Një alternativë e hirshme – John MacDuff
“Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi!”
“Do të ishte më mirë që dikush të mbështetej te forca ime për të bërë paqe me mua, po, për të bërë paqe me mua.” – Isaia 27:5
Perëndia sapo kishte folur për shkatërrimin e sigurt që do t’i zinte mëkatarët kokëfortë dhe të pakorrigjueshëm. Këtë Ai e përshkruan me anë të krahasimit të “ferrat dhe gjembat në luftë kundër meje.” Ai thotë, “Unë do të shkoja kundër tyre dhe do t’i digjja të gjitha tok.” Ai na ruan, përmes një deklarate pararendëse, kundër supozimit që Ai gjen ndonjë farë kënaqësie në ushtrimin e një hakmarrjeje të tillë kaq të ashpër, “Nuk ka zemërim tek unë.” Tek Ai emri dhe natyra e të cilit janë Dashuri nuk ka pasion hakmarrës, nuk ka zemërim kapricioz, dhe as impulse të pakontrolluara inati – të ngjashme me ato që gjenden tek njeriu. Edhe në këtë aspekt mendimet e Tij ndryshojnë nga mendimet tona.
Urrejtja e Tij ndaj mëkatit është një parim. Është reagimi i fortë i natyrës së Tij pafundësisht të shenjtë ndaj paudhësisë – asaj paudhësie të cilën Drejtësia e Tij kërkon që Ai ta ndëshkojë. Le të kemi kujdes nga një teologji e ashpër dhe të pështirë që do ta përngjasonte Perëndinë me hyjnitë hakmarrëse të paganëve. Ai është “i ngadalshëm në zemërim.” Ai “kënaqet në mëshirë.” “Gjykimi është puna e Tij e çuditshme.” Ai e viziton paudhësinë deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që e urrejnë. Ai tregon mëshirë për mijëra për ata që e duan Atë.”
Në të njëjtën kohë, as nuk duhet të harrojmë që Ai është ‘i lavdishëm në shenjtëri.’ Vetë zbulesës që Ai i dha Moisiut për emrin dhe kujtimin e Tij si, “Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin,” i shton edhe këtë pohim solemn, “por nuk e lë të pandëshkuar fajtorin.”
Oh, çfarë ‘mendimi’ solemn dhe i tmerrshëm për ata që janë ende si “ferrat dhe gjembat në betejë kundër Tij” – për ata që janë ende armiq prej natyre dhe të ligj nga veprat e tyre. Ata nuk mund t’i shpëtojnë dot zemërimit të Tij! Ata nuk mund t’ia hedhin dot shpagimit të Tij të drejtë. Nëse vazhdojnë në mëkat, do ta provojnë në përjetimin e tyre të hidhur, “sa gjë e frikshme është të biesh në duart e Perëndisë së gjallë.” “Ai do t’i djegë të gjithë së bashku!” Për të gjithë ata që janë të tillë Ai është “një zjarr që konsumon!”
Por motoja jonë përmban një alternativë të mrekullueshme mëshire. Në momentin kur mëkatarët janë duke u turrur me marrëzi të verbër kundër tokëzave të trasha të mburojës së Jehovës – Ai të cilin e kanë bërë armikun e tyre ka një ‘mendim’ pajtimi të dashur në zemrën e Tij. Dëgjoni propozimin e hirshëm, “Do të ishte më mirë që dikush të mbështetej te forca ime për të bërë paqe me mua, po, për të bërë paqe me mua.”
Kush është “Forca e Perëndisë?” Lëreni Shkrimin të përgjigjet, “Dora jote qoftë mbi njeriun e të djathtë tënde, mbi njeriun që ti e ke bërë të fortë për ty.” Krishti është “Fuqia e Perëndisë”, “Arbitri midis nesh, që ka vendosur dorën e Tij mbi ne të dy.” Ai është gjithashtu, “Paqja jonë.” “Duke qenë se jemi drejtësuar me anë të besimit kemi paqe me Perëndinë.” Paqe, “jo ashtu si e jep bota,” ishte trashëgimia e Tij e veçantë kur u largua. Kjo është një paqe e sigurt dhe me themel të fortë e cila u ble me gjakun e Tij shpengues, që sigurohet dhe na jepet përmes ndërmjetësimit të Tij të vazhdueshëm. Prandaj Propozuesi i hirshëm i pajtimit shton sigurinë, “Dhe ai DO të bëjë paqe me Mua.” Kjo është një siguri e lavdishme. Kapu pas atij krahu dhe shpëtimi është i sigurt. “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh.” Një paqe e pranishme, një paqe e sigurt, një paqe e përhershme, paqe tani dhe paqe përjetë. “Askush nuk është në gjendje të të rrëmbejë nga dora e Tij!”
“Zgjohu, zgjohu, vishu me forcë, o krah i Zotit.” Dëgjo, o bari i Izraelit, që udhëheq Jozefin si një kope; ti që rrin mbi Kerubinët, shkëlqe në lavdinë tënde. Rizgjoje FUQINË tënde përpara Efraimit, Beniaminit dhe Manasit, dhe eja të na çlirosh!” “Sepse unë i njoh mendimet që kam për ju”, thotë Zoti, “mendime paqeje dhe jo të së keqes, për t’ju dhënë një të ardhme dhe një shpresë.”
“Thoughts of God” by John MacDuff
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!