Mendime Shtjelluese Mateu 25

Ungjilli sipas Mateut kapitulli 25

nga J. C. Ryle

Mateu 25:1-13

Kapitulli që kemi nisur tani është vazhdimësia e fjalimit profetik të Zotit tonë në Malin e Ullinjve. Koha të cilës i referohet është e qartë dhe e pagabueshme. Nga fillimi në fund, ka një referencë të vazhdueshme ndaj ardhjes së dytë të Krishtit dhe fundit të botës. I gjithë kapitulli përmbëhet nga tri ndarje të mëdha. Në pjesën e parë Zoti ynë e përdor ardhjen e Tij të dytë si argument për vigjilencë dhe besim zemre. Këtë gjë Ai e bën përmes shëmbëlltyrës së dhjetë virgjëreshave. Në pjesë e dytë Ai e përdor ardhjen e Tij të dytë si argument për të treguar zell dhe besnikëri. Këtë gjë Ai e bën përmes shëmbëlltyrës së talentave. Në pjesën e tretë Ai e përmbyll gjithçka me një përshkrim të ditës së madhe të gjykimit, një pjesë kjo që për nga madhështia dhe bukuria është e pashoqe në Dhiatën e Re.

Shëmbëlltyra e dhjetë virgjëreshave të cilën e kemi lexuar tani përmban mësime shumë solemne që të zgjojnë. Le të shohim se cilat janë këto mësime.

Së pari shohim që ardhja e dytë e Krishtit do ta gjejë kishën e Tij si një grup të përzjerë i cili përmban si të mirën ashtu dhe të ligën. Kisha rrëfyese krahasohet me “dhjetë virgjëresha, të cilat i morën llampat e tyre, dhe i dolën para dhëndrit.” Që të gjitha ato kishin llamba, por vetëm pesë kishin vaj në enët e tyre për të ushqyer llambat. Që të gjitha rrëfenin se kishin një synim, por vetëm pesë ishin vërtet të mençura kurse të tjerat ishin budallaqe. Kisha e dukshme e Jezu Krishtit është në të njëjtën pozitë. Të gjithë anëtarët e saj janë pagëzuar në emrin e Krishtit por jo të gjithë e dëgjojnë me të vërtetë zërin e Tij dhe e ndjekin. Të gjithë quhen të krishterë dhe rrëfejnë se janë pjesë e besimit të krishterë por jo të gjithë e kanë hirin e Frymës në zemrat e tyre, dhe nuk janë me të vërtetë ashtu si rrëfejnë se janë. Ne e shohim edhe me sytë tanë që kështu është. Zoti Jezus na thotë që kështu ka për të qenë kur Ai të kthehet sërish.

Le ta shohim mirë këtë përshkrim. Kjo është një tablo përulëse. Pas gjithë predikimeve dhe lutjeve tona – pas gjithë vizitave dhe mësimeve tona – pas gjithë përpjekjeve tona misionare nëpër botë dhe pas mjeteve të hirit këtu në atdhe, shumë do të gjenden në fund “të vdekur në shkelje dhe mëkate!” Ligësia dhe mosbesimi i natyrës njerëzore është një temë për të cilën të gjithë ne kemi shumë për të mësuar.

Së dyti, shohim që ardhja e dytë e Krishtit, kurdo që jetë, do t’i zërë njerëzit të papërgatitur. Kjo është një e vërtetë që na paraqitet në këtë shëmbëlltyrë në një mënyrë shumë të drejtpërdrejtë. Në mesnatë, kur virgjëreshat po dremisnin dhe i kishte zënë gjumi u dëgjua një britmë, “Ja, po vjen dhëndri, i dilni para!” Ka për të qenë njëlloj kur Jezusi të kthehet në botë. Ai ka për ta gjetur pjesën më të madhe të njerëzimit krejtësisht pa besim dhe të papërgatitur. Pjesën më të madhe të njerëzve të Tij besimtarë ka për t’i gjetur në gjendje të përgjumur dhe të dobësuar të shpirtit. Punërat do të jenë duke vazhduar në qytete dhe fshatra ashtu sikur po ecin tani. Të pasurit ende do të vazhdojnë të kenë me tepri dhe të varfrit do të jenë duke u ankuar dhe duke murmuritur. Kishat do të jenë ende plot me ndasi dhe duke u grindur për gjëra të vogla, dhe debatet teologjike do të vazhdojnë të vlojnë. Predikuesit do të jenë ende duke ju bërë thirrje njerëzve të pendohen dhe bashkësitë do të jenë ende duke e shtyrë ditën e vendimit. Në mes të gjithë kësaj, vetë Zoti Jezus do të shfaqet papritur. Në një orë kur askush nuk e pret, botës së tronditur do t’i bëhet thirrje të ndërpresë gjithë punërat e saj dhe të dalë përpara Mbretit të saj të ligjshëm. Ka diçka patregueshmërisht të frikshme në këtë ide. Por kështu është shkruar dhe kështu do të ndodhë. Me të drejtë mund të thotë një predikues që është duke vdekur, “asnjëri prej nesh nuk është veçse gjysmë zgjuar.”

Së treti shohim që kur Zoti të kthehet sërish shumë njerëz do ta mësojnë tepër vonë vlerën e fesë shpëtuese. Kjo shëmbëlltyrë na tregon që kur erdhi dhëndri, virgjëreshat budallaqe u thanë të zgjuarave, “Na jepni nga vaji juaj, sepse llampat tona po na fiken.” Më tej na thotë që sikurse të zgjuarat nuk kishin vaj për t’u dhënë atyre dhe virgjërshat budallaqe duhej ta “blinin për vete.” Më në fund na thotë, që ato erdhën kur dera ishte e mbyllur dhe kërkuan më kot që të hynin. “Zot, zot,” klithën ato, “na e hap.” Të gjitha këto shprehje janë simbole tronditëse për gjërat që do të ndodhin. Le të kemi kujdes që të mos i përjetojmë për humjen tonë të përjetshme.

Mund ta ngulitim në mendjen tonë që një ditë do të ndodhë një ndryshim total i opinionit në lidhje me domosdoshmërinë e një Krishterimi të vendosur. Në kohën e tashme, të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm që pjesa më e madhe e atyre që rrëfejnë se janë të krishterë nuk e vrasin mendjen fare për këtë gjë. Ata nuk kanë asnjë ndjesi për mëkatin. Nuk kanë dashuri për Krishtin. Ata nuk e kanë fare idenë e të lindurit sërish. Pendimi, besimi, hiri dhe shenjtëria janë thjesht fjalë dhe emra për ta. Ato janë tema të cilat ose nuk i pëlqejnë ose për të cilat nuk ndiejnë asnjë interesim. Por gjithë kësa gjendje një ditë do t’i vijë fundi. Njohuria, bindja, vlera e shpirtit, nevoja për një Shpëtimtar, që të gjitha do të bëhen përnjëherësh shumë të qarta një ditë në mendjen e njerëzve si një shkrepje vetëtime. Por mjerisht atëherë do të jetë tepër vonë. Do jetë tepër vonë për të blerë vaj kur Zoti të kthehet. Gabimet të cilat nuk zbulohen para asaj dite janë të pakthyeshme.

A na tallin, a na përndjekin dhe a na shohin si të marrë për shkak të besimit tonë? Le t’i pranojmë me durim dhe të lutemi për ata që na përndjekin. Ata nuk e dinë se çfarë po bëjnë. Sigurisht që një ditë do të ndryshojnë mendje. Mund të ndodhë që një ditë t’i dëgjojmë të rrëfehen që ne ishim të mençur dhe ata ishin të marrë. E gjithë botë do ta pranojë një ditë që shenjtorët e Perëndisë bënë një zgjedhje të mençur.

Së fundi, në këtë shëmbëlltyrë shohim që kur Krishti të kthehet të krishterët e vërtetë do të marrin një shpërblim të madh për gjithë sa kanë vuajtur për hir të Zotërisë së tyre. Na thuhet që kur erdhi dhëndri, “virgjëreshat që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë; dhe dera u mbyll.”

Vetëm të krishterët e vërtetë do të jenë gati në ardhjen e dytë. Të larë në gjakun e shlyerjes, të veshur me drejtësinë e Krishtit, të ripërtërirë nga Fryma ata do ta takojnë me guxim Zotin e tyre dhe do të ulen bashkë në gostinë e dasmës së Qengjit për të mos dalë më kurrë jashtë. Sigurisht që kjo është një e ardhme e bekuar.

Ata do të jenë me Zotin – me Atë që i deshi dhe e dha veten e Tij për ta – me Atë që i duroi dhe i shoqëroi gjatë shtegtimit të tyre tokësor – me Atë të cilin e deshën me të vërtetë dhe e ndoqën me besnikëri mbi tokë edhe pse me shumë dobësi dhe lot. Sigurisht që e gjithë kjo është një e ardhme e bekuar.

Më në fund dera do të mbyllet – do të mbyllet kundër gjithë dhimbjes dhe brengës, do të mbyllet kundër gjithë botës së ligë dhe zemërake, do të mbyllet kundër djallit tundues, do të mbyllet kundër gjithë dyshimeve dhe frikrave, do të mbyllet për të mos u hapur sërish. Sigurisht, që sërish mund të të themi, kjo është një e ardhme e bekuar.

Le t’i kujtojmë këto gjëra. Për ato ia vlen të meditojmë. Ato janë të gjitha të vërteta. Besimtari mund të ketë shumë shtrëngime por para tij ka ngushëllime të bollshme. Trishtimi mund të zgjatë për një natë, por në mëngjes vjen gëzimi. Dita e kthimit të Krishtit sigurisht që ka për t’i kompensuar për gjithçka.

Le ta lëmë këtë shëmbëlltyrë me një vendosmëri të prerë, që të mos jemi kurrë të kënaqur me ndonjë gjë më pak se hiri që banon në zemrat tona. Llamba dhe emri i krishterë, rrëfimi dhe porositë e krishterimit, janë të gjitha të mira në vendin e tyre, por ato nuk janë gjëja e vetme e domodoshme. Le të mos prehemi kurrë derisa ta dimë që e kemi vajin e Frymës në zemrat tona.

Mateu 25:14-30

Shëmbëlltyra e talentave të cilën e kemi lexuar tani është e ngjashme me atë të dhjetë virgjëreshave. Që të dyja në e drejtojnë mendjen tek e njëjta ndodhi e rëndësishme, tek ardhja e dytë e Krishtit. Që të dyja na paraqesin të njëjtët njerëz, anëtarët dhe kishës rrëfyese të Krishtit. Virgjëreshat dhe shërbëtorët janë i njëjti popull, por që konsiderohen dhe shikohen nga pikëvështrime të ndryshme. Mësimi praktik i çdo shëmbëlltyre është pika e vetme ku ndryshojnë. Vigjilenca është theksi kryesor i paragrafit të parë, zelli është theksi kryesor i paragrafit të dytë. Historia e virgjëreshave i bën thirrje kishës të rrijë ZGJUAR, historia e talentave i bën thirrje kishës të PUNOJË.

Së pari, nga ky paragraf mësojmë që të gjithë ata që rrëfejnë se janë të krishterë kanë marrë diçka nga Perëndia. Ne të gjithë jemi “shërbëtorë” të Perëndisë. Ne të gjithë kemi “talenta” që na janë besuar.

Fjala “talenta” është një shprehje që në mënyrë të habitshme e ka humbur kuptimin e saj origjinal. Kjo në përgjithësi zbatohet vetëm për njerëz që kanë aftësi apo dhunti të spikatura. Ata quhen njerëz të “talentuar.” Një përdorim i tillë i shprehjes është thjesht një shpikje moderne. Në kuptimin që Zoti ynë e përdori këtë fjalë në këtë shëmbëlltyrë, ajo vlen për të gjithë besimtarët e pagëzuar pa dallim. Ne të gjithë kemi talenta në sytë e Perëndisë. Ne të gjithë jemi njerëz të talentuar.

Çdo gjë përmes të cilës mund ta përlëvdojmë Perëndinë është një talent. Dhuntitë tona, ndikimi ynë, paratë tona, njohuria jonë, shëndeti ynë, forca jonë, koha jonë, shqisat tona, arsyeja jonë, intelekti ynë, kujtesa jonë, ndjenjat tona, privilegjet tona si anëtarë të kishës së Krishtit, avantazhet tona për faktin që zotërojmë një Bibël, të gjitha këto janë talenta. Nga erdhën të gjitha këto? Cila dorë i ka vendosur në jetën tonë? Pse jemi këta që jemi? Pse nuk jemi krimba që zvarriten përtokë? Ka vetëm një përgjigje për këto pyetje. Gjithë sa kemi është një hua prej Perëndisë. Ne jemi administratorë për Perëndinë. Ne jemi borxhlinj tek Perëndia. Le të ngulitet ky mendim thellë në zemrat tona.

Së dyti, ne mësojmë që shumë janë ata që ushtrojnë një përdorim të keq të privilegjeve dhe mëshirave që marrin prej Perëndisë. Na tregohet në këtë shëmbëlltyrë për atë që “hapi një gropë në tokë dhe e fshehu talentin e Zotit të tij.” Ai burrë përfaqëson një grup të madh të njerëzimit.

Fshehja e talentave tona do të thotë që të neglizhojmë mundësitë që na jepen për ta përlëvduar Perëndinë. Përçmuesi i Biblës, neglizhuesi i lutjes, shkelësi i Shabatit, jobesimtari, sensuali, njeriu me mendje tokësore, tallësi, i shkujdesuri, kërkuesi i qejfeve, ai që do paranë, lakmuesi, egoisti, të gjithë këta janë duke e groposur talentin e Zotit të tyre në tokë. Ata të gjithë kanë një dritë të cilën nuk po e përdorin. Ata të gjithë mund të jenë më mirë nga sa ishin. Por ata që të gjithë po e vjedhin Perëndinë. Ai ju ka huazuar shumë dhe ata nuk i kthejnë asgjë. Fjalët e Danielit drejtuar Belshazarit vlejnë në mënyrë tronditëse për çdo person të pakthyer në besim, “nuk ke përlëvduar Perëndinë, në dorën e të cilit është fryma jote jetësore dhe të cilës i përkasin tërë rrugët e tua.” (Danieli 5:23).

Së treti, ne mësojmë që të gjithë ata që rrëfejnë se janë të krishterë një ditë do të japin llogari para Perëndisë. Kjo shëmbëlltyrë na thotë që “mbas një kohe të gjatë, u kthye zoti i atyre shërbëtorëve dhe i bëri llogaritë me ta.”

Para të gjithëve ne gjendet një gjykim. Fjalët e Biblës nuk do të kishin kuptim nëse nuk ka gjykim. Nëse e mohon realitetin e gjykimit do të thotë të luash me Shkrimin. Para nesh gjendet një gjykim sipas veprave tona i cili është i sigurt, strikt dhe i pamënjanueshëm. Të mëdhenj apo të vegjël, të pasur apo të varfër, të arsimuar apo të paarsimuar, të gjithë ne do të na duhet të dalim përpara gjykimit të Perëndisë për të marrë vendimin tonë të përjetshëm. Nuk mund t’i shpëtojmë këtij gjykimi. Do të jetë e pamundur që të fshihemi. Ne dhe Perëndia më në fund do të takohemi ballë për ballë. Do të na duhet të japim llogari për çdo privilegj që na u dha, dhe për çdo rreze drite që kemi shijuar. Do të zbulojmë që do të trajtohemi si krijesa të përgjegjshme dhe që do të japin llogari dhe që kujtdo që i është dhënë shumë do t’i kërkohet shumë. Le ta kujtojmë këtë gjë çdo ditë që jetojmë. Le ta “gjykojmë veten në mënyrë që të mos dënohemi prej Zotit.”

Së katërti, ne mësojmë që të krishterët e vërtetë do të marrin një shpërblim të bollshëm në ditën e bërjes së llogarive. Shëmbëlltyra në tregon që shërbëtorët që i kishin përdorur mirë paratë e Zotit të tyre u përgëzuan si shërbëtorë “të mirë dhe besnikë,” dhe ju thanë të “hynin në gëzimin e Zotit të tyre.”

Këto fjalë janë plot ngushëllim për të gjithë besimtarët dhe me të drejtë mund të na mbushin me mahnitje dhe habi. Edhe i krishteri më i mirë është thjesht një krijesë e dobët dhe e varfër që ka nevojë për gjaku e shlyerjes çdo ditë që jeton. Por edhe besimtari më i vogël dhe më i përunjur do të zbulojë që është llogaritur mes shërbëtorëve të Krishtit dhe që mundi i tij në Zotin nuk ka qenë i kotë. Ai do të zbulojë për mahninë e tij që sytë e Zotërisë së tij dalluan më tepër bukuri në përpjekjet e tij për t’i pëlqyer Atij nga sa dalloi ai vetë. Ai do të zbulojë që çdo orë e kaluar në shërbimin e Krishtit, dhe çdo fjalë e thënë për llogari të Krishtit është shkruar në librin e kujtesës. Le t’i kujtojnë besimtarët këto gjëra dhe të marrin guxim. Tani kryqi mund të jetë i rëndë, por shpërblimi i lavdishëm do të na kompensojë për të gjitha. Mirë tha Lejtoni, “Këtu disa pika gëzimi bien brenda nesh, atje do të hyjmë në gëzim.”

Së fundi, mësojmë që të gjithë anëtarët e pafrytshëm të kishës së Krishtit do të dënohen dhe do të flaken tej në ditën e gjykimit. Kjo shëmbëlltyrë na thotë që shërbëtori që i mbuloi në tokë paratë e aotërisë së tij u dënua si “i lig”, “përtac,” i “padobishëm,” dhe u flak në “errësirën e jashtme.” Pastaj Zoti ynë shton fjalët solemne, “Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh.”

Nuk ka për të patur justifikim për një të krishterë të pakonvertuar në ditën e fundit. Arsyet me të cilat tani ai pretendon që po e kënaq veten do të dalin të kota dhe të padobishme. Gjykatësi i gjithë tokës do të bëhet e qartë që ka bërë gjënë e duhur. Rrënimi i shpirtit të humbur do të bëhet e qartë që është faji i tij. Ato fjalë të Zotit tonë, “ti e dije,” janë fjalë të cilat duhet të tingëllojnë fort në veshët e shumë njerëzve dhe t’i tej-shpojnë në zemër. Ka me mijëra njerëz që sot po jetojnë pa Krishtin dhe pa konvertim, e megjithatë pretendojnë që nuk kanë se çfarë të bëjnë. Gjatë gjithë kësaj kohe ata e dinë në ndërgjegjen e tyre se janë fajtorë. Ata po e groposin talentin e tyre. Ata nuk po bëjnë të që mund të bëjnë. Lum ata që e zbulojnë këtë qysh herët. Gjithçka do të bëhet e qartë në ditën e fundit.

Le ta lëmë këtë shëmbëlltyrë me një vendosmëri solemne që përmes hirit të Perëndisë të mos jemi kurrë të kënaqur me një rrëfim të krishterimit pa e praktikuar atë. Le të mos jemi thjesht duke folur për besimin por të veprojmë. Jo vetëm të ndiejmë rëndësinë e besimit por edhe të bëjmë diçka. Nuk na thuhet që shërbëtori i padobishëm ishte vrasës, hajdut apo që i harxhoi paratë e Zotit të tij. Por ai nuk bëri asgjë – kjo ishte arsyeja e humbjes së tij. Le të kemi kujdes nga një krishterim që nuk bën asgjë. Një krishterim i tillë nuk vjen nga Fryma e Perëndisë. Bakster thotë, “Të mos lëndosh askënd është lëvdata që i bëhet një guri dhe jo një burri.”

Mateu 25:31-46

Në këto vargje Zoti ynë Jezu Krisht përshkruan ditën e gjykimit dhe disa prej rrethanave që e paraprijnë atë. Të pakta janë pjesët në gjithë Biblën të cilat janë më solemne dhe zemër zhbiruese sesa kjo. E lexofshim me vëmendjen e thellë dhe serioze që meriton kjo pjesë.

Së pari, le të vëmë re se kush do të jetë GJYKATËSI në ditën e fundit. Lexojmë që do të jetë Biri i njeriut,” Jezu Krishti vetë. I njëjti Jezus që u lind në grazdh në Betlehem dhe që mori mbi Vete trajtë shërbëtori, ai që u përbuz dhe u hodh poshtë nga njerëzit dhe shpesh nuk kishte as ku të mbështeste kokën – ai që u dënua nga princat e dheut, u rrah, u fshikullua dhe u gozhdua në kryq – po Ai Jezus do ta gjykojë botën kur të vijë në lavdinë e Tij. Ati ia ka lënë Atij gjithë gjykimin. (Gjoni 5:22). Më në fund para Tij do të përkulet çdo gju dhe çdo gjuhë do të rrëfejë që Ai është Zot. (Filipianëve 2:10-11).

Le të mendojnë besimtarët për këtë gjë dhe të gjejnë ngushëllim. Ai që do të ulet mbi fron në atë ditë të madhe dhe të tmerrshme do të jetë Shpëtimtari i tyre, Bariu i tyre, Krye Prifti i tyre, Vëllai i tyre i madh, Miku i tyre. Kur ta shohin Atë nuk do të kenë arsye për t’u alarmuar.

Le të mendojnë për këtë gjë njerëzit e pakonvertuar dhe të kenë frikë. Gjykatësi i tyre do të jetë po i njëjti Krisht ungjillin e të cilit tani ata e përbuzin dhe ftesat e hirshme të të cilit ata refuzojnë t’i dëgjojnë. Sa i madh do të jetë konfuzioni i tyre në fund nëse vazhdojnë në mosbesim dhe vdesin në mëkatet e tyre! Të dënohesh në ditën e gjykimit nga një person çfarëdo është gjë e frikshme. Por të dënohesh nga Ai që mund t’i kishte shpëtuar do të jetë me të vërtetë e tmerrshme. Me të drejtë thotë Psalmisti, “Putheni [nënshtrojuni] Birin që të mos zemërohet.” (Psalmi 2:12).

Së dyti, le të dallojmë se kush do të GJYKOHET ditën e fundit. Lexuam që përpara Krishtit “do të mblidhen të gjitha kombet.” Të gjithë ata që kanë jetuar ndonjëherë një ditë do të japin llogari për veten e tyre përpara gjykatës së Krishtit. Të gjithë duhet t’u binden urdhërave të Mbretit të madh dhe të dalin përpara për të marrë vendimin e tyre. Ata që nuk e adhurojnë Krishtin mbi dhe do të zbulojnë që duhet të vijnë tek gjykata e Tij e madhe kur Ai të kthehet për ta gjykuar botën.

Të gjithë ata që do të gjykohen do të ndahen në dy grupe. Nuk do të ketë më ndonjë ndarje mes mbretërve dhe shtetasve të tyre, mes zotërinjve dhe shërbëtorëve, mes të pabindurve dhe atyre që shkonin në kishë. Nuk do të përmendet rangu apo grupimi, sepse gjërat e vjetra kanë shkuar. Hir apo jo hir, kthim apo jo kthim, besim apo mos besim, kanë për të qenë dallimet e vetme në ditën e fundit. Të gjithë ata që do të gjenden në Krishtin do të vendosen mes deleve në të djathtën e Tij. Të gjithë ata që nuk gjenden në Krishtin do të vendosen mes dhive në të majtë të Tij. Mirë thotë Sherloku, “Grupimet tona nuk do të na vlejnë aspak, nëse nuk kujdesemi që të gjendemi mes deleve të Krishtit kur Ai të vijë për gjykim.”

Së treti, le të dallojmë se në çfarë mënyre do të kryhet GJYKIMI në ditën e fundit. Në këtë shëmbëlltyrë lexojmë për disa hollësi tronditëse në rreth kësaj çështjeje. Le të shohim se cilat janë ato.
Gjykimi i fundit do të jetë gjykim sipas provave. Veprat e njerëzve janë dëshmitarët që do të dalin përpara dhe mbi të gjithë do të jenë veprat e tyre të bamirësisë. Pyetja që do të konsiderohet nuk ka për të qenë thjesht se çfarë thamë, por çfarë bëmë – jo thjesht ajo që rrëfyem, por ajo që praktikuam. Nuk ka dyshim që veprat tona nuk do të na drejtësojnë. Ne jemi drejtësuar me anë të besimit pa veprat e ligjit. Por vërtetësia e besimit tonë do të sprovohet nga jeta jonë. Besimi që nuk ka vepra është i vdekur duke qenë se është vetëm. (Jakobi 2:20).

Gjykimi i fundit do të jetë një gjykim që do t’u sjellë gëzim të gjithë besimtarëve të vërtetë. Ata do të dëgjojnë ato fjalë të çmuar, “Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë.” Ata do të pranohen dhe rrëfehen nga Zotëria i tyre para Atit të tij dhe engjëjve të shenjtë. Ata do të zbulojnë që paga që Ai u jep shërbëtorëve të Tij besnikë nuk është asgjë më pak sesa “një mbretëri.” Më i vogli, më i ulëti dhe më i varfëri në familjen e Perëndisë do të ketë një kurrorë lavdie dhe do të jetë mbret.

Gjykimi i fundit do të jetë gjykimi që do të sjellë konfuzion tek gjithë njerëzit e pakovertuar. Ata do të dëgjojnë këto fjalë të tmerrshme, “Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm.” Ata do të hidhen poshtë nga Kreu i madh i kishës përpara gjithë botës së mbledhur bashkë. Ata do të zbulojnë që ashtu sikurse mbollën për mishin kështu prej tij do të korrin prishje. Ata nuk deshën ta dëgjonin Krishtin kur Ai u tha “Ejani tek unë dhe unë do t’ju jap çlodhje,” prandaj tani duhet ta dëgjojnë Atë t’u thotë, “ Largohuni nga unë në zjarr të përjetshëm.” Ata nuk deshën ta mbartin kryqin e Tij prandaj nuk mund të kenë vend në mbretërinë e Tij.

Gjykimi i fundit ka për të qenë një gjykim që në mënyrë të qartë do të nxjerrë në pah karakterin e të humburve dhe të shpëtuarve. Ata që janë në të djathtë dhe janë delet e Krishtit, do të jenë ende të “veshur me përulësi.” Ata do të mahniten kur të dëgjojnë që ndonjë vepër e tyre të shpallet dhe të lavdërohet. Ata që janë në të majtë të Krishtit do të jenë ende të verbër dhe do ta mbajnë veten për të drejtë. Ata nuk do të jenë të vetëdijshëm për ndonjë neglizhim të Krishtit. Ata do të thonë, “Zot kur të pamë – dhe nuk erdhëm tek ti?” Le të zhytet thellë në zemrat tona ky mendim. Karakteri ynë mbi tokë do të jetë një zotërim i përjetshëm në botën që do të vijë. Me po atë zemër që vdes njeriu do të ringjallet sërish.

Së fundi, le të dallojmë se cilat do të jenë REZULTATET FINALE të ditës së gjykimit. Kjo na është thënë me fjalë që nuk duhet të harrohen kurrë, të ligjtë “do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme.”

Gjendja e gjërave pas gjykimit është e pandryshueshme dhe pa fund. Mjerimi i të humburve dhe bekimi i të shpëtuarve janë që të dyja njëlloj të përjetshme. Askush të mos na mashtrojë në këtë pikë. Kjo gjë na zbulohet qartë në Shkrim. Përjetësia e Perëndisë, qiellit dhe ferrit, që të gjitha qëndrojnë mbi të njëjtin themel. Po atë siguri që Perëndia është i përjetshëm, ashtu është edhe qielli një ditë e pafundme pa natë dhe ferri një natë e pafundme pa ditë.

Kush do ta përshkruajë BEKIMIN E JETËS SË PËRJETSHME? Ajo është përtej aftësisë së njeriut për ta konceptuar. Ajo mund të matet vetëm përmes kontrastit dhe krahasimit. Një prehje e përjetshme pas luftës dhe konfliktit – shoqëria e përjetshme e shenjtorëve, pasi është përplasus me një botë të ligë – një trup i përjetshëm i lavdishëm dhe pa dhimbje, pasi është përleshur me dobësinë dhe sëmundjen – një soditje e përjetshme e Jezusit ballë për ballë, pas një jete kur thjesht kemi dëgjuar dhe besuar në të – e gjithë kjo është vërtet bekim i madh. E megjithatë ende nuk kemi thënë as gjysmën e saj.

Kush do ta përshkruajë MJERIMIN E DËNIMIT TË PËRJETSHËM? Ajo është diçka krejtësisht e pakonceptueshme dhe e pashpjegueshme. Dhimbja e përjetshme e trupit – thumbi i përjetshëm i një ndërgjegjeje akuzuese – shoqëria e përjetshme vetëm me të ligjtë, djallin dhe engjëjt e tij – kujtimi i përjetshëm i mundësive të neglizhuara dhe Krishtit të përbuzur – pritja e përjetshme e një të ardhmeje pa shpresë – e gjitha kjo është vërtet mjerim. Kjo mjafton që të na kumbojnë veshët dhe të na ngrijë gjaku. E megjithatë kjo tablo nuk është asgjë në krahasim me realitetin.

Le t’i mbyllim këto vargje me një hetim serioz të vetes. Le të pyesim veten se në cilën anë të Krishtit ka të ngjarë të jemi në ditën e fundit. A do të jemi në anën e djathtë apo do të jemi në anën e majtë? Lum ai që nuk gjen kurrë prehje derisa t’i japë një përgjigje të kënaqshme kësaj pyetjeje.


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*