nuk ka asnjë më të urryer se dëgjimi i shpeshtë i detyrës tonë.”

Mendofshim shpesh për Korazinin, Betsaidën dhe Kapernaumin! Le ta ngulitim mirë në mendjen tonë që nuk ka për të mjaftuar kurrë që të jemi të kënaqur thjesht duke e dëgjuar dhe pëlqyer Ungjillin. Duhet të shkomë më tej se kaq. Ne në fakt duhet të “pendohemi dhe të kthehemi.” Ne duhet që vërtet të kapemi fort pas Krishtit dhe të bëhemi një me Të. Deri atëherë jemi në një rrezik të frikshëm. Do të ishte më mirë të kishim jetuar në Tiro, Sidon dhe Sodomë sesa të kishim dëgjuar Ungjillin në Angli dhe më në fund të vdisnim të pakonvertuar.

Mateu 11:25-30
Të pakta janë ato pjesë në katër Ungjijtë të cilat të jenë më të rëndësishme se kjo. Të pakta janë ato pjesë që përmbajnë kaq shumë të vërteta të çmuara në kaq pak vargje. Na dhëntë Perëndia sy për të parë dhe zemër për të ndjerë vlerën e tyre!

Së pari, le të mësojmë shkëlqesinë e një qëndrimi fëminor dhe të mësueshëm të mendjes. Zoti ynë i thotë Atit të tij, “ua fshehe këto gjëra të urtit dhe të mençurit, dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël.”

Nuk na takon ne të shpjegojmë pse disa e pranojnë dhe e besojnë Ungjillin dhe të tjerët jo. Sovraniteti i Perëndisë në këtë çështje është një mister i thellë – të cilin nuk mund ta hulumtojmë dot. Por, gjithsesi, një gjë është e qartë në Shkrim si një e vërtetë e madhe praktike që duhet të mbahet mend përjetë. Ata prej të cilëve Ungjilli është i fshehur në përgjithësi janë “të urtë në sytë e tyre dhe të mençur në gjykimin e tyre.” Ata të cilëve u zbulohet Ungjilli në përgjithësi janë të përulur, të thjeshtë dhe të gatshëm për të mësuar. Fjalët e Virgjëreshës Mari po përmbushen vazhdimisht, “i mbushi me të mira të uriturit dhe i ktheu duarbosh të pasurit.” (Lluka 1:53).

Le të ruhemi nga çdo formë e KRENARISË – krenaria e intelektit, krenaria e pasurisë, krenaria në mirësinë tonë, krenaria në arritjet tona. Asnjë gjë nuk ka aq shumë gjasa që ta mbajë një njeri jashtë qiellit dhe ta pengojë që të shohë Krishtin sa krenaria. Për aq kohë sa mendojmë që jemi diçka, nuk do të shpëtohemi kurrë. Le të lutemi për përulësi dhe le ta kultivojmë atë. Le të përpiqemi ta njohim veten si duhet, dhe të gjejmë vendin tonë para një Perëndie të shenjtë. Fillimi i shtegut për në qiell është të ndiejmë që jemi duke shkuar në ferr, dhe të jemi të gatshëm të mësohemi prej Frymës. Një prej hapave të parë në Krishterimin shpëtues është të jemi në gjendje të themi bashkë me Saulin, “Zot, çfarë dëshiron që të bëj?” (Veprat 9:6). Zor se ka ndonjë fjali të cilën Zoti ynë e përsëriti aq shpesh sa këtë, “Ai që e përul veten do të lartësohet.” (Lluka 18:14).

Së dyti, le të mësojmë nga këto vargje madhështinë dhe madhërinë e Zotit tonë Jezu Krisht. Gjuha e Zotit tonë rreth kësaj teme është e thellë dhe e mrekullueshme. Ai thotë, “Çdo gjë më është dhënë në dorë nga Ati im, dhe asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri don t’ia zbulojë.” Ndërsa i lexojmë këto fjalë mund të themi me të vërtetë, “Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij.” Ne shohim diçka nga bashkimi i përsosur që ekziston mes Personit të parë dhe të dytë të Trinisë. Dallojmë diçka nga superioriteti i pamatshëm i Zotit Jezus ndaj të gjithë atyre që nuk janë asgjë më tepër sesa thjesht njerëz. Por ende, kur e kemi thënë gjithë këtë gjë, duhet të rrëfejmë që ka lartësi dhe thellësi në këtë varg, të cilat janë përtej kuptimit tonë të dobët. Ne thjesht mund t’i admirojmë ato në frymën e një fëmije të vogël. Por për gjysmën e tyre duhet të ndihemi se mbeten të patreguara.

Megjithatë, le të nxjerrim nga këto fjalë të vërtetën e madhe praktike, që i gjithë pushteti dhe autoriteti, në gjithçka që ka të bëjë me interesin e shpirtit tonë, është vendosur në duart e Zotit tonë Jezu Krisht. “Të gjitha gjërat i janë dhënë Atij.” Ai mban çelësat – tek Ai duhet të shkojmë për të hyrë në qiell. Ai është dera – përmes Tij duhet të hyjmë. Ai është Bariu – zërin e Tij duhet të dëgjojmë, Atë duhet të ndjekim, nëse nuk duam të vdesim në shkretëtirë. Ai është Doktori – duhet të shkojmë tek Ai nëse duam të shërohemi nga sëmundja e mëkatit. Ai është buka e jetës – duhet të ushqehemi me Të, nëse duam që shpirti ynë të kënaqet. Ai është drita – duhet ta ndjekim Atë nëse nuk duam të ecim në errësirë. Ai është burimi – duhet të lahemi në gjakun e Tij, nëse duam të pastrohemi dhe të bëhemi gati për ditën e madhe të gjyqit. Të bekuara dhe të lavdishme janë këto të vërteta! Nëse kemi Krishtin, kemi të gjitha gjërat. (1 Korintasve 3:22).

Së fundi, le të mësojmë nga kjo pjesë gjerësinë dhe plotësinë e ftesave të Ungjillit të Krishtit. Tre vargjet e fundit të këtij kapitulli në të cilat gjendet ky mësim janë vërtet të çmuara. Ato e ballafaqojnë mëkatarin që po dridhet dhe e pyesin, “A do t’ia zbulojë Krishti dashurinë e Atit një njeriu si unë?” me inkurajimin më të hirshëm. Ato janë vargje të cilat meritojnë të lexohen me një vëmendje të veçantë. Për njëmijë e tetëqind vjet ato kanë qenë bekim për botën, dhe u kanë bërë mirë një shumice të panumërt shpirtrash. Në këto vargje nuk ka qoftë edhe një fjali të vetme që të mos përmbajë një minierë mendimesh.

Vini re se cilët janë ata që Jezusi i fton. Ai nuk u drejtohet atyre që ndihen se janë të drejtë dhe të denjë. Ai u drejtohet “të munduarve dhe të rënduarve.” Ky është një përshkrim i gjerë. Këtu përfshihen turmat e mëdha në këtë botë të lodhshme. Të gjithë ata që ndiejnë një ngarkesë në zemrën e tyre, nga e cila dëshirojnë me sinqeritet që të çlirohen, një barrë mëkati apo brenge, një barrë ankthi apo një barrë keqardhjeje – të gjithë ata, kushdo që mund të jenë, dhe pavarësisht se cila ka qenë jeta e tyre e shkuar, të gjithë këta janë të ftuar të vijnë tek Krishti.

Vini re se çfarë oferte hirshme që bën Jezus. “Unë do t’ju jap çlodhje. Ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.” Sa inkurajuese dhe ngushëlluese që janë këto fjalë! Trazimi është një karakteristikë e madhe e kësaj bote. Nxitimi, shqetësimi, dështimi, zhgënjimi na përballin nga çdo anë. Por këtu ka shpresë. Ka një arkë strehimi për të lodhurin, po aq sa kishte edhe për pëllumbin e Noeut. Në Krishtin ka prehje, prehje të ndërgjegjes, prehje të zemrës, prehje të mbështetur mbi faljen për të gjitha mëkatet, prehje që rrjedh nga paqja me Perëndinë.

Vini re se çfarë kërkese të thjeshtë u bën Jezusi të lodhurve dhe të rënduarve. “Ejani tek unë – Merrni mbi vete zgjedhën time, mësoni prej meje.” Ai nuk paraqet kushte të vështira. Ai nuk flet fare për veprat që duhen bërë më parë dhe për të themeluar denjësinë për dhuratat e Tij. Ai thjesht na kërkon të vijmë tek Ai ashtu siç jemi, me të gjitha mëkatet tona, dhe t’i nënshtrohemi mësimit të Tij si fëmijë të vegjël. Ai duket sikur na thotë, “Mos shkoni tek njerëzit për lehtësim. Mos prisni që ndihma t’ju vijë nga ndonjë anë tjetër. Sot, ejani tek unë ashtu siç jeni.”

Vini re se çfarë përshkrimi inkurajues që jep Jezusi për veten e Tij. Ai thotë, “Unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra.” Sa e vërtetë që është kjo është vërtetuar shpesh nga të gjithë shenjtorët e Perëndisë. Maria dhe Marta në Betani, Pjetri pas rënies së tij, dishepujt pas ringjalljes, Thomai pas mosbesimit të tij, të gjithë e shijuan “përulësinë dhe zemërbutësinë e Krishtit.” Ky është i vetmi vend në Shkrim ku përmendet vërtet “zemra” e Krishtit. Kjo është një thënie që nuk duhet të harrohet kurrë.

Së fundi, vini re përshkrimin inkurajues që Jezusi jep për shërbesën e Tij. Ai thotë, “Zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!” Nuk ka dyshim që ka një kryq i cili duhet mbartur, nëse ndjekim Krishtin. Nuk ka dyshim që ka sprova që duhen duruar dhe beteja që duhen luftuar. Por ngushëllimet e Ungjillit e tejkalojnë së tepërmi kryqin. I krahasuar me shërbimin ndaj botës dhe mëkatit, i krahasuar me zgjedhën e ceremonive të Judenjve, dhe me skllavërinë e besëtytnive njerëzore, shërbimi i Krishtit është i lehtë i ëmbël në kuptimin më të lartë. Zgjedha e Tij nuk është barrë më e rëndë nga sa janë pendët për zogun. Urdhërimet e Tij nuk janë të trishtueshme. Udhët e Tij janë udhë kënaqësie, dhe të gjitha shtigjet e tij janë shtigje paqeje. (1 Gjoni 5:3, Fjalët e Urta 3:17).

Tani është momenti për një pyetje solemne. A e kemi pranuar këtë ftesë për veten tonë? A nuk kemi mëkat që duhet falur, brenga që duhen larguar, plagë të ndërgjegjes të cilat duhen shëruar? Nëse po, le të dëgjojmë zërin e Krishtit. Ai na flet edhe ne sikurse ju foli Judenjve. Ai thotë, “Ejani tek unë.” Ky është çelësi i lumturisë së vërtetë. Ky është sekreti i të pasurit një zemër të lumtur. Gjithçka varet nga pranimi i kësaj oferte të Krishtit.

Mos u kënaqshim kurrë derisa të dimë dhe ndiejmë që kemi ardhur tek Krishti për prehje me anë të besimit, dhe vazhdojmë të vijmë tek Ai për furnizime të freskëta nga hiri i Tij çdo ditë. Nëse tashmë kemi ardhur tek Ai, le të mësojmë të mbahemi edhe më ngushtë pas Tij. Nëse nuk kemi shkuar kurrë tek Ai, le të fillojmë të shkojmë sot. Fjala e Tij nuk do të bjerë kurrë poshtë – “Atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë.” (Gjoni 6:37).


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*