Martirja adoleshente

Ledi Xhejn Grei
1537–1554

nga Skot Habërd

10 Shkurt 1554: Dy ditë përpara se Ledi Xhejn Grei të ekzekutohet me prerje koke. Prifti katolik Gjon Fekenham hyri në qelinë e Xhejnit në Kullën e Londrës me shpresën se t’i shpëtonte shpirtin. Të paktën kështu mendonte ai.

Mbretëresha Meri (e njohur ndryshe si “Meri Gjakatarja”) tashmë e kishte vulosur dënimin me vdekje të kushërirës së saj Xhejn, por gjithsesi i dërgoi kapelanin e saj më të zotë për një përpjekje të fundit që ta bindte Xhejnin të kthehej në fenë katolike pak para ekzekutimit të saj. Xhejn ishte rreth shtatëmbëdhjetë vjeç në atë moment.

Kështu filloi një debat i fortë mes apologjistit katolik Fekenham dhe adoleshentes së reformuar, Ledi Xhejnit. Ai përpiqej ta binte vashën se drejtësimi vjen prej besimit dhe veprave, ndërsa ajo qëndron e palëkundur mbi sola fide – vetëm përmes besimit. Ai thoshte se buka dhe vera e Darkës së Zotit janë vetë trupi dhe gjaku i Krishtit, ndërsa ajo këmbëngulte se këto elemente nuk janë veç simbole, të cilat simbolizojnë veprën shpëtuese të Jezusit në kryq. Ai afirmonte autoritetin e Kishës Katolike krahas Shkrimit; ajo ngulte këmbë që kisha gjendet nën vështrimin depërtues të fjalës së Perëndisë.

Më në fund Fekenhami i thotë: “Jam i sigurt që ne të dy nuk do të takohemi më,” duke nënkuptuar kështu mallkimin e saj në ferr. Mirëpo, Ledi Xhejni ia kthen atij me të njëjtën monedhë: “Po, është e vërtetë që nuk do të takohemi më, veç në ta ndryshoftë zemrën vetë Perëndia.”

Perëndia Sovran i Ledi Xhejnit

Nga një këndvështrim, jeta e Ledi Xhejnit është një histori intrigash e manipulimi, historia e njerëzve të pushtetshëm që përdorin një vajzë adoleshente si mjet për të avancuar agjendën e tyre sociale dhe politike. Prindërit e saj e detyruan të ndiqte një regjim të ashpër arsimimi me shpresën që ajo do të martohej një ditë me trashëgimtarin e fronit të Anglisë. Kur kjo mundësi ra, familja Grei ra në ujdi me kryeministrin e mbretit që ta martonin Ledi Xhejnin me Gilford Dadlin, një burrë të cilin ajo e përbuzte. Pastaj, me vdekjen e mbretit, një grup komplotistësh politikë vendosën mbi kryet e saj kurorën për të cilën Ledi Xhejni do të paguante me jetën e vet.

Ky që sapo parashtruam është përshkrimi i jetës së Ledi Xhejnit nga këndvështrimi i njerëzve të kësaj bote. Mirëpo, nëse e shohim të njëjtën jetë përmes lenteve të provanisë së Perëndisë, shfaqet përpara nesh një Ledi Xhejn kryekëput tjetër. Një Ledi Xhejn që e përdori greqishten dhe hebraishten që i mësoi gjatë viteve të regjimit të ashpër arsimor për ta studiuar Shkrimin e Shenjtë në këto dy gjuhë origjinale të tij. Një Ledi Xhejn që u çua në oborrin e Henrit VIII për t’u edukuar, por që u takua me Jezusin përmes dëshmisë së Mbretëreshës Katerina Par, e cila ishte një e krishterë e perëndishme. Së fundmi, shohim një Ledi Xhejn që u përball me gjyqin, burgimin dhe prerjen e kokës duke pasur vetëm fjalët e Perëndisë në gojën e saj.

Këndvështrimi i dytë që na u paraqit nuk është një përpjekje për të shkruar një tjetër biografi të shenjtë apo për të na nxitur që ta adhurojmë si heroinë. Tregimet na thonë që Ledi Xhejn ishte po aq kokëfortë sa një mushkë. Ky këndvështrim thjesht pranon faktin që Perëndia i Jozefit vazhdon t’i përdorë prindërit dinakë dhe qelitë e ftohta e të lagështa të burgut për të sjellë shpengimin e Vet. “Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t’i shërbejë së mirës” (Zanafilla 50:20).

Qelia e burgut

Duke ngurruar Ledi Xhejn hipi në fron më 10 korrik 1553 dhe u largua prej tij vullnetarisht më 19 korrik 1553, kur Meri mblodhi një ushtri për ta hequr qafe mbretëreshën, kushërirën e vet. Prandaj, shpesh Ledi Xhejn mbahet mend prej një numri: Mbretëresha e Nëntë Ditëve.

Më 7 shkurt 1554, Maria nënshkroi dënimin me vdekje i cili do ta çonte Ledi Xhejnin para xhelatit për t’i prerë kokën pesë ditë më pas. Përveç debatit që pati me Fekenhamin, Ledi Xhejn i kaloi ditët e saj të fundit duke përgatitur një fjalim të shkurtër në lidhje me ekzekutimin e saj dhe duke nisur disa letra të fundit. Brenda Dhiatës së saj të Re në greqisht ajo la një shënim për motrën e saj të vogël Katerinën:

E dashur motër, ky është libri i Ligjit të Zotit, është testamenti i tij i fundit, të cilin na e ka lënë ne të mjerave, libri i cili do të të udhëheqë drejt shtegut të gëzimit të përjetshëm… Sa i përket vdekjes time, gëzohu edhe t’i si unë o motër e dashur, sepse do të shpëtoj nga prishja e kësaj bote dhe do të vesh mosprishjen. Jam e sigurt që duke humbur këtë jetë të vdekshme do të fitoj jetën e pavdekshme.

Përpara xhelatit

Mëngjesi i 12 Shkurtit e gjeti Ledi Xhejnin mbi murin e Kullës së Bardhë qendrore, ku e priste një turmë e vogël dhe xhelati. Duke u kthyer nga të pranishmit, Ledi Xhejn shpalli: “Nuk pres të shpëtohem prej asnjë gjëje tjetër, por veç prej mëshirës së Perëndisë, në gjakun e Birit të Tij të vetëm Jezu Krisht”. Pastaj u gjunjëzua dhe recitoi Psalmin 51: “O Perëndi, ki mëshirë për mua…”

Pasi ia mbuluan sytë, Ledi Xhejn u përçap drejt trungut të ekzekutimit dhe vendosi kokën tek pjesa e gdhendur për atë qëllim. Tingulli i fundit që dëgjoi turma para se sëpata të ngulej në dru ishte një lutje nga zëri i shtatëmbëdhjetë vjeçares Ledi Xhejn: “Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.” Kështu përfundoi jeta e Ledi Xhejn Greit, martires adoleshente.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*