1 Tetor – Octavius Winslow

1 Tetor

“Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.” Mateu 5:16

Le të jetë jeta jote një reflektim i qartë i lavdisë së Shpengimtarit. Shenjtorët e Perëndisë janë dëshmitarët e vetëm të kësaj lavdie – reflektuesit e vetëm që Zoti ka në këtë botë të errët dhe që e mohon Krishtin. Shenjtëria e cila del prej burimit të hirit të Frymës që banon brenda, e cila ushqehet dhe matrohet nga soditja nga afër e kryqit, duke i dhënë një karakter të bukur dhe të shenjtë çdo veprimi të jetës tënde, ka për të qenë dëshmia më e lartë që mund të japësh për lavdinë e Shpenguesit. Ajo lavdi të është besuar ty në duart e tua. Është lënë në kujdestarinë tënde. Duke parë që gjërat qëndrojnë kështu, “çfarë lloj njerëzish duhet të jeni ju me një sjellje të shenjtë dhe të perëndishme!”

Sa i saktë duhet të jesh në parime dhe sa i drejtë në sjellje, sa shumë duhet ta ruash gjakftohtësinë dhe sa vigjilent duhet të jesh në zonat ku sulmohesh më tepër, sa i zgjuar duhet të jesh ndaj hileve të djallit dhe sa syçelë duhet të jesh kundër qasjeve të mëkatit; sa strikt që duhet të jesh ndaj të gjitha marrëdhënieve me botën dhe sa i butë, sa i dashur, sa zemërbutë dhe sa falës duhet të jesh në gjithë sjelljen tënde me shenjtorët! Mjerisht, edhe në rastin më të mirë ne jemi thjesht reflektues të zbehtë të kësaj lavdie madhështore të Zotit tonë. Ne jemi enë të padenja dhe jobesnike për një thesar kaq të çmuar! Sa shumë dobësi që kemi, sa shumë mëkat që nuk e kemi vrarë, sa të pakujdesshëm në shpirt, sa pak jemi shenjtëruar në temperamentin tonë, sa shumë luajmë me tundimin; mungesa e drejtësia dhe integritetit të prerë na e zbeh dritën, e neutralizon dëshminë tonë për Perëndinë dhe e dobëson, për të mos thënë e shkatërron krejtësisht ndikimin tonë moral!

Nuk jemi fort të dobishëm për shkak se nuk jemi fort të shenjtë. I sjellim aq pak lavdi Krishtit për shkak se kërkojmë së tepërmi lavdinë tonë. Reflektojmë një dritë aq të dobët për shkak se qëndrimi ynë rrallë herë i ngjan engjëllit te zbulesa, i cili “qëndronte në diell.” E kuptojmë në mënyrë aq të papërsosur faktin që jemi bërë një, që qëndrojmë në Krishtin; dhe kjo gjë ka për të krijuar gjithmonë një rrëfim të dobët, të pafrytshëm dhe pa gjallëri të krishterimit. “Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua.” Oh sikur të njihnim edhe më thellë këtë qëndrim në Krishtin! Shiko se si Jezusi i fton shenjtorët e Tij në të. A janë rrëzuar? Ai u bën thirrje të kapen pas forcës së Tij. A janë të ngarkuar? Ai u bën thirrje ta hedhin barrën mbi krahët e Tij. A janë të lodhur? Ai u bën thirrje të prehen tek Ai për çlodhje.
A i përndjek bota – a i godasin “bijat e Jerusalemit” – a i keqtrajton roja? Ai u bën thirrje të gjejnë strehë në shenjtëroren e hapur të zemrës së Tij të tejshpuar dhe të dashur. A kanë ata nevojë për hir? Ai u bën thirrje ta zhusin enën e tyre bosh në thellësitë e oqeanit të plotësisë së Tij dhe të marrin falas “më tepër hir.” Çfarëdo prishje që i shqetëson, çfarëdo tundimi që i sulmon, çfarëdo armiqësi që i trishton, çfarëdo reje që jua errëson qiellin, çfarë nevoje që i ka zënë, si një Bari i kujdesshëm, si një Vëlla i dashur, si një Mik besnik, si një Kryeprift, Ai u bën thirrje shenjtorëve të Tij të afrohen dhe të prehen në dashurinë e Tij. Oh, ai ka një prehër gjerë; atje ka vend, ekziston një dhomë në atë zemër për ty, lexuesi im i krishterë.

Mos mendo se fati yt është i shkretë, i vetmuar dhe pa miq. Mos mendo se të gjithë të kanë braktisur dhe që në trishtim dhe vetmi je duke ecur përgjatë një shkretëtire të ngatërruar. Është Dikush i cili të do, dikush që mendon për ty, dikush që e ka vendosur syrin e Tij mbi ty dhe në këtë çast është duke të drejtuar, mbajtur dhe duke u kujdesur për ty: ky është Jezusi! Oh sikur thjesht të shikoje në zemrën e Tij dhe të dalloje sa shumë të do Ai; oh sikur thjesht të dëgjoje zërin e Tij që të thotë me aq butësi dhe këmbëngulje, “Qëndro në dashurinë time.” Merr zemër! Krishti është i yti, Perëndia është i yti, qielli është i yti. Ti nuk je vetëm; Perëndia dhe Ati yt është me ty. Bariu yt të drejton; Ngushëlluesi është përreth teje me krahët e Tij dhe qielli është i ndriçuar para teje. Shumë shpejt do të jesh atje. Shtegëtari do të çlodhë gjymtyrët e tij të lodhura; lundërtari më në fund të ta ankorojë anijen e tij në limanin e prehjes; luftëtari do ta heqë armatimin dhe do të këndojë këngën e tij të triumfit. Prandaj shiko lart! Krishti është i yti, Perëndia është i yti, qielli është i yti.

Nëse Perëndia është për ty, kush mund të jetë kundër teje? Nëse gjen zhgënjim në mirësinë e krijuar, kjo ka për të ta bërë Jezusin edhe më të dashur; nëse e njeh edhe më thellë sëmundjen e brendshme kjo ka për të të çuar në mënyrë edhe më urgjente te gjaku i shluerjes; nëse kalon stuhi dhe shtrëngata, ato thjesht do të ta shkurtojnë lundrimin dhe do të të shtyjnë më shpejt drejt lavdisë.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*