Këtu qëndroi Luteri – këtu qëndrojmë edhe ne!

Martin Luteri
1483–1546

nga Xhon Pajpër

Një prej zbulimeve të mëdha të Reformimit, një zbulim ky i lidhur në mënyrë të veçantë me Martin Luterin, ishte që fjala e Perëndisë vjen tek ne në formën e një libri dhe ky është Bibla. Luteri e kapi dhe u kap fort pas këtij fakti të fuqishëm: Perëndia i ruan dhe i bën që të kalojnë përvojat e shpëtimit dhe të shenjtërisë nga një brez në tjetrin përmes një libri zbulese, dhe jo përmes peshkopit të Romës.

Rreziku jetëdhënës dhe jetëkërcënues i Reformimit ishte poshtëhedhja e papës dhe koncilëve si autoriteti final dhe i pagabueshëm i kishës. Kundërshtari i Luterit, Sivester Prieria shkroi: “Ai që nuk e pranon doktrinën e Kishës së Romës dhe papën e Romës si rregullin e pagabueshëm të besimit, prej të cilëve edhe Shkrimet e Shenjta marrin forcën dhe autoritetin e tyre, është kryekëput heretik”. (Luteri, fq. 193). Ajo që ndodhi për pasojë ishte që Luteri u shkishërua nga Kisha Katolike e Romës. Hajko Oberman thotë: “Risia që solli Luteri kishte të bënte me idenë e bindjes absolute ndaj Shkrimit përkundrejt çdo autoriteti tjetër, qoftë ky papa apo koncilët” (Luteri,fq. 204).

Ky rizbulim i fjalës së Perëndisë mbi gjithë pushtetet tokësore pati një ndikim të fuqishëm tek Luteri dhe i dha formë gjithë Reformimit. Mirëpo, rruga që ndoqi Luteri derisa arriti tek rizbulimi i kësaj të vërtete ishte një monopat torturues dhe filloi me një stuhi me bubullima vetëtima kur ai ishte 21 vjeç.

Murgu besnik

Më 2 Korrik 1505, kur po kthehej nga universitet për në shtëpi, Luteri u gjend mes një stuhie plot me rrufe dhe një prej tyre e hodhi përtokë nga kali. Ai klithi: “Më ndihmo o Shën Anë! Do bëhem murg po më shpëtove”. Pesëmbëdhjetë ditë më vonë, për habinë e të atit Luteri i braktisi studimet për jurisprudencë dhe e mbajti betimin e bërë.

Ai trokiti në portën e eremitëve augustinianë në Erfurt dhe i kërkoi kryemurgut që ta pranonte në rendin e tyre. Në moshën 21-vjeçare Martini u bë murg augustinian. Dy vjet më pas, gjatë meshës së parë që celebroi, Luteri u pushtua aq thellë prej mendimit të madhështisë së Perëndisë saqë qe gati ta linte përgjysmë atë. Kryemurgu e bindi që të vazhdonte.

Mirëpo, ky incident frike dhe dridhjeje nuk do ishte i vetmi në jetën e Luterit. Vetë Luteri do t’i kujtonte më vonë këto vite: “Edhe pse jetoja në mënyrë të paqortueshme si murg, e ndjeja që isha mëkatar para Perëndisëdhe ndërgjegjen e kisha jashtëzakonisht të shqetësuar. S’mund ta besoja dot që Ai ishte i kënaqur me arritjet e mia” (Shkrime të Zgjedhura, fq. 12).

Do të kalonte një dyzinë vitesh përpara se Luteri të martohej dhe do ta bënte këtë me Katerina fon Borën më 13 qershor 1525, dhe kjo do të thotë që ai jetoi me tundimet seksuale si burrë beqar deri në moshën 42-vjeçare. Mirëpo, sipas Luterit “kur isha në manastir, nuk mendoja për gratë, paranë apo pronat; përkundrazi zemra ime dridhej dhe trazohej për faktin nëse Perëndia do të më jepte hirin e Tij apo jo”. Ai digjej nga dëshira e zjarrtë që të përjetonte lumturinë e favorit të Perëndisë. “Nëse do të mund ta besoja që Perëndia nuk ishte më i zemëruar me mua do qëndroja mbi kokë nga gëzimi”, thoshte Luteri në lidhje me atë kohë.

Lajmi i Mirë: Drejtësia e Perëndisë

Në vitin 1509, mbikëqyrësi, këshilltari dhe miku i dashur i Luterit, Johan fon Shtaupic, e lejoi Luterin të jepte mësim Biblën në universitet. Tri vjet më pas, më 19 tetor 1512, në moshën 28-vjeçare Luteri mori diplomën e tij të doktoraturës në teologji dhe fon Shtaupic i dha në dorë katedrën e teologjisë biblike në Universitetin e Vitenbergut, rol të cilin Luteri e luajti gjatë gjithë jetës së tij.

Ndërsa Luteri iu fut punës për të lexuar, studiuar dhe mësuar Shkrimin në gjuhët origjinale, ndërgjegjja e tij e trazuar po vlonte poshtë sipërfaqes, ca më tepër kur u përball me frazën “drejtësia e Perëndisë” tek Romakëve 1:16-17. Për Luterin, “drejtësia e Perëndisë” mund të nënkuptonte vetëm një gjë: ndëshkimine drejtë të Perëndisë mbi mëkatarët. Kjo frazë nuk ishte “ungjill” për të, por përkundrazi ishte një dënim me vdekje.

Mirëpo, ja tek erdhi një çast, kur gjithë urrejtja e Luterit ndaj drejtësisë së Perëndisë u kthye në dashuri. Ai kujton:

Më në fund, falë mëshirës së Perëndisë, teksa meditoja natë e ditë, i kushtova vëmendje kontekstit të fjalëve, domethënë: “Sepse drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të nga besimi në besim siç është shkruar: “I drejti do të jetojë me anë të besimit”… Dhe ky është kuptimi: drejtësia e Perëndisë zbulohet përmes ungjillit, domethënë, drejtësia pasive me të cilën Perëndia i mëshirshëm na drejtëson përmes besimit sikurse është shkruar: “Ai që është i drejtë përmes besimit do të jetojë”.

Dhe kështu Luteri nxori këtë konkluzion: “Në këtë çast u ndjeva sikur të kisha lindur së dyti dhe sikur po hyja në parajsë përmes portave të hapura”.

Qëndrimi mbi Librin

Luteri nuk ishte pastori i kishës së qytetit të Vitenbergut, por shërbeu përmes predikimit së bashku me pastorin, shokun e tij Johan Bugenhagen. Historia jep dëshmi se sa plotësisht i përkushtuar ishte ai ndaj predikimit të Shkrimit të Shenjtë. Për shembull, në vitin 1522 ai dha 117 predikime, një vit më pas prej gojës së tij rrodhën 137 predikime. Në vitin 1528 predikoi pothuaj 200 herë, ndërsa nga viti 1529 na kanë ardhur 121 predikime. Prandaj mesatarja e atyre katër viteve ishte një predikim çdo dy ditë e gjysmë.

Gjatë 28 viteve të ardhshme, Luteri do të predikonte me mijëra predikime, do të botonte qindra pamflete dhe libra, do të zhvillonte debate pa numër, si dhe do të këshillonte një numër shumë të madh qytetarësh Gjermanë dhe e gjitha kjo vepër u bë me të vetmin qëllim për të përhapur lajmin e mirë të drejtësisë së Perëndisë tek një popull i burgosur nën sistemin e arritjes së shpëtimit me anë të meritave të tyre. Gjatë gjithë këtyre përpjekjeve mbinjerëzore, Luteri kishte vetëm një armë përmes të cilës do ta shpëtonte ungjillin nga shitja si një mall i rëndomtë në tregjet e Vitenbergut, dhe kjo armë ishte Shkrimi. Ai i dëboi këmbyesit e parave, shitësit e indulgjencave, me kamxhikun e fjalës së Perëndisë, Biblës.

Në vitin 1545, një vit para se të vdiste, Luteri deklaroi me një forcë kumbuese: “Njeriu që dëshiron që Perëndia t’i flasë atij le të lexojë Shkrimin e Shenjtë”. Vetëm këtu, në faqet e Biblës, Perëndia flet me autoritet përfundimtar. Tek Shkrimi gjendet autoriteti sublim për besimtarët. Vetëm prej këtej rrjedh dhurata e drejtësisë për mëkatarët që po rendin drejt ferrit.

Luteri jetoi sipas këshillës që dha. Në vitin 1533 ai shkroi: “Për vite me radhë e kam lexuar Biblën dy herë në vit. Sikur Bibla të ishte një pemë e lartë dhe madhështore dhe të gjitha fjalët e saj të ishin degë të vogla, jini të sigurt se i kam shkundur të gjitha ato, me dëshirën për të mësuar çfarë ka në to dhe çfarë më ofrojnë mua” (Çfarë Thotë Luteri, Vëll. 1,fq. 83). Oberman thotë që Luteri e bëri këtë gjë për të paktën dhjetë vjet (Luteri, fq. 173). Bibla ishte bërë më e rëndësishme për Luterin sesa gjithë shkrimet dhe komentarët e etërve të kishës.

Këtu qëndroi Luteri, këtu qëndrojmë edhe ne. Jo mbi shpalljet e papëve, mbi vendimet e koncilëve apo mbi rrymat e mendimit dhe modat e një epoke a të një tjetre, por mbi “atë Fjalë e cila qëndron mbi gjithë pushtetet tokësore” – mbi Fjalën e gjallë dhe të përjetshme të Perëndisë.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

%d bloggers like this: