Mendime Shtjelluese Mateu 5

Ungjilli sipas Mateut kapitulli 5

nga J. C. Ryle

Mateu 5:1-12

Tre kapitujt që fillojnë me këto vargje meritojnë vëmendjen e veçantë të të gjithë lexuesve të Biblës. Ato përmbajnë atë që zakonisht quhet “predikimi në mal.”

Çdo fjalë e Zotit Jezus duhet të jetë tepër e çmuar për ata që rrëfejnë se janë të krishterë. Ato janë zëri i krye Bariut. Janë nxitja e Peshkopit të madh dhe Kreut të kishës. Janë vetë fjalët e Mjeshtrit. Janë fjalët e Atij që “foli siç nuk ka folur askush tjetër,” dhe përmes këtyre fjalëve do të gjykohemi të gjithë ne ditën e fundit.

A dëshirojmë të dimë se çfarë lloj njerëzish duhet të jenë të krishterët? A dëshirojmë të njohim karakterin që duhet të synojnë të krishterët? A dëshirojmë të njohim ecjen e jashtme dhe zakonin e brendshëm të mendjes që i shkojnë një ndjekësi të Jezusit? Atëherë le ta studiojmë shpesh predikimin në mal. Le të meditojmë shpesh për çdo fjali dhe ta vëmë veten në provë përmes tyre. Gjithashtu le të konsiderojmë shpesh kush janë ata që quhen të LUMUR në fillim të predikimit. Ata që bekohen pre Kryepriftit të madh janë vërtet të bekuar.

Zoti Jezus quan të bekuar apo të lumur ata që janë skamës në frymë. Ai e ka fjalën për të përulurit, ata që kanë një mendësi të përunjur dhe që e përulin veten e tyre. E ka fjalën për ata që janë thellësisht të bindur për mëkatshmërinë e tyre përpara Perëndisë. Këta janë ata që nuk janë “të mençur dhe të shenjtë në sytë e tyre.” Ata nuk janë “të pasur dhe të mbushur me të mira.” Nuk u shkon në mendje që nuk kanë nevojë për asgjë. Ata e konsiderojnë veten të “mjerë, skamës dhe të varfër, të verbër dhe të zhveshur.” Të bekuar janë të gjithë këta njerëz! Përulësia është shkronja e parë në alfabetin e krishterë. Duhet të fillojmë poshtë nëse duam të ngremë një ndërtesë të lartë.

Zoti Jezus i quan të lumur ata që vajtojnë. Ai e ka fjalën për ata që trishtohen për mëkatin dhe vajtojnë çdo ditë për dështimet e tyre. Këta janë ata që e shqetësohen më tepër për mëkatin sesa për ndonjë gjë tjetër mbi tokë. Ata trishtohen kur e kujtojnë. Barra e tij është e patolerueshme. Të lumur janë të gjithë këta! “Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer.” Një ditë ata nuk do të vajtojnë më. “Ata do të ngushëllohen.”

Zoti Jezus i quan të lumur ata që janë zemërbutë. Ai e ka fjalën për ata që janë që kanë një frymë të frymë të duruar dhe të kënaqur. Ata janë të gatshëm të durojnë duke u nderuar pak këtu poshtë. Ata mund t’i durojnë padrejtësitë pa mbajtur mëri. Nuk janë janë të gatshëm të ofendohen. Sikurse Llazari në shëmbëlltyrë ata janë të kënaqur të presin për gjërat e tyre të mira. Të lumur janë njerëz të tillë! Ata nuk do të dalin kurrë të humbur në afat të gjatë. Një ditë ata do të “trashëgojnë tokën.” (Zbulesa 5:10).

Zoti Jezus quan të lumur ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi. Ai e ka fjalën për ata që dëshirojnë mbi gjithçka tjetër të përshtaten plotësisht me mendjen e Perëndisë. Ata nuk dëshirojnë aq shumë të jenë të pasur, të kamur apo të arsimuar sa dëshirojnë që të jenë të shenjtë! Një ditë ata do të kenë mjaftueshëm. Ata do të “zgjohen në ngjashmëri me Perëndinë dhe do të kënaqen.” (Psalmi 17:15).

Zoti Jezus quan të lumur ata që janë të mëshirshëm. Ai e ka fjalën për ata që janë plot dhembshuri ndaj të tjerëve. Ata tregojnë keqardhje për të gjithë ata që vuajnë nga mëkati apo brengat dhe me butësi dëshirojnë që t’jua lehtësojnë vuajtjet. Ata janë plot me vepra të mira dhe me përpjekje për të bërë të mirën. Të lumur janë njerëz të tillë! Si në këtë jetë ashtu dhe në atë që po vjen ata do të korrin një shpërblim të madh.

Zoti Jezus quan të lumur ata që janë të pastër në zemër. Ai e ka fjalën për ata që nuk synojnë thjesht një përputhje të jashtme por një shenjtëri të brendshme. Ata nuk janë të kënaqur thjesht me një petk të jashtëm të fesë. Ata përpiqen ta ruajnë zemrën dhe ndërgjegjen të panjollosura dhe t’i shërbejnë Perëndisë me frymën dhe njeriun e brendshëm. Të lumur janë njerëz të tillë! Zemra është thelbi i njeriut. “Njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën.” (1 Samueli 16:7). Ai që është më tepër frymëror në mendjen e tij ka për të pasur më tepër përbashkësi me Perëndinë.

Zoti Jezus i quan të lumur ata që janë paqebërës. Ai e ka fjalën për ata që e përdorin ndikimin e tyre për të nxitur paqen dhe dashurinë mbi tokë, si në sferën private ashtu dhe në atë publike, si në vendin e tyre ashtu dhe përtej tij. Ai e ka fjalën për ata që përpiqen t’i bëjnë të gjithë njerëzit ta duan njëri-tjetrin duke mësuar ata Ungjill që thotë, “dashuria është përmbushja e ligjit.” Lum gjithë ata që janë të tillë! Ata po bëjnë atë punë të cilën e nisi Biri i Perëndisë kur erdhi në tokë për herë të parë dhe të cilën do ta përfundojë kur të kthehet për herë të dytë.

Së fundi, Zoti Jezus i quan të lumur ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë. Ai e ka fjalën për ata të cilët i përqeshin, i tallin, i përbuzin dhe i keqtrajtojnë për shkak se përpiqen të jetojnë si të krishterë të vërtetë. Të lumur janë gjithë këta! Ata pijnë nga e njëjta kupë prej së cilës piu edhe Zotëria i tyre. Ata tani po e rrëfejnë Atë përpara njerëzve, dhe Ai do t’i rrëfejë ata përpara Atit të Tij dhe engjëjve të tij në ditën e fundit. “Shpërblimi i tyre është i madh.”

Këta janë tetë gurët e themelit të cilët Zoti i vendos në fillim të predikimit në mal. Përpara nesh janë vendosur tetë të vërteta të mëdha që na mbështesin. I kushtofshim vëmendjen e duhur secilit prej tyre dhe mësofshim urtësinë!

Le të mësojmë se sa plotësisht kundër janë parimet e Krishtit ndaj parimeve të botës. Është e kotë që ta mohojmë. Ato janë pothuaj diametralisht të kundërta. Vetë ata persona të cilët Zoti Jezus i lavdëron janë ata që bota i përbuz.

Krenarinë, shkujdesjen, zemërimin, frymën e botës, egoizmin, formalitetin dhe mungesën e dashurisë gjëra të cilat gjenden me bollëk kudo, këto janë gjërat që Zoti Jezus i dënon.

Le të mësojmë se sa i ndryshëm është mësimi i Krishtit nga praktika e shumë prej atyre që rrëfejnë se janë të Krishterë. Ku do të gjejmë burra dhe gra mes atyre që shkojnë në kisha dhe bashkësi të cilët po nxiten për të jetuar sipas modelit që kemi lexuar sot? Mjerisht, ka më tepër arsye për t’u frikësuar që shumë njerëz të pagëzuar janë krejtësisht të paditur për atë çfarë gjejmë në Dhiatën e Re.

Mbi të gjitha le të mësojmë sa të shenjtë dhe me mendje frymërore që duhet të jenë të gjithë besimtarët. Ata nuk duhet të synojnë kurrë ndonjë standard më të ulët se ai i predikimit në mal. Krishterimi është një fe jashtëzakonisht praktike. Doktrina e shëndoshë është rrënja dhe themeli i tij, por jeta e shenjtë duhet të jetë gjithmonë fryti. Nëse dëshirojmë të dimë se çfarë është jeta e shenjtë le të mendojmë më shpesh se cilët janë ata që Jezusi i quan “të lumur.”

Mateu 5:13-20

Në këto vargje Zoti Jezus trajton dy tema. Njëra është ajo e karakterit që duhet të shfaqin dhe të ruajnë të krishterët e vërtetë në këtë botë. Tjetra është marrëdhënia mes doktrinave të Tij dhe atyre të Dhiatës së Vjetër. Është shumë e rëndësishme që të kemi pikëpamje të qarta për të dyja këto tema.

Të krishterët e vërtetë duhet të jenë në botë si KRIPA. Kripa ka një shije të veçantë të sajën, krejtësisht ndryshe nga çdo gjë tjetër. Kur përzjehet me substanca të tjera, ajo i ruan nga prishja. I jep një pjesë të shijes së saj çdo gjëje me të cilën përzjehet. Kripa është e dobishme për aq kohë sa e ruan shijen e saj. A jemi të krishterë të vërtetë? Atëherë le të dallojmë vendin dhe detyrat tona!

Të krishterët e vërtetë duhet të jenë në botë si DRITA. Karakteristika e dritës është që të jetë plotësisht e dallueshme nga errësira. Edhe shkëndija më e vogël në një dhomë mund të dallohet menjëherë. Nga të gjitha gjërat e krijuara drita është më e dobishmja. Drita ushqen. Drita udhëzon. Drita gëzon. Drita ishte gjëja e parë që u soll në ekzistencë. Pa dritë bota do ishte një vend i zymtë. A jemi të krishterë të vërtetë? Atëherë le të vëzhgojmë sërish pozitën tonë dhe përgjegjësitë e saj!

Sigurisht, nëse fjalët kanë ndonjë farë kuptimi atëherë duhet që të mësojmë diçka përmes këtyre dy krahasimeve, që duhet të ketë diçka të dallueshme, të dukshme dhe të veçantë rreth karakterit tonë nëse jemi të krishterë të vërtetë. Nuk ka për pasur kurrë vlerë që jetojmë të shkujdesur, duke menduar dhe vepruar sikurse të tjerët, nëse dëshirojmë që të jemi populli i Krishtit. A kemi hir? Atëherë kjo gjë duhet të jetë e dukshme. A e kemi Frymën? Atëherë duhet të kemi fryt. A kemi një besim shpëtues? Atëherë duhet të ketë një ndryshim në zakone, shije, një ndryshim mendjeje, mes nesh dhe atyre që mendojnë vetëm për botën. Është shumë e qartë që Krishterimi i vërtetë është diçka më tepër se thjesht të pagëzohesh dhe të shkosh në kishë. “Kripa” dhe “drita” është e qartë që nënkuptojnë një veçanti zemre dhe jete, besimi dhe praktike. Duhet të guxojmë të jemi të fokusuar dhe ndryshe nga bota nëse dëshirojmë të shpëtohemi.

Marrëdhënia mes mësimit të Zotit tonë dhe atij të Dhiatës së Vjetër, qartësohet nga vetë Zoti ynë në një deklaratë të goditur. Ai thotë, “Mos mendoni se unë erdha për të shfuqizuar ligjin ose profetët; unë nuk erdha për t’i shfuqizuar, po për t’i plotësuar.” Këto janë fjalë të jashtëzakonshme. Ato kishin një rëndësi shumë të thellë kur u shqiptuan për shkak se qetësuan ankthin e natyrshëm të Judenjve në lidhje me këtë pikë. Ato do vazhdojnë të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme për aq kohë sa të jetë bota, si një dëshmi që feja e Dhiatës së Vjetër dhe asaj të Re janë një tërësi e vetme dhe harmonike.

Zoti Jezus erdhi të përmbushte parashikimet e profetëve, të cilët kishin parathënë shumë kohë më parë që një ditë do të shfaqet një Shpëtimtar. Ai erdhi të përmbushte ligjin ceremonial, duke u bërë sakrifica e madhe për mëkatin, drejt të cilës kishin treguar të gjitha ofertat e ligjit të Moisiut. Ai erdhi të përmbushte ligjin moral, duke e plotësuar atë me një bindje të përsosur, gjë të cilën ne nuk mund ta bënim dot kurrë, dhe duke paguar ndëshkimin për shkeljen tonë të këtij ligji me gjakun e Tij shlyes, gjë të cilën nuk mund ta kishim paguar dot kurrë. Në të gjitha këto mënyra Ai e lartësoi ligjin e Perëndisë dhe e bëri edhe më të dukshme rëndësinë e tij nga sa kishte qenë më parë. Me pak fjalë, “Ai e lartësoi dhe e nderoi ligjin.” (Isaia 42:21).

Nga këto fjalë të Zotit tonë mund të mësojmë disa mësime të thella urtësie. Le t’i konsiderojmë ato si duhet dhe t’i shtiem në zemrat tona.

Le të kemi kujdes që të mos e përbuzim Dhiatën e Vjetër për asnjë arsye. Le të mos i dëgjojmë asnjëherë ata që na bëjnë thirrje ta lëmë atë mënjanë si një libër të padobishëm, antik dhe që i ka kaluar koha. Feja e Dhiatës së Vjetër është embrioni i Krishterimit. Testamenti i Vjetër është Ungjilli në syth. Testamenti i Ri është Ungilli plotësisht në lulëzim. Testamenti i Vjetër është Ungjilli në filiz. Testamenti i Ri është Ungjilli në kallirin e pjekur. Shenjtorët e Besëlidhjes së Vjetër panë shumë gjëra si në një pasqyrë të turbullt. Por të gjithë ata panë me besim të njëjtin Shpëtimtar dhe u udhëhoqën prej të njëjtit Fryme sikurse edhe ne. Këto nuk janë gjëra të parëndësishme. Shumë pabesi nisin me një përbuzje të paditur ndaj Dhiatës së Vjetër.

Së dyti le të kemi kujdes që të mos e përbuzim ligjin e Dhjetë Urdhërimeve. Le të mos supozojmë qoftë edhe për një moment se këto janë lënë mënjanë prej Ungjillit, apo që të krishterët nuk kanë fare lidhje me to. Ardhja e Krishtit nuk e ndryshoi pozitën e Dhjetë Urdhërimeve as edhe një fije të vetme. Përkundrazi, ardhja e Tij e lartësoi dhe e ngriti autoritetin e tyre (Romakëve 3:31). Ligji i Dhjetë Urdhërimeve është standardi i përjetshëm i Perëndisë për të drejtën dhe të gabuarën. Përmes tij arrijmë njohjen e mëkatit. Përmes tij Fryma u tregon njerëzve nevojën e tyre për Krishtin dhe i nxit të shkojnë tek Ai. Tek ky ligj Krishti i referon njerëzit e tij si rregulli dhe udhëzuesi për një jetë të shenjtë. Në vendin e tij ligji është po aq i rëndësishëm sa edhe “Ungjilli i lavdishëm.” Ai nuk mund të na shpëtojë. Nuk mund të drejtësohemi prej tij. Por kurrë le të mos e përbuzim ligjin. Nëse e bëjmë, domethënë nëse nuk i japim rëndësinë që i takon, kjo gjë është simptoma e një gjendjeje të paditur dhe të pashëndetshme në besimin tonë. I krishteri i vërtetë “gjen kënaqësi në ligjin e Perëndisë” (Romakëve 7:22).

Së fundi, le të kemi kujdes që të mos supozojmë se Ungjilli e ka ulur standardin e shenjtërisë, dhe që i krishteri nuk duhet të jetë aq strikt dhe i hollësishëm rreth jetës së tij të përditshme sikurse ishin Judenjtë. Ky është gabim shumë i madh, por që fatkeqësisht është shumë i zakonshëm. Shumë ndryshe nga kjo, shenjtërimi që duhet të presin shenjtorët e Dhiatës së Re duhet t’ia kalojë atij që nuk ka asgjë tjetër veçse Dhiatën e Vjetër për udhëzues të tij. Sa më tepër dritë të kemi, aq më tepër duhet ta duam Perëndinë. Sa më qartë ta shohim faljen e plotë në Krishtin, me po aq gëzim duhet të veprojmë për lavdinë e Tij. Ne e dimë se cila ishte kostoja për shpengimin tonë shumë më mirë nga sa e dinin shenjtorët e Dhiatës së Vjetër. Kemi lexuar se çfarë ndodhi në Gjethsemane dhe në Kalvar, kurse ata vetëm sa i panë këto gjëra në mënyrë të turbullt si diçka që do të vinte. Mos i harrofshim kurrë detyrimet tona! I krishteri që është i kënaqur me një standard të ulët të shenjtërisë personale ka shumë për të mësuar.

Mateu 5:21-37

Këto vargje meritojnë vëmendjen më të kujdesshme të të gjithë lexuesve të Biblës. Kuptimi i duhur i doktrinave që gjenden brenda tyre qëndron në thelb të Krishterimit. Zoti Jezus këtu shpjegon në mënyrë më të plotë kuptimin e fjalëve të Tij, “Nuk erdha për ta shfuqizuar ligjin por për ta plotësuar.” Ai na mëson që Ungjilli i Tij e madhëron ligjin, e lartëson autoritetin e tij. Ai na tregon që ligji sikurse shtjellohet prej Tij ishte një rregull shumë herë më frymëror dhe zemër hetues nga sa mendonin shumica e Judenjve. Ai e vërteton këtë gjë duke zgjedhur tre urdhërime nga të dhjeta si shembuj për atë që do të thotë.

Jezus shtjellon urdhërimin e gjashtë. Shumë njerëz mendonin se e zbatonin këtë pjesë të ligjit të Perëndisë për aq kohë sa nuk kryenin VRASJE. Zoti Jezus tregon që kërkesat e këtij ligji shkojnë shumë më thellë se kaq. Ky urdhërim dënon çdo të folur me zemërim dhe inat, në mënyrë të veçantë kur përdoret pa shkak. Le ta shohim mirë këtë gjë. Mund të jemi përsosmërisht të pafajshëm nga marrja e një jetë e megjithatë të jemi fajtorë për shkeljen e urdhërimit të gjashtë.

Jezusi shtjellon urdhërimin e shtatë. Shumë njerëz supozonin se e zbatonin këtë pjesë të ligjit të Perëndisë, nëse nuk kryenin në fakt KURORËSHKELJE. Zoti Jezus mëson që ne mund ta shkelim këtë urdhërim në mendimet, zemrat dhe imagjinatën tonë edhe atëherë kur sjellja jonë e jashtme është morale dhe korrekte. Perëndia me të cilin kemi të bëjmë sheh shumë më thellë sesa veprimet. Para tij edhe një shikim i shpejtë i syrit mund të jetë mëkat.

Jezus shtjellon urdhërimin e tretë. Shumë njerëz mendonin që e zbatonin këtë pjesë të ligjit të Perëndisë për aq kohë sa nuk bënin betim të rremë dhe i mbanin BETIMET e tyre. Zoti Jezus e ndalon krejtësisht çdo betim të shpejtë dhe të kotë. Çdo betim mbi gjërat e krijuara, edhe atëherë kur nuk përdoret emri i Perëndisë, çdo thirrje që i bëhet dëshmisë së Perëndisë, me përjashtim të rasteve më solemne është një mëkat i madh.

Të gjitha këto janë shumë udhëzuese. Këto gjëra duhet të shkaktojnë reflektime shumë serioze në mendjet tona. Kjo na bën thirrje që të hetojmë thellësisht zemrat tona. Çfarë na mësojnë këto fjalë?

Kjo gjë na mëson shenjtërinë e jashtëzakonshme të Perëndisë. Ai është një Qenie jashtëzakonisht e pastër dhe e përsosur i cili dallon mangësi dhe papërsosmëri atje ku sytë e njerëzit nuk dallojnë ndonjë gjë të tillë. Ai sheh motivet tona të brendshme. Ai vë re fjalët dhe mendimet tona si dhe veprimet tona. “Ai kërkon të vërtetën në thelb.” Sa mirë do ishte sikur njerëzit ta konsideronin më tepër nga sa bëjnë këtë pjesë të karakterit të Perëndisë! Nuk do kishte vend për krenari, vetë-drejtësi dhe shkujdesje sikur ta shihnim Perëndinë “ashtu siç është.”

Kjo gjë na mëson paditurinë e madhe të njeriut në lidhje me gjërat frymërore. Ka dhjetëra mijëra njerëz që rrëfejnë se janë të krishterë për të cilët me të drejtë mund të shqetësohemi që nuk dinë më tepër rreth kërkesave të ligjit të Perëndisë sesa Judenjtë më të paditur. Ata e njohin mjaft mirë shkronjën e dhjetë urdhërimeve. Sikurse i riu pasanik edhe ata mendojnë që “të gjitha këto i kam zbatuar që në rininë time.” Nuk ju shkon kurrë në mëndje që është e mundur t’i shkelësh urdhërimin e gjashtë dhe të shtatë, nëse edhe pse nuk i shkelin ato me një veprim flagrant. Prandaj jetojnë duke qenë të kënaqur me veten dhe me atë pak fe të tyre. Vërtet të lumur janë ata që vërtet e kuptojnë ligjin e Perëndisë!

Kjo gjë na mëson për nevojën tonë shumë të madhe që gjaku pajtues i Zotit Jezu Krisht të na shpëtojë. Cili është ai burrë apo ajo grua që mund të qëndrojë përpara një Perëndie të tillë dhe të thotë që “nuk jam fajtor?” Kush është ai që të ketë arritur një moshë të pjekur dhe të mos i ketë shkelur urdhërimet me mijëra herë? “Nuk ka asnjë të drejtë, as edhe një.” Pa një Ndërmjetës të pushtetshëm secili do të dënohej në gjykim. Padituria rreth kuptimit real të ligjit është një arsye e qartë pse shumë njerëz nuk e vlerësojnë Ungjillin dhe kënaqen me atë pak Krishterim formal. Ata nuk e dallojnë rreptësinë dhe shenjtërinë Dhjetë Urdhërimeve të Perëndisë. Nëse do ta dallonin nuk do të gjenin kurrë qetësi derisa të ishin të sigurt në Krishtin.

Së fundi, kjo pjesë na mëson rëndësinë e jashtëzakonshme të evitimit të çdo mundësie për mëkatin. Nëse vërtet dëshirojmë të jemi të shenjtë, duhet të “të kemi kujdes për udhët tona dhe të mos gabojmë me gojën tonë.” Duhet të jemi të gatshëm t’i frenojmë grindjet dhe mosmarrëveshjet që ato të mos na çojnë gradualisht drejt ligësive më të mëdha. “Fillimi i një grindjeje është si prishja e një dige.” Duhet të përpiqemi që ta kryqëzojmë mishin tonë dhe t’i bëjmë të vdesin gjymtyrët tanë mëkatarë, të bëjmë çdo sakrificë dhe të durojmë çdo parehati fizike në vend që të mëkatojmë. Duhet që t’u vëmë fre buzëve tona dhe të ushtrojmë një kontroll të vazhdueshëm mbi fjalët tona. Le të na quajnë të tjerët strikt nëse duan për këtë që bëjmë. Le të thonë po të donë që jemi “tepër kërkues.” Nuk ka pse të lëkundemi. Ne thjesht po veprojmë ashtu si na bën thirrje Zoti ynë Jezu Krisht dhe nëse është kështu nuk ka pse të na vijë turp.

Mateu 5:38-48

Në këtë pjesë gjejmë rregullat e Zotit tonë Jezu Krisht për sjelljen tonë ndaj të tjerëve. Ai që dëshiron të dijë sesi duhet të ndihet dhe veprojë ndaj të tjerëve duhet t’i studiojë shesh këto vargje. Ato meritojnë të shkruhen me shkronja të arta. Këto fjalë kanë marrë lavdërime edhe nga armiqtë e Krishterimit. Le të dallojmë mirë se çfarë mësimesh përmbajnë këto fjalë.

Zoti Jezus ndalon çdo frymë mosfaljeje apo hakmarrjeje. Gatishmëria për mbajtur mëri për shkak të lëndimit, të qenët i shpejtë për t’u ofenduar, prirja e për të qenë i grindur dhe debatues, prirja për të kërkuar të drejtat tona, të gjitha këto janë kundër mendjes së Krishtit. Bota mund të mos dallojë ndonjë gjë të keqe në këto zakone të mendjes. Por ato nuk përputhen me karakterin e të krishterit. Zotëria ynë thotë, “Mos i rezistoni të ligut.”

Zoti Jezus na bën thirrje të kemi një frymë dashurie dhe mirësie universale. Duhet të lëmë mënjanë çdo ligësi. Duhet ta kthejmë të keqen me të mirë, mallkimin me bekim. Duhet të “duam armiqtë tanë.” Për më tepër, nuk duhet të duam vetëm me fjalë, por me vepra. Duhet të mohojmë veten, të durojmë vështirësi, në mënyrë që të jemi të mirë dhe të sjellshëm. Nëse dikush “ju detyron të bëni një milje me të, ju bëni dy.” Duhet të durojmë shumë në vend që të lëndojmë një tjetër, apo të bezdisim dikë. Në gjithçka duhet të jemi bujarë. Mendimet tona nuk duhet të jenë kurrë, “si sillen të tjerët me mua?” por “çfarë dëshiron Krishti që të bëj?”

Një standard i tillë sjelljeje në pamje të parë mund të duket jashtëzakonisht i lartë. Por nuk duhet të kënaqemi kurrë duke synuar një standard më të ulët se ky. Duhet të studiojmë dy argumentet me peshë përmes të cilave Zoti ynë e mbështeti këtë pjesë të udhëzimit të tij. Ato argumente meritojnë një vëmendje serioze.

Së pari, nëse nuk synojmë të kemi një frymë dhe qëndrim si ai që rekomandohet në këtë pjesë nuk jemi ende fëmijë të Perëndisë. “Ati ynë që është në qiell” është i mirë me të gjithë. Ai dërgon shiun mbi të mirët dhe mbi të ligjtë. Ai bën që të “shkëlqejë dielli i Tij” mbi të gjithë pa dallim. Biri duhet të jetë si i ati. Pyetja është ku është ngjashmëria jonë me Atin tonë në qiell nëse nuk mund të tregojmë mëshirë dhe mirësi me të gjithë? Ku është prova që jemi krijesa të reja nëse na mungon dashuria? Një provë e tillë nuk gjendet asgjëkund. Ne ende duhet që “të lindemi sërish” (Gjoni 3:7).

Së dyti, nëse nuk synojmë të kemi një frymë dhe qëndrim si ai që rekomandohet këtu është e qartë që jemi ende të botës. Edhe ata që nuk kanë besim mund “të duan ata që i duan.” Ata mund të bëjnë mirë dhe të tregojnë mirësi kur shtyhen nga ndjenjat apo interesi i tyre. Por një i krishterë duhet të ndikohet prej parimesh më të larta se këto. Ai zmbrapsemi nga sprova? A na duket e pamundur t’u bëjmë mirë armiqve tanë? Nëse është kështu mund të jemi të sigurt që ende nuk jemi konvertuar. Ende nuk e kemi “marrë Frymën e Perëndisë” (1 Korintasve 2:12).

Në gjithë këtë ka shumë gjëra që kërkojnë një reflektim serioz. Ka pak pjesë të tjera në shkrim që kanë për qëllim të sjellin në mendjen tonë mendime përulëse. Këtu shohim një tablo të bukur të të krishterit sikurse duhet të jetë. Nuk mund ta shohim dot këtë tablo pa ndjerë dhimbje. Të gjithë duhet ta pranojmë që kjo tablo është shumë e ndryshme nga mënyra sesi është i krishteri. Le të marrim prej saj dy mësime të përgjithshme.

Së pari, nëse fryma e këtyre dhjetë vargjeve do të mbahej mend më tepër në mënyrë të vazhdueshme nga besimtarët e vërtetë, ata do ta rekomandonin Krishterimin më tepër nga sa bëjnë realisht përpara botës. Nuk duhet të lejojmë që të supozojmë që fjalët e fundit në këtë pjesë janë të parëndësishme dhe pa peshë. Ato nuk janë të tilla. Të qënurit të vëmendshëm ndaj frymës së kësaj pjese është ajo që e bën fenë tonë të bukur. Neglizhimi i gjërave që gjenden në këtë pjesë është shkaktari i deformimit të fesë tonë. Mirësjellja e vazhdueshme, mirësia, butësia dhe konsiderimi i të tjerëve janë disa prej zbukurimeve më të mëdha të karakterit të një fëmije të Perëndisë. Bota mund t’i kuptojë këto gjëra edhe kur nuk mund ta kuptojë doktrinën. Nuk ka fe në vrazhdësi, ashpërsi, pandjeshmëri dhe harbutëria.

Së dyti, nëse fryma e këtyre dhjetë vargjeve do të kishte më tepër sundim dhe pushtet në botë, sa më e lumtur do të ishte bota nga sa është tani. Kush nuk e di që grindjet, përleshjet, egoizmi dhe mungesa e mirësisë shkaktojnë gjysmën e mjerimeve nga të cilat është pllakosur njerëzimi? Kush mund të dështojë të shohë që asgjë nuk do ndihmojë më tepër në rritjen e lumturisë sesa përhapja e dashurisë së krishterë sikurse rekomandohet këtu nga Zoti ynë? Të gjithë ne le ta mbajmë mend këtë. Ata që mendojnë se feja e vërtetë ka prirjen që t’i bëjë njerëzit të palumtur gabojnë rëndë.

Përkundrazi, është mungesa e fesë së vërtetë ajo që e shkakton mungesën e lumturisë dhe jo prania e saj. Feja e vërtetë ka krejtësisht efektin e kundërt. Ajo ka prirjen të nxitë paqen, dashurinë, mirësinë dhe dashamirësinë mes njerëzve. Sa më tepër që njerëzit t’i nënshtrohen mësimit të Frymës së Shenjtë aq më tepër do ta duan njëri-tjetrin dhe aq më të lumtur do të jenë.


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*