Pa Ungjillin gjithçka është e kotë!

Pa Ungjillin gjithçka është e kotë dhe pa dobi; pa Ungjillin nuk jemi të Krishterë; pa Ungjillin gjithë pasuritë janë varfëri, gjithë urtësia është marrëzi para Perëndisë; forca është dobësi, dhe gjithë drejtësia e njeriut gjendet nën dënimin e Perëndisë. Por përmes njohurisë së Ungjillit ne bëhemi fëmijë të Perëndisë, vëllezër të Jezu Krishtit, bashkëqytetarë me shenjtorët, qytetarë të Mbretërisë së Qiellit, trashëgimtarë të Perëndisë me Jezu Krishtin, përmes të Cilit të varfrit bëhen të pasur, të dobëtit bëhen të fortë, të marrët bëhen të urtë, mëkatarët shfajësohen, të vetmuarit ngushëllohen, dyshuesit sigurohen dhe skllevërit çlirohen.

Ungjilli është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e gjithë atyre që besojnë. Si rrjedhim çdo gjë e mirë që mund të mendojmë apo dëshirojmë gjendet vetëm tek Jezu Krishti. Ai u shit, që të na blinte; u robërua që të na çlironte; u dënua që të na falte; ai u bë mallkim që ne të bekohemi; u bë sakrificë për mëkatin që ne të marrim drejtësinë e tij; u shëmtua që ne të zbukurohemi; vdiq që të kemi jetë; përmes tij është zbutur tërbimi, është shuar zemërimi, errësira është kthyer në dritë, frika është qetësuar, përçmimi është përçmuar, borxhi është anuluar, mundimi është lehtësuar, trishtimi është gëzuar, fatkeqësia është bërë fatlume, vështirësia është bërë lehtësi, rrëmuja është bërë rregull, ndasia është bërë unitet, turpi është kthyer në nder, rebelimi është shtypur, frika është frikësuar, kurthi është demaskuar, sulmi është sulmuar, forca është kundërshtuar, lufta është luftuar, hakmarrjes i është marrë hak, tortura është torturuar, mallkimi është mallkuar, humnera u plandos në humnerë, ferri u zu rob, vdekja vdiq, vdekshmëria u bë pavdekësi.

Me pak fjalë, mëshira ka përpirë çdo mjerim dhe mirësia ka hequr qafe çdo fatkeqësi. Të gjitha këto gjëra që ishin armë në duart e djallit në betejën e tij kundër nesh dhe thumbi i vdekjes për të na tejshpuar ne, tani janë bërë vegla të cilat mund t’i përdorim për të mirën tonë.

Nëse kemi mundësi të mburremi me apostullin duke thënë, O ferr, ku është fitorja jote? O vdekje ku është gjemba jote? është për shkak se përmes Frymës së Krishtit që u është premtuar të zgjedhurve nuk jetojmë më ne, por Krishti rron në ne; dhe përmes të njëjtës Fryme jemi ulur mes atyre që janë në qiell, prandaj për ne bota nuk ekziston më, edhe pse jetojmë në të, jemi të kënaqur në të gjitha gjërat, në vendin, situatën, veshjen, ushqimin dhe në të gjitha gjërat e tjera si këto.

Ne jemi ngushëlluar në shtrëngime, të gëzuar në trishtim, nderohemi në poshtërim, kemi mbushulli në varfëri, ngrohtësi në lakuriqësi, durim mes ligësish, jetë në vdekje.

Këtë gjë duhet të kërkojmë në gjithë Shkrimi: që të njohim vërtet Jezu Krishtin, dhe pasuritë e pafundme që gjenden në Të dhe na janë ofruar ne përmes Tij nga duart e Atit Perëndi!

– Gjon Kalvin

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*