Mendime Shtjelluese Mateu 27

Ungjilli sipas Mateut kapitulli 27

nga J. C. Ryle

Mateu 27:1-10

Hyrja e këtij kapitulli përshkruan dorëzimin e Zotit Jezu Krisht në duart e Johebrenjve. Krye priftërinjtë dhe pleqtë e Judenjve e çuan tek Pont Pilati, qeveritari Romak. Në këtë incident ne mund të shohim gishtin e Perëndisë. Kjo gjë u caktua nga provania e Tij, pra që si Johebrenjtë ashtu dhe Judenjtë të përfshiheshin në vrasjen e Krishtit. Provania e Tij kishte vendosur që priftërinjtë të rrëfenin publikisht se “skeptri i ishte hequr Judës.” Ata nuk ishin në gjendje të dënonin dikë me vdekje pa shkuar më parë tek Romakët. Fjalët e Jakobit u përmbushën. Mesia, “Shilohu, kishte ardhur me të vërtetë.” (Zanafilla 49:10).

Tema që mbizotëron në vargjet që kemi lexuar është fundi i trishtueshëm i apostullit, Juda Iskarioti. Kjo është një temë plot udhëzime. Le të shohim me kujdes se çfarë përmban kjo pjesë.

Në fundin e Judës shohim një provë të qartë të pafajësisë së Zotit tonë nga çdo akuzë e ngritur kundër Tij. Nëse kishte ndonjë dëshmitar të gjallë i cili mund të jepte prova kundër Zotit tonë Jezu Krisht, ky do të ishte Juda. Një apostull i zgjedhur i Jezusit, një shoqërues i vazhdueshëm në të gjitha udhëtimet e Tij, dikush që dëgjoi të gjitha mësimet e Tij, si në publik ashtu dhe privatisht – ai duhet ta kishte ditur nëse Zoti ynë kishte bërë ndonjë gjë gabim, qoftë me fjalë apo me vepra. Një dezertor nga shoqëria e Zotit tonë, një tradhtar i Tij në duart e armiqve të Tij, i interesonte atij që për hir të karakterit të tij të vërtetonte që Jezusi ishte fajtor. Sjellja e tij do të justifikohej dhe përligjej nëse mund të tregonte që ish mësuesi i tij ishte fajtor dhe mashtrues.

Pse pra nuk doli përpara Juda Iskarioti? Pse nuk doli përpara këshillit të Judenjve dhe t’i qartësonte akuzat e tij, nëse kishte ndonjë akuzë për të bërë? Pse nuk zgjodhi që t’i shoqëronte krye priftërinjtë tek Pilati dhe t’u vërtetonte Romakëve që Jezusi ishte keqbërës? Ka vetëm një përgjigje për këto pyetje. Juda nuk doli përpara si dëshmitar, për shkak se nuk e lejonte ndërgjegja e tij. Edhe pse ishte njeri i lig ai nuk mund të vërtetonte asgjë kundër Krishtit. Edhe pse ishte i lig, ai e dinte shumë mirë që Mësuesi i tij ishte i shenjtë, i padëmshëm, i pafajshëm, i papërlyer dhe i vërtetë. Le të mos e harrojmë kurrë këtë gjë. Mungesa e Juda Iskariotit në gjyqin e Zotit tonë është njëra mes shumë provave se Qengji i Perëndisë ishte i patëmetë – ai ishte një njeri i pamëkat.

Një gjë tjetër që shohim në fundin e Judës është se ka një gjë të tillë si pendimi tepër vonë. Na thuhet qartë se “Juda u mbush me keqardhje. Prandaj jua ktheu tridhjetë monedhat e argjendit pleqve dhe krye priftërinjve.” Ne madje na thuhet që ai shkoi tek krye priftërinjtë dhe u tha, “Kam mëkatuar,” E megjithatë është e qartë që ai nuk u pendua për shpëtim.

Kjo është një pikë që meriton vëmendje të veçantë. Një thënie e zakonshme thotë, “nuk është tepër kurrë vonë për t’u penduar.” Nuk ka dyshim që kjo thënie është e vërtetë; por fatkeqësisht pendimi i vonuar shpesh nuk është i vërtetë. Është e mundur që një njeri t’i ndiejë mëkatet e tij, t’i vijë keq për to – të jetë nën një bindje të fortë faji dhe të shprehë një keqardhje të thellë – e megjithatë, pavarësisht gjithë kësaj të mos pendohet me zemër. Rreziku i pranishëm, apo frika e vdekjes, mund të jenë arsyeja për gjithë këto ndjenja, dhe Fryma e Shenjtë të mos ketë bërë asnjë punë në shpirtin e tij.

Le të kemi kujdes që të mos besojmë në një pendim të vonuar. “Tani është koha e pranueshme. Sot është dita e shpëtimit.” NJËRI nga hajdutët e kryqëzuar u shpëtua në momentin e vdekjes, në mënyrë që askush të mos dëshpërohet, por ama VETËM NJËRI, që askush të mos hamendësojë. Le të mos anashkalojmë asnjë gjë që ka të bëjë me shpirtin tonë, dhe mbi të gjitha të mos e shtyjmë pendimin për më vonë, me idenë e kotë që kjo gjë është në dorën tonë. Fjalët e Solomonit mbi këtë temë janë shumë të frikshme. “Atëherë ata do të më thërrasin mua, por unë nuk do të përgjigjem; do të më kërkojnë me kujdes, por nuk do të më gjejnë.” (Fjalët e Urta 1:28).

Në fundin e Judës le të shohim gjithashtu sa pak ngushëllim i sjell paperëndishmëria një njeriu në momentin e fundit. Na është thënë që ai i hodhi në tempull tridhjetë monedhat prej argjendi për të cilat e kishte shitur Mësuesin e tij, dhe u largua me shpirt të hidhëruar. Ato para ishin fituar shtrenjtë. Kjo gjë nuk i solli kënaqësi edhe kur e kishte në dorë. “Thesaret e padrejtësisë nuk japin dobi.” (Fjalët e Urta 10:2).

Në të vërtetë mëkati është zotëria më i ashpër nga të gjithë. Në shërbim të tij ka shumë premtime të bukura, por vdekje totale. Kënaqësitë e tij janë vetëm për një stinë. Paga e tij është brenga, keqardhja, akuzimi i vetes dhe shpesh vdekja. Ata që mbjellin për mishin me të vërtetë që korrin prishje.

Ne jemi të tunduar të kryejmë mëkat? Le të kujtojmë fjalët e Shkrimit, “Mëkatet e t’ua do të të gjejnë,” dhe kështu t’i rezistojmë tundimit. Le të jemi të sigurt që herët a vonë, në këtë jetë apo në jetën tjetër, në këtë botë apo në ditën e gjykimit, mëkati dhe mëkatari do të takohen ballë për ballë dhe do të kenë një ballafaqim të hidhur. Le të jemi të sigurt se nga të gjitha zanatet, zanati i mëkatit është më jofitimprurësi. Juda, Akani, Gehazi, Anania dhe Safira e zbuluan këtë gjë për humbjen e tyre. Me të drejtë thotë Pali, “Dhe çfarë fryt kishit, pra, atëherë, nga ato gjëra, për të cilat tani keni turp?” (Romakëve 6:21).

Së fundi, le të shohim në rastin e Judës, në çfarë fundi të mjerueshmë mund të përfundojë dikush nëse ka privilegje të mëdha dhe nuk i përdor ato si duhet. Na thuhet që ky njeri i mjerë “u largua dhe shkoi e vari veten.” Çfarë vdekje e frikshme! Një apostull i Krishtit, një ish predikus i Ungjillit, një shok i Pjetrit dhe Gjonit, vrau veten, dhe u turr në praninë e Perëndisë i papërgatitur dhe i pafalur.

Le të mos harrojmë që asnjë mëkatar nuk është aq i mëkatshëm sa ata që mëkatojnë kundër dritës dhe njohurisë. Nëse shohim në Shkrim, asnjë lloj personi tjetër nuk është hequr nga kjo botë në mënyrë kaq të papritur dhe të frikshme. Le të kutjojmë gruan e Lotit, Faraonin, Korahun, Dathanin dhe Abiramin, si dhe mbretin Saul. Ata janë të gjithë shembuj për këtë të vërtetë. Një thënie solemne e Bunjanit thotë, “askush nuk bie aq thellë në humnerë se ata që bien mbrapa.” Tek Fjalët e Urta 29:1 është shkruar, “Njeriu që fortëson qafën kur qortohet, do të thyhet papritmas pa tjetër.” U përpjekshim të gjithë që të jetojmë sipas dritë që na është dhënë. Ekziston një gjë e tillë si mëkati kundër Frymës së Shenjtë. Njohuria e qartë e së vërtetës në mendje e kombinuar me një dashuri të qëllimshme të mëkatit në zemër janë ato që të çojnë shumë pranë këtij mëkati.

Cila është gjendja e zemrave tona? A tundohemi ndonjëherë që të mbështetemi tek njohuria jonë dhe tek rrëfimi i besimit? Le të kujtojmë Judën dhe të kemi kujdes. A jemi të prirur që të kapemi pas botës dhe t’i japim parasë një vend të rëndësishëm në mendjen tonë? Sërish, le të kujtojmë Judën, dhe të kemi kujdes. A po luajmë me ndonjë mëkat të caktuar dhe a po i bëjmë qejfin vetes që mund të pendohemi kur të duam? Sërish, le të kujtojmë Judën dhe të kemi kujdes. Ai është vendosur para nesh si një paralajmërim. Le ta shohim mirë atë dhe të mos përjetojmë lundërthyerje në besim.

Mateu 27:11-26
Këto vargje përshkruajnë daljen e Zotit tonë përpara Pont Pilatit, qeveritarit Romak. Kjo skenë duhet të ketë çuditur shumë engjëjt e Perëndisë. Ai i cili një ditë do të gjykojë botën lejoi që vetë të gjykohej dhe dënohej, edhe pse “nuk kishte kryer asnjë dhunë dhe nuk kishte pasur asnjë mashtrim në gojën e tij.” (Isaia 53:9). Ai nga buzët e të cilit Pilati dhe Kajafa një ditë do të marrin verdiktin e tyre të përjetshëm pranoi në heshtje që kundër tij të jepej një vendim i padrejtë. Ato vuajtje të heshtura përmbushën fjalët e Isaias, “Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën” (Isaia 53:7). Atyre vuajtjeve të heshtura besimtarët u detyrohen për gjithë paqen dhe shpresën e tyre. Përmes tyre ata do të kenë guxim ditën e gjyqit, ata që nga vetja e tyre nuk do të kenë asnjë gjë për të thënë.

Le të mësojmë nga qëndrimi i Pilatit, sa për të ardhur keq është gjendja e një burri të madh paskrupull. Pilati dukej që ishte i kënaqur përbrenda që Zoti ynë nuk kishte bërë asnjë gjë që të meritonte vdekjen. Na thuhet shumë qartë, “ai e dinte mirë se atë ia kishin dorëzuar nga SMIRA. Nëse do të ishte mbështetur thjesht tek gjykimi i tij i pandikuar ka të ngjarë që ai nuk do t’u kishte kushtuar rëndësi akuzave kundër Zotit tonë dhe do ta kishte lënë të lirë.

Por Pilati ishte qeveritar i një populli xheloz dhe turbullues. Dëshira e tij e madhe ishte të fitonte favorin e tyre dhe t’iu pëlqente. Ai nuk e vriste mendjen se sa shumë mëkatonte kundër Perëndisë dhe ndërgjegjes, për aq kohë sa ai të kishte lavdërimin e njeriut. Edhe pse ishte i gatshëm ta shpëtonte jetën e Zotit tonë, ai kishte frikë ta bënte nëse kjo gjë do t’i ofendonte Judenjtë. Prandaj, pas një përpjekjeje të dobët për ta larguar zemërimin e popullit nga Jezusi tek Baraba – dhe një përpjekjeje të dobët për të qetësuar ndërgjegjen e tij, duke larë duart publikisht para popullit – më në fund e dënoi dikë të cilin ai vetë e quajti “një person të drejtë.” Ai nuk e pranoi paralajmërimin e çuditshëm dhe misterioz që i dërgoi gruaja e tij pas ëndrrës që kishte parë. Ai ua mbylli gojën kundërshtimeve të ndërgjegjes së tij. Ai “e dorëzoi Jezusin për t’u kryqëzuar.”

Shikoni tek ky burrë i mjerë një emblemë të gjallë për shumë nga sunduesit e kësaj bote! Sa shumë janë ata që e dinë mirë se veprimet e tyre publike janë të gabuara e megjithatë nuk kanë guxim që të veprojnë sipas njohurisë së tyre. Ata kanë frikë nga populli! Ata i trëmben faktit që mund t’i përqeshin! Ata nuk mund ta durojnë dot të jenë jopopullorë! Sikurse peshqit e ngordhur ata shkojnë me rrymën. Lëvdatat e njeriut janë idhulli përpara të cilit gjunjëzohen dhe para të cilit flijojnë ndërgjegjen e tyre, paqen e brendshme, dhe shpirtin e pavdekshëm.

Cilado qoftë pozita jonë në jetë, le të përpiqemi të udhëzohemi prej parimeve, dhe jo prej asaj që është më e rehatshme. Lëvdimi i njerëzve është një gjë e mjerë, e dobët dhe e pasigurt. Është këtu sot dhe humbet nesër. Le të përpiqemi t’i pëlqejmë Perëndisë dhe pastaj të mos e vrasim mendjen fare se kujt tjetër i pëlqejmë. Le të kemi frikë Perëndinë dhe pastaj nuk do të ketë asnjë tjetër prej të cilit të frikësohemi.

Le të mësojmë nga sjellja e Judenjve e cila përshkruhet në këto vargje ligësinë e thellë të natyrës njerëzore. Sjellja e Pilatit iu dha krye priftërinjve dhe pleqve mundësinë për të konsideruar sërish se çfarë po bënin. Vështirësitë që ai ngriti në lidhje me dënimin e Zotit u dhanë mundësi të mendoheshin sërish. Por armiqve e Zotit tonë nuk u menduan për herë të dytë. Ata u turrën drejt veprës së tyre të ligë. Ata e mohuan kompromisin që iu ofroi Pilati. Ata në fakt preferuan të lirohej një keqbërës i lig, të quajtur Baraba, në vend të Jezusit. Ata klithën me të madhe për kryqëzimin e Zotit tonë. Dhe kështu përfunduan duke e mbartur mbi vete gjithë fajin për vdekjen e Zotit tonë me fjalë të cilat kishin një kuptim ogurzi, “Le të jetë gjaku i tij mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!”

Çfarë kishte bërë Zoti ynë, që Judenjtë ta urrenin kaq shumë? Ai nuk ishte grabitës apo vrasës. Ai nuk ishte blasfemues i Perëndisë së tyre, apo përbuzës i profetëve të tyre. Gjithë jeta e tij ishte dashuri. Ai ishte dikush i cili “e përshkoi vendin duke bërë mirë dhe duke shëruar të gjithë ata që ishin të pushtuar nga djalli.” (Veprat 10:38). Ai ishte i pafajshëm nga shkeljet kundër ligjit të Perëndisë apo njeriut. Megjithatë Judenjtë e urrenin dhe u dorëzuan derisa ta kishin vrarë! Ata e urrenin sepse Ai iu tha të vërtetën. Ata e urrenin sepse Ai dëshmonte se veprat e tyre ishin të liga. Ata e urrenin dritën për shkak se ajo e bënte të dukshme errësirën e tyre. Me një fjalë, ata e urrenin Krishtin për shkak se ai ishte i drejtë dhe ata ishin të ligj, për shkak se Ai ishte i shenjtë dhe ata nuk ishin të shenjtë – për shkak se Ai dëshmoi kundër mëkatit të tyre dhe ata ishin të vendosur të mbaheshin pas mëkateve të tyre dhe të mos i lëshonin ato.

Le të vëzhgojmë këtë gjë. Ka pak gjëra të cilat besohen dhe kuptohen aq pak sa prishja e natyres njerëzore. Njerëzit imagjinojnë që nëse shohin një person të përsosur do ta donin dhe admironin. Ata i bëjnë qejfin vetes se është mospërputhja e atyre që e rrëfejnë veten të krishterë ajo të cilën nuk e pëlqejnë, dhe jo feja e tyre. Ata harrojnë se kur mbi tokë ishte një njeri vërtet i përsosur, në personin e Birit të Perëndisë, Atë e urryen dhe e vranë. Ky fakt i vetëm vërteton në mënyrë të pagabueshme komentin e Eduardsit, “njerëzit e pakonveruar do vrisnin edhe Perëndinë nëse do kishin mundësi.”

Le të mos habitemi kurrë nga ligësia që gjendet në botë. Le të vajtojmë për të, dhe të përpiqemi që ta pakësojmë, por le të mos habitemi kurrë nga shtrirja e saj. Nuk ka asnjë për të cilën zemra e njeriut të mos jetë në gjendje ta konceptojë apo që dora e tij të mos e bëjë dot. Për aq kohë sa jetojmë le të mos kemi besim tek zemra jonë. Edhe kur ripërtërihen nga Fryma ato janë ende “gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme.” (Jeremia 17:9).

Mateu 27:27-44
Këto vargje përshkruajnë vuajtjet e Zotit tonë Jezu Krisht pasi u dënua nga Pilati – vuajtjet e Tij në duart e ushtarëve brutalë Romakë, dhe vuajtjet e Tij përfundimtare në kryq. Ato formojnë një dokumentim të mrekullueshëm. Ata janë të mrekullueshëm kur kujtojmë se kush ishte ai që vuajti – Biri i përjetshëm i Perëndisë! Ata janë të mrekullueshëm kur kujtojmë njerëzit për të cilët i duroi këto vuajtje. Ne dhe mëkatet tona jemi shkaku i gjithë kësaj vuajtjeje. Ai “vdiq për mëkatet tona.” (1 Korintasve 15:3).

Në radhë të parë le të vëzhgojmë shtrirjen dhe realitetin e vuajtjeve të Zotit tonë. Katalogu i gjithë dhimbjeve të duruara nga trupi i Zotit tonë është vërtet i frikshëm. Rrallë herë është shkaktuar një vuajtje e tillë mbi një trup në orët e fundit të jetës së tij. Fiset më të egra, në përsosjen e mizorisë së tyre nuk mund të kishin hedhur dot më tepër tortura agonizuese mbi një armik nga sa u hodhën mbi mishin dhe kockat e Mësuesit tonë të dashur. Mos e harroni kurrë që Ai kishte një trup të vërtetë njerëzor saktësisht si trupi ynë, po aq të ndjeshëm, po aq të cenueshëm dhe aq në gjendje për të ndjerë dhimbje të mëdha. Pastaj le të shohim se çfarë duroi ai trup.

Duhet të kujtojmë që Zoti ynë tashmë kishte kaluar një natë pa gjumë dhe kishte duruar një lodhje të skajshme. Atë e kishin marrë nga Gjethsemane dhe e kishin çuar para këshillit të Judenjve, nga këshilli i Judenjve tek gjykata e Pilatit. E kishin nxjerrë para gjyqit dy herë dhe të dyja herët e kishin dënuar pa të drejtë. Atë tashmë e kishin rrahur dhe fshikulluar në mënyrë mizore me shkopinj. Dhe tani, pas gjithë kësaj vuajtjeje Ai u dorëzua tek ushtarët Romakë, dhe nuk ka dyshim që këta ishin një grup burrash ekspertë në mizori dhe ishin njerëzit që kishin më pak gjasa që të tregonin butësi apo dhembshuri. Pastaj këta burra të ashpër iu futën punës për të bërë vullnetin e tyre. Ata “mblodhën bashkë gjithë kohortën.” E zhveshën Zotin tonë nga rrobat e Tij dhe për ta tallur i hodhën mbi supe një mantel të kuq.

Ata bënë një kurrorë me gjemba të mprehtë dhe me përbuzje ia vendosën mbi kryet e Tij. Pastaj binin në gjunjë para Tij me përqeshje sikur ai të ishte mbret. Ata e pështynë. E goditën në kokë. Dhe më në fund pasi i veshën sërish mantelin e Tij, e nxorrën nga qyteti dhe e çuan tek një vend i quajtur Gologota, dhe atje e kryqëzuan mes dy hajdutëve.

Por çfarë ishte kryqëzimi? Le të përpiqemi ta kuptojmë mizorinë e tij. Personin që kryqëzohej e shtrinin me shpinë mbi një tra – me një copë tjetër të mbërthyer afër njërës anë – apo mbi trungun e një peme me degët e saj dhe kjo i shërbente të njëjtit qëllim. Duart e personit shtriheshin mbi pjesën e kryqëzuar dhe në secilën dorë nguleshin gozhdët për t’i shtrënguar ato në dru. Në mënyrë të ngjashme edhe këmbët e personit gozhdoheshin tek pjesa e kryqit që rrinte më këmbë. Pasi trupi ishte mbërthyer në mënyrë të sigurt kryqi ngrihej dhe vendosej mirë në tokë. Aty ishte i varur vuajtësi i mjerë derisa dhimbja dhe lodhja i jepnin fund jetës së tij – duke mos vdekur papritur, sepse asnjë nga organet jetësore nuk ishte dëmtuar – por duke duruar agoninë më të tmerrshme nga duart dhe këmbët e tij dhe duke mos qenë në gjendje të valëviste. E tillë ishte vdekja në kryq. E tillë ishte vdekja që përjetoi Jezusi për ne! Për gjashtë orë të gjata Ai qëndroi i varur para një turme që e shikonte, lakuriq dhe duke pikuar gjak nga koka tek këmbët – duke qenë se koka e Tij ishte e shpuar nga gjembat, shpina e Tij ishte krejt e hapur nga fshikullimi, duart dhe këmbët e Tij ishin shpuar nga gozhdët – u tall dhe u poshtërua nga armiqtë e Tij katilë deri në fund.

Le të meditojmë shpesh për këto gjëra. Le të lexojmë shpesh historinë e kryqit dhe vuajtjes së Krishtit. Le të kujtojmë gjithashtu që të gjitha këto vuatje të tmerrshme u duruan pa asnjë murmuritje. Asnjë fjalë padurimi nuk doli nga buzët e Zotit tonë. Në vdekjen e Tij, ashtu si në jetën e Tij, Ai ishte i përsosur. Deri në momentin e fundit Satani nuk kishte ku të kapej kundër Tij. (Gjoni 14:30).

Së dyti, le të vëzhgojmë që të gjitha vuajtjet e Zotit tonë Jezu Krisht ishin vuajtje zëvendësuese. Ai nuk vuajti për mëkatet e Tij, por për mëkatet tona. Në të gjithë vuajtjen e Tij Ai ishte plotësisht zëvendësi ynë.

Kjo është një e vërtetë e një rëndësie të thellë. Pa këtë historia e vuajtjeve të Zotit tonë me të gjitha hollësitë e veta duhet të duken misterioze dhe të pashpjegueshme. Megjithatë, kjo është një e vërtetë për të cilën Shkrimi flet shpesh dhe me terma shumë të qarta. Na thuhet që Krishti “mbarti mëkatet tona në trupin e tij në kryq,” dhe Ai “vuajti për mëkatin, i drejti për të padrejtët,” që “Ai që nuk njihte mëkat u bë mëkat për ne, që ne të mund të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të,” – që “Ai u bë mallkim për ne,” – që “Ai u ofrua për të mbartur mëkatet e të shumtëve,” që “ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona.” (1 Pjetri 2:22, 3:18; 2 Korintasve 5:21, Galatasve 3:13, Hebrenjve 9:28, Isaia 53:5-6). I kujtofshim këto tekste të gjithë ne. Ato janë mes gurëve të themelit të Ungjillit.

Por ne nuk duhet të jemi të kënaqur me një besim të përgjithshëm dhe të mjegullt se vuajtjet e Krishtit në kryq ishin zëvendësuese. Ne duhet ta shohim këtë të vërtetë në çdo pjesë të vuajtjes së Tij. Mund ta ndjekim atë përgjatë gjithçkaje, nga gjykata e Pilatit tek momenti i vdekjes së Tij, dhe ta shohim në çdo hap si Zëvendësuesin tonë të pushtetshëm, si Përfaqësuesin, si Kreun, si Garantuesin dhe Zëvendësin tonë – si Mikun Hyjnor që morri për sipër të qëndronte në vendin tonë dhe përmes meritës së paçmueshme të vuajtjeve të Tij, të blinte shpengimin tonë. Ai u fshikullua? Ndodhi që “përmes vurratave të Tij ne jemi shëruar.” A u dënua edhe pse ishte i pafajshëm? Kjo ndodhi që ne të mund të shfajësoheshim edhe pse ishim fajtorë. A mbajti Ai një kurorë prej gjembash? Kjo ndodhi që ne të mund të mbajmë kurorën e lavdisë. A u zhvesh Ai nga rrobat e Tij? Kjo ndodhi që ne të mund të visheshim me një drejtësi të përjetshme. A u tall dhe a u përqesh? Kjo ndodhi që ne të mund të nderoheshim dhe të bekoheshim. A u llogarit si keqbërës, dhe a u numërua me shkelësit? Kjo ndodhi që ne të mund të llogaritemi të pafajshëm, dhe të shfajësohemi nga çdo mëkat. A u shpall që Ai nuk ishte në gjendje të shpëtonte Veten? Kjo ndodhi që Ai të mund të ishte në gjendje që t’i shpëtonte plotësisht të tjerët. A vdiq më në fund, duke përjetuar vdekjen më të dhimbshme dhe poshtëruese? Kjo ndodhi që ne të mund të jetojmë përgjithmonë, dhe të lartësohemi në lavdinë më madhe. Le t’i mendojmë thellë këto gjëra. Ato ia vlejnë të kujtohen. Çelësi i paqes është një kuptim i duhur i vuajtjeve zëvendësuese të Krishtit.

Le të largohemi nga historia e vuajtjes së Zotit tonë me ndjenja mirënjohjeje të thellë. Mëkatet tona janë të shumta dhe të mëdha. Por për to është bërë një shlyerje e madhe. Në vuajtjet e Krishtit gjendet një meritë e pafundme. Ato ishin vuajtjet e Atij i cili ishte Perëndi dhe njeri. Sigurisht që është me vend dhe detyra jonë ta lavdërojmë Perëndinë përditë për shkak se Krishti vdiq.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja le të mësojmë gjithmonë nga historia e vuajtjes së Krishtit që ta urrejmë mëkatin me një urrejtje të madhe. Mëkati ishte shkaku i të gjitha vuajtjeve të Shpëtimtarit tonë. Mëkatet tona ishina to që e thurën kurorën me gjemba. Mëkatet tona ishin ato që i ngulën gozhdët në duart dhe këmbët e Krishtit. Mirë thotë Homilia e Vuajtjes, “Qoftë përherë i ngulitur në zemrat tona imazhi i Krishtit të kryqëzuar. Le të na nxitë që ta urrejmë mëkatin dhe ta nxitë mendjen tonë drejt një dashurie më të zellshme për Perëndinë e Gjithëpushtetshëm.

Mateu 27:45-56
Në këto vargje lexojmë konkluzioni e vuajtjes së Zotit tonë Jezu Krisht. Pas gjashtë orësh vuajtjeje të mundimshme, Ai u bë i bindur deri në vdekje dhe “e dorëzoi shpirtin e tij.” Tre pika në këtë tregim meritojnë një vëmendje të veçantë. Le ta fokusojmë vëmendjen tonë tek ato.

Së pari, le të vëzhgojmë fjalët e jashtëzakonshme që Jezusi shqiptoi pak para vdekjes së Tij, “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” Në këto fjalë ka një mister të thellë të cilin nuk mund ta kapë dot asnjë njeri i vdekshëm. Nuk ka dyshim që këto fjalë nuk dolën nga goja e Zotit tonë thjesht nga dhimbja trupore. Një shpjegim i tillë është krejtësisht i pamjaftueshëm dhe çnderues ndaj Shpëtimtarit tonë të bekuar. Ato fjalë kishin për qëllim të shprehnin shtypjen reale mbi shpirtin e Tij nga barra e jashtëzakonshme e mëkateve të botës. Ato kishin për qëllim të tregonin se në ç’mënyrë të vërtetë dhe të drejtpërdrejtë Ai ishte zëvendësuesi ynë, sesi u bë mëkat dhe mallkim për ne, dhe duroi zemërimin e drejtë të Perëndisë kundër mëkatit të botës në personin e Tij. Në atë moment të frikshëm, paudhësia e ne të gjithëve u vendos plotësisht mbi Të. I pëlqeu Zotit që ta rrihte dhe ta bënte të vuante. (Isaia 53:10). Ai mbarti mëkatet tona. Ai mbarti shkeljet tona. E rëndë duhet të ketë qenë ajo barrë; real dhe i drejtpërdrejtë duhet të ketë qenë zëvendësimi i Zotit tonë për ne, kur Ai, Biri i përjetshëm i Perëndisë mund të fliste për veten e Tij si i “braktisur” për një kohë.
Lëreni që kjo shprehje të hyjë thellë në zemrat tona dhe të mos e harrojmë. Nuk mund të gjejmë dot një provë më të fortë për mëkatshmërinë e mëkatit, apo për natyrën zëvendësuese të vuajtjeve të Krishtit, sesa klithma e Tij, “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” Kjo është një klithmë që duhet të na nxitë që ta urrejmë mëkatin dhe të na inkurajojë që të besojmë në Krishtin.

Së dyti, le të vëzhgojmë sa shumë kuptim përmbajnë fjalët që përshkruajnë fundin e Zotit tonë. Ne thjesht na thuhet, “dha frymë.”

Nuk ka pasur një frymë të fundit kaq të rëndësishme sa kjo. Nuk ka pasur kurrë një ndodhi tek nga e cila të vareshin kaq shumë gjëra. Ushtarët Romakë, dhe turma tallëse përreth kryqit, nuk panë ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Ata thjesht panë një person që vdiq si të tjerët, me gjithë vuajtjen dhe agoninë e zakonshme që shoqërojnë kryqëzimin. Por ata nuk e kishin fare idenë për qëllimet e përjetshme që u përfshinë në gjithë këtë ndodhi.

Kjo vdekje e pagoi plotësisht borxhin e madh që mëkatarët i detyroheshin Perëndisë dhe e hapi kanat më kanat portën e jetës për çdo besimtar. Ajo vdekje i plotësoi kërkesat e drejta të ligjit të shenjtë të Perëndisë dhe i dha mundësi Perëndisë të ishte i drejtë dhe në të njëjtën kohë drejtësues i të paudhëve. Ajo vdekje nuk ishte thjesht një shembull i vetëflijimit, por një shlyerje dhe shpagim i plotë për mëkatin e njeriut, duke ndikuar gjendjen dhe të ardhmen e gjithë njerëzimit. Ajo vdekje e zgjidhi problemin e vështirë sesi Perëndia mund të ishte përsosmërisht i shenjtë dhe në të njëjtën kohë përsosmërisht i mëshirshëm. Ajo hapi për botën një burim për pastrimin e gjithë mëkatit dhe papastërtive. Kjo ishte një fitore e plotë mbi Satanin duke e demaskuar atë haptazi. Kjo i dha fund shkeljes, bëri pajtimin për paudhësinë dhe solli një drejtësi të përjetshme. Kjo vërtetoi mëkatshmërinë e mëkatit kur kishte nevojë për një sakrificë të tillë për të bërë shlyerjen e tij. Kjo vdekje vërtetoi dashurinë e Perëndisë për mëkatarët, kur Ai dërgoi Birin e Tij për të bërë shlyerjen. Në fakt, nuk ka pasur kurrë dhe as nuk mund të ketë një vdekje si kjo. Nuk është habi që toka u drodh kur Jezusi vdiq në vendin tonë mbi atë pemë të mallkuar. Vetë skeleti i botës u drodh dhe u mahnit me të drejtë kur shpirti i Krishtit u bë ofertë për mëkatin. (Isaia 53:10).

Së fundi, le të vëzhgojmë, çfarë mrekullie e jashtëzakonshme ndodhi në momentin e vdekjes së Zotit tonë në mes të tempullit Jude. Na thuhet që “veli i tempullit u shqye më dysh.” Perdja që ndante vendin shumë të shenjtë nga pjesa tjetër e tempullit dhe përmes të cilës mund të kalonte vetëm krye prifti, kjo perde u shqye më dysh nga maja në fund.

Nga të gjitha shenjat e mrekullueshme që e shoqëruan vdekjen e Zotit tonë asnjëra nuk ishte më domethënëse se kjo. Errësira tre orëshe në mes të ditë duhet të ketë qenë një ndodhi tronditëse. Tërmeti që bëri të hapeshin shkëmbinjtë duhet të ketë qenë një tronditje e jashtëzakonshme. Por në shqyerjen e papritur të velit nga kreu në fund kishte një kuptim që duhet ta ketë tejshpuar zemrën e çdo Judeu inteligjent. Ndërgjegja e Kajafës, krye priftit duhet të ketë qenë me të vërtetë e ngurtë, nëse lajmi i velit të shqyer nuk e mbushi me një frikë të madhe. Shqyerja e velit shpalli fundin dhe kalimin tej të ligjit ceremonial. Kjo ishte një shenjë që epoka e vjetër e flijimeve dhe porosive nuk nevojitej më. Puna e saj ishte përmbushur. Roli i saj përfundoi nga momenti që vdiq Krishti. Nuk kishte më nevojë për një krye prift tokësor, për një pajtues tokësor, për gjakun e spërkatjes, për ofrimin e temjanit dhe për ditën e shlyerjes. Krye prifti i vërtetë më në fund ishte shfaqur. Qengji i vërtetë i Perëndisë ishte therrur. Më në fund ishte zbuluar pajtuesi i vërtetë. Figurat dhe hijet nuk nevojiteshin më. E kujtofshim këtë gjë të gjithë ne! Të ngresh tani një altar, një flijim dhe një priftëri është sikur të ndezësh një qiri në mesditë.

Shqyerja e velit shpalli hapjen e udhës së shpëtimit për gjithë njerëzimin. Udha për në praninë e Perëndisë ishte e panjohur për Johebrenjtë dhe dukej vetëm në mënyrë të mjegullt nga Judenjtë derisa vdiq Krishti. Por duke qenë se tani Krishti kishte ofruar një flijim të përsosur dhe kishte siguruar një shpengim të përjetshëm, errësira dhe misteri duhej të shkonin tej. Tani të gjithë duhet të ftohen që t’i afrohen Perëndisë me guxim, t’i afrohen Atij me siguri përmes besimit në Jezusin. Tani ishte hapur një derë dhe ishte shtruar një udhë jete përpara gjithë botës. E mbajtshim mend këtë gjë të gjithë ne! Nga momenti kur vdiq Jezusi udha e paqes nuk duhet të jetë më e mbështjellë në mister. Nuk do të kishte më asnjë rezervim. Ungjilli ishte zbulesa e një misteri, i cili ishte mbajtur i fshehur nga brezat dhe epokat e hershme. Ta veshësh tani fenë me mister, është që ta gabosh rreth karakteristikës madhore të Krishterimit.

Le të largohemi nga historia e kryqëzimit çdo herë që e lexojmë me zemra të mbushura plot me lavdërim. Le ta lavdërojmë Perëndinë për sigurinë që na jep, si baza e shpresës tonë të faljes. Mëkatet tona mund të jenë të shumta dhe të mëdha, por pagesa që u bë nga Zëvendësuesi ynë i Madh jua kalon së tepërmi të gjitha atyre. Le ta lavdërojmë Perëndinë për tablonë që na ka dhënë për dashurinë e Atit qiellor. Ai që nuk e kurseu as Birin e Tij, por e dha për të gjithë ne, me siguri që bashkë me Të do të na japë të gjitha gjërat. Gjithashtu, le ta lavdërojmë po aq shumë Perëndinë për tablonë që na jep për simpatinë e Jezusit me të gjithë njerëzit e Tij besimtarë. Ai mund të preket nga ndjenjat e dobësive tona. Ai e di se çfarë është vuajtja. Jezusi është saktësisht Shpëtimtari që i nevojitet një trupi të lëkundur dhe një zemre të dobët në një botë të ligë.

Mateu 27:57-66
Këto vargje përmbajnë historinë e varrimit të Zotit tonë Jezu Krisht. Kishte edhe një gjë të nevojshme në mënyrë që të ishte e sigurt që Shpengimtari ynë e përmbushi veprën e madhe të shpengimit të cilën e kishte marrë përsipër. Trupi i shenjtë, në të cilin Ai mbarti mëkatet tona në kryq, në fakt duhej të shtrihej në varr dhe të ringjallej sërish. Ringjallja e Tij duhej të ishte vula dhe guri i kreut në gjithë veprën e Tij.

Urtësia e pafundme e Perëndisë i parashikoi kundërshtimet e jobesimtarëve dhe të pabesëve dhe siguroi diçka kundër tyre. A vdiq me të vërtetë Biri i Perëndisë? A u ringjall me të vërtetë? Mos vallë mund të kishte patur ndonjë lajthitje në lidhje me vdekjen e Tij? A mund të kishte pasur ndonjë mashtrim apo detyrim në lidhje me realitetin e ringjalljes së Tij? Të gjitha këto dhe shumë kundërshtime të tjera nuk ka dyshim që do të ngriheshin nëse do t’u jepej mundësia. Por Ai i cili e di fundin nga fillimi e parandaloi mundësinë e ngritjes së kundërshtimeve të tilla. Përmes provanisë së Tij mbizotëruese Ai i qeverisi gjërat në mënyrë që vdekja dhe varrimi i Jezusit të mund të ishin përtej çdo dyshimi. Pilati dha urdhrin për varrimin e Tij. Një dishepull i dashur e mbështolli trupin e Tij me pëlhura lir dhe e vendosi atë në një varr të ri i cili ishte hapur në shkëmb, “në të cilin nuk ishte vënë asnjë njeri.” Vetë krye priftërinjtë caktuan një roje tek vendi ku u vendos trupi i Tij. Judenjtë dhe Johebrenjtë, miqtë dhe armiqtë, që të gjithë dëshmojnë faktin e madh, që Krishti vdiq me të vërtetë dhe u shtri në varr. Ky është një fakt që nuk mund të vihet kurrë në dyshim. Ai u “shtyp” me të vërtetë. Ai “vuajti” me të vërtetë. Ai “vdiq” me të vërtetë. Ai u “varros” me të vërtetë. Le t’i kushtojmë vëmendje këtij fakti. Ai meriton që të kujtohet.

Së pari, le të mësojmë nga këto vargje se Zoti ynë Jezu Krisht ka miq për të cilët nuk dimë shumë. Nuk mund të gjejmë dot një shëbull më të goditur të kësaj sesa ai që shohim në vargjet para nesh. Një burrë e quajtur Jozef nga Arimatea del në skenë kur Zoti ynë kishte vdekur dhe kërkon leje që ta varrosë trupin e Tij. Nuk kemi dëgjuar kurrë për këtë burrë gjatë shërbesës tokësore të Zotit tonë. Nuk dëgjojmë më kurrë për të. Nuk dimë asgjë, përveç faktit që ai ishte një dishepull që e donte Krishtin dhe që e nderoi Atë. Në kohën kur apostujt e kishin braktisur Zotin tonë – në një kohë kur ishte e rrezikshme të shfaqje nderim për Të – në një kohë kur dukej se nuk kishte ndonjë avantazh tokësor tek rrëfimi i të qenurit dishepull i Tij – në një kohë të tillë Jozefi del përpara me guxim, kërkon trupin e Jezusit dhe e varros atë në varrin e tij të ri.

Ky fakt është plot me ngushëllim dhe inkurajim. Kjo gjë na tregon se mbi tokë ka disa shpirtra të qetë dhe të tërhequr të cilët e njohin Zotin dhe që njihen prej Tij, e megjithatë ata nuk njihen shumë nga kisha. Kjo na tregon që ka larmi dhuntish mes njerëzve të Krishtit. Ka disa që e lavdërojnë Krishtin në mënyrë pasive, dhe disa që e lavdërojnë Atë në mënyrë aktive. Ka disa thirrja e të cilëve është të ndërtojnë kishën dhe të mbushin një vend publik, dhe ka disa të tjerë të cilët dalin përpara si Jozefi vetëm në raste me një nevojë të veçantë. Por secili dhe të gjithë udhëhiqen prej të njëjtit Frymë, secili prej tyre dhe të gjithë ata e lavdërojnë Perëndinë në mënyrat e tyre të veçanta.

Lërini këto gjëra që të na mësojnë të jemi më të dobishëm. Le të besojmë që shumë do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi, dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin në mbretërinë e qiejve. Në disa cepa të errët të botës së krishterë mund të ketë shumë njerëz të cilët sikurse Simeoni dhe Ana, dhe si Jozefi i Arimatesë në kohën e tanishme nuk njihen shumë por që do të shkëlqejnë fort mes margaritarëve të Zotit në ditën e shfaqjes së Tij.

Një gjë tjetër që duhet ta mësojmë nga këto vargje është që Perëndia mund t’i bëjë planet e njerëzve të ligj të veprojnë për lavdinë e Tij. Ky mësim na mësohet në një mënyrë të veçantë përmes sjelljes së priftërinjve dhe Farisenjve, pasi Zoti ynë u varros. Armiqësia e fortë e këtyre njerëzve të mjerë nuk mund të flite dot, edhe kur trupi i Jezusit gjendej në varr. Ata kujtuan fjalët, të cilat i kishte thënë Ai në lidhje me “ringjalljen.” Ndërsa e menduan vendoën që ta bënin të pamundur ringjalljen e Tij. Ata shkuan tek Pilat. Vendosën një vulë mbi gurin e varrit. Me pak fjalë, ata bënë gjithë sa mundën për ta “siguruar varrin.”

Nuk e menduan mirë atë që po bënin. Nuk e menduan që pa dashje ata po siguronin provën më të plotë për të vërtetën e ringjalljes së ardhshme të Krishtit. Ata në fakt po e bënin të pamundur për të vërtetuar se kishte ndodhur ndonjë mashtrim apo detyrim. Vula e tyre, rojet e tyre, masat e tyre, të gjitha do të bëheshin dëshmitarë pas disa orës që Krishti ishte ringjallur. Ata mund të kishin provuar që të ndalonin baticat e detit, apo të pengonin diellin të lindte, kaq e pamend ishte edhe përpjekja e tyre për ta ndaluar Jezusin të dilte prej varrit. Ata u zunë rob nga vetë dinakëria e tyre. (1 Korintasve 3:19). Vetë intrigat e tyre u bënë instrumente për të shpalosur lavdinë e Perëndisë.

Historia e kishës është e mbushur plot me shembuj të një lloji të ngjashëm. Po ato gjëra që dukeshin më të pafavorshme ndaj popullit të Perëndisë, shpesh kanë dalë që kanë qenë për të mirën e tyre. Çfarë dëmi i shkaktoi kishës, “përndjekja që shpërtheu në kohën e Stefanit”? Ata që u shpërndanë shkuan kudo duke shpallur fjalën. (Veprat 8:4). Çfarë dëmi shkaktoi burgosja e Palit? Kjo i dha kohë që të shkruante shumë nga ato Letra të cilat tani lexohen në mbarë botën. Çfarë dëmi real i shkaktoi përndjekja e Marisë gjakatare kauzës së Reformimit Anglez? Gjaku i martirëve u bë fara e kishës. Çfarë lëndimi i bën përndjekja popullit të Perëndisë në kohën e sotme? Ai thjesht i shtyn të shkojnë më pranë Krishtit. Thjesht i bën ata të mbahen edhe më ngushtë tek froni i hirit, tek Bibla dhe tek lutja.

Le t’i ruajnë në zemër këto gjëra të gjithë të krishterët e vërtetë dhe të marrin guxim. Ne jetojmë në një botë ku të gjitha gjërat qeverisen nga një dorë me urtësi të përsosur, dhe ku të gjitha gjërat po bashkëveprojnë vazhdimisht për të mirën e trupit të Krishtit. Pushtetet e kësaj bote janë thjesht vegla në dorën e Perëndisë. Ai është duke i përdorur ata për qëllimet e Tij, pavarësisht sesa pak të vetëdijshëm mund të jenë ata për këtë gjë. Ata janë instrumente përmes të cilave Ai është duke i formuar dhe lëmuar gurët e gjallë të tempullit të Tij të shenjtë dhe të gjitha skemat dhe planet e tyre thjesht kanë për të dalë për lavdinë e Tij. Le të jemi të duruar mes problemesh dhe në errësirë dhe të shohim drejt përpara. Ato gjëra që tani duken se janë kundër nesh, që të gjitha ato po punojnë së bashku për lavdinë e Perëndisë. Tani shohim vetëm gjysmën. Megjithatë, pas pak do ta shohim të plotë. Atëherë do të zbulojmë që gjithë përndjekja që po durojmë tani ishte si vula dhe roja, duke i shërbyer lavdisë së Perëndisë. Perëndia mund të bëjë që edhe “zemërimi i njerëzve t’i japë lavdi Atij.” (Psalmi 76:10.)


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

%d bloggers like this: