Mendime Shtjelluese Mateu 6

Ungjilli sipas Mateut kapitulli 6

nga J. C. Ryle

Mateu 6:1-8

Në këtë pjesë të predikimit në mal Zoti Jezus na jep udhëzime për dy tema të caktuara. Njëra është ajo e dhënies së lëmoshës. Tjetra është ajo e lutjes. Që të dyja këto ishin tema të cilave Judenjtë u jepnin tepër rëndësi. Që të dyja meritojnë vëmendjen serioze të të gjithë atyre që rrëfejnë se janë të krishterë.

Vini re që Zoti ynë e merr për të mirëqenë që të gjithë ata që e mbajnë veten për dishepuj të Tij do të JAPIN LËMOSHË. Ai e hamendëson si normale që ata do ta konsiderojnë detyrë solemne dhënien e lëmoshës, sipas mundësive të tyre, për të lehtësuar nevojat e të tjerëve. E vetmja pikë që Ai trajton është mënyra në të cilën duhet të kreyhet kjo detyrë. Ky është një mësim me shumë rëndësi. Ai dënon kopracinë egoiste të shumë njerëzve në mënyrën sesi japin lëmoshë. Ka shumë njerëz janë “të pasur për vete” por të varfër ndaj Perëndisë! Ka shumë njerëz që nuk e vrasin kurrë mendjen për t’iu bërë mirë trupave dhe shpirtrave të njerëzve! A kanë njerëz të tillë ndonjë të drejtë të quhen të krishterë në gjëndjen e tanishme të mendjes së tyre? Me të drejtë mund të dyshojmë. Një Shpëtimtar bujar duhet të ketë dishepuj bujarë.

Vëzhgoni sërish që Zoti ynë e merr për të mirëqenë, që ata që e mbajnë veten për dishepuj të Tij do të LUTEN. Ai e hamendëson edhe këtë si diçka të natyrshme. Ai thjesht jep udhëzime në lidhje me mënyrën më të mirë për t’u lutur. Ky është një mësim tjetër që meriton të mbahet mend vazhdimisht. Ai na mëson në mënyrë të qartë që njerëzit të cilët nuk luten nuk janë të krishterë të vërtetë. Nuk mjafton të bashkohesh me lutjet e bashkësisë ditën e Dielë, apo të marrësh pjesë në lutjet e familjes gjatë ditëve të tjavës. Duhet që të ketë edhe lutje private. Pa këtë mund të jemi antarë të jashtëm të kishës së Krishtit por nuk jemi gjymtyrë të gjallë të Krishtit.

Cilat janë rregullat që na janë dhënë për udhëzimin tonë rreth lëmoshës dhe lutjes? Ato janë pak dhe të thjeshta. Por ama përmbajnë shumë gjëra që duhen menduar mirë.

Në DHËNIE, duhet të evitojmë dhe të urrejmë çdo gjë që bëhet për t’u dukur. Nuk duhet të japim sikur të donim që të gjithë ta shihnin se sa bujarë dhe bamirës që jemi, dhe kështu të dëshirojmë lëvdatat e njerëzve. Ne duhet t’i rrimë larg çdo gjëje për t’u dukur. Duhet të japim me qetësi dhe duke bërë sa më pak zhurmë që të jetë e mundur kur bëjmë bamirësi. Ne duhet të synojmë të kemi frymën e asaj fjalës së urtë që thotë, “E majta jote të mos dijë ç’bën e djathta.”

Në LUTJE, objekti kryesor që duhet kërkuar duhet të jetë vetëm Perëndia. Ne duhet të përpiqemi të gjejmë një vend ku të mos na shohë asnjë sy i vdekshëm dhe ku mund ta derdhim zemrën me atë ndjesinë që askush nuk na sheh me përjashtim të Perëndisë. Ky është një rregull të cilin shumë njerëz e kanë të vështirë ta zbatojnë. I varfri dhe shërbëtori shpesh e kanë pothuaj të pamundur që të jenë vërtet vetëm. Por ky është një rregull të cilin të gjithë ne duhet të përpiqemi shumë që ta zbatojmë. Në raste të tilla, nevoja bëhet shpesh nëna e zgjidhjes. Kur dikush ka një dëshirë reale për të gjetur një vend ku mund të jetë në fshehtësi me Perëndinë e tij në përgjithësi ka për t’ia gjetur mënyrën.

Në të gjitha detyrat tona, qoftë dhënia apo lutja, gjëja e rëndësishme që duhet mbajtur mend është, që kemi të bëjmë me një Perëndi që di gjithçka dhe që heton zemrën. Çdo gjë si puna e formalitetit, shtirja apo thjesht shërbimi fizik është gjë e neveritshme dhe e pavlerë në sytë e Perëndisë. Ai nuk e konsideron sasinë e parave që japim apo numrin e fjalëve që themi. E vetmja gjë të cilë e sheh syri i Tij që sheh gjithçka është natyra e motiveve tona dhe gjendja e zemrave tona. “Ati ynë na sheh në fshehtësi.”

I mbajtshim mend të gjitha këto gjëra. Këtu kemi një shkëmb mbi të cilin shumë njerëz kanë pësuar lundërthyerje frymërore. Ata i bëjnë qejfin vetes që gjithçka duhet të jetë si duhet me shpirtin e tyre nëse thjesht kryejnë një sasi të caktuar “detyrash frymërore.” Ata harrojnë që Perëndia nuk e konsideron sasinë por cilësinë e shërbimit. Favori i Tij nuk mund të blihet sikurse duket se mendojnë shumë njerëz, përmes përsëritjes formale të një numri të caktuar fjalësh, apo përmes pagesës së vetë-drejtë të një shume parash në një insitucion bamirësie. Ku janë zemrat tona? A po bëjmë gjithçka, qoftë kur japim apo lutemi, “si për Zotin dhe jo si për njerëzit?” A e kuptojmë që jemi vazhdimisht nën vështirmin e syrit të Perëndisë? A dëshirojmë thjesht që t’i pëlqejmë Atij që “sheh në fshehtësi,” dhe i cili i “peshon veprimet?” (1 Samueli 2:3). A jemi mëkatarë? Këto janë ato lloj pyetjesh me të cilat duhet ta hetojmë çdo ditë shpirtin tonë.

Mateu 6:9-15
Ndoshta nuk ka pjesë tjetër të Shkrimit që të jetë aq e njohur sa kjo. Fjalët e saj janë të njohura kudo që gjendet Krishterimi. Mijëra, dhjetra mijëra që nuk kanë parë kurrë një Bibël apo ta kenë dëgjuar Ungjillin e pastër njohin me lutjen “Ati ynë,” apo “Paternoster.” Sa mirë do ishte për botën nëse kjo lutje do të njihej me shpirt ashtu sikurse ja dimë edhe fjalët!

Ndoshta asnjë pjesë e Shkrimit nuk është aq plot dhe aq e thjeshtë në të njëjtën kohë sa kjo. Kjo është lutja e parë që mësojmë të ofrojmë kur jemi fëmijë. Ja ku duket thjeshtësia e saj. Ajo përmban farën e gjithçkje që mund të dëshirojnë edhe shenjtorët më të mëdhenj. Ja ku duket plotësia e saj. Sa më tepër të meditojmë për çdo fajël të sa aq më tepër do të ndiejmë që “kjo lutje është prej Perëndisë.”

Lutja e Zotit konsiston në dhjetë pjesë apo fjali. Ka një deklaratë për Qenien të cilës i lutemi. Ka tri lutje në lidhje me emrin e Ti, mbretërinë e Tij dhe vullnetin e Tij. Ka katër lutje në lidhje me nevojat tona, mëkatet tona, dobësitë tona dhe rreziqet tona. Ka një shpallje të ndjenjave tona ndaj të tjerëve. Ka një atribuim përmbyllës lavdërues. Në të gjitha këto pjesë jemi mësuar të themi “ne” dhe “ynë.” Duhet të kujtojmë të tjerët ashtu si dhe veten. Për secilën prej këtyre pjesëve mund të shkruhet një volum më vete. Duhet të jemi të kënaqur që tani ta marrim fjali pas fjalie dhe të dallojmë drejtimin në të cilin na çon secila prej tyre.

Fjalia e parë shpall se kujt duhet t’i lutemi – “Ati ynë që je në qiell.” Nuk duhet t’u thërrasim shenjtorëve dhe engjëjve, por Atit të përjetshëm, Atit të shpirtrave, Zotit të qiellit dhe tokës. Ne e quajmë At në kuptimin më të ulët si Krijuesi ynë; sikurse Pali u tha Athinasve, “Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi – Sepse jemi edhe ne pasardhës të tij.” (Veprat 17:28). Ne e quajmë At në kuptimin më të lartë, si Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që na pajtoi me Veten përmes vdekjes së Birit të Tij (Kolosianëve 1:20-22). Ne rrëfejmë atë të cilën shenjtorët e Dhiatës së Vjetër e soditën vetëm në mënyrë të mjegullt nëse vërtet patën mundësi – ne rrëfejmë që jemi fëmijët e Tij përmes besimit në Krishtin dhe që kemi “Frymën e birësimit përmes të cilit ne thërrasim Aba, At.” (Romakëve 8:15). Këtë gjë nuk duhet ta harrojmë kurrë, kjo është birëria që duhet të dëshirojmë nëse duam të shpëtohemi. Pa besim në gjakun e Krishtit dhe pa bashkësi me Të është e kotë të flasim që besojmë në Atësinë e Perëndisë.

Fjalia e dytë është një lutje në lidhje me emrin e Perëndisë – “U shenjtëroftë emri yt.” Me “emrin” e Perëndisë nënkuptojmë të gjitha ato atribute përmes të cilave na është zbuluar – fuqia e Tij, urtësia, shenjtëria, drejtësia, mëshira dhe e vërteta e Tij. Duke kërkuar që ato të “shenjtërohen,” duam të themi që ato të bëhen të njohura dhe të përlëvdohen. Lavdia e Perëndisë është gjëja e parë që duhet të dëshirojnë fëmijët e Perëndisë. Kjo është tema e një prej lutjeve të Zotit tonë – “O Atë, përlëvdo emrin tënd.” (Gjoni 12:28). Ky është qëllimi për të cilin u krijua bota. Ky është synimi për të cilin janë thirrur dhe konvertuar shenjtorët. Kjo është gjëja kryesore që duhet të kërkojmë, që “në gjithçka të përlëvdohet Perëndia.” (1 Pjetri 4:11).

Fjalia e tretë është një lutje në lidhje me mbretërinë e Perëndisë – “Ardhtë mbretëria jote.” Me mbretërinë e Perëndisë më së pari e kemi fjalën për mbretërinë e hirit të cilën Perëndia e themeloi dhe e ruan në zemrat e të gjithë gjymtyrëve të gjallë të Krishtit, dhe këtë e bëri përmes Frymës dhe fjalës së Tij. Por më së shumti e kemi fjalën për mbretërinë e lavdisë e cila do të vendoset një ditë kur Jezusi të vijë për herë të dytë dhe “të gjithë do ta njohin, nga më i vogli e deri tek më i madhi.” Kjo është koha kur mëkati, brenga dhe Satani do të dëbohen nga bota. Kjo është koha kur Judenjtë do të konvertohen dhe kur do të vijë plotësia e Johebrenjve, (Romakëve 11:25), është një kohë të cilën duhet ta dëshirojmë më tepër se çdo gjë tjetër. Për këtë arsye kjo zë një vend të rëndësishëm në lutjen e Zotit. Ne kërkojmë atë që shprehet prej fjalëve të shërbesës së Varrimit, “që të të përlqejë ta shpejtosh ardhjen e mbretërisë tënde.”

Fjalia e katërt është një lutje në lidhje me vullnetin e Perëndisë – “U bëftë vullneti yt, në tokë si në qiell.” Në këtë pikë lutemi që njerëzit të mund t’u binden ligjeve të Perëndisë në mënyrë të përsosur, të gatshme dhe pa pushim sikurse bëjnë edhe engjëjt në qiell. Kërkojmë që ata të cilët tani nuk u binden ligjeve të Tij të mund të mësohen që t’u binden atyre dhe ata që tashmë u binden të mund ta bëjnë këtë gjë edhe më mirë. Lumturia jonë më e madhe është nënshtrimi i përsosur ndaj vullnetit të Perëndisë dhe gjëja më e dashur është që të lutemi që i gjithë njerëzimi të mund ta njohë këtë vullnet dhe t’i nënshtrohet.

Fjalia e pestë është një lutje që ka të bëjë me nevojat tona të përditshme – “Bukën tonë të përditshme na e jep sot.” Këtu mësohemi që të pranojmë varësinë tonë të plotë tek Perëndia për të na siguruar nevojat tona të përditshme. Sikurse Izraeli kishte nevojë për manën e përditshme, kështu edhe ne kërkojmë “bukën” tonë të përditshme. Ne rrëfejmë që jemi krijesa nevojtare, të varfra, të dobta dhe i përgjërohemi Atij që është Krijuesi ynë që të kujdeset për ne. Ne lutemi për “bukë,” si nevoja jonë më e thjeshtë, dhe në këtë fjalë përfshijmë gjithë sa i nevojitet trupit tonë.

Fjalia e gjashtë është një lutje në lidhje me mëkatet tona – “Dhe na i fal fajet tona.” Ne rrëfejmë që jemi mëkatarë, dhe që kemi nevojë për falje dhe ndjesë të përditshme. Kjo është një pjesë e lutjes së Zotit që në mënyrë të veçantë meriton të mbahet mend. Ajo dënon çdo vetë-drejtësi dhe vetë-justifikim. Në këtë fjali udhëzohemi të ruajmë një zakon të vazhdueshëm rrëfimi përpara fronit të hirit dhe një zakon të vazhdueshëm për të lypur mëshirë dhe falje. Le të mos e harrojmë kurrë këtë gjë. Kemi nevojë që çdo ditë të “lajmë këmbët tona.” (Gjoni 13:10).

Fjalia e shtatë është një rrëfim në lidhje me ndjenjat tona ndaj të tjerëve – ne i kërkojmë Atit tonë që “të na i falë fajet tona ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë.” Ky është i vetmi rrëfim në gjithë këtë lutje, dhe e vetmja pjesë për të cilën Zoti ynë komenton dhe ku Ai fokusohet pasi e ka përfunduar lutjen. Synimi i qartë i kësaj është që të na kujtojë që nuk duhet të presim që lutjet tona për falje të marrin përgjigje nëse lutemi me keqdashje dhe mëri në zemrat tona ndaj të tjerëve. Nëse lutesh me një qëndrim të tillë mendor është thjesht formalitet dhe hipokrizi. Është më keq se hipokrizi. Është njëlloj sikur të thuash, “Mos më fal aspak.” Lutja jonë nuk është asgjë pa dashuri. Nuk duhet të presim që të falemi nëse nuk mund të falim.

Fjalia e tetë është një lutje në lidhje me dobësinë tonë – “Dhe mos lejo të biem në tundim.” Kjo na mëson që jemi të rrezikuar në çdo kohë që të mashtrohemi dhe të rrëzohemi. Na udhëzon të rrëfejmë dobësinë tonë dhe t’i përgjërohemi Perëndisë të na mbajë dhe të mos lejojë që të biem në mëkat. I lutemi Atij që i qeveris të gjitha gjërat në qiell dhe tokë që të na frenojë të mosh shkojmë drejt asaj që do ta lëndojë shpirtin tonë dhe të mos lejojë kurrë që të tundohemi përtej asaj që jemi në gjëndje të përballojmë. (1 Korintasve 10:13).

Fjalia e nëntë është një lutje në lidhje me rreziqet tona – “por na çliro nga i ligu.” Këtu na mësohet t’i kërkojmë Perëndisë që të na çlirojë nga ligësia që është në botë, nga ligësia që gjendet brenda zemrave tona, dhe gjithashtu nga i ligu, djalli. Ne rrëfejmë që për aq kohë sa jemi në trup vazhdimisht shohim, dëgjojmë dhe ndiejmë praninë e ligësis. Ajo është pranë nesh, brenda nesh dhe përreth nesh në çdo anë. Ne i lutemi Atij që është i vetmi që mund të na ruajë që vazhdimisht të na çlirojë nga fuqia e ligësisë. (Gjoni 17:15).

Fjalia e fundit është një atribuim lavdie – “sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë.” Me këto fjalë shpallim besimin tonë që mbretëritë e kësaj bote janë me të drejtë pronë e Atit tonë, që vetëm Atij i përket gjithë “fuqia,” që vetëm Ai meriton të marrë gjithë “lavdinë.” Dhe e përmbyllim lutjen duke i ofruar Atij rrëfimin e zemrave tona, që ne i japim Atij gjithë nderin dhe lavdinë dhe ngazëllojmë që Ai është Mbreti mbretërve dhe Zoti i zotërve.

Le të shqyrtojmë veten të gjithë ne dhe të shohim nëse vërtet dëshirojmë t’i kemi gjërat të cilat mësohemi që t’i kërkojmë në Lutjen e Zotit. Kam frikë që mijëra njerëz i përsëritin këto fjalë çdo ditë si ritual, por nuk e konsiderojnë kurrë se çfarë thonë ato. Ata nuk interesohen fare për “lavdinë,” “mbretërinë,” apo “vullnetin” e Perëndisë. Ata nuk kanë asnjë ndjesi varësie, mëkatshmërie, dobësie apo rreziku. Nuk kanë dashuri apo bamirësi ndaj armiqve të tyre. E megjithatë e përsëritin Lutjen e Zotit! Nuk duhet të jetë kështu. Me ndihmën e Perëndisë vendosshim që zemrat tona do të thonë të njëjtën gjë si buzët tona! Lum ai njeri që mund ta quajë vërtet Perëndinë Atin e tij përmes Jezu Krishtit Shpëtimtarit të tij dhe si rrjedhim mund të thotë një “Amen” nga zemra e tij për gjithë sa përmban Lutja e Zotit.

Mateu 6:16-24
Në këtë pjesë të predikimit të Zotit tonë mbi mal ka tre tema që na prezantohen. Këto janë, agjërimi, fryma e botës dhe një qëllim i vetëm në besim.

Agjërimi, apo heqja dorë me raste nga ushtimi në mënyrë që ta nënshtrojmë trupin para frymës është një praktike që përmendet shpesh në Bibël dhe në përgjithësi përmendet në lidhje me lutjen. David agjëroi kur fëmija i tij ishte i sëmurë. Ai agjëroi kur kërkoi drejtim të veçantë prej Perëndisë. Pali dhe Barnaba agjëruan kur caktuan pleq. Esteri agjëroi para se të shkonte tek mbreti Asuero. Kjo është një temë për të cilën nuk gjejmë urdhërim të drejtpërdrejtë në Dhiatën e Re. Duket sikur kjo është lënë në gjykimin e gjithësecilit nëse do të agjërojë apo jo. Këtu ka një urtësi shumë të madhe. Ka shumë të varfër që nuk kanë kurrë mjaftueshëm për të ngrënë dhe do ishte poshtërim nëse do t’i thoshim që të agjëronte. Ka shumë të sëmurë që mezi e marrin veten duke i kushtuar vëmendje të veçantë dietës së tyre të cilët nuk mund të agjërojnë pa rrezikuar të sëmuren. Kjo është një çështje për të cilën secili duhet të jetë i bindur në mendjen e vet dhe nuk duhet të nxitojë që t’i dënojë të tjerët të cilët nuk bien dakord me të. Ka vetëm një gjë që nuk duhet ta harrojmë kurrë. Ata që agjërojnë duhet ta bëjnë këtë në qetësi, në fshehtësi dhe pa u dukur. Le të mos “duken para njerëzve” që po agjërojnë. Le të mos agjërojnë për njerëzit por për Perëndinë.

Fryma e botës është një prej rreziqeve më të mëdha që i kanoset shpirtit të njeriut. Nuk është e habitshme që Zoti ynë flet shumë ashpër kundër kësaj gjëje. Ky është një armik hileqar, i dëmshëm, i fuqishëm dhe joshës. Duket gjë shumë e pafaj t’i kushtojmë vëmendje të madhe punës tonë! Duket shumë e padëmshme që të kërkojmë lumturinë tonë në këtë botë për aq kohë sa u qëndrojmë larg mëkateve flagrante! Megjithatë edhe ky është një shkëmb mbi të cilin shumë njerëz kanë përjetuar lundërthyerje të përjetshme. Ata “grumbullojnë thesare mbi tokë,” dhe harrojnë të “mbledhin thesare në qiell.” E kujtofshim të gjithë ne këtë gjë! Ku janë zemrat tona? Çfarë duam më tepër? A janë ndjenjat tona më të forta për gjërat në botë apo për gjërat në qiell? Jeta dhe vdekja varen nga përgjigja që mund t’u japim këtyre pyetjeve. Nëse thesari ynë është tokësor kështu do të jenë edhe zemrat tona. “Sepse atje ku është thesari juaj atje është edhe zemra juaj.”

Një qëllim i vetëm është sekreti i madh i begatisë frymërore. Nëse sytë tanë nuk shohin qartë nuk mund të ecim dot pa u penguar dhe pa u rrëzuar. Nëse përpiqemi të punojmë për dy zotërinj të ndryshëm është e sigurt që nuk do të kënaqim asnjërin. E njëjta gjë vlen edhe për shpirtrat tanë. Nuk mund t’i shërbejmë Krishtit dhe botës në të njëjtën kohë. Është e kotë që ta provojmë. Kjo gjë nuk mund të bëhet. Arka dhe Dagoni nuk kanë për të qëndruar kurrë bashkë. Perëndi duhet të jetë mbret mbi zemrat tona. Ligji i Tij, vullneti i Tij, porositë e Tij duhet të kenë vëmendjen tonë parësore. Atëherë dhe vetëm atëherë gjithçka në njeriun tonë të brendshëm do të zërë vendin e duhur. Nëse zemrat tona nuk janë kaq të fokusuar në Zotin gjithçka do jetë në konfuzion. “I gjithë trupi juaj do jetë plot me errësirë.”

Le të mësojmë nga udhëzimi i Zotit tonë rreth agjërimit, rëndësinë e madhe të gëzimit në besimin tonë. Ato fjalë, “lyeje kokën me vaj dhe laje fytyrën,” janë plot kuptim. Ato duhet të na mësojnë që të synojmë t’i lëmë njerëzit të shohin që Krishterimi na bën të lumtur. Le të mos harrojmë kurrë që nuk po reflektojmë fenë e vërtetë nëse dukemi melankolikë dhe të zymtë. Mos jeni të pakënaqur me pagën dhe shërbimin e Krishtit? Sigurisht që jo! Atëherë le të mos dukemi sikur jemi të pakënaqur.

Le të mësojmë nga paralajmërimi i Zotit tonë rreth frymës së botës se çfarë nevoje të madhe që kemi të gjithë ne për të qëndruar zgjuar dhe për t’u lutur kundër kësaj fryme. Çfarë janë duke bërë pjesa më e madhe e të atyre që rrëfejnë se janë të krishterë përreth nesh? Ata po “grumbullojnë thesare mbi tokë.” Kjo duket shumë qartë. Shijet e tyre, udhët dhe zakonet na tregojnë një rrëfim të frikshëm. Ata nuk po “grumbullojnë thesare në qiell.” Le të kemi kujdes që të mos zhytemi në ferr duke ju kushtuar vëmendje të tepëruar gjërave të paligjshme. Shkeljet e hapura të ligjit të Perëndisë rrëzojnë me mijëra njerëz, por fryma e botës rrëzonë dhjetra mijëra.

Le të mësojmë nga fjalët e Zotit rreth “syrit të pastër,” sekretit të vërtetë të dështimeve, në të cilat duket se bien shumë të krishterë në fenë e tyre. Ka dështime gjithandej. Ka me mijëra njerëz nëpër kishat tona të cilët nuk janë rehat, janë në siklet apo janë të pakënaqur me veten dhe zor se e dinë arsyen për këtë gjë. Arsyeja na zbulohet këtu. Ata po përpiqen ta kenë mirë me të dyja anët. Po përpiqen t’i pëlqejnë Perëndisë dhe njeriut, t’i shërbejnë Krishtit dhe botës në të njëjtën kohë. Le të mos e bëjmë edhe ne këtë gabim. Le të jemi të vendosur, ta ndajmë mendjen plotësisht si ndjekës të Krishtit që nuk bëjmë kompromis. Le të jetë motoja jonë si ajo e Palit, “Por bëj këtë” (Filipianëve 3:13). Atëherë do të jemi të krishterë të lumtur. Do të ndiejmë ngrohtësinë e diellit mbi fytyrë. Zemra, mendja dhe ndërgjegja jonë do të jenë plot dritë. Vendosmëria është sekreti i lumturisë në besim. Jini të vendosur për Krishtin, dhe “i gjithë trupi juaj do jetë plot me dritë.”

Mateu 6:25-34
Këto vargje janë një shembull i goditur i ndërthurjes së urtësisë dhe dhembshurisë së mësimit të Zotit tonë Jezus Krisht. Ai i njeh zemrat e njerëzve. Ai e di që të gjithë ne jemi gati të mos ua vëmë veshin paralajmërimeve kundër frymës së botës me justifikimin që nuk ka sesi të mos jemi në ankth për gjërat e kësaj jete. “A nuk kemi familje për të cilat duhet të sigurojmë bukën e gojës? A nuk duhet të plotësohen nevojat tona fizike? Si mund të ecim në jetë nëse mendojmë më së pari për shpirtin tonë? Zoti Jezus i parashikoi mendime të tilla dhe na siguroi një përgjigje.

Ai na ndalon të mbajmë një frymë ankthi rreth gjërave të kësaj bote. Ai thotë katër herë, “Mos u shqetësoni.” Për jetën, për ushqimin, për veshjen, për të nesërmen, “mos u shqetësoni.” Mos u mbingarkoni me kujdese. Mos t’ju kapë ankthi. Sigurimi me mend për të ardhmen është gjëja e duhur. Ankthi që të lodh, të gërryen shpirtin dhe të torturon është i gabuar.

Ai na kujton kujdesin e provanisë së Perëndisë të cilin Ai e ushtron vazhdimisht ndaj gjithçkaje që ka krijuar. A na ka dhënë Ai “jetë?” Atëherë me siguri që nuk do të lejojë të na mungojë ajo çfarë është e nevojshme për mbështetjen e saj. A na ka dhëën Ai “trup?” Atëherë me siguri që Ai nuk do të lejojë të vdesim për shkak se na mungon veshja. Ai që na ka sjellë në ekzistencë nuk ka dyshim që do të na sigurojë ushqimin për të na mbajtur gjallë.

Ai vë në pah kotësinë e shqetësimit. Jeta jonë është plotësisht në dorën e Perëndisë. Të gjitha shqetësimet në botë nuk mund të na bëjnë që të jetojmë qoftë edhe një minutë më tepër se koha që na ka caktuar Perëndia. Nuk kemi për të vdekur derisa puna jonë të jetë përfunduar.

Ai na dërgon tek zogjtë për udhëzime. Ata nuk sigurojnë gjë për të ardhmen. “Ata nuk mbjellin dhe nuk korrin.” Ata nuk grumbullojnë gjëra për ditët që do të vijnë. Ata nuk “grumbullojnë në hambarë.” Ata me të vërtetë jetojnë një ditë pas tjetrës me atë që mund të gjejnë duke përdorur instinktet që Perëndia ka vendosur brenda tyre. Ata duhet të na mësojnë që asnjë njeri që është duke bërë detyrën e vet në situatën ku e ka thirrur Perëndia nuk do të lejohet kurrë që të bjerë në varfëri.

Ai na bën thirrje që të vëzhgojnë zambakët e fushës. Vit pas viti ata zbukurohen me ngjyrat më të bukura, pa u dashur që të mundohen apo lodhen. “Ata nuk lodhen dhe nuk tjerrin.” Por, Perëndia me pushtetin e tij të ploftuqishëm i vesh me bukuri në çdo stinë. I njëjti Perëndi është Ati i të gjithë besimtarëve. Përse të dyshojnë që Ai është në gjendje t’u sigurojë veshje, ashtu sikurse bën edhe me zambakët “e fushës?” Ai që interesohet për lulet që thahen me siguri që nuk do t’i neglizhojë trupat brenda të cilave banojnë shpirtra të pavdekshëm.

Ai na thotë që shqetësimi për gjërat e kësaj bote nuk i shkon aspak të krishterit. Një tipar i madh i paganizmit është të jetuarit për të tashmen. Lëreni paganin të shqetësohet nëse do. Ai nuk e njeh aspak Atin që është në qiell. Por i krishteri që ka një dritë dhe njohuri më të qartë se ai le ta tregojë këtë përmes besimit të tij dhe të qënurit i kënaqur. Kur ndahemi nga ata që duam nuk duhet të “vajtojmë si ata që nuk kanë shpresë.” Kur jemi të lodhur nga kujdeset për këtë jetë nuk duhet të rëndohemi me shqetësime sikur të mos kishim një Perëndi dhe një Krisht.

Ai na ofron një premtim të hirshëm si kurrë kundër frymës së shqetësimit. Ai na siguron që nëse “kërkojmë së pari” dhe më së shumti që të kemi një vend në mbretërinë e hirit dhe lavdisë, gjithçka për të cilën kemi vërtet nevojë në këtë botë do të na jepet. Ajo do të na “shtohet,” do të na jepet mbi trashëgiminë tonë qiellore. “Të gjitha gjërat do të bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan Perëndinë.” “Ai nuk u refuzon asnjë të mirë atuyre që ecin drejt.” (Romakëve 8:28, Psalmi 84:11).

Së fundi, Ai i vulos të gjitha udhëzimet e Tij mbi këtë temë duke na parashtruar një prej parimeve më të mençura. “E nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet.”

Nuk ka pse të ngarkohemi me shqetësime përpara se ato të vijnë. Duhet të merremi me punën e ditës së sotme dhe të përballemi me shqetësimin e të nesërmes kur të agojë dita e re. Ne mund të vdesim para se të vijë e nesërmja. Nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë nesër. E vetmja mënyrë për të cilën mund të jemi të sigurt është që nëse e nesërmja na sjell një kryq, Ai që na e ka dërguar është i aftë dhe do të na dërgojë hirin për ta mbartur atë kryq.

Në gjithë këtë pjesë gjejmë një thesar mësimesh të arta. Le të përpiqemi t’i përdorim ato në jetën tonë të përditshme. Le të mos jemi thjesht duke i lexuar por edhe t’i kthejmë në zbatime praktike. Le të rrimë zgjuar dhe të lutemi kundër shqetësimit dhe kundër një frymë ankthi. Kjo ka një ndikim shumë të thellë në lumtrinë tonë. Gjysma e mjerimeve tona shkaktohen duke imagjinuar gjëra të cilat mendojmë se do të na bien përsipër. Ku është besimi ynë? Ku është siguria në fjalët e Shpëtimtarit tonë? Bëjmë mirë të turpërohemi kur i lexojmë këto vargje dhe pastaj të shohim në zemrat tona. Por, për këtë mund të jemi të sigurt që fjalët e Davidit janë të vërteta, “Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë” (Psalmi 37:25).


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*