Predikimi i begatisë: Mashtrues dhe Vdekjeprurës

14 Shkurt 2007, prej John Piper

Kur lexoj për kishat që predikojnë begatinë reagimi im është ky: “Nëse nuk do të isha pjesë e Krishterimit, nuk do ta dëshiroja një gjë të tillë.” Me fjalë të tjera, nëse ky është mesazhi i Jezusit, jo faleminderit.

Joshja e njerëzve drejt Krishtit për t’u bërë të pasur është diçka mashtruese dhe vdekjeprurëse. Është mashtruese për shkak se kur vetë Jezusi na thirri tha gjëra të tilla, “Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im.” (Luka 14:33). Është vdekjeprurëse për shkak se dëshira për pasuri “i plandos njerëzit në rrënim dhe shkatërrim.” (1 Timoteu 6:9). Ja cili është përgjërimi im ndaj predikuesve të ungjillit.

1. Mos zhvilloni një filozofi shërbese që e bën të vështirë për njerëzit të hyjnë në qiell.

Atëherë Jezusi, mbasi e hodhi vështrimin përreth, u tha dishepujve të vet: ”Sa vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!”. Dishepujt u habitën shumë nga këto fjalë të tij. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha atyre: ”O bij, sa e vështirë është që të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që mbështeten te pasuria. Është më e lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e një gjilpëre, se sa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë”. Dhe ata u çuditën edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: ”Atëherë kush vallë mund të shpëtohet?”. Por Jezusi, duke i ngulur sytë mbi ta, u tha: ”Kjo për njerëzit është e pamundur, por jo për Perëndinë, sepse gjithçka është e mundur për Perëndinë”. (Marku 10:23-27).

Pyetja që kam për predikuesit e begatisë është: Pse të zhvilloni një fokus shërbese që e bën të vështirë që njerëzit të hyjnë në qiell?

2. Mos zhvilloni një filozofi shërbese që ndez dëshira vrastare tek njerëzit.

Pali tha, “Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka. Sepse ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete; por, kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq. Por ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim.” (1 Timoteu 6:6-10).

Pyetja që kam për predikuesit e begatisë është kjo: Pse të zhvilloni një shërbesë që i inkurajon njerëzit ta mundojnë veten e tyre me shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme që i zhytin në rrënim dhe shkatërrim?

3. Mos zhvilloni një filozofi shërbese që inkurajon rrezikun e tenjës dhe ndryshkut.

Jezusi na paralajmëron kundër përpjekjes për të grumbulluar thesare mbi tokë. Ai na thotë të jemi dhurues, dhe jo grumbullues. “Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku, dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin,përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin.” (Mateu 6:19-20).

Po, ne të gjithë ruajmë diçka. Por për shkak të prirjes drejt lakmisë tek të gjithë ne, pse ta largojmë fokusin nga Jezusi dhe ta kthejmë kokëposhtë?

4. Mos zhvilloni një filozofi shërbese që e bën punën e madhe mjet për të grumbulluar pasuri.

Pali tha që nuk duhet të vjedhim. Alternativa ishte puna e madhe me duart tona. Por qëllimi kryesor nuk ishte thjesht që të grumbullojmë edhe më tepër pasuri për vete. Qëllimi ishte “që të kemi për të dhuruar.” “Ai që vidhte, le të mos vjedhë më, por më tepër të mundohet duke bërë ndonjë punë të mirë me duart e veta, që të ketë t’i japë diçka atij që ka nevojë.” (Efesianëve 4:28). Ky nuk është justifikim për të qenë i pasur në mënyrë që të japim. Është një thirrje për të fituar më tepër dhe për të mbajtur më pak, në mënyrë që të jepni më shumë. Nuk ka arsye që një person që fiton 200,000 $ në vit të jetojë ndryshe nga një person që fiton 80,000 $. Gjej një stil jetese si në kohë lufte; mbulo shpenzimet dhe të tjerat dhuroji.

Pse t’i inkurajoni njerëzit të mendojnë që duhet të zotërojnë pasuri në mënyrë që të jenë dhurues bujarë? Pse të mos i inkurajoni të ruajnë një jetë më të thjeshtë dhe kështu të jenë një dhurues edhe më bujar? A nuk do t’i shtonte kjo gjë bujarisë së tyre një dëshmi të fortë që Krishti dhe jo zotërimet janë thesari i tyre?

5. Mos zhvilloni një filozofi shërbese që premton më pak besim në premtimet që Perëndia është për ne çfarë paraja nuk mund të jetë.

Arsyeja pse shkrimtari i Hebrenjve na thotë të jemi të kënaqur me atë që kemi është që e kundërta nënkupton më pak besim në premtimet e Perëndisë. Ai thotë, “Sjellja juaj të jetë pa lakmi paraje dhe kënaquni me atë që keni, sepse vetë Perëndia ka thënë: ”Nuk do të të lë, nuk do të të braktis”. Kështu mund të themi, me plot besim: ”Perëndia është ndihmuesi im dhe unë nuk do të kem frikë; ç’do të më bëjë njeriu?”. (Hebrenjve 13:5-6).

Nëse Bibla na thotë që të qënurit i kënaqur me atë që kemi i nderon premtimet e Perëndisë që nuk do të na braktisë kurrë, pse t’u mësojmë njerëzve që të dëshirojnë të pasurohen?

6. Mos zhvilloni një filozofi shërbese që kontribuon në mbytjen e njerëzve për vdekje.

Jezusi na paralajmëron që fjala e Perëndisë, e cila ka për qëllim të na japë jetë mund ta humbasë efektivitetin e vet për shkak të pasurive. Ai thotë që është si puna e farës që rritet mes ferrave të cilat ia marrin frymën: “Pjesa që ka rënë ndër ferra janë ata që e dëgjuan fjalën; por, gjatë rrugës, ua zënë frymën shqetësimet, pasuritë dhe kënaqësitë e kësaj jete, dhe nuk arrijnë të piqen.” (Luka 8:14).

Pse t’i inkurajojmë njerëzit të kërkojnë atë gjë për të cilën Jezusi na paralajmëron që do të na zërë frymën?

7. Mos zhvilloni një filozofi shërbese që ia heq shijen kripës dhe e fut dritën nën babunë.

Çfarë kanë të Krishterët që i bën të jenë kripa e tokës dhe drita e botës? Nuk është pasuria. Dëshira për pasuri dhe kërkimi i saj shijon dhe duket njëlloj si bota. Nuk i ofron botës ndonjë gjë ndryshe nga ajo tek e cila tashmë bota beson. Tragjedia e madhe e predikimit të begatisë është që një person nuk ka pse të ndihet i parehatshëm nga ana frymërore në mënyrë që ta përqafojë këtë mesazh; e vetmja gjë që ka nevojë është që të jetë lakmitar. Të pasurohesh në emrin e Jezusit nuk është kripa e tokës apo drita e botës. Tek ky mesazh bota thjesht sheh reflektimin e vet. Nëse funksionon, do ta pranojnë.

Konteksti i thënies së Jezusit na tregon se çfarë janë kripa dhe drita. Ato janë gatishmëria e gëzueshme për të vuajtur për Krishtin. Ja se çfarë tha Jezusi, “Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush”. ”Ju jeni kripa e tokës… Ju jeni drita e botës…” (Mateu 5:11-14).

Ajo që do ta bëjë botën të shijojë (kripën) dhe të shohë (dritën) e Krishtit në ne nuk është që ta duam pasurinë ashtu siç e do dhe bota. Përkundrazi, ka për të qenë gatishmëria dhe aftësia e të krishterëve për t’i dashur të tjerët përmes vuajtjes, ndërsa ngazëllojnë për shkak se shpërblimi i ynë është në qiell me Jezusin. Kjo është e pashpjegueshme nga ana njerëzore. Kjo është e mbinatyrshme. Por tërheqja e njerëzve me premtime begatie është thjesht e natyrshme. Ky nuk është mesazhi i Jezusit. Nuk është ajo për të cilën Jezusi vdiq.

Read it in English

© Desiring God

Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim nga leja e mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.

By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*