Reformatori i rastësishëm

Hans Mishpata
1400–1468

nga Rick Segal

Hans Gusflesh u bë burrë në kapërcyellin mes shekujve XIV dhe XV, në një kohë kur fryma mbizotëruese e asaj epoke ishte: “Perëndia duhet të jetë i zemëruar me ne”. Prindërit dhe gjyshërit e tij ishin brezi që dëshmoi sesi Murtaja e Zezë shfarosi një të tretën e popullsisë së kontinentit. Në disa fshatra të kontinentit vdiq deri 60 % e popullsisë.

Hansi lindi në një familje të shtresës së lartë. Babai ishte argjendar dhe njerëzia e quante “shoku i bankës”, sepse ai priste monedha dhe krijonte medaljone. Teksa vërtitej në punishten e të atit në fëmijërinë e tij, nuk ka dyshim që mahnitej me punën që bëhej atje dhe mbase dha ndihmën e vet për stampimin e monedhave. Metali i shkrirë derdhej nëpër kallëpe (imagjinoni disa tepsi të vogla keku me shkrime dhe imazhe). Kallëpet bëheshin prej një materiali mjaft të fortë për të lënë një imazh mjaft të qartë në monedhë. Vetë kallëpi gdhendej me imtësi me dorë prej mjeshtrave që përdornin mjete si të argjendarit për ta gdhendur çelikun me çelik mjaft lehtësisht sikur të ishin duke lyer bukën me gjalpë.

Nisma e dështuar

Fatkeqësisht, Hansi nuk do ta trashëgonte biznesin e familjes. Një kryengritje e argjendarëve kundër punëdhënësve, në të cilën u përfshi edhe babai i Hansit, e detyroi familjen që të zhvendosej në Eltvill. Prandaj, Hansit iu desh të kërkonte mundësi të tjera punësimi.

Pas shkatërrimit që solli murtaja, katolicizmi nxiti krijimin e një tregu mjaft të madh për mallrat dhe shërbimet fetare. Përveç bërjes dhe shitjes së rruzareve, medaljoneve, ikonave, dhe kryqeve që bliheshin nga besimtarët dhe pendestarët, u ngrit një industri e madhe turistësh që tërhiqte qindra dhe mijëra pelegrinë katolikë që dëshironin fort të shihnin reliket e sjella nga Toka e Shenjtë.

Syri i Kaut ishte një medaljon me një pasqyrë të cilën e mbaje me veten kur vizitoje reliket. Ideja ishte që nëse pasqyra e medaljonit kapte reflektimin e një relikeje e kishe të sigurt marrjen e një bekimi prej saj. Katedralja e Ahenit kishte katër të ashtuquajtura Relike të Mëdha, dhe kështu është edhe sot: pelerina e Marisë, pelenat e Krishtit, veshja e Shën Gjonit kur i prenë kokën, dhe peceja e këllqeve të Krishtit.

Hans Gusflesh hapi një biznes që kishte për qëllim të merrej me tregun e Syve të Kaut në pelegrinazhin e vitin 1439 në Ahen, gjatë të cilit mendohej se 100,000 pelegrinë do të vizitonin qytetin. Duke shfrytëzuar përvojën e tij në bërjen e monedhave, ai planifikoi prodhimin e rreth 32,000 copëve Sy Kau dhe nga kjo punë të nxirrte një fitim 2,500%  mbi kapitalin e investuar. Fatkeqësisht, ai ishte një vit kur vetëm një numër i vogël pelegrinësh e vizitoi Ahenin. Nisma e tij dështoi. Hansi dhe investitorët e tij humbën gjithçka, madje shitën dhe rrobat e trupit. Por gjatë procesit të prodhimit të Syve të Kaut krijuan një pasuri të rëndësishme intelektuale.

Limonat i bëjmë libra

Përcjellja e njohurisë po kalonte nga mënyra gojë-më-gojë në manualët e shtypur, doracakët, tregimet dhe historitë. Njerëzit dëshironin të blinin dhe zotëronin libra. Shumica e kërkesës plotësohej nga kopjuesit dhe shkruesit të cilët, kur punonin me zell, mund të ishin në gjendje të përfundonin një volum të vetëm të një komentari të Biblës çdo pesë vjet. Risia e shtypjes me blloqe druri ndihmoi në përmbushjen e kërkesës për libra, por blloqet e drurit bënin shumë gabime, thyheshin kollaj, dhe mund të përdoreshin vetëm një herë.

Hans Gusflesh bëri limonadë nga limoni i nismës së tij të dështuar me Sytë e Kaut. Gjatë procesit të zbulimit sesi të bënin suvenirë për pelegrinët në Ahen, ai ideoi një metodë ndërtimi formash, sipas së cilës në vend të blloqeve të drurit radhitej një grumbull karakteresh prej metali dhe kështu krijohej një “bllok metali”, i cili mund të përdorej për të bërë shtypje të qartë, fjalë të lexueshme në një faqe, pastaj të çmontohej, të renditej nga e para dhe të përdorej sërish për të krijuar forma të reja dhe projekte krejtësisht të ndryshme. Kjo nuk ishte gjë tjetër veçse formë e stampimit, kallëpit, shtypjes, të cilën e pa nga afër në sa e sa raste gjatë fëmijërisë së tij tek stamponte ushtri të tëra ushtarësh prej plumbi që ishin përherë gati që të ndryshonin detyrë.

Rifillimi i Historisë

Johannes Gensfleisch zur Laden zum Gutenberg (në anglisht njihet si Hans Gusflesh) vdiq një gjysmë shekulli para se Martin Luteri të gozhdonte 95 tezat e tij në portën e kishës së kështjellës në Vitenberg. Ai nuk predikoi asnjëherë, kurrë nuk shkroi ndonjë traktat teologjik. Në fakt, Hans Gusflesh, përveç Biblës që mban emrin e tij, Bibla e Gutenbergut, bëri goxha para duke u marrë me shtypjen e indulgjencave të papës. Ai ishte reformator i rastësishëm, ose më mirë të themi prej hirit të zakonshëm. Por standardizimi i industrisë së shtypit me sistemin e shkronjave të plumbit të Gutenbergut krijoi kapacitete prodhimi dhe shpërndarjeje,të cilat bënë të mundur që librat e Luterit të arrinin 3 % të tregut të jashtëzakonshëm prej shtatë milionë librash të botuar në Gjermani nga viti 1518 deri në vitin 1525.

Kinezët e kishin shpikur shtypin me shkronja plumbi shtatë shekuj më parë, por sistemi i tyre i shkrimit ishte tepër i ndërlikuar për t’u përdorur. Bota myslimane i rezistoi përdorimit të shtypit për katërqind vjet pas shpikjes së shkronjave të plumbit. Prandaj, gjatë një periudhe të pashoqe të historisë njerëzore, Perëndia ngriti një zanatçi të pasuksesshëm me qëllim që të përgatiste udhën që një murg frymërisht i munduar dhe pasuesit e tij të zbulonin nga e para fjalën e Perëndisë dhe të rifillonin historinë e shpengimit.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*