Përmbushja e misionit kur vdekja është fitim!
27 Tetor 1996 prej John Piper
Deklarata ime e misionit dhe deklarata e misionit të kishës time është,
Ne ekzistojmë që të përhapim një pasion për epërsinë e Perëndisë në të gjitha gjërat për gëzimin e të gjithë popujve.
Kjo deklaratë misioni më pëlqen për shumë arsye. Njëra prej tyre është që e di se nuk mund të dështojë. E di që s’mund të dështojë për shkak se ky është premtim. Mateu 24:14 thotë, “Dhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi.” (Shpresoj që ta dini se fjala “kombet” nuk do të thotë shtete politike. Ajo do të thotë grupe njerëzish, grupe etnike dhe gjuhësore.) Mund të jemi plotësisht të sigurt që secili prej këtyre grupeve do të depërtohet prej ungjillit deri në atë shkallë që mund të themi se atje ka një dëshmi të qartë dhe vetë-riprodhuese.
Më lejoni t’iu jap disa arsye se përse mund të jemi të sigurt për këtë gjë.
PREMTIMI ËSHTË I SIGURT.
Ai është i sigurt për disa arsye.
1. Jezusi nuk gënjen kurrë. “Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.”(Mateu 24:35) Ishte Jezusi ai që i tha fjalët tek Mateu 24:14 dhe jo unë.
Prandaj ky mision në të cilin jemi së bashku do të realizohet. Do të realizohet, dhe ju ose mund të bashkoheni me të dhe të shijoni triumfin ose mund të tërhiqeni dhe kështu ta çoni jetën tuaj dëm. Keni vetëm këto dy zgjedhje, për shkak se nuk ka një mundësi të mesme që thotë, “Ndoshta nuk do të ndodhë, dhe mund të jem në anën më të mirë duke mos u përfshirë plotësisht.” Kjo nuk ka për të ndodhur.
2. Çmimi tashmë është paguar për ata njerëz mes të gjitha kombeve. Tek Zbulesa 5:9-10 thuhet, “Ti je i denjë ta marrësh librin dhe të hapësh vulat e tij, sepse ti u there, dhe me gjakun tënd na bleve te Perëndia nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb, dhe na bëre mbretër dhe priftër për Perëndinë tonë, dhe do të mbretërojmë mbi dhe.” Për këta është paguar çmimi, dhe Perëndia nuk ka për ta hedhur poshtë pagesën e Birit të Tij.
Më pëlqen shumë historia e Moravianëve. Në Gjermaninë veriore dy prej tyre i hipën një varke për t’u shitur si skllevër në Indit Perëndimore dhe për të mos u kthyer më kurrë. Ndërsa varka lundronte drejt portit ata ngritën duart dhe thanë, “Qengji martë shpërblimin për vuajtjet e tij.” Ajo që donin të thoshin ishte që Krishti tashmë i kishte blerë këta njerëz. Ata do t’i gjenin duke iu predikuar ungjillin pa dallim, përmes të cilit Fryma e Shenjtë do t’i thërriste pranë vetes.
E di që ky mision s’mund të dështojë për shkak se borxhi është paguar për secilin nga njerëzit e Perëndisë kudo në botë. Ato dele të humbura, siç i quajti Jezusi, të cilat janë të shpërndara nëpër botë do të vijnë në vathën e tij ndërsa Ati i thërret përmes predikimit të ungjillit.
3. Këtu rrezikohet lavdia e Perëndisë. Ka tekste të panumërt që flasin për këtë gjë. Më lejoni të zgjedh një. Romakëve 15:8-9, “Jezu Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të vërtetën e Perëndisë, për të vërtetuar premtimet e dhëna etërve, dhe i pranoi jo-hebrenjtë për mëshirë të vet, që ta lëvdojnë Perëndinë.” I gjithë qëllimi i Mishërimit ishte t’i sillte lavdi Atit përmes manifestimit të mëshirës së Tij tek kombet.
Në Porosinë e Madhe vihet në rrezik lavdia e Perëndisë. Në vitin 1983 në Kishën Baptiste Betlehem, unë dhe Tom Steller – bashkëpunëtori im për 17 vjet – u ballafaquam prej Perëndisë në mënyra të mrekullueshme. Tomin nuk e zinte gjumi në mes të natës, prandaj u çua, vendosi të dëgjonte një këngë nga Gjon Majkëll Talbot, u ul në divan, dhe e dëgjoi teologjinë tonë të përkthyer në mision. (Ne jemi një popull i orientuar drejt lavdisë së Perëndisë por ende nuk e kishim kuptuar misionin ashtu siç duhej.) Gjon Majkëll Talbot po këndonte për lavdinë e Perëndisë që mbushte tokën ashtu si ujërat mbulojnë detin, dhe Tomi kaloi një orë të tërë duke qarë. Në të njëjtën kohë Perëndia po lëvizte në mua dhe tek Noela që të pyesnim, “Çfarë mund të bëjmë për ta bërë këtë kishë një platformë dërgimi në mision?” Gjithçka zuri vendin e vet për të shkaktuar kështu një moment shpërthimi në jetën e kishës tonë dhe e gjithë kjo erdhi prej një pasioni për lavdinë e Perëndisë.
4. Perëndia është sovran. Perëndia është sovran! Para disa javësh, për shkak se po predikoj përgjatë Hebrenjve, arritëm tek kapitulli 6. Siç e dini ky është një tekst shumë i vështirë për faktin nëse këta njerëz janë të Krishterë apo jo kur largohen nga besimi. Në vargjet 1-3 ka një deklaratë të mahnitshme (kjo është thjesht një copëz e vogël e provave masive biblike pse unë jam Kalvinist!) aty thuhet, “Prandaj, duke e lënë fjalën e fillimit të Krishtit, le të synojmë përkryerjen… dhe këtë do ta bëjmë, në e lejoftë Perëndia.” Kur e pamë këtë gjë, mbi gjithë bashkësinë ra një heshtje e pabesueshme, për shkak se dëgjuam rrjedhojat, “Mos do të thuash që Perëndia nuk do ta lejojë një grup besimtarësh që të shkojnë drejt pjekurisë?”
Perëndia është sovran! Ai është sovran në kishën e tij, ai është sovran midis kombeve! Një dëshmi e kësaj është artikulli nga Krishterimi Sot (Christianity Today) që u botua vetëm disa javë më parë që tregonte sërish historinë e Xhim Eliot, Nejt Sejnt, Pit Fleming, Roxher Joderian dhe Ed MekKalli. Stiv Sejnt tregon historinë e babait të tij që u tejshpua prej Indianëve Auka të Ekuadorit. Ai e tregon historinë pasi ka mësuar detaje të reja intriguese në fisin Auka të cilët ishin përgjegjës për vrasjen kur ajo nuk duhej të kishte ndodhur, dhe mesa duket nuk do kishte ndodhur dhe s’mund të kishte ndodhur. Megjithatë ndodhi. Pasi kishte zbuluar intrigën ai shkroi këtë artikull.
Dëshiroj t’iu lexoj një fjali që më la pa mend. Ai thotë,
“Ndërsa vendasit më përshkruan kujtimet e tyre, e kuptova sa pabesueshmërisht e pazakontë ishte që ndodhi ajo vrasje e pesëfishtë në bregun e palmave. Kjo është një anomali të cilën s’mund ta shpjegoj dot përveçse me anë të ndërhyrjes hyjnore.”
“Tejshpimin e babait tim mund ta shpjegoj vetëm përmes ndërhyrjes hyjnore.” A e dëgjoni çfarë po thotë ky djalë? “Perëndia e vrau babain tim.” Ai e beson këtë gjë, edhe unë e besoj.
Sipas Zbulesës 6:11 kur shihni një copëz të dhomës së fronit dhe martirët që kanë derdhur gjakun e tyre për ungjillin që thonë, “Deri kur, o Zot, që je i Shenjtë dhe i Vërtetë, nuk gjykon dhe nuk merr hak për gjakun tonë nga ata që banojnë mbi dhe?” Përgjigja që morën ishte, “Dhe secilit prej tyre ju dha një petk i bardhë dhe ju thanë që të preheshin edhe për pak kohë, deri sa të plotësohej numri i bashkë shërbëtoreve të tyre dhe i vëllezërve të tyre që duhet të vriteshin posi ata.” Perëndia thotë, “Prehuni gjersa të plotësohet numri i martirëve që kam caktuar.” Ai ka një numër martirësh. Kur ky numër të plotësohet atëherë do të vijë fundi.
ÇMIMI ËSHTË VUAJTJA
Çmimi është vuajtja, dhe armiqësia kundër kishës nuk është duke u pakësuar. Ajo është duke u shtuar, në mënyrë të veçantë mes atyre grupeve që kanë nevojë për Ungjillin. Nuk ekziston më diçka e tillë si një vend i mbyllur. Ky është një koncept i huaj. Nuk gjen aspak mbështetje në Bibël dhe për apostullin Pal që e dorëzoi jetën e tij në çdo qytet që shkoi kjo do kishte qenë e pakonceptueshme. Prandaj, edhe në këtë dhomë ka martirë.
Nga ana statistikore është e lehtë të parashikohet. Një nga të Dielat e fundi kishim një fokus tek kisha e përndjekur dhe shumë prej jush u përfshitë. Kjo Bashkësi e Misionit Botëror u përfshi gjithashtu, dhe ju të gjithë patë video dhe dëgjuat histori nga vende si Sudani ku regjimi Islamik po i veçon, po i keqtrajton dhe po i bën të Krishterët të vdesin urie dhe çdo ditë ka rreth 500 martirë.
Lodhem shumë me njerëzit që vijnë dhe kërkojnë pozita stafi në kishën tonë, e cila gjendet në qendër të Miniapolis. Ne të gjithë jetojmë në zemër të qytetit dhe një prej pyetjeve të para që na bëjnë është, “A do jenë të sigurt fëmijët e mi?” Dëshiroj t’ju them, “A mund ta bësh këtë pyetje të dhjetën dhe jo të parën?” Thjesht jam lodhur duke dëgjuar këtë gjë. Jam lodhur me përparësitë Amerikane. Kush tha që fëmijët tuaj do të jenë të sigurt në thirrjen e Perëndisë?
Të Rinjtë Me Një Mision (YWAM -Youth With A Mission) është një grup radikalisht guximtar i cili më pëlqen shumë. Në 1 Shtator mora një mesazh prej tyre,
“Një qind e pesëdhjetë burra të armatosur me hanxharë rrethuan ndërtesat e Të Rinjve Me Një Mision në Indi. Kjo turmë ishte nxitur nga grupe të tjera fetare në përpjekje për t’i dëbuar që aty. Ndërsa turma po afrohej dikush në një moment kyç foli në mbrojtje të ekipit dhe kështu vendosën t’u jepnin 30 ditë kohë për t’u larguar. Ekipi ndjeu që nuk duhej të largohej dhe që shërbesa e tyre në qytet ishte duke u rrezikuar. Në një zonë që deri kohët e fundit ka qenë e paarritur kemi parë shumë fryt dhe ka potencial për më tepër. Kur ka shpërthyer dhuna në të shkuarën mes grupeve rivale fetare njerëzit kanë humbur edhe jetën. Ju lutemi, luteni për ta që të kenë urtësi.”
Kjo është saktësisht e kundërta e asaj që dëgjoj në Amerikë për shembull, ndërsa njerëzit vendosin se ku të jetojnë. Nuk i dëgjoj njerëzit të thonë, “Nuk dëshiroj të largohem, për shkak se këtu jam thirrur dhe këtu ka nevojë.” Ju lutem, a mund të bashkoheni me mua për të ndryshuar prioritetet ungjillore Amerikane? Duket sikur kjo gjë gjendet në thelb të kulturës tonë konsumatore, fakti që ne shkojmë drejt sigurisë, lehtësisë, rehatisë dhe i largohemi stresit, problemeve dhe rrezikut. Duhet të ndodhë krejt e kundërta! “Ai që do të vijë pas meje le ta marrë kryqin e vet dhe të vdesë!”
Thjesht nuk e kuptoj! Kjo tregon që përqafimi i një kulture konsumatore, lehtësie dhe rehatie po depërton kishën. Kështu krijohen shërbesa dhe kisha të vogla në të cilat bëhen gjëra të sigurta dhe të këndshme për njëri-tjetrin. Pastaj bëhen ekskursione të vogla dhe të sigurta për të shpëtuar disa të tjerë. Por themi, ne nuk do të jetojmë atje, nuk do qëndrojmë atje, kjo ndodh këtu në Amerikë dhe as që bëhet fjalë për Arabinë Saudite!
Para disa javësh isha në Amsterdam duke folur me një grup tjetër misionar të guximshëm të quajtur Frontiers, i cili udhëhiqet prej Greg Livingstone. Çfarë grupi i jashtëzakonshëm. Para meje ishin ulur pesëqind njerëz që rrezikojnë çdo ditë jetën e tyre mes popujve Myslimanë. Ishte e jashtëzakonshme t’i dëgjoja! Gjatë konferencës iu vinin mesazhe, dhe ata çoheshin dhe i lexonin, “Ju lutem lutuni për filanin. Ai dje u qëllua tri herë me thikë në gjoks dhe gjëja më e keqe është që kjo ndodhi në sy të fëmijëve të tij. Tani është në spital në gjendje kritike.” Pastaj thanë, “Ky tjetri është misionar në botën Myslimane, le të lutemi për të,” kështu shkonim në lutje. Ditën tjetër erdhi një mesazh tjetër, dhe kësaj here gjashtë vëllezër të Krishterë ishin arrestuar në Marok. “Le të lutemi për ta,” prandaj këtë gjë bëmë. Kështu ishte gjatë gjithë konferencës. Në fund të konferencës misionarët ishin gati të ktheheshin në fushën e misionit.
Mendoni që do të kthehem në Amerikë dhe të jem i njëjti person? A mendoni se do të dal para kishës time dhe t’u them, “Le të kemi një shërbesë të këndshme, të lehtë dhe të rehatshme. Le të jemi të sigurt dhe rehat.” Golgota nuk është një lagje e luksoze e Jerusalemit. “Le të dalim, pra, drejt tij jashtë fushës, duke bartur poshtërimin e tij.” (Hebrenjve 13:13).
VUAJTJA ËSHTË GJITHASHTU MJETI
Duke thënë që do të ketë martirë dhe duhet të ketë vuajtje nuk kam thënë ende gjënë kryesore për çmimin e përfundimit të punës. Kjo është për shkak se vuajtja është mjeti dhe jo vetëm çmimi. Vuajtja është mjeti.
Ja se çfarë kam në mendje. Po mendoj, do t’ju lexoj një varg që është shumë i rëndësishëm, Kolosianëve 1:24. Para disa vitesh kuptimi i këtij vargu më pushtoi. Do t’ju tregoj sesi e kuptova.
Pali thotë, “Dhe tani gëzohem për vuajtjet e mia.” Pali ishte një person shumë i çuditshëm. “Gëzohem për vuajtjet e mia,” shkon shumë kundër kulturës, nuk është aspak Amerikane, shkon shumë kundër natyrës njerëzore. “Dhe tani gëzohem për vuajtjet e mia të cilat po i heq për shkakun tuaj dhe po e plotësoj në mishin tim atë që u mungon mundimeve të Krishtit për trupin e vet [kjo është mbledhja e të zgjedhurve të Perëndisë], që është kisha.” Kjo i afrohet blasfemisë! Çfarë do të thotë Pali me frazën “po e plotësoj në mishin tim atë që u mungon” mundimeve të Shpëtimtarit dhe Perëndisë tonë të madh Jezu Krisht?
Ai nuk do të thotë që e përmirëson meritën dhe vlerën shlyese të gjakut të Jezusit. Pali nuk po thotë këtë gjë. Epo atëherë, çfarë do të thotë?
Hapa programin e Biblës në kompjuter dhe bëra një kërkim për fjalën Greqisht “plotësoj” si dhe fjalën që përkthehet “atë që u mungon” dhe gjeta vetëm një vend tjetër në Shkrim ku që të dyja këto fraza shfaqen së bashku. Ky është Filipianëve 2:30.
Situata është ajo kur Epafroditi u dërgua prej kishës së Filipisë tek Pali në Romë. Ai rrezikoi jetën e vet për të shkuar tek Pali dhe Pali e lavdëron për këtë gjë. Ai u thotë Filipianëve që duhet ta nderojnë një vëlla të tillë për shkak se ai ishte i sëmurë për vdekje dhe rrezikoi jetën e tij për të përmbushur zbrazëtitë e shërbesës së tyre ndaj tij. Ja tek është vargu kyç paralel:
“Sepse për veprën e Krishtit ai qe shumë afër vdekjes, duke e vënë në rrezik jetën e vet, për të përmbushur zbrazëtitë e shërbesës tuaj ndaj meje.”
Ky është i vetmi vend ku këto dy fjalë shfaqen bashkë: “për të përmbushur zbrazëtitë e shërbesës tuaj ndaj meje.” Hapa komentarin tim 100 vjeçar të Vincentit për Filipianët dhe lexova shpjegimin për atë varg për të cilin mendoj që është interpretimi i përsosur për Kolosianëve 1:24. Vincent thotë,
“Dhurata e Palit nga Filipianët ishte dhurata e kishës si një trup. Kjo ishte një ofertë sakrifikuese dashurie. Ajo që mungonte ishte prezantimi i kësaj oferte nga vetë kisha. Kjo ishte e pamundur, dhe thotë që Epafroditi është ai që e përmbushi këtë mungesë përmes shërbesës së tij të zellshme dhe me dashuri.”
Prandaj këtu kemi tablonë e një kishe që dëshiron të komunikojë dashuri në formën e një dhurate financiare në Romë por nuk mund ta bëjnë dot. Ka shumë prej tyre. Dhe Roma është shumë larg. Prandaj thonë, “Epafrodit na përfaqëso ne dhe plotëso atë që i mungon dashurisë tonë. Dashurisë tonë nuk i mungon asgjë përveç shprehjes së kësaj dashurie në person. Merre dhuratën dhe komunikoja këtë gjë Palit.”
Ky mendoj që është kuptimi i saktë i Kolosianëve 1:24. Jezusi vdiq dhe vuajti për popullin e tij nga çdo komb përreth botës. Pastaj ai u varros dhe sipas Shkrimeve u ringjall ditën e tretë. Pastaj ai u ngjit në qiell nga ku mbretëron mbi botën. Ai na ka lënë një punë për ta bërë.
Kuptimi që kishte Pali për misionin e tij është që kishte një gjë që u mungonte vuajtjeve të Jezusit. Oferta e dashurisë së Krishtit duhet prezantuar në person përmes misionarëve tek njerëzit për të cilët ai vdiq. Prandaj Pali thotë, “Këtë po bëj në vuajtjet e mia. Në vuajtjet e mia po përmbush atë që u mungon vuajtjeve të Krishtit.” Kjo do të thotë që Krishti ka për qëllim që Porosia e Madhe të jetë një prezantim para kombeve për vuatjet e kryqit të tij përmes vuajtjeve të popullit të tij. Kështu do të përfundohet misioni. Nëse i bashkoheni Porosisë së Madhe kjo është ajo që ju pret.
Afërsisht tre vjet më parë isha duke punuar me librin tim Le të Ngazëllojnë Kombet, prandaj shkova në Seminarin e Trinitetit në Dirfild të Illinoit. U fsheha për shkak se nuk doja që dikush ta dinte se isha atje, në mënyrë që të mos më pengonin. Gruaja ime dhe fëmijët ishin në shtëpi dhe unë po punoja 18 orë në ditë.
Pastaj dëgjova që J. Osvald Sanders do të ishte në kishë atë ditë. Një tetëdhjetë vjeçar. Veteran. Udhëheqës i madh misioni. Prandaj thashë me vete, “A të dal në publik dhe të rrezikoj biseda me shumë njerëz, dreka dhe darka dhe kështu të mos përfundoj gjë?” Por dëshiroja ta dëgjoja, prandaj u futa në fund të kishës dhe e dëgjova. Ky tetëdhjetë e nëntë vjeçar u çua dhe më pushtoi një admirim dhe dëshirë që të isha si ai kur të bëhesha tetëdhjetë e nëntë vjeç. Ai tregoi një histori që e ilustron shumë mirë Kolosianëve 1:24.
Ai tha, “një herë ishte një ungjilltar në Indi që udhëtonte përgjatë rrugëve në fshatra të ndryshëm për të predikuar ungjillin. Ai ishte një burrë i thjeshtë, i paarsimuar, e donte Jezusin me gjithë zemrën e tij dhe ishte gati të jepte edhe jetën e vet. Ai shkoi në një fshat që nuk e kishte dëgjuar ungjillin. Ishte pasdite vonë dhe ai ishte shumë i lodhur. Por gjithsesi hyri në fshat ngriti zërin dhe shpalli ungjillin me ata që ishin mbledhur në sheshin e fshatit. Ata e tallën, e përbuzën dhe e përzunë nga fshati. Ai ishte shumë i lodhur, nuk kishte më fuqi emocionale, prandaj u ul poshtë një peme, krejtësisht i dekurajuar. Shkoi të flinte duke mos e ditur nëse do të zgjohej. Me sa dinte ai ata mund ta vrisnin.
Papritur, pas perëndimit u tremb dhe u zgjua nga gjumi. I gjithë fshati dukej se e kishte rrethuar dhe po e shihte. Mendoi që i erdhi fundi. Filloi të dridhej, dhe një nga burrat trupmëdhenj të fshatit i tha, “Dolëm të shohim çfarë lloj burri je dhe kur pamë këmbët e tua të plasaritura e mësuam që je një burrë i shenjtë. Dëshirojmë të na tregosh pse i plasarite këmbët për të ardhur të na flasësh ne.” Ai u predikoi ungjillin dhe sipas J. Osvald Sanders i gjithë fshati besoi. Këtë do të thotë Pali me “në mundimet e mia po plotësoj atë që u mungon mundimeve të Jezusit.”
Kam edhe një gjë tjetër për të thënë për J. Osvald Sanders. Në moshën 89 vjeçare ai tha, “Qysh kur mbusha 70 vjet kam shkruar një libër çdo vit.” Tetëmbëdhjetë libra pas moshës 70 vjeçare! Në kishën time dhe përreth Amerikës ka njerëz që po heqin dorë nga jeta në moshën 65 vjeçare dhe po vdesin nëpër kurset e golfit në Nevada, kur në fakt duhet të jenë duke e dhënë jetën e tyre mes Myslimanëve ashtu si Rejmond Lall.
Rejmond Lall, studiues lindor për shekullin e 12 dhe misionar në vendet Myslimane, doli në pension dhe u kthye në Itali. Për një farë kohe dha mësim për gjuhët lindore por në fund hoqi dorë dhe tha, “Çfarë po bëj? Do të vdes këtu në Itali. Pse të mos vdes në Algjeri përtej Mesdheut?” Prandaj, duke e ditur që ky do të ishte çmimi që duhej të paguante për të predikuar në publik, duke qenë në të 80-tat i hipi anijes dhe kaloi Mesdheun. Për një farë kohe qëndroi në fshehtësi duke inkurajuar kishën dhe pastaj vendosi që ishte momenti i mirë. Kështu u çua dhe prediko, dhe njerëzit e vranë. Çfarë mënyre për t’u larguar nga kjo jetë!
Dëgjoni ju 60 vjeçarë, unë jam 50 vjeç dhe pothuaj kam arritur. Tani më vijnë letra nga OAPP (Organizata Amerikane e Personave në Pension), që po përpiqen të më futin në listat e tyre në mënyrë që të përfitoj ulje çmimesh në trena dhe aeroplanë. Pothuaj kam arritur në atë pikë, prandaj këtë po ia them edhe vetes (kisha më ka dëgjuar që e kam thënë këtë gjë dhe do të më kërkojnë llogari) që kur je i moshuar jo vetëm që nuk ke gjë për të humbur në martirizim, por përfiton edhe ulje çmimesh.
Pse mendojmë që pasi kemi punuar 40 apo 50 vjet duhet të luajmë për 15 vjet të tjerë para se të takojmë Mbretin? Këtë gjë nuk e kuptoj. Këto janë thjesht gënjeshtrat Amerikane. Jemi të fortë në moshën 65 vjeçare dhe në moshën 70 vjeçare. Babai im është 77 vjeç. E mbaj mend kur mu vra mamaja dhe ai pothuaj sa nuk vdiq në një aksident me autobus në Izrael. E prita pas dhjetë ditësh bashkë me trupin e nënës dhe udhëtuam me ambulancë nga Atlanta në Grinvill, ai ishte i shtrirë me shpinën e zbuluar pasi plagët ishin aq të këqija sa nuk mund t’i qepnin dot. Ai vazhdonte të thoshte, “Perëndia duhet të ketë një qëllim për mua, Perëndia duhet të ketë një qëllim për mua!”
Ja ku jemi 22 vjet më vonë dhe jeta e tij është mbushur me shërbesë! Ai është duke punuar më shumë se kurrë për kombet në moshën 77 vjeçare. Ai përgatit mësime nga Isli në Karolinën e Jugut ku përfshihen edhe disa kaseta. Ato dërgohen në pothuaj 60 kombe dhe rreth 10,000 njerëz besojnë në Jezusin çdo vit për shkak se Perëndia e kurseu babain tim dhe bëri që ai të mos besonte tek dalja në pension.
ÇMIMI ËSHTË PËRMBUSHËS
Ja dhe pika e fundit: Si mund të duash kështu? Ku mund ta gjeni këtë dashuri? A ndiheni gati për një gjë të tillë? A mendoni se jeni të aftë në veten tuaj ta duroni një gjë të tillë?
Lexoni librin e Stivën Nillit Historia e Misioneve të Krishtera. Në faqen 161 ai përshkruan çfarë ndodhi në Japoni kur ungjilli arriti atje në vitet 1500. Perandori nisi të besonte që ndërhyrja e besimit të Krishterë në sferën e tyre fetare ishte kërcënim aq i madh saqë duhej t’i jepte fund. Kështu i dha fund, me një brutalitet absolutisht të pabesueshëm! Kështu i erdhi fundi kishës në Japoni. Nuk kam pikë dyshimi që vështirësia dhe ngurtësia e sotme e Japonisë i dedikohet më së shumti atij triumfi masiv (edhe pse afatshkurtër) të djallit në fillim të viteve 1600.
Njëzetë e shtatë Jezuitë, pesëmbëdhjetë murgjër, dhe pesë klerikë laikë patëm mundësi t’i shpëtonin urdhrit të dëbimit. Në Prill të vitit 1617 ndodhën martirizimet e parë të Evropianëve, një prift Jezuit dhe një Françeskan u dënuan me prerje koke në Omura dhe pak më vonë u ekzekutuan në të njëjtën zonë një murg Dominikan dhe një Augustinian. Çdo lloj mizorie u provua mbi viktimat fatkeqe të përndjekjes. Kryqëzimi ishte metoda që zakonisht përdorej për të Krishterët Japonezë. Në një rast 70 Japonezë në Jedo u kryqëzuan kokëposhtë në një zonë me baticë dhe kur erdhi batica u mbytën.
Po qaja para 3 ditësh kur e lexova këtë gjë, për shkak se kam një imagjinatë mjaft të mirë për të imagjinuar përplasjet e ujit duke pasur gruan në një anë dhe vajzën gjashtëmbëdhjetë vjeçare në anën tjetër.
A jeni gati? Mendoni që e keni këtë aftësi? Nuk e keni. Nuk është e mundur që dikush të ketë këtë aftësi në vetvete. Ku do ta gjeni atëherë? Me këtë gjë dëshiroj ta mbyll.
Këtë aftësi do ta fitoni duke besuar premtimet e Perëndisë. Hebrenjve 10:32-34 është teksti im i preferuar për faktin se ku ta gjeni aftësinë për të jetuar kështu.
“Dhe tani sillni ndërmend ditët e mëparshme, në të cilat, pasi u ndriçuat, keni duruar një luftë të madhe vuajtjesh, herë duke u bërë objekt fyerjesh dhe mundimesh, herë duke u solidarizuar me ata që trajtoheshin në këtë mënyrë.”
Le të ndalojmë për pak që t’iu shpjegoj situatën ndërsa jua lexoj. Në ditët e hershme të kishës filloi përndjekja. Disa prej tyre vuajtën menjëherë dhe në mënyrë publike, dhe të tjerët patën dhembshuri për ta. Do ta shihni tek vargu që disa prej tyre u futën në burg dhe disa të tjerë shkuan t’i vizitonin. Prandaj ishin të detyruar të merrnin një vendim. Ata që ishin në burg në atë kohë ka të ngjarë që mbështeteshin tek të tjerët për ushqim, ujë dhe ndonjë kujdes tjetër fizik, por kjo do të thoshte që miqtë dhe fqinjët e tyre duhej të identifikoheshin me ta në mënyrë publike. Kjo është punë me rrezik kur dikush ka qenë në burg për shkak se janë të Krishterë. Prandaj ata që ishin ende të lirë u mblodhën në fshehtësi për disa orë dhe pyetën, “Çfarë do të bëjmë?” Dhe dikush tha, “Psalmi 63:3 thotë, ‘Me qenë se mirësia jote vlen më tepër se jeta, buzët e mia do të të lëvdojnë.’ Le të shkojmë!”
Nëse Martin Luteri do kishte qenë atje do kishte thënë,
Le të humbasin pasuritë dhe të afërmit,
le të humbasë madje dhe kjo jetë.
Trupin mund ta vrasin
Por e vërteta e Perëndisë qëndron.
Mbretëria e Tij është përgjithmonë.
Le të shkojmë!
Kjo është saktësisht ajo që bënë ata. Le të lexojmë pjesën tjetër. Vargu 34, “Sepse treguat dhembje për mua në prangat e mia dhe keni pranuar me gëzim t’ju zhveshin nga pasuria juaj.”
Ja pra se çfarë ndodhi. Nuk kërkohet shumë imagjinatë. Nuk i di të gjitha detajet me saktësi, por ja se çfarë ndodhi: Ata patën dhembshuri për të burgosurit, gjë e cila do të thotë që shkuan dhe i vizituan. Kështu pasuritë e tyre – kuajt, karrocat, shtëpia, mushkat, tavolinat e marangozit, karriget – gjithçkaje që kishin iu vu zjarri nga një turmë apo thjesht ua rrëmbyen dhe u hodhën në rrugë prej njerëzve me hanxharë në duar. Kur hodhën vështrimin pas të shihni se çfarë po ndodhte u ngazëlluan.
Nëse nuk jeni të tillë – kur dikush ua thyen kompjuterin ndërsa ju përpiqeni t’u shërbeni, ose shkoni në lagjet e varfra të qytetit për të shërbyer dhe ata ju thyejnë xhamat e makinës, ju vjedhin kasetofonin apo ju shpojnë gomat – nëse nuk jeni të tillë, nuk do të jeni një kandidat i mirë për martirizim. Prandaj pyetja është kjo, “Si do të jeni të tillë?” Unë dëshiroj të jem i tillë. Prandaj e dua këtë tekst. Dëshiroj të jem i tillë.
Nuk pretendoj të jem mishërimi i përsosur i kësaj gjëje; por dëshiroj të jem i tillë, në mënyrë që kur një tullë të më thyejë xhamin e kuzhinës ashtu si ka ndodhur dy herë gjatë muajve të fundit dhe gruaja me fëmijët u shtrinë përtokë duke mos e ditur nëse ishte plumb apo granatë, dua të jem në gjendje të them, “A nuk është kjo një lagje e jashtëzakonshme për të jetuar.” Këtu janë nevojat. I shihni ata 5 adoleshentë që kaluan tutje me biçikleta? Ata kanë nevojë për Jezusin. Nëse unë largohem nga kjo lagje kush do t’iu tregojë atyre për Jezusin?
Kur djalin tim të vogël e rrëzojnë nga biçikleta, ia marrin dhe vrapojnë, dëshiroj të jem në gjendje ta afroj dhe ndërsa ai qan t’i them “Barnaba, kështu është të jesh misionar. Është përgatitje për fushën e misionit! Kjo është madhështore!”
Para dy vitesh dhashë një mesazh nga Kolosianëve 1:24 në Pensakola të Floridës. Me vete kisha djalin tim 16 vjeçar Abrahamin dhe ai më dëgjoi teksa thashë shumë nga gjërat që thashë edhe këtu, këto gjëra të rënda rreth vuajtjes. I hipëm makinës për t’u kthyer në shtëpi dhe gruaja ime i tha Abrahamit, “Çfarë mendon se po bënte Perëndia atje?” Ai tha, “Jam gati të blej një biletë vajtje për një nga vendet më të vështira në botë.” Kaq tha. Mua mu duk sikur arrita tavanin. Uau! Kjo është madhështore! Faleminderit Zot për Abrahamin dhe për atë që je duke bërë në jetën e tij.
Nuk kam arritur ende tek pika kryesore e tekstit. Ku e gjetën këta besimtarë aftësinë për t’u ngazëlluar me plaçkitjen e pasurive të tyre dhe rrezikimin e jetës së tyre? Tani e kuptojmë, “duke ditur se keni për veten tuaj një pasuri më të mirë e të qëndrueshme në qiej.” Këtë unë e quaj besim në hirin e së ardhmes.
Nëse je i Krishterë, Perëndia po të ofron premtime të mrekullueshme dhe të papërshkrueshme. “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis”. Kështu mund të themi, me plot besim: ”Perëndia është ndihmuesi im dhe unë nuk do të kem frikë; ç’do të më bëjë njeriu?” (Hebrenjve 13:5-6). Në fakt, njerëzit mund t’iu vrasin. Por kjo nuk është humbje për shkak se e dini çfarë thotë Romakëve 8:36-39:
“Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si dele për therje”… Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.”
Prandaj në fund të fundit asgjë s’mund t’ju lëndojë. Mbani mend çfarë tha Jezusi tek Luka 21:12-19, “Disa prej jush do t’i vrasin… do t’ju futin në burg… Por as edhe një fije floku e kokës suaj nuk do t’ju humbasë.” “Disa prej jush do t’i vrasin… do t’ju futin në burg… Por as edhe një fije floku e kokës suaj nuk do t’ju humbasë.” Është njëlloj si tek Romakëve 8. Gjithçka përfshirë edhe vdekjen bashkëvepron për të mirën tuaj. Kur ju vdisni nuk humbisni. Vdekja është fitim!
Përmbushja e misionit kur vdekja është fitim është jeta më madhështore në botë.
Prandaj lutem që të bashkoheni me ne dhe të lini pas sigurinë, lehtësinë, rehatinë, tërheqjen dhe boshllëkun. Lërini pas dhe bashkojuni kësaj lëvizjeje jashtëzakonisht të fuqishme. Ka studentë në mbarë botës si në Korenë e Jugut që janë gati të çohen dhe të japin jetën e tyre për Krishtin. Ju ftoj që dhe ju të bëni të njëjtën gjë.
* Materiali i mësipërm është transkriptim i redaktuar i mesazhit audio.
© Desiring God
Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim nga leja e mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.
By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org