Për çfarë duhet të lutemi?
Pyetja 40
Për çfarë duhet të lutemi?
Gjithë Fjala e Perëndisë na drejton dhe frymëzon në gjërat për të cilat duhet të lutemi, dhe këtu përfshihet edhe lutja që vetë Jezusi na mësoi.
Për këtë arsye unë po i ul gjunjët e mi përpara Atit të Zotit tonë Jezu Krisht, nga i cili merr emër çdo familje në qiejt dhe mbi tokë, që t’ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e përbrendshëm, që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit, që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni me të gjithë shenjtorët cila është gjërësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia, dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë. Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia në kishën në Krishtin Jezus për të gjitha brezat, në jetë të jetëve. Amen.
Efesianëve 3:14–21
Komentim
Sa i madh është përfitimi që vjen prej Shkrimeve dhe mbështetja e tyre është e mjaftueshme për çdo nevojë. Pali po e vinte këtë gjë në dukje kur tha, “Sepse të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë.” (Romakëve 15:4; 1 Korintasve 10:11). Fjalët hyjnore janë me të vërtetë një thesar që përmban çdo lloj ilaçi, në mënyrë që kur dikush ka nevojë të heqë qafe krenarinë e pamend, apo të shkelë me këmbë dashurinë për pasuri, të përçmojë dhimbjen, të kultivojë gëzimin dhe të arrijë durimin – tek këto fjalë hyjnore mund të gjejmë mjete me bollëk për t’i bërë këto gjëra.
Gjon Gojarti (John Chrysostom, 347–407). Gjon Gojarti lindi në Antioki dhe ishte Kryepeshkopi i Kostandinopojës. Atij iu dha titulli “Gojarti” për shkak të predikimit të tij të zhdërvjelltë. Ai njihet nga Kisha Ortodokse dhe ajo Katolike si shenjtor dhe Doktor i Kishës. Gojarti njihet për Liturgjinë e tij Hyjnore të Shën Gjon Gojartit. Veprat e tij voluminoze të predikimit përfshijnë 67 predikime për Zanafillën, 90 për Ungjillin sipas Mateut dhe 88 për Ungjillin sipas Gjonit.
Lutje
At i shenjtë dhe i hirshëm! Ne jemi të padenjë në vetvete për të dalë në praninë Tënde shumë të shenjtë, për shkak të mëkateve të natyrës tonë dhe mëkateve të jetës tonë, qysh kur kemi kuptuar paksa të vërtetën tënde të bekuar; atë të vërtetë të shenjtë të cilën nuk e kemi menduar dhe rrëfyer siç duhet ta bënim, por shpesh kemi kryer shumë mëkate kundër dritës që Ti ke ndezur në zemrën tonë përmes Fjalës dhe Frymës Tënde. Por Ti o At je i hirshëm dhe i mëshirshëm ndaj nesh në Jezu Krishtin, në bollëkun e dashurisë dhe mëshirës Sate. Përmes Tij ne vijmë tek Ti, të përgjërohemi për hir të Tij, për të mos na lënë në duart e këtyre gjykimeve të brendshme frymërore; por na jep një pamje të vërtetë të gjendjes tonë reale që të mos e mashtrojmë shpirtin tonë dhe pas kësaj na jep një përulësi të vërtetë. Ne të përgjërohemi të na flasësh për paqen përmes Krishtit Tënd dhe t’i thuash shpirtit tonë përmes Frymës Tënde të Shenjtë që Ti je shpëtimi ynë. Si një provë më të qartë që kemi favorin Tënd le të përjetojmë veprën e Frymës Tënde të Shenjtë që na hap të kuptuarit, na qartëson gjykimin, na rindez ndjenjat, na zbulon prishjen duke na dhënë formë në ato mënyra që Ti të mund të kënaqesh plotësisht. Për shkak se Ti e ke caktuar fjalën Tënde të shenjtë “të jetë një llambë për këmbët tona, një dritë dhe udhëzues për të gjitha udhët dhe shtigjet tona,” ke caktuar që ajo të jetë një mjet i fuqishëm për të na larguar gjithnjë e më tepër nga skllavëria e mëkatit dhe Satanit në lirinë e bekuar të bijve të Tu, prandaj ne të përgjërohemi, ta bekosh fjalën Tënde për këto dhe qëllime të tjera të mira për të cilat Ti e ke caktuar. Të përgjërohemi, bëj që në këtë kohë të mësojmë prej saj vullnetin Tënd të shenjtë dhe pastaj të punojmë për t’i përshtatur jetët tona me të, në mënyrë që të të japim më tepër lavdi Ty, për hir të Jezu Krishtit, Birit Tënd të vetëm dhe Shpëtimtarit tonë të bekuar. Amen.
Riçard Sibes (Richard Sibbes, 1577–1635). Teolog Puritan Anglez që në fillim të shekullit të 17-të njihej në Londër si “Doktori Qiellor Sibes.” Ai predikoi në Kishën Greis In në Londër dhe në Selinë ‘Master of Kathrin’ në Kembrixh. Vepra e tij më e famshme ishte Kallami i Thyer dhe Kandili që bën tym.
New City Catechism was adapted by Timothy Keller and Sam Shammas from the Reformation catechisms. Copyright © 2012 by Redeemer Presbyterian Church.