Çfarë besojmë rreth besimit të vërtetë?

Pyetja 31

Çfarë besojmë rreth besimit të vërtetë?

Gjithçka që na mësohet në Ungjill. Kredoja e Apostujve shpreh atë që besojmë me këto fjalë. Ne besojmë në Perëndinë Atin e Plotfuqishëm, Krijuesin e qiellit dhe tokës; dhe në Jezu Krishtin Birin e Tij të vetëm dhe Zotin tonë, i cili u ngjiz prej Frymës së Shenjtë, lindi prej virgjëreshës Mari, vuajti nën Pont Pilatin, u kryqëzua, vdiq dhe u ringjall. Ai zbriti në ferr. Ditën e tretë u ringjall sërish prej së vdekuri. Ai u ngjit në qiell dhe është ulur në të djathtë të Perëndisë Atit të Plotfuqishëm; prej andej ai do të vijë të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit. Ne besojmë në Frymën e Shenjtë, në kishën e shenjtë universale, në bashkësinë e shenjtorëve, në faljen e mëkateve, në ringjalljen e trupit dhe në jetën e përjetshme.

Ju bëj thirrje të luftoni për besimin, që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë.

Juda 1:3

Komentim

Çfarë është besimi? Jo një opinion, ashtu si nuk është thjesht një formulë fjalësh; nuk është as disa opinione të marra së bashku, qofshin këto edhe të vërteta. Një sërë opinionesh nuk është besim i Krishterë ashtu si një palë tespije nuk janë shenjtëria e Krishterë. Nuk është as pranimi i një opinioni apo disa opinioneve. Dikush mund të pranojë tre apo njëzet e tre kredo, mund të pranojë gjithë Dhiatën e Vjetër dhe atë të Re, (të paktën me aq sa i kupton ai) e megjithatë të mos ketë aspak besim të Krishterë. Besimi i Krishterë është një provë apo bindje hyjnore e krijuar në zemër, që Perëndia është pajtuar me mua përmes Birit të Tij; që jam bashkuar në mënyrë të pandashme me Të duke i besuar Atij, si Ati i hirshëm dhe i pajtuar, për të gjitha gjërat, dhe në mënyrë të veçantë për të gjitha ato gjëra të mira të padukshme dhe të përjetshme. Prandaj të besosh (në kuptimin e Krishterë) do të thotë të ecësh në dritën e përjetësisë; të kesh një pamje të qartë për dhe një siguri në Shumë të Lartin i cili është pajtuar me mua përmes Birit të Tij të dashur.

Gjon Uesli (John Wesley, 1703–1791). Predikues dhe teolog Anglez. Ueslit dhe vëllait të tij i dedikohet themelimi i lëvizjes Metodiste Angleze. Në përgjithësi ai udhëtonte me kalë, predikonte dy apo tri herë në ditë dhe thuhet që ka dhënë më tepër se 40,000 predikime. Ai gjithashtu ishte një shkrimtar i njohur himnesh të krishtera.

Lutje

Është e përshtatshme dhe e drejtë të adhurojmë Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë, Trinitetin një në thelb dhe të pandarë. Është e përshtatshme dhe e drejtë të të këndojmë himne Ty, të të bekojmë Ty, të të falënderojmë Ty, të të adhurojmë Ty në të gjitha vendet e sundimit Tënd. Sepse Ti je Perëndia i pashpjegueshëm, i papërfytyrueshëm, i padukshëm, i pakonceptueshëm, gjithmonë UNË JAM, ende UNË JAM: Ty, Birin Tënd të Vetëmlindur dhe Frymën e Shenjtë. Ishe Ti që na solle ne nga mosekzistenca në ekzistencë; dhe kur ne u rrëzuam Ti na ngrite sërish, nuk le asgjë pa bërë për të na sjellë në qiell dhe për të na dhënë mbretërinë Tënde që po vjen. Për të gjitha këto gjëra ne të falënderojmë Ty, Birin Tënd të Vetëmlindur dhe Frymën Tënde të Shenjtë, për gjithë sa dimë dhe gjithë sa nuk dimë, për bekimet e dukshme dhe ato të padukshme që kanë ardhur mbi ne. O Zot i butë, ne gjithashtu thërrasim dhe themi, Ti je i shenjtë, plotësisht i shenjtë je Ti, Biri Yt i Vetëmlindur dhe Fryma Jote e Shenjtë. Ti je i shenjtë, plotësisht i shenjtë je Ti, e madhe është lavdia Jote. Ti që e deshe aq shumë botën Tënde saqë e dhe Birin Tënd të Vetëmlindur që kushdo që beson në Të të mos humbasë por të ketë jetë të përjetshme. Ndërsa kujtojmë gjithë ato që ndodhën për hirin tonë, Kryqin, Varrin, Ringjalljen ditën e tretë, dhe Ngjitjen në qiell, Fronin në të djathtën Tënde, ardhjen e dytë të lavdishme, Ty të këndojmë himne, Ty të bekojmë, Ty të falënderojmë. Zoti Perëndia ynë. Amen.

Gjon Gojarti (John Chrysostom, 347–407). Gjon Gojarti lindi në Antioki dhe ishte Kryepeshkopi i Kostandinopojës. Atij iu dha titulli “Gojarti” për shkak të predikimit të tij të zhdërvjelltë. Ai njihet nga Kisha Ortodokse dhe ajo Katolike si shenjtor dhe Doktor i Kishës. Gojarti njihet për Liturgjinë e tij Hyjnore të Shën Gjon Gojartit. Veprat e tij voluminoze të predikimit përfshijnë 67 predikime për Zanafillën, 90 për Ungjillin sipas Mateut dhe 88 për Ungjillin sipas Gjonit.

New City Catechism was adapted by Timothy Keller and Sam Shammas from the Reformation catechisms. Copyright © 2012 by Redeemer Presbyterian Church.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*