Profesori i Lumtur
Zakaria Ursini
1534–1583
nga Tomas Kid
Hyrja e Katekizmit të Hajdelbergut (1563) bën një prej afirmimeve më të qarta të besimit në mbarë historinë e krishterimit:
Pyetja: Cila është shpresa jonë e vetme në jetë dhe vdekje?
Përgjigja: Nuk i përkas më vetes por me mish e me shpirt, në jetë dhe në vdekje, i përkas Perëndisë dhe Shpëtimtarit tim besnik Jezu Krisht!
Katekizmi i Hajdelbergut ishte produkti i një ekipi autorësh që u autorizuan prej princit gjerman Frederiku III, një princ i devotshëm protestant gjatë dekadave të para të reformimit gjerman. Kryesori në mes autorëve të katekizmit ishte profesori i Universitetit të Hajdelbergut, Zakaria Ursini.
Reformatori i përulur
Ursini ishte studenti i Filip Melanktonit, njërit prej dishepujve kryesorë të reformatorit gjerman Marin Luterit. Luteri vdiq në vitin 1546. Duke qenë djalë i ri në vitet ’50 të Shek. XVI Ursinus udhëtoi përmes shumë prej qyteteve kryesore të reformimit evropian, ku u takua me Gjon Kalvinin në Gjenevë dhe me shumë udhëheqës të tjerë kyç të reformimit.
Gjatë kësaj periudhe, reformatorët gjermanë ishin shumë të ndarë rreth çështjes teologjike lidhur me natyrën e saktë të Darkës së Zotit. Kur e thirrën Ursinin e përulur që të bëhej profesor në Hajdelberg në vitin 1561 ai u tha kolegëve: “Sikur të mbetesha i fshehur në një qoshe!” Mirëpo, Perëndia po e thërriste Urisinin në Hajdelberg për të ndihmuar në konsolidimin e trashëgimisë së Reformimit.
Ngushëlluesi i Hajdelbergut
Katekizmi i Hajdelbergut u botua në mënyrë anonime, por shumica e studiuesve sot ia atribuojnë Ursinit rolin kryesor në shkrimin e kësaj vepre teologjike. Theksi që vihej në doktrinën kalviniste e bëri këtë katekizëm të ishte një prej katekizmave me ndikim më të gjerë që na kanë mbërritur nga epoka e Reformimit.
Shumë shpejt Katekizmi i Hajdelbergut u përkthye në disa gjuhë, përfshirë këtu edhe në anglisht në vitin 1572. Këtë katekizëm do ta tejkalonte për nga fama në botën anglisht-folëse vetëm prej Rrëfimit të Besimit të Uestminsterit, i cili u hartua në Angli gjatë Shek. XVII. Një prej arsyeve se përse Katekizmi i Hajdelbergut ishte kaq i suksesshëm kishte të bënte me faktin që përdorte një gjuhë përbashkuese rreth çështjeve të debatuara, të tilla si Darka e Zotit. Ursinusi nuk dëshironte që ndasitë mes Protestantëve të thelloheshin më tej.
Megjithatë, në përputhje me bindjet kalviniste të Ursinit, katekizmi përshkruan një tablo të zymtë sa i përket gjendjes së njerëzimit pa Krishtin. Në pyetje-përgjigjen 5 të katekizmit, Ursinus na thotë (duke u bazuar në një sërë referencash mbështetëse biblike) që ne jemi “të prirë prej natyre” për ta urryer Perëndinë dhe të afërmit tanë. Pyetje-përgjigja 8 pyet nëse jemi “aq të prishur sa të jemi të paaftë për ndonjë gjë të mirë”. Ursini përgjigjet dhe thotë po, jemi aq të prishur, dhe e vetmja rrugëdalje prej kësaj situate është “ripërtëritja prej Frymës së Perëndisë”.
Përkundrazi, një jetë e shpenguar prej Perëndisë është një jetë shenjtërie, kënaqësie dhe gëzimi të patregueshëm në përjetësi. Ngushëllimi që gjendet në pyetjen e parë vjen prej të kuptuarit të thellësisë dhe madhësisë të mëkatit tonë, çlirimit të madh që sjell Krishti nga “mjerimi” dhe zemërimi i cili qëndron mbi ne si shpata e Damokleut për shkak të mëkatit, si dhe mirënjohjen e thellë ndaj Perëndisë që rreth prej njohjes dhe pranimit të çlirimit tonë. Ursini shpjegon që “natyra jonë e re” në Krishtin është një “gëzim zemre në Perëndinë përmes Krishtit, një dashuri dhe kënaqësi për të jetuar sipas vullnetit të Perëndisë në vepra të mira”. Për Ursinin gëzimi për shkak të shpengimit tonë është themeli i një jete të shenjtë.
Trashëgimia e gëzimit
Pavarësisht përpjekjeve të Ursinit për t’i bashkuar grupet kundërvënëse të protestantëve, pasuesi i Frederikut III e hoqi atë bashkë me disa profesorë të tjerë kalvinistë nga fakulteti i Hajdelbergut në vitet 1570. Ursini gjeti më pas punë në një akademi të reformuar që gjendej jo shumë larg Hajdelbergut. Ai vdiq në vitin 1583 në moshën 48-vjeçare.
Përmes Katekizmit të Hajdelbergut, si dhe përmes leksioneve të shumta që botoi në mbrojtje të teologjisë së shprehur tek katekizmi, Ursini la pas një pasuri të madhe materialesh biblike për ndërtimin e brezave të ardhshëm të besimtarëve. Mësimet e Ursinit ende ngjallin shumë gëzim e hare edhe sot, pikërisht për shkak të punës së madhe që Perëndia kreu përmes tij dhe gjithë aradheve të reformatorëve të tjerë.
Original Article from DesiringGod.org
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!