Ai i krijoi mashkull dhe femër simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë!

14 Maj 1989 | prej Xhon Pajpër

Zanafilla 1:26-28

Pastaj Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe”. Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën. Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: “Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë”.

Këtë mëngjes dëshiroj të mendojmë së bashku për tri gjëra që na mësohen në këtë tekst. E para është që Perëndia krijoi qënie njerëzore. E dyta që Perëndia na krijoi simbas shëmbëlltyrës së tij. E treta që Perëndia na krijoi mashkull dhe femër.

Është e mundur t’i besojmë këto të vërteta dhe të mos jemi të krishterë. Në fund të fundit të gjitha këto na mësohen këtu në Shkrimet e Judenjve. Prandaj një Jude i mirë që e beson Shkrimin i pranon këto të vërteta. Por edhe pse mund t’i besoni këto tri të vërteta dhe të mos jeni i krishterë, që të trija këto na tregojnë drejt Krishterimit. Ato të gjitha kërkojnë me domosdoshmëri plotësimin që vjen me veprën e Krishtit. Për këtë dëshiroj të flas, në mënyrë të veçantë përsa i përket pikës së tretë – që ne jemi krijuar simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë si mashkull dhe femër.

1. Perëndia krijoi qënie njerëzore.

Le të shohim këtë të vërtetë të parë: qëniet njerëzore janë krijuar prej Perëndisë. Mendoj që kjo kërkon një shpjegim. PSE na krijoi? Kur bëni diçka keni një arsye pse e bëni. A na jep bota siç e njohim një përgjigje të kënaqshme për këtë pyetje? Dhiata e Vjetër flet sesi njeriu duhej ta nënshtronte botën. Na tregon që njeriu ishtë krijuar për të shfaqur lavdinë e Perëndisë (Isaia 43:7). Ajo flet për tokën që do të mbushet me njohjen dhe lavdinë e Zotit.

Por çfarë shohim në realitet? Shohim një botë të rebeluar kundër Krijuesit. Shohim sesi Shkrimet e Judenjve që përfundojnë me historinë e krijimit të papërfunduar dhe me pritjen e shpresës së lavdisë. Prandaj thjesht të besosh që Perëndia krijoi qënie njerëzor ashtu si na mësojnë Shkrimet e Judenjve kërkon që të tregohet edhe pjesa tjetër e historisë, domethënë ajo e Krishterimit. Vetëm në Krishtin mund të arrihet qëllimi i krijimit.

2. Perëndia na krijoi simbas shëmbëlltyrës së tij

Merrni për shembull të vërtetën e dytë. Perëndia na krijoi simbas shëmbëlltyrës së tij. Sigurisht që kjo duhet të ketë të bëjë me faktin pse jemi këtu. Qëllimi i tij pse na krijoi duhet të ketë një lidhje të mrekullueshme me faktin që nuk jemi bretkosa, hardhuca, zogj dhe as majmunë. Ne jemi qënie njerëzore të krijuar simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Vetëm ne jemi të tillë dhe asnjë kafshë. Por sa shumë e kemi shkatërruar këtë dinjitet të mahnitshëm. A jemi si Perëndia? Jemi dhe nuk jemi!

Po, jemi si Perëndia, edhe kur jemi mëkatarë dhe jobesimtarë ka një ngjashmëri. Këtë e dimë për shkak se tek Zanafilla 9:6 Perëndia i thotë Noeut, “Cilido që derdh gjakun e një njeriu, gjaku i tij do të derdhet nga një njeri, sepse Perëndia e ka krijuar njeriun simbas shëmbëlltyrës së tij.” Me fjalë të tjera, edhe në një botë ku mëkati tepëron (si në rastin e vrasjes) qëniet njerëzore janë ende në shëmbëllimin e Perëndisë. Ata nuk mund t’i vrasim si minjtë apo mushkonjat. Ti rrezikon jetën tënde nëse vret një qënie njerëzore. (Shihni Jakobi 3:9).

Por a jemi ne shëmbëlltyra që Perëndia na krijoi të jemi? A nuk është përbaltur shëmbëlltyra me raste aq sa po thuaj nuk dallohet? A ndjeni se jeni si Perëndia në mënyrën që duhet të jeni? Prandaj sërish edhe këtu besimi që u krijuam simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë kërkon një shpjegim – në këtë rast kërkon një shpengim, një transformim, një lloj rikrijimi. Kjo është ekzaktësisht ajo që sjell Krishterimi. “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush. Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira… vishuni me njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës.” (Efesianëve 2:8-10, 4:24). Perëndia na krijoi simbas shëmbëlltyrës së tij, por ne e kemi njollosur atë aq sa nuk dallohet dhe Jezusi është zgjidhja e këtij problemi. Ai vjen nëpërmjet besimit, ai na fal, na pastron dhe nis projektin e ripërtëritjes që quhet shenjtërim i cili ka për të përfunduar në lavdinë që Perëndia kishte në mendje për qëniet njerëzore qysh nga fillimi. Prandaj, meqë e dimë që u krijuam simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë, mëkati dhe prishja jonë kërkojnë një zgjidhje. Jezusi është zgjidhja.

3. Perëndia na krijoi mashkull dhe femër

E vërteta e tretë në këto vargje është që Perëndia na krijoi mashkull dhe femër. Edhe kjo na tregon drejt Krishterimit dhe kërkon plotësimin e vet në Krishtin. Në çfarë mënyre? Të paktë në dy mënyra. Njëra vjen përmes misterit të martesës. Tjetra përmes shëmtisë historike të marrëdhënieve mashkull-femër të zhytra në mëkat.

Misteri i martesës

Le të flasim për misterin e martesës. Tek Zanafilla 2:24, menjëherë pas tregimit sesi u krijua gruaja, Moisiu (shkrimtari i Zanafillës) thotë, “Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm.” Kur apostulli Pal e citon këtë varg tek Efesianëve 5:31 thotë, “Ky mister është i madh; tani unë e them në lidhjen me Krishtin dhe me kishën.” Me këtë të dhënë prej tij, Pali vazhdon të shpalosë misterin e martesës: ajo është një simbol për dashurinë e Krishtit për kishën që prezantohet në kryesinë e dashur të bashkëshortit për bashkëshorten e tij; gjithashtu një simbol i nënshtrimit të gëzuar të kishës ndaj Krishtit gjë e cila prezantohet në marrëdhënien e gruas me burrin e saj.

Pali e quan vargun nga Zanafilla 2:24 një “mister” për shkak se Perëndia nuk i zbuloi qartë të gjitha qëllimet e tij për martesën e mashkullit me femrën tek Zanafilla. Ato ishin tregues në Dhiatën e Vjetër që martesa ishte si marrëdhënia mes Perëndisë dhe popullit të tij. Por vetëm kur Krishti erdhi ky mister i martesës u shpjegua me hollësi. Martesa ka për qëllim të jetë një portret i besëlidhjes së Krishtit me popullin e tij, portret i përkushtimit të tij ndaj kishës.

A e shihni pra sesi Perëndia e krijoi njeriun mashkull dhe femër dhe pastaj caktoi martesën si marrëdhënia në të cilën mashkulli lë nënën dhe babait dhe bashkohet me gruan e tij në një përkushtim besëlidhjeje, a e dalloni sesi ky veprim krijimi dhe dekreti i martesës kërkojnë zbulesën e Krishtit dhe kishës së tij. Ato kërkojnë Krishterimin si zbulesa e këtij misteri.

Ky është një mendim i panjohur për shumë njerëz, madje për shumë të krishterë, për shkak se martesa është institucion i krishterë dhe laik në të njëjtën kohë. Martesën e gjeni në të gjitha kulturat jo vetëm në ato të krishtera. Prandaj nuk priremi që t’i shohim të gjitha martesat jo të krishtera si simbole misterioze të marrdhënies së Krishtit me kishën. Por në fakt janë të tilla, madje dhe vetë ekzistenca jonë si mashkull dhe femër në martesë kërkon që Krishti ta bëjë veten të njohur në marrëdhënien e tij me kishën. Krishterimi e plotëson kuptimin tonë për besëlidhjen e martesës.

Më lejoni t’iu pikturoj një tabllo në mënyrë që t’iu jap një ide për të cilën mund të mos keni menduar më parë. Krishti do të vijë sërish në këtë tokë. Ashtu si e patë të largohet, ai do të vijë sërish, u thanë engjëjt apostujve. Prandaj imagjinojeni pak atë ditë bashkë me mua. Qiejt do të hapen dhe do të bjerë trumbeta, Biri i Njeriut do të shfaqet mbi re me pushtet dhe lavdi të madhe bashkë me dhjetëra mijëra engjëj që do të shkëlqejnë si dielli. Ai do t’i dërgojë të mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër anët e dheut dhe do ringjallë prej së vdekuri ata që kanë vdekur në Krishtin. Ai do t’iu japë trupa të rinj dhe të përlëvduar ashtu si trupi i tij, dhe do të na transformojë ne të tjerët sa hap e mbyll sytë për të qenë të përshtatshëm për në lavdi.

Përgatitja e nuses së Krishtit (kishës) përgjatë epokave më në fund do ketë përfunduar dhe ai do e marë për dore dhe ta çojë në sofrën e gostisë së tij. Gostia e dasmës së Qengjit ka ardhur. Ai qëndron në krye të sofrës dhe një qetësi e madhe bie mes milionave të shenjtorëve. Ai thotë, “Ky të dashurit e mi ishte kuptimi i martesës. Drejt kësaj tregonte gjithçka. Kjo është arsyeja pse ju krijova mashkull dhe femër dhe caktova besëlidhjen e martesës. Prandaj tani e tutje nuk do ketë më martesë pasi realiteti përfundimtar ka ardhur dhe hijet mund të shkojnë tej” (shihni Marku 12:25; Luka 20:34-36).

Mbani mend çfarë jemi duke bërë: po përpiqemi të shohim që e vërteta e tretë që Perëndia na krijoi simbas shëmbëlltyrës së tij mashkull dhe femër tregon drejt Krishterimit si përmbushja e saj. Ju thashë që këtë gjë e bën në dy mënyra. Mënyra e parë ishte misteri i martesës. Krijimi i qënieve njerëzore si mashkull dhe femër na siguron kornizën e nevojshme në krijim për besëlidhjen e martesës. Nuk mund të kesh martesë pa mashkull dhe femër. Dhe kuptimi i martesës nuk njihet në thelbin dhe plotësinë e vet derisa ta shohim si një shëmbëlltyrë të marrëdhënies së Krishtit me kishën.

Prandaj krijimi si mashkull dhe femër tregon për martesën dhe martesa tregon për Krishtin dhe kishën. Besimi që Perëndia na krijoi simbas shëmbëlltyrës së tij, mashkull dhe femër nuk është i plotë pa Krishterimin – pa Krishtin dhe veprën e tij shpëtuese për kishën.

Shëmtia historike e marrëdhënieve mashkull-femër

Ju thashë që ka një mënyrë tjetër sesi krijimi i mashkullit dhe femrës simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë na tregon drejt Krishterimit si përmbushja e nevojshme, domethënë përmes shtrembërimit të saj në shëmtinë historike të marrdhënieve mashkull-femër. Më lejoni t’jua shpjegoj.

Kur mëkati hyri në botë, efekti në marrdhënien tonë mashkull-femër ishte shkatërrimtar. Perëndia shkoi tek Adami pasi kishte ngrënë nga fryti i ndaluar dhe e pyeti çfarë kishte ndodhur. Adami i thotë tek Zanafilla 3:12, “Gruaja që ti më vure pranë më dha nga pema dhe unë e hëngra.” Me fjalë të tjera fajin e ka ajo (apo Ti që ma dhe!), prandaj nëse duhet të vdesë dikush për ngrënien e frytit, më mirë të vdesë ajo!

Këtu shohim zanafillën e gjithë dhunës familjare, abuzimit të grave, përdhunimit, shthurjeve seksuale, dhe të gjitha mënyrat e përçmimit të gruas të cilën Perëndia e krijoi simbas shëmbëlltyrës së tij.

Tek Zanafilla 3:16 shpallet një mallkim mbi burrin dhe gruan ku thuhet: Gruas i tha: “Unë do të shumëzoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty” Me fjalë të tjera, rezultati i mëkatit dhe mallkimi i epokës tonë është konflikti mes gjinive. Ky varg nuk është një përshkrim i mënyrës sesi duhet të jenë gjërat. Ky është një përshkrim i mënyrës së mallkuar sesi do të jenë gjërat ndërsa mbretëron mëkati. Burra dominues dhe gra dinake. Ky nuk është kuptimi i faktit që mashkulli dhe femra janë krijuar simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Kjo është shëmtia e mëkatit.

Pyetja shtrohet, si na tregon kjo shëmti drejt Krishterimit? Ajo tregon drejt Krishterimit për shkak se kërkon shërimin që Krishterimi sjell në marrëdhëniet mes burrave dhe grave. Nëse Perëndia na krijoi simbas shëmbëlltyrës së tij SI MASHKULL DHE FEMËR, kjo nënkupton barazi personash, barazi dinjiteti, respekt reciprok, harmoni, komplementaritet, një fat të përbashkët. Por ku e shohim të gjithë këtë në historinë e botës? Kjo gjendet në shërimin që sjell Jezusi.

Dy vëzhgime për shërimin që sjell Jezusi

Ka shumë për të thënë por më lejoni të përend vetëm dy gjëra.

3.1. Fati i të qenurit të krijuar mashkull dhe femër

Së pari, Pjetri thotë tek 1 Pjetri 3:7, që bashkëshorti dhe bashkëshortja e krishterë janë “bashkëtrashëgimtarë të hirit të jetës.” Çfarë do të thotë kjo gjë? Do të thotë që në Krishtin burrat dhe gratë rifitojnë atë që nënkuptohet në të qenurit të krijuar mashkull dhe femër simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Do të thotë që së bashku si mashkull dhe femër ata duhet të reflektojnë lavdinë e Perëndisë dhe së bashku si bashkëtrashëgimtarë do të trashëgojnë lavdinë e Perëndisë.

Krijimi si mashkull dhe femër simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë (kur e shihni përkrah mëkatit) kërkon plotësimin e shërimit që vjen me punën transformuese të Krishtit dhe trashëgiminë që ai bleu për mëkatarët. Krishti e ripërtërin nga mëkati realitetin që mashkulli dhe femra janë bashkëtrashëgimtarë të hirit të jetës.

3.2. Kuptimi i beqarisë si mashkull dhe femër

Gjëja tjetër që duhet përmendur për mënyrën sesi Krishti i ndryshon gjërat, e mund shëmtinë e luftës tonë dhe plotëson fatin e të qenurit të krijuar mashkull dhe femër simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë gjendet tek 1 Korintasve 7. Atje Pali thotë diçka radikale pothuaj të pabesueshme për atë kohë, “Por të pamartuarve dhe grave të veja po u them se për ta është mirë nëse qëndrojnë si unë… I pamartuari merakoset për gjërat e Zotit, si mund t’i pëlqejë Zotit… e pamartuara kujdeset për gjërat e Zotit që të jetë e shenjtë në trup e në frymë…Edhe këtë unë e them… jo që t’ju vë një lak, po që… t’i kushtoheni Zotit pa u shkëputur.” (1 Korintasve 7:8, 32-35).

A e dalloni çfarë nënkupton kjo gjë? Kjo nënkupton që shërimi që sjell Jezusi tek mashkulli dhe femra të krijuar simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë nuk varet nga martesa. Në fakt përjetimi i Palit si burrë beqar (dhe modeli i Jezusit si burrë beqar) i mësuan që për burrat apo gratë beqare është e mundur të kenë një lloj përkushtimi pa shkëputje ndaj Zotit i cili zakonisht nuk është i mundur për të martuarit.

Një mënyrë tjetër për ta thënë është kjo: martesa është një institucion i përkohshëm për këtë epokë derisa të vijë ringjallja e të vdekurve. Thelbi i kuptimit dhe qëllimit të saj është të prezantojë marrëdhënien e Krishtit me kishën. Por kur të vijë realiteti, shëmbëlltyra ashtu siç e njohim do të lihet mënjanë. Atëherë kur të vijë epoka e ardhshme as nuk do martohen dhe as nuk do japin në martesë. Ata që kanë qenë beqarë dhe të përkushtuar ndaj Zotit do të ulen në gostinë e dasmës së Qengjit si bashkëtrashëgimtarë me të drejta të plota të hirit të jetës. Sipas përkushtimit të tyre ndaj Zotit dhe sakrificës së tyre do të shpërblehen me ndjenja, marrëdhënie dhe gëzim të paimagjinueshëm.

Përmbledhje

Prandaj më lejoni të përbledh atë që kemi parë.

1. Perëndia krijoi qëniet njerëzore. Ndërsa Dhiata e Vjetër mbyllet, ky fakt i mahnitshëm kërkon me domosdoshmëri pjesën tjetër të historisë, Krishterimit, në mënyrë që të kuptojmë çfarë po bënte Perëndia. Qëllimet e tij në krijim janë të paplota pa veprën e Krishtit.

2. Perëndia na krijoi SIMBAS SHEMBËLLTYRËS SË TIJ. Por ne e kemi prishur aq keq këtë shëmbëlltyrë saqë zor se dallohet. Prandaj kjo e vërtetë kërkon plotësimin e Krishterimit për shkak se ajo që Jezusi bëri është që rifitoi atë që kishte humbur. Kjo quhet “një krijesë e re në Krishtin.” Shembëlltyra ripërtërihet në shenjtëri dhe drejtësi.

3. Perëndia na krijoi simbas shëmbëlltyrës së tij, MASHKULL DHE FEMËR. Edhe kjo kërkon domosdoshmërisht plotësimin në të vërtetën e Krishterimit. Askush nuk mund ta kuptojë plotësisht çfarë do të thotë të jesh mashkull dhe femër në martesë derisa të dallojë që martesa ka për qëllim të portretizojë Krishtin dhe kishën. Askush nuk mund ta njohë identitetin e plotë të të qenurit i krijuar mashkull dhe femër simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë derisa të mësojmë që mashkulli dhe femra janë bashkëtrashëgimtarë të hirit të jetës. Dhe përfundimisht, askush nuk mund ta kuptojë dot plotësisht kuptimin e beqarisë si mashkull dhe femër në shëmbëlltyrën e Perëndisë deri sa të mësojmë prej Krishtit që në epokën që do të vijë nuk do ketë martesë, dhe si rrjedhim fati i lavdishëm i të qenurit mashkull dhe femër simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë nuk varet prej martesës por nga përkushtimi ndaj Zotit.

Prandaj meditoni për këto të vërteta: Perëndia ju krijoi; ai ju krijoi simbas shëmbëlltyrës së tij; ai ju krijoi mashkull dhe femër në mënyrë që të jeni veçantërisht, radikalisht dhe plotësisht të përkushtuar ndaj Zotit.

Read it in English

© Desiring God

Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim nga leja e mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.

By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*