Pse duhet që Shpengimtari të jetë vërtet Perëndi?
Pyetja 23
Pse duhet që Shpengimtari të jetë vërtet Perëndi?
Në mënyrë që përmes natyrës së tij hyjnore bindja dhe vuajtja e tij të ishin të përsosura dhe të efektshme; gjithashtu që ai të ishte në gjendje të mbartte zemërimin e drejtë të Perëndisë kundër mëkatit e megjithatë ta mundte vdekjen.
Por Perëndia e ka ringjallur, pasi e zgjidhi nga ankthet e vdekjes, sepse nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante atë.
Veprat 2:24
Komentim
Askush të mos vajtojë për paudhësitë e veta sepse falja shkëlqeu prej varrit. Askush të mos i trembet vdekjes për shkak se vdekja e Shpëtimtarit na ka çliruar. Ashtu si u mbajt rob i vdekjes, në të njëjtën mënyrë Ai e ka shfarosurr vdekjen. Ai e robëroi Ferrin. Ai e tërboi Ferrin kur ky i fundit shijoi mishin e tij. Duke e parathënë këtë gjë Isaia klithi: ai tha, Ferri u tërbua kur u përball me ty… U tërbua për shkak se u shfuqizua. U tërbua për shkak se u përbuz. U tërbua për shkak se u vra. U tërbua për shkak se u lidh me zinxhirë. Rrëmbeu një trup dhe u takua ballë për ballë me Perëndinë. Mori tokën dhe u përball me Qiellin. Mori atë që ishte e dukshme dhe u ballafaqua me të padukshmen. O Vdekje ku është gjëmbi yt? O Ferr ku është fitorja jote? Krishti është ringjallur dhe ti je shkelur me këmbë. Krishti është ringjallur dhe demonët kanë rënë. Krishti është ringjallur dhe Engjëjt ngazëllojnë. Krishti është ringjallur dhe jeta mbretëron.
Gjon Gojarti (John Chrysostom, 347–407). Gjon Gojarti lindi në Antioki dhe ishte Kryepeshkopi i Kostandinopojës. Atij iu dha titulli “Gojarti” për shkak të predikimit të tij të zhdërvjelltë. Ai njihet nga Kisha Ortodokse dhe ajo Katolike si shenjtor dhe Doktor i Kishës. Gojarti njihet për Liturgjinë e tij Hyjnore të Shën Gjon Gojartit. Veprat e tij voluminoze të predikimit përfshijnë 67 predikime për Zanafillën, 90 për Ungjillin sipas Mateut dhe 88 për Ungjillin sipas Gjonit.
Lutje
Nuk mund të bëj asgjë më tepër sesa të lutem për ju. Lutem që Perëndia t’ju mëshirojë, të kujdeset për ju dhe t’ju sigurojë mjetet më të mira për të mirën e shpirtit tuaj; që vetë Perëndia të bëhet garant për ju, të jetë Ati juaj qiellor dhe Shpengimtari i fuqishëm i shpirtit tuaj të pavdekshëm. Mos neglizhoni lutjen për veten tuaj. Lutjuni vazhdimisht Perëndisë në fshehtësi dhe shpesh kujtoni atë ditë të madhe kur do të dilni para fronit të gjykimit të Krishtit.
Xhonatan Eduards (Jonathan Edwards, 1703–1758). Predikues Amerikan i epokës koloniale, teolog dhe filozof. Eduards u bë pastor i kishës së tij në Northampton, Masaçusets në vitin 1726. Ai është bërë i famshëm për predikimin e tij “Mëkatarë në duart e një Perëndie të zemëruar” si dhe për librat e tij Qëllimi për të Cilin Perëndia e Krijoi Botën dhe Trajtim i Ndjenjave Fetare. Eduards vdiq nga vaksinimi kundër lisë pak pasi kishte marrë presidencën e Kolegjit të Nju Xhersit (që më vonë u bë Universiteti Princton).
New City Catechism was adapted by Timothy Keller and Sam Shammas from the Reformation catechisms. Copyright © 2012 by Redeemer Presbyterian Church.