Pararendësi fiorentin

Xhirolamo Savonarola
1452–1498
nga Zach Howard

Rreth bazamentit të monumentit të Luterit në Vorms të Gjermanisë gjenden katër pararendës të Reformimit Protestant, e pikërisht Jan Husi, Gjon Uiklifi, Pjetër Valdo dhe Xhirolamo Savonarola. Këta të katër dallonin tej mase nga njëri-tjetri, e megjithatë secili prej tyre i frymëzoi reformat e Luterit në mënyrën e vet. Për Luterin Savonarola ishte frymëzuesi i tij personal, aq sa tek po udhëtonte për t’u gjykuar në Koncilin e Vormsit në vitin 1521, pasi kishte djegur dekretin e papës që e shkishëronte, mbante me vete një pikturë të murgut dominikan.

Tek u përball me mundësinë e vdekjes në Vorms, Luteri me shumë gjasë e krahasoi jetën e tij me atë të Savonarolës: me një zë profetik, Savonarola kishte dënuar shthurjen e Kishës së Romës. Konflikti i tij me papën arriti kulmin në shkishërimin dhe djegien në turrën e druve të këtij të fundit. Edhe Luteri u shkishërua për ankesat e tij ndaj abuzimeve të papës. Edhe pse i shpëtoi dënimit me vdekje, Luteri gjeti një përputhje të veçantë mendimesh me Savonarolën, madje dy vjet pasi ishte fshehur në Kështjellën e Vartburgut, botoi meditimet e Savonarolës së burgosur rreth Psalmit 31 dhe 51, duke e lavdëruar këtë të fundit si “burri i perëndishëm i Firences”.

Profeti i Popullit

Lindur në vitin 1452 në  një familje të pasur në Ferrara të Italisë, Savonarola ishte një djalosh shumë i zgjuar dhe i dhënë tej mase pas të nxënit. Prindërit kishin dëshirë që të studionte për mjekësi, por në moshën 23-vjeçare ai bëri një zgjedhje të papritur për t’iu bashkuar rendit të murgjve dominikanëpasi ishte tepër i zhgënjyer nga kultura Italiane. Si murg i ri, Savonarola u zhyt thellë në shkrimet e Tomas Akuinit si dhe në Shkrimet e Shenjta, duke demonstruar shumë shpejt një mendje shumë tëmprehtë, gjë e cila e aftësoi që ta mësonte Shkrimin përmendësh.

Savonarola u zhvendos në Firence në vitin 1490 dhe tashmë ishte mjaft i njohur për arsimimin e tij, megjithatë ishin predikimet e tij ato që e hodhën vrullshëm në qendër të jetës politike të Firences dhe të reformës së atjeshme. Nga katedralja e Firences, Savonarola u predikonte shpesh mijëra njerëzve në gjuhën e përditshme, duke përdorur figura të fuqishme letrare dhe një shtjellim të thjeshtë të Shkrimeve. Ai shpalli hirin shpëtues të Krishtit me një forcë biblike dhe në të njëjtën kohë hodhi kritika therëse ndaj praktikave imorale të udhëheqësve politikë dhe atyre kishtarë.

Predikimi i tij me mjaft ndikim, i ndërthurur medisa ndodhi të rëndësishme që ishin jashtë kontrollit të Savonarolës, siç ishin pushtimi i papritur i Italisë nga mbreti i Francësi shoqëruar prej një murtaje shkatërrimtare, bëri që papritur të shtohej tej mase ndikimi i tij në Firence. Po aq e rëndësishme sa pozita e tij si zëri profetik i qytetit ishte edhe besimi i përhapur gjerësisht mes njerëzve të zakonshëm rreth një përmbysjeje të madhe e katastrofike që do të shënonte fundin e kohërave, e cila pritej të ndodhte tek afrohej viti 1500.

Shkishërimi

Nga viti 1494 deri në vitin 1498 Savonarola nxiti një ndryshim dramatik politik dhe shoqëror. Predikimi i tij u bë edhe më profetik. Duke theksuar kthimin e Krishtit i bëri thirrje qytetit të Firences të jetonte si një Jerusalem i ri. Reformate tij morale sollën për pasojë riorganizimin politik të qytetit tek po punonte për themelimin e një “republike të krishterë”, shumë të ngjashme me atë qëu ndërtua më vonë në Gjenevë nën drejtimin e Kalvinit.

Aty nga kulmi i këtyre ndryshimeve, Savonarola i organizoi të rinjtë e Firences që të ngriheshin në këmbë në mbështetje të reformës, gjë e cila rezultoi në disa “Zjarre të Kotësive” si protestë kundër festimeve të përvitshme të Së Martës së Karnavaleve. Të rinjtë i udhëhoqën qytetarët nëshkatërrimin e mjeteve të tundimit, sikurse maskat e karnavaleve, letrat e bixhozit, fustanet e bukur, makijazhi, pasqyrat, dhe madje edhe instrumentet muzikore. Zjarri i fundit i Kotësive u ndez në Piazza della Signoria në qendër të Firences më 7 Shkurt 1497, vetëm disa muaj para se Papa Aleksandër VI ta shkishëronte Savonarolën.

Pas shkishërimit të tij shpërtheu konflikti i Savonarolës me Papa Aleksandrin VI kur papa kapi letrat që Savonarola i kishte dërguar mbretërve të Francës, Anglisë, Spanjës, Hungarisë dhe Perandorit të Gjermanisë, duke iu përgjëruar atyre të thërrisnin një koncil kishtar për ta shkarkuar nga detyra papën për abuzimet e tij. Savonarola nuk kundërshtonte ofiqin e papës, por personin e Aleksandrit VI dhe në këtë mënyrë dallohej nga kritikat më të mëdha të Reformatorëve të mëvonshëm ndaj autoritetit të papës dhe doktrinës Katolike.

Shkëndija e Luterit

Meqenëse Savonarola afirmoi përparësinë e Pjetrit, nxiti përnderimin e Marisë dhe anonte drejt një pikëpamjeje gjysmë-Pelagiane për shpëtimin, mund të thuhet se nga pikëpamja doktrinore mbeti brenda Kishës Katolike të Romës. Mirëpo, duke u nisur nga fakti që bëri thirrje për reformë morale, dënoi abuzimet e papës dhe lartësoi autoriteti e Shkrimit, mund të thuhet se ishte pararendësi i Reformimit.

Edhe pse lëvizja reformuese e Savonarolës në Firence, lëvizje e cila përbëhej vetëm prej një personi,nuk vazhdoi gjatë në Itali pas vdekjes së tij, predikimi i tij plot pasion dhe reformat e zellshme që kishte vënë në zbatim kishin demaskuar shthurjen e kishës, ashtu si një shkrepëse e vogël por megjithatë e shndritshme që ndizet në një shpellë të errët. Shkëndija e Savonarolës e ndezi flakë urën e zjarrit me të cilën Luteri do të ndizte zjarrin e Reformimit njëzet vjet më pas.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*