Lutje për mbushulli këtë Krishtlindje

prej John Piper

Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë…. Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir.

Gjoni 1:14–16

Ajo Krishtlindje ishte një moment përmbytjeje për mua. Një burrë në kishën tonë sapo ishte lutur sipas fjalëve të Gjonit 1:14-16 në një takim lutjeje para shërbesës. Perëndia bëri që në atë moment të më pushtonte fjala “mbushulli.” Ishte një përjetim i jashtëzakonshëm. Ishte një lloj zhytjeje në Frymës së Shenjtë.

Ndjeva në një farë mase peshën e kësaj fjale – mbushullia e Krishtit. Ndjeva një pjesë të mahnitjes që me të vërtetë kisha marrë hir mbi hir prej kësaj mbushullie. Në atë moment po merrja hir mbi hir. Aty për aty ndjeva që nuk do kishte asgjë më të ëmbël se thjesht të ulesha tek këmbët e tij – apo të lexoja Biblën – gjithë atë pasdite dhe ta ndieja mbushullinë e tij që të më përmbytte. Pse pati një ndikim të tillë mbushullia e tij mbi mua – pse vazhdon të më ndikojë në mënyrë të pazakontë edhe në këtë moment? Kjo ndodh pjesërisht për shkak se:

ai me mbushullinë e të cilit jam përmbytur është Fjala që ishte me Perëndinë dhe ishte Perëndi (Gjoni 1:1-2), prandaj mbushullia e tij është mbushullia e Perëndisë – një mbushulli hyjnore, një mbushulli e pafundme;

kjo Fjalë u bë mish, u bë një prej nesh dhe na kërkoi me gjithë mbushullinë e tij – prandaj kjo është një mbushulli e disponueshme;

kur Fjala u shfaq në formë njerëzore, lavdia e tij u bë e dukshme – mbushullia e tij është mbushulli e lavdishme;

kjo Fjalë ishte “Biri i vetëmlindur prej Atit” kështu që mbushullia hyjnore po më komunikohej mua jo vetëm prej Perëndisë por përmes Perëndisë – Perëndia nuk dërgoi një engjëll por Birin e tij të vetëm për ta sjellë mbushullinë e tij;

mbushullia e Birit është mbushulli hiri – në këtë mbushulli nuk do të mbytem por do të bekohem në çdo mënyrë prej saj;

kjo nuk është vetëm një mbushulli hiri por gjithashtu mbushulli e së vërtetës – mua nuk po më jepet hir përmes lajkave që injorojnë të vërtetën; ky hir është i rrënjosur në realitetin e palëkundshëm.

Ndërsa e shijoj këtë ndriçim të mbushullisë së Krishtit, dëgjoj Palin të thotë, “tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë” (Kolosianëve 2:9). E dëgjoj teksa thotë, “sepse Atit i pëlqeu që në të të banojë e gjithë plotësia” (Kolosianëve 1:19). Dhe sërish, “në të janë fshehur të gjitha thesaret e diturisë dhe të njohjes” (Kolosianëve 2:3).

Pali lutet që ne të përjetojmë mbushullinë e Krishtit – jo thjesht të dimë gjëra rreth saj, por të mbushemi me të. Ja sesi e dëgjoj të lutet për mua: ai lutet që unë “i rrënjosur dhe i themeluar në dashuri, të mund të kuptoj me të gjithë shenjtorët cila është gjerësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia, dhe ta njoh dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbushem me tërë plotësinë e Perëndisë.” (Efesianëve 3:18-19).

Ai thotë që “plotësia e Perëndisë” përjetohet ndërsa na jepet “fuqia për të kuptuar” dashurinë e Krishtit në lartësinë, thellësinë, gjatësinë dhe gjerësinë e saj. Domethënë në plotësinë e saj. Kjo është e jashtëzakonshme: plotësia e Perëndisë është kuptimi frymëror (përjetimi) i plotësisë së dashurisë së Krishtit. Kjo plotësi mbush Birin e Perëndisë dhe derdhet tek ne.

Prandaj kur e dëgjoj Palin të flasë tek Romakët për “plotësinë e bekimeve të Krishtit” (Romakëve 15:29), e dëgjoj atë që përshkruan përjetimin tim. Sa shumë dëshiroj që edhe ju të gjithë ta përjetoni këtë gjë.

Veçoni kohë dhe qetësi për veten tuaj këtë stinë Krishtlindjeje dhe kërkojeni këtë përjetim. Bëni për veten tuaj lutjen e Palit tek Efesianëve 3:14-19, “që të mbushem me tërë plotësinë e Perëndisë” – dhe të keni pushtet që “të mund të kuptoj me të gjithë shenjtorët cila është gjerësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia, dhe ta njoh dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri.”

Kjo është lutja ime për ju këtë Krishtlindje – që të përjetoni plotësinë e Krishtit; që të përjetoni në zemrën tuaj derdhjen e hirit mbi hir; që lavdia e Birit të vetëmlindur prej Atit të shkëlqejë në zemrën tuaj për t’ju dhënë dritën e njohurisë së lavdisë së Perëndisë në fytyrën e Krishtit; që të mahniteni prej faktit që Krishti mund të jetë kaq real për ju!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*