Mendime Shtjelluese Mateu 24

Ungjilli sipas Mateut kapitulli 24

nga J. C. Ryle

Mateu 24:1-14

Këto vargje hapin një kapitull plot me profeci pjesa më e madhe e të cilave nuk është përmbushur ende, profeci të cilat duhet t’u interesojnë së tepërmi të gjithë të krishterëve të vërtetë. Kjo është një temë për të cilën Fryma i Shenjtë thotë, që “bëjmë mirë t’i kushtojmë vëmendje.” (2 Pjetri 1:19).

Të gjitha pjesëve të Shkrimit si kjo duhet t’u qasemi me një përulësi të thellë dhe me një lutje të zellshme për mësimin e Frymës. Nuk ka pikë tjetër rreth të cilës burra të mirë të mos kenë rënë dakord aq shumë sa në interpretimin e profecisë. Në asnjë pikë tjetër nuk është privuar aq shumë kisha për shkak të paragjykimeve të një pale, të dogmatizmit të palës së dytë dhe të ekstravagancës së palës së tretë, nga të vërtetat që Perëndia i ka dhënë për bekim. Mirë thotë Olshausen, “Çfarë nuk ka mundësi të shohë njeriu apo të dështojë të shohë, kur bëhet fjalë për themelimin e opinioneve të tij të preferuara.

Për të kuptuar rrjedhën e gjithë kapitullit duhet që me kujdes të kemi parasysh pyetjen që i hapi udhë fjalimit të Zotit tonë. Kur u larguan për herë të fundit nga tempulli, dishepujt, duke pasur ndjenjat e natyrshme të Judenjve, i kishin tërhequr vëmendjen Mesias së tyre tek ndërtesat madhështore nga të cilat përbëhej ai. Për habinë dhe mahnitjen e tyre Ai iu tha që i gjithë tempulli do të shkatërrohej. Këto fjalë duket që ishin zhytur thellë në mendjet e dishepujve. Ata erdhën tek Ai ndërsa Ai ishte ulur në Malin e Ullinjve dhe i e pyetën me një ankth të dukshëm, “Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra? Dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës?” – në këto fjalë dallojmë të dhënën rreth temës së profecisë që gjendet përpara nesh. Ajo përfshin tri pika – një, shkatërrimin e Jerusalemit, dy, ardhjen e dytë personale të Krishtit dhe tre, fundin e botës. Këto tri pika nuk ka dyshim që në disa pjesë të këtij kapitulli janë aq të ndërthurura saqë është e vështirë t’i ndash dhe t’i zbërthesh. Por të gjitha këto pika duke dallueshëm në kapitull dhe pa to nuk mund ta shpjegojmë dot si duhet kapitullin.

Katërmbëdhjetë vargjet e para të profecisë përmbajnë mësime të përgjithshme me një shtrirje dhe zbatim të gjerë. Ato duket sikur zbatohen me forcë të njëjtë për fundin e epokës Judease dhe asaj të krishterë, duke qenë se ndodhia e parë është prerezi tipike e të dytës. Sigurisht që ato kërkojnë një vëmendje të veçantë nga ana jonë që gjendemi në fundin e botës. Le të shohim tani se cilat janë këto mësime.

Mësimi i parë i përgjithshëm përpara nesh është paralajmërimi kundër mashtrimit. Fjalët e para të këtij fjalimi janë, “Ruhuni se mos ju mashtron ndokush!” Nuk mund të mendojmë dot për një paralajmërim më të nevojshëm se ky. Satani e njeh mirë vlerën e profecisë dhe përherë është munduar që ta bëjë këtë temë të përbuzshme. Sa shumë krishtër dhe profetë të rremë kishin dalë para shkatërrimit të Jerusalemit për të cilët gjejmë prova të bollshme në veprat e historianit Jozefi. Në sa shumë mënyra verbohen vazhdimisht sytë e njeërzve në ditët tona për sa u përket gjërave që do të ndodhin mund ta tregojmë shumë kollaj. Irvingismi dhe Muhamedanizmi kanë qenë vetëm dy fe të cilat janë përdorur në mënyrë të suksesshme si argumente për të hedhur poshtë gjithë doktrinën e ardhjes së dytë të Krishtit. Le të rrimë zgjuar dhe vigjilentë.

Le të mos na mashtrojë askush në lidhje me faktet kryesore të profecive të papërmbushura duke na thënë që këto gjëra janë të pamundura – apo në lidhje me mënyrën sesi ato do të ndodhin, duke na thënë që nuk ka gjasa dhe që bie në kundërshtim me përjetimin e shkuar. Askush të mos na mashtrojë në lidhje me kohën se kur do të përmbushen profecitë e papërmbushura qoftë duke caktuara data nga njëra anë apo duke na bërë thirrje të presim për konvertimin e botës nga ana tjetër. Në të gjitha këto pika le të jetë kuptimi i qartë i Shkrimit udhëzuesi ynë i vetëm dhe jo interpretimet tradicionale të njerëzve. Le të mos kemi turp të themi që presim një përmbushje të drejtpërdrejtë të profecive të papërmbushura. Me sinqeritet le të pranojmë faktin që ka shumë gjëra të cilat nuk i kuptojmë, por ende të qëndrojmë të palëkundur me guxim duke besuar fort, duke pritur gjatë dhe duke mos dyshuar që një ditë gjithçka do të bëhet e qartë. Mbi të gjitha, le të kujtojmë që ardhja e parë e Mesias për të vuajtur, ishte ndodhia e cila kishte më pak gjasa që të imagjinohej, dhe le të mos dyshojmë që sikurse Ai erdhi me të vërtetë fizikisht për të vuajtur kështu do të vijë fizikisht sërish për të mbretëruar.

Mësimi i dytë i madh përpara nesh është një paralajmërim kundër pritjeve tepër optimiste dhe ekstravagante në lidhje me gjërat që duhet të ndodhin përpara se të vijë fundi. Ky është një paralajmërim po aq i rëndësishëm sa edhe ai pararendës. Sa mirë do kishte qenë për Kishën nëse ky mësim nuk do të ishte neglizhuar kaq shumë.

Nuk duhet të presim një mbretërim universal të paqes, lumturisë dhe begatisë përpara se të vijë fundi. Nëse e presim do të mashtrohemi së tepërmi. Zoti ynë na bën thirrje të presim “luftra, zi buke, murtaja,” dhe përndjekje. Është e kotë të presim paqe para se të kthehet Princi i Paqes. Atëherë dhe jo më parë, shpatat do të kthehen në plugje dhe kombet nuk do të mësojnë më luftën. Atëherë dhe jo më parë toka do të japë prodhimin e saj. (Isaia 2:4, Psalmi 68:6).

Nuk duhet të presim një kohë pastërtie universale të doktrinës dhe praktikës në kishën e Krishtit përpara se të vijë fundi. Nëse e bëjmë do të gabohemi rëndë. Zoti ynë na bën thirrje që të presim daljen e “profetëve të rremë,” për “shtimin e paudhësisë,” dhe për “ftohjen e dashurisë së të shumtëve.” E vërteta nuk do të pranohet kurrë nga të gjitha ata që rrëfejnë se janë të krishterë dhe shenjtëria nuk ka për të qenë standardi mes njerëzve derisa të kthehet Kreu i madh i kishës dhe Satani të lidhet. Atëherë dhe jo më parë do të ketë një kishë të lavdishme pa njolla apo rrudha. (Efesianëve 5:27).

Nuk duhet të presim që e gjithë bota do të konvertohet përpara se të vijë fundi. Nëse e bëjmë, do të gabohemi rëndë. “Ungjilli duhet të predikohet në të gjithë botën si dëshmi para gjithë kombeve,” por nuk duhet të mendojmë që do ta shohim të besohet në rang universal. Ungjilli do të “mbledhë një popull,” kudo që predikohet me besnikëri si dëshmitarë të Krishtit, por mbledhja e plotë e kombeve nuk do të ndodhë kurrë derisa Krishti të kthehet. Atëherë dhe jo më parë toka do të mbushet me njohurinë e Zotit sikurse ujërat mbushin detet. (Veprat 15:14, Habakuku 2:14).

Le t’i marrim këto gjëra me zemër dhe t’i kujtojmë mirë. Ato janë të vërteta shumë të rëndësishme për kohën e tashme. Le të mësojmë që të jemi të matur në pritjet tona nga çdo shpikje në kishën e Krishtit dhe kështu do të kursehemi nga shumë zhgënjime. Le të nxitojmë që të përhapim Ungjillin në botë sepse koha është e shkurtë dhe jo e gjatë. Do të vijë nata kur askush nuk mund të punojë. Na presin kohë të vështira. Herezitë dhe përndjekjet mund t’i dobësojnë dhe shpërqendrojnë kishat. Shumë shpejt një luftë parimesh mund t’i trazojë kombet. Dyret që tani janë të hapura për të bërë mirë shumë shpejt mund të mbyllen përgjithmonë. Sytë tanë ende mund të shohin diellin e krishterimit që të perëndojë sikurse dielli i Judaizmit mes rreve dhe stuhive. Mbi të gjitha, le të dëshirojmë me zjarr kthimin e Zotit tonë. Ah, sikur të kishim një zemër që lutet çdo ditë, “Eja Zot Jezus!”

Mateu 24:15-28

Një temë kryesore e kësaj pjese të profecisë së Zotit tonë është pushtimi i Jerusalemit nga Romakët. Kjo ngjarje e madhe ndodhi rreth dyzetë vjet pasi u thanë fjalët që po lexojmë tani. Tregimi i plotë i kësaj ngjarjeje gjendet në veprat e historianit Jozef. Ato shkrime janë komenti më i mirë mbi fjalët e Zotit tonë. Ato janë një provë e jashtëzakonshme për saktësinë e çdonjërit prej parashikimeve të Tij më të vogla. Tmerret dhe mjerimet që Judenjtë duruan përgjatë rrethimit të qytetit të tyre ia tejakalojnë çdo gjëje tjetër për të cilën është shkruar. Kjo me të vërtetë ishte një kohë “mundimi, që nuk ishte parë ndonjëherë qysh prej krijimit të botës.” Disa habiten kur shohin që pushtimit të Jerusalemit i jepet një rëndësi kaq e madhe. Ata më mirë preferojnë ta shohin gjithë këtë kapitull si të papërmbushur.

Njerëz të tillë harrojnë që Jerusalemi dhe tempulli ishin zemra e epokës së vjetër Judease. Kur ato u shkatërruan i erdhi fundi edhe sistemit të vjetër të Moisiut. Flijimet e përditshme, festat e përvitshme, altari, shenjtërorja e shenjtëroreve, priftëria, që të gjitha ishin pjesë thelbësore të fesë së zbuluar derisa erdhi Krishterimi, por jo më gjatë se kaq. Kur Jezusi vdiq mbi kryq puna e tyre ishte kryer. Ato ishin të vdekura dhe tani mbetej thjesht që të varroseshin. Por nuk ishte e përshtatshme që kjo gjë të bëhej me qetësi. Përfundimi i epokës që u inagurua me aq shumë solemnitet në malin Sinai me të drejtë mund të pritej që të bëhej me po aq solemnitet. Shkatërrimi i tempullit të shenjtë në të cilin shumë shenjtorë të lashtë kishin parë “hijet e gjërave të mira që do të vinin,” me të drejtë mund të pritej të ishte temë e profecisë. Dhe kështu ndodhi. Zoti Jezus në mënyrë specifike parashikon shkretimin e “vendit të shenjtë.” Krye Prifti i madh përshkruan fundin e epokës e cila kishte shërbyer si mësuesi për t’i sjellë njerëzit tek Ai.

Por nuk duhet të supozojmë që kjo pjesë e profecisë së Zotit tonë është përmbushur krejtësisht nga pushtimi i parë i Jerusalemit. Ka shumë të ngjarë që fjalët e Zotit tonë të kenë ende një zbatim të mëtejshëm dhe më të thellë. Ka shumë të ngjarë që ato vlejnë për një rrethim të dytë të Jerusalemit, i cili ende nuk ka ndodhur., kur Izraeli të jetë kthyer në tokën e vet, dhe për një mundim të dytë të banorëve të tij i cili do të ndalohet vetëm nga ardhja e Zotit tonë Jezu Krisht. Një pikëpamje e tillë për këtë pjesë disave mund t’u duket e habitshme. Por ata që vënë në dyshim saktësinë e saj do bënin mirë të studionin kapitullin e fundit të profetit Zakaria dhe kapitullin e fundit të Danielit. Këta dy kapituj përmbajnë gjëra solemne. Ato hedhin një dritë të madhe mbi vargjet që po lexojmë tani dhe për lidhjen e tyre me vargjet që pasojnë.

Tani mbetet që ne të konsiderojmë mësimit që gjenden në këtë pjesë për ndërtimin tonë personal. Këto mësime janë të qarta dhe të pagabueshme. Të paktën në to nuk ka kurrëfarë paqartësie.

Së pari, shohim që largimi nga rreziku mund të jetë nganjëherë detyra pozitive e të krishterit. Vetë Zoti ynë i urdhëroi njerëzit e Tij që në rrethana të caktuara “të largoheshin.”

Nuk ka dyshim që shërbëtori i Krishtit nuk duhet të jetë frikacak. Ai duhet të rrëfejë zotërinë e tij përpara njerëzve. Ai duhet të jetë i gatshëm të vdesë për të vërtetën nëse është e nevojshme. Por shërbëtorit të Krishtit nuk i kërkohet që të turret drejt rrezikut, veçse po të përballet me të në shtegun e detyrës. Ai nuk duhet të ketë turp që të përdorë mjete të lejueshme që të sigurojë veten kur nuk do të arrihet asnjë e mirë duke vdekur në pozitën e tij. Në këtë mësim ka një urtësi të thellë. Martirët e vërtetë nuk janë gjithmonë ata që e ndjellin vdekjen dhe nxitojnë t’u pritet koka apo të digjen në turrën e druve. Ka raste kur tregohet më tepër hir duke qëndruar në qetësi, duke pritur, duke u lutur dhe duke pritur mundësitë sesa në sfidimin e kundërshtarëve tanë dhe turrjen drejt betejës. Paçim urtësi për të ditur sesi të veprojmë në kohën e përndjekjes! Është e mundur që të tregohemi të nxituar, sikurse është e mundur edhe të tregohemi frikacakë – dhe të mos jemi më të dobishëm duke qenë tepër të rrëmbyer si dhe tepër hezitues.

Një gjë që dallojmë është që kur e dha këtë profeci Zoti ynë përmend në mënyrë të veçantë Shabatin. “Lutuni,” thotë Ai, “që ikja juaj të mos ndodhë në dimër, as të shtunën.”

Ky është një fakt që meriton vëmendje të veçantë. Ne jetojmë në kohë kur detyra e të Shtunës për të krishterët shpesh mohoet nga njerëz të mirë. Ata na thonë që Shabati nuk vlen më për ne sikurse ligji ceremonial. Është e vështirë të shohim sesi një pikëpamje e tillë mund të pajtohet me fjalët e Zotit tonë në këtë rast solemn. Ai duket se e përmend Shabatin qëllimisht, kur parathotë shkatërrimin final të tempullit dhe ceremonive të ligjit të Moisiut, si për ta karakterizuar këtë ditë me nderim. Ai duket sikur thotë që edhe pse populli i Tij do të çlirohet nga zgjedha e flijimeve dhe porosive, për ata do të vazhdojë respektimi i të Shabatit. (Hebrenjve 4:9). Miqtë e një të Diele të shenjtë duhet që ta kujtojmë me kujdes këtë tekst. Ky është një tekst që do të ketë shumë peshë.

Gjëja tjetër që shohim është që të zgjedhurit e Perëndisë janë gjithmonë objekte të veçanta të kujdesit të Perëndisë. Zoti ynë i përmend ata dy herë në këtë pjesë. “Për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.” Nuk do jetë e mundur që të mashtrohen “të zgjedhurit.”

Ata të cilët Perëndia i ka zgjedhur për shpëtim përmes Krishtit janë ata të cilët Perëndia i do në mënyrë të veçantë në këtë botë. Ata janë margaritarët mes njerëzimit. Ai kujdeset më tepër për ta sesa për mbretërit në fronet e tyre, nëse këta nuk janë të konvertuar. Ai i dëgjon lutjet e tyre. Ai qeveris të gjitha ndodhitë e kombeve dhe rezultatet e luftrave për të mirën e tyre dhe për shenjtërimin e tyre. Ai i ruan përmes Frymës së Tij. Ai nuk lejon as njerëzit dhe as djallin që t’i rrëmbejnë nga dora e Tij. Çfarëdo mundimesh që të vijnë në botë të zgjedhurit e Perëndisë janë të sigurt. Mos u rehatofshim kurrë derisa të dimë që jemi pjesë e këtij numri të bekuar! Në atë numër nuk bën pjesë asnjë burrë apo grua që s’mund të tregojë se është i tillë. Premtimet e Ungjillit janë në dispozicion të të gjithëve.

Qofshim të zellshëm për ta përforcuar thirrjen dhe zgjedhjen tonë! Të zgjedhurit e Perëndisë janë një popull që i luten Atij natë e ditë. Kur Pali pa besimin, shpresën dhe dashurinë e Thesalonikasve e dalloi “zgjedhjen e tyre nga Perëndia.” (1 Thesalonikasve 1:4, Lluka 18:7).

Përfundimisht, nga këto vargje shohim që kurdo që të ndodhë ardhja e dytë e Krishtit ka për të qenë një ngjarje e PAPRITUR. Ka për të qenë “si vetëtima që del nga lindja dhe flakëron deri në perëndim.”

Kjo është një e vërtetë praktike të cilën duhet ta mbajmë përherë në mendje. Faktin që Zoti ynë Jezu Krisht do të vijë sërish personalisht në këtë botë e dimë prej Shkrimit. Dimë gjithashtu që Ai do të vijë në një kohë shtrëngimi të madh. Por koha e saktë, viti, muaji, dita dhe ora janë gjëra të fshehura. Dimë vetëm që ka për të qenë një ngjarje shumë e papritur. Prandaj, detyra jonë e qartë është që të jetojmë gjithmonë të përgatitur për kthimin e Tij. Le të ecim me besim dhe jo me shikim. Le të besojmë në Krishtin, t’i shërbejmë Krishtit, ta ndjekim Krishtin dhe ta duam Krishtin. Duke jetuar kështu, kurdo që të kthehet Krishti do të jemi gati që të takohemi me Të.

Mateu 24:29-35

Në këtë pjesë të profecisë së Zotit tonë Ai përshkruan ardhjen e Tij të dytë për të gjykuar botën. Ky duket që është kuptimi i natyrshëm i kësaj pjese. Nëse mbajmë pikëpamje më të ulëta se kjo duket që është shtrembërim i dhunshëm i gjuhës së Shkrimit. Nëse fjalët solemne të përdorura këtu nuk kanë më tepër kuptim se thjesht ardhja e ushtrive Romake në Jerusalem mund të hedhim poshtë çdo gjë në Bibël. Ngjarja që përshkruhet këtu ka një fuqi shumë herë më të madhe se thjesht marshimi i një ushtrie tokësore. Nuk është asgjë më pak se përmbyllja e kësaj epoke dhe ardhja e dytë personale e Jezu Krishtit.

Këto vargje na mësojmë së pari që kur Zoti Jezus të kthehet në këtë botë Ai do të vijë me një lavdi dhe madhështi të madhe. Ai do të vijë “mbi retë e qiellit me pushtet dhe lavdi të madhe.” Në praninë e Tij vetë dielli, hëna dhe yjet do të errësohen dhe “pushtetet e qiejve do të tronditen.”

Ardhja e DYTË personale e Krishtit do të jetë shumë më e ndryshme se e PARA. Herën e parë Ai erdhi si njeri i brengave dhe si njohës i trishtimit. Ai lindi në grazhdin e Betlehemit, në përulje dhe përulësi. Ai morri mbi veten trajtën e një shërbëtori dhe u përbuz e u hodh poshtë nga njerëzit. Ai u tradhtua në duart e njerëzve të ligj, u dënua nga një qeveri e padrejtë, u tall, u fshikullua, u kurorëzua me gjemba dhe më në fund u kryqëzua mes dy hajdutëve. Ai do të vijë për herë të dytë si Mbreti i gjithë dheut me gjithë madhështinë mbretërore. Princat dhe njerëzit e mëdhenj të kësaj bote do të qëndrojnë para fronit të Tij për të marrë vendimin e përjetshëm. Përpara Tij do të heshtë çdo gojë, çdo gju do të përkulet dhe çdo gjuhë do të rrëfejë që Jezu Krishti është Zot. E kujtofshim këtë gjë të gjithë ne. Çfarëdo që mund të bëjnë tani njerëzit e paperëndishëm atëherë nuk ka për të pasur tallje, as përqeshje të Krishtit, ditën e fundit nuk do të ketë pabesi. Shërbëtorët e Jezusit mund të presin me durim. Një ditë zotëria i tyre do të pranohet si Mbreti i mbretërve nga e gjithë bota.

Këto vargje na mësojnë së dyti që kur Krishti të kthehet në këtë botë së pari do të kujdeset për popullin e Tij besimtar. Ai do të “dërgojë engjëjt e Tij,” dhe “do t’i mbledhë të zgjedhurit e Tij.” Në ditën e gjykimit të krishterët e vërtetë do të jenë përsosmërisht të sigurt. Asnjë fije floku e tyre nuk do të bjerë përtokë. Asnjë kockë e trupit mistik të Krishtit nuk do të thyhet. Ditën e përmbytjes kishte një arkë për Noeun. Kishte një Zoar për Lotin kur Sodoma u shkatërrua. Do të ketë një vend të fshehtë për të gjithë besimtarët në Jezusin kur zemërimi i Perëndisë më në fund të derdhet mbi këtë botë të ligë. Ata engjëj të pushtetshëm të cilët u ngazëlluan në qiell kur u pendua çdo mëkatar me gëzim do t’i rrëmbejnë njerëzit e Krishtit për t’u takuar me Zotin e tyre në ajër. Nuk ka dyshim që ajo ditë do të jeetë e tmerrshme, por besimtarët mund ta presin atë pa frikë.

Ditën e gjykimit të krishterët e vërtetë më në fund do të mblidhen bashkë. Shenjtorët e çdo epoke dhe çdo gjuhe do të mblidhen nga çdo vend. Të gjithë do të jenë të pranishëm, nga i drejti Abel e deri tek shpirti i fundit që do të konvertohet tek Perëndia – nga patriarku më i moçëm e deri tek foshnja më e vogël që mori një herë frymë dhe pastaj vdiq. Le të mendojmë se çfarë mbledhjeje e lumtur që do të jetë ajo kur e gjithë familja e Perëndisë do të jetë më në fund së bashku. Nëse ka qenë gjë e kënaqshme të takonim një apo dy shenjtorë me raste mbi tokë, sa më e kënaqshme do të jetë të takojmë një “turmë të cilën askush nuk mund ta numërojë dot!” Sigurisht që mund të jemi të kënaqur duke mbartur kryqin dhe të durojmë ndarjet për disa vite. Ne po shkojmë drejt një dite kur do të takohemi për të mos u ndarë më kurrë.

Së treti, këto vargje na mësojnë që derisa Krishti të kthehet në këtë tokë Judenjtë do të mbeten gjithmonë një populli veçuar. Zoti ynë na thotë, “ky brez nuk do të kalojë, pa u realizuar të gjitha këto.” Ekzistenca e vazhdueshme e Judenjve si një komb i dallueshëm nuk mund të mohoet që është një mrekulli e madhe. Pa një tokë, pa një mbret, pa një qeveri, të shërndarë dhe të dëbuar nëpër botë për njëmijë e tetëqind vjet, Judenjtë nuk janë asimiluar kurrë mes popujve të vendeve ku jetojnë, sikurse Francezët, Anglezët dhe Gjermanët, por “banojnë të vetëm.” Asnjë gjë nuk mund ta shpjegojë këtë përveç gishtit të Perëndisë. Kombi Jude qëndron përpara botës si një përgjigje tronditëse ndaj pabesisë dhe si një libër i gjallë i provës që Bibla është e vërtetë. Por ne nuk duhet t’i shohim Judenjtë vetëm si dëshmitarë të vërtetësisë së Shkrimit. Ne duhet t’i shohim ata në një betim të vazhdueshëm, që Zoti Jezus do të vijë sërish një ditë. Sikurse sakramenti i darkës së Zotit ata dëshmojnë për realitetin e ardhjes së dytë sikurse për realitetin e ardhjes së parë. Le ta kujtojmë këtë gjë. Le të shohim tek çdo Jude endacak një provë që Bibla është e vërtetë dhe që Krishti do të kthehet një ditë.

Së fundi, këto vargje na mësojnë që parashikimet e Zotit tonë me siguri do të përmbushen. Ai thotë “Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.” Zoti ynë e njihte mirë mosbesimin e natyrshëm të zemrës njerëzore. Ai e dinte që në ditët e fundit do të dilnin tallës që do të thoshin ku është premtimi i ardhjes së Tij? (2 Pjetri 3:4). Ai e dinte që kur të kthehet besimi do të jetë i pakët mbi tokë. Ai e pa se sa shumë do t’i mohonin me përbuzje parashikimet solemne që Ai sapo kishte dhënë si absurde dhe që nuk kanë gjasa të ndodhin. Ai na paralajmëron të gjithëve kundër mendimeve skeptike me një kujdes dhe solemnitet të veçantë. Ai na thotë që pavarësisht se çfarë mund të mendojnë apo bëjnë njerëzit fjalët e Tij do të përmbushen në kohën e tyre dhe nuk do të “kalojnë” pa u përmbushur. E marrshim të gjithë ne në zemër paralajmërimin e Tij. Ne jetojmë në një epokë të pabesueshme. Të paktë ishin ata që e besuan fjalën e Zotit në lidhje me ardhjen e Tij të parë dhe të pakët janë ata që besojnë fjalën e Tij në lidhje me ardhjen e Tij të dytë. (Isaia 53:1). Le të kemi kujdes nga ky infektim dhe të besojmë për shpëtimin e shpitrave tanë. Nuk po lexojmë përralla të thurura me dinakëri, por të vërteta të thella dhe të mëdha. Na dhëntë Perëndia një zemër për t’i besuar.

Mateu 24:36-51

Në këtë pjesë ka vargje të cilat shpesh keq zbatohen. “Ardhja e Birit të njeriut” shpesh flitet si e njëjta gjë me vdekjen. Tekstet që përshkruajnë pasigurinë e ardhjes së Tij shpesh përdoren nëpër epitafe dhe mendohen si të përshtatshme për varret. Por në të vërtetë nuk ka asnjë bazë të fortë për një zbatim të tillë të kësaj pjese. Vdekja është një gjë dhe ardhja e Birit të njeriut është një gjë krejt tjetër. Le ta mbajmë mend këtë gjë. Është gjë serioze që ta shtrembërojmë kuptimin e vërtetë të Shkrimit.

Gjëja e parë që kërkon vëmendjen tonë në këto vargje është gjendja e tmerrshme e përshkruar në to për situatën në të cilën do të jetë bota kur Zoti Jezus të vijë sërish. Bota nuk do të konvertohet kur Krishti të kthehet. Ajo do të jetë në të njëjtën gjendje që ishte në kohën e përbytjes. Kur erdhi përmbytja njerëzit ishin “duke ngrënë e duke pirë, duke u martuar dhe duke dhënë në martesë,” të zhytur në gjërat e botës duke mos u kushtuar aspak kujdes paralajmërimeve të përsëritura të Noeut. Ata nuk dallonin gjasat për një përmbytje. Nuk besuan kurrë që kishte ndonjë rrezik. Por më në fund përmbytja erdhi papritur dhe “i morri të gjithë me vete.” Të gjithë ata që nuk ishin me Noeun në arkë u mbytën. Ata u rrëmbyen të gjithë të pa falur, të pa konvertuar dhe të pa përgatitur për t’u takuar me Perëndinë. Zoti ynë thotë, “kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të Njeriut.”

Le ta shënojmë këtë tekst dhe ta ruajnë në mendjen tonë. Sot ka shumë opinione të çuditshme në lidhje me këtë temë madje edhe mes burrave të mirë. Le të mos i bëjmë qejfin vetes që paganët do të konvertohen të gjithë, dhe që toka do të mbushet me njohurinë e Perëndisë, përpara se Zoti të kthehet. Le të mos ëndërrojmë që fundi i të gjitha gjërave nuk mund të jetë afër, për shkak se ende ka shumë ligësi si në kishë ashtu dhe në botë. Pikëpamje të tilla bien hapur ndesh me pjesën që gjendet përpara nesh. Ditët e Noeut janë tipi i vërtetë për ditët e kthimit të Krishtit. Miliona nga ata që rrëfejnë se janë të krishterë do të ekspozohen si njerëz të pamend, jobesimtarë, pa perëndi, pa Krishtin, si njerëz të botës dhe të pa përgatitur për t’u takuar me Gjykatësin e tyre. Le të kemi kujdes që të mos gjendemi mes këtyre.

Gjëja e dytë që kërkon vëmendjen tonë është NDARJA e frikshme që do të ndodhë kur Zoti Jezus do të vijë sërish. Dy herë lexojmë që “njëri do të merret dhe tjetri do të lihet.”
Të perëndishmit dhe të pa perëndishmit në kohën e tanishme janë të gjithë të përzierë. Në bashkësi dhe në vendin e adhurimit – në qytet dhe në fushë – bijtë e Perëndisë dhe bijtë e botës janë të gjithë krah për krah. Por nuk do të jetë kështu gjithmonë.

Në ditën e kthimit të Zotit tonë më në fund do të ketë një ndarje të plotë. Në një moment, sa hap e mbyll sytë; në borinë e fundit secili grup do të ndahet nga tjetri përgjithmonë. Bashkëshortet do të ndahen nga bashkëshortët, prindërit nga fëmijët, vëllezërit nga motrat, zotërinjtë nga shërbëtorët, predikuesit nga dëgjuesit. Nuk do të ketë kohë për të thënë fjalët e ndarjes apo për të ndryshuar mendje kur të shfaqet Zoti. Të gjithë do të merren siç janë dhe do të korrin në bazë të asaj që kanë mbjellë. Besimtarët do të rrëmbehen në lavdi, nder dhe jetë të përjetshme. Jobesimtarët do të lihen pas në turp dhe poshtërim të përjetshëm. Të lumtur dhe të bekuar janë ata që kanë një zemër në ndjekjen e Krishtit! Vetëm bashkimi i tyre nuk do të prishet kurrë. Ai bashkim do të zgjatë përgjithmonë. Kush mund ta përshkruajë lumturinë e atyre që janë marrë kur Zoti të kthehet? Kush mund ta imagjinojë mjerimin e atyre që lihen pas? Mendofshim për këto gjëra dhe konsiderofshim udhët tona.

Gjëja e fundit që kërkon vëmendjen tonë në këto vargje është detyra praktike e qëndrimit zgjuar ndërsa presim ardhjen e dytë të Krishtit. Zoti ynë thotë, “Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj.” “Jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni.” Kjo është pika të cilën Zotëria ynë i bekuar na e vë në dukje. Zor se e shohim Zotin të flasë për ardhjen e Tij të dytë pa shtuar nxitjen për të “ndenjur zgjuar.” Ai e njeh përgjumjen e natyrës tonë. Ai e di sesa shpejt harrojmë temat më serioze në besim. Ai e di sa satani punon pa u lodhur për ta zbehur doktrinën e lavdishme të ardhjes së Tij sërish. Ai na armatos me nxitjet zemër hetuese për të qëndruar zgjuar nëse nuk dëshirojmë që të humbasim përgjithmonë. Paçim të gjithë veshë për t’i dëgjuar ato nxitje.

Të krishterët e vërtetë duhet të jetojnë si ROJE. Dita e Zotit vjen si një hajdut natën. Ata duhet të përpiqen që gjithmonë të jenë esëll. Ata duhet të sillen si rojtari i një ushtrie në vendin e armikut.

Ata duhet të vendosin që me hirin e Perëndisë të mos i zërë gjumi në vendrojën e tyre. Teksti i Palit meriton të mendohet thellë, “Le të mos flemë, pra, si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të esëll.” (1 Thesalonikasve 5:6).

Të krishterët e vërtetë duhet të jetojnë si SHËRBËTORË TË MIRË, zotëria e të cilëve nuk është në shtëpi. Ata duhet të përpiqen që gjithmonë të jenë gati për kthimin e zotërisë së tyre. Nuk duhet t’i lënë vend kurrë ndjenjës, “Zotëria im po vonon kthimin e tij.” Ata duhet të përpiqen t’i mbajnë zemrat e tyre në një gjendje të tillë që kudro që të shfaqet Krishti t’i japin Atij menjëherë një pritje të ngrohtë dhe të dashur. Ka një thellësi të jashtëzakonshme në atë thënie, “Lum ai shërbëtor që, kur të kthehet zotëria e tij, e gjen duke bërë kështu.” Me të drejtë mund të dyshojmë nëse jemi besimtarë të vërtetë në Jezusin nëse nuk jemi gati që në çdo moment të përjetojmë që besimi ynë të ndryshohet në shikim.

Le ta mbyllim këtë kapitull me ndjenja solemne. Gjërat që sapo kemi lexuar na bëjnë thirrje për një hetim të madh të zemrës. Le të kërkojmë që të sigurohemi se jemi në Krishtin, dhe të kemi një arkë sigurie kur mbi tokë të vijë dita e zemërimit. Le të përpiqemi të jetojmë në mënyrë të tillë që të shpallemi “të bekuar” në fund, dhe të mos dëbohemi përjetë. Gjithashtu, le të dëbojmë nga mendja jonë idenë e zakonshme që profecia e papërmbushur është gjë spekulative dhe jo praktike. Nëse gjërat që kemi qenë duke konsideruar nuk janë praktike nuk ka fare një gjë të tillë si feja praktike. Mirë thotë Gjoni, “Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai.” (1 Gjoni 3:3).


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*