12 Premtime për të këmbëngulur në leximin e Biblës

nga Dave Zuleger

Si të Krishterë e dimë që pa marrë vazhdimisht prej Fjalës së Perëndisë besimi ynë do të bëhet anemik, i cekët dhe i dobët. E megjithatë, shpesh ne e neglizhojmë dhuratën e çmuar të fjalës së Perëndisë në jetën tonë të përditshme.

Kjo është një listë e thjeshtë që ka për qëllim t’i motivojë shpirtrat e prirur për t’u endur që të shohin se dorëzimi i vetes tonë tek fjala e Perëndisë në këtë vit të ri ia vlen – më poshtë keni një arsye për çdo muaj të vitit kur mund të jeni të tunduar për t’u dorëzuar në leximin e Biblës.

1. Bibla na aftëson të njohim dhe duam Jezusin më tepër.

Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua [Jezusi].” (Gjoni 5:39)

Bibla nuk është synimi përfundimtar, Jezusi, Fjala e Perëndisë që u bë njeri është synimi përfundimtar. Por Bibla është vendi në të cilin e dimë me siguri që mund të shohim dhe përjetojmë Krishtin çdo ditë. Shkrimtarët e Besëlidhjes së Vjetër dhanë premtime për të dhe tregojnë drejt tij. Ungjilli na tregon shërbesën e tij këtu mbi tokë që shkoi drejt vdekjes dhe ringjalljes së tij. Letrat e Dhiatës së Re na tregojnë për punën që ai vazhdon të bëjë me anë të Frymës së tij përmes kishës së tij, e cila është trupi i tij.

Nuk ka asgjë dhe asnjë person tjetër më të vlefshëm që ta njihni dhe doni në këtë vit të ri përveç Jezusit; nuk ka asnjë vend tjetër ku të keni më tepër mundësi për ta takuar atë sesa në këtë Libër.

2. Bibla na jep shpresë në Perëndinë pavarësisht se çfarë po ndodh në jetën tonë.

Sepse të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë. (Romakëve 15:4)

Bibla është themeli poshtë këmbëve tona që na jep inkurajimin që kemi nevojë për ta ruajtur shpresën në Krishtin përgjatë kohëve të depresionit dhe vuajtjes. Ne kemi një Perëndi që shkroi një Libër në mënyrë që ne të jemi njerëz me shpresë. Duhet që ta shfrytëzojmë këtë dhuratë të çmuar.

3. Bibla na udhëheq drejt lumturisë supreme në Perëndinë

Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit, por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij. (Psalmi 1:1-2)

Perëndia e ka zbuluar veten në fjalën e Tij. Në Bibël ne zbulojmë shtegun e jetës që na çon tek “plotësia e gëzimit” dhe tek “kënaqësitë në përjetësi” (Psalmi 16:11).

Lumturia që na ofron Bibla është një dhuratë e pandryshueshme dhe e qëndrueshme për shkak se Perëndia që e shkroi është vetë Thesari ynë më i madh.

4. Bibla na armatos që ta vrasim mëkatin tonë përmes Frymës së Perëndisë.

Por, nëse me anë të Frymës i bëni të vdesin veprat e trupit, ju do të rroni. (Romakëve 8:13)

Dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë. (Efesianëve 6:17)

Fjala e Perëndisë është shpata në duart e Frymës së Perëndisë. Kjo shpatë përdoret për ta shpartalluar mëkatin në jetën tonë i cili na mban larg Perëndisë. Shpata depërton mes kockave dhe palcës për të zbuluar zemrën tonë. Duke hequr dhe pastruar mëkatin ne mund të shohim Krishtin në mënyrë më të plotë dhe gjithashtu të gjejmë shenjtëri dhe lumturi më të madhe.

5. Në Bibël dëgjojmë drejtpërdrejt nga goja e Perëndisë së unviersit.

I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi. (2 Timoteu 3:16)

Mos u mërzitshim kurrë duke e lexuar Biblën. Mos harrofshim kurrë që Perëndia i plotfuqishëm i universit po na flet drejtpërdrejt në ato momente.

Ndoshta ka njerëz që mezi prisni t’i takoni. Nuk do ta linit kurrë t’iu shpëtonte mundësia nëse do t’iu jepej. Do të bënit vend në orarin tuaj vetëm e vetëm që të takoheshit me ta. A nuk duhet që Perëndia i universit të jetë në krye të asaj liste? Ne e takojmë atë herë pas here në fjalën e tij kur e lexojmë Biblën tonë.

6. Bibla është një kurs falas për jetën që jepet nga vetë Perëndia.

I gjithë Shkrimi është… i dobishëm për mësim. (2 Timoteu 3:16)

Nëse Perëndia është duke folur dhe fjala e tij është e dobishme për mësim atëherë na jepet mundësia të shkojmë çdo ditë në këtë klasë duke pasur vetë Perëndinë si mësuesin tonë. Meqë ra fjala, është falas. Në të vërtetë Perëndia na ka dhënë Frymën e tij për të na mësuar urtësinë e tij të fshehur në mister (1 Korintasve 2:7-10).

7. Bibla na ndriçon në zonat ku kemi nevojë të rritemi në mënyrë që të ndryshohemi dhe të përshtatemi në imazhin e Krishtit.

Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrë zbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit. (2 Korintasve 3:18)

Ndërsa e shohim Jezusin në fjalën e tij do të shohim gjithashtu që nuk e arrijmë standardin e tij. Do të shohim mëkatin dhe zonat ku duhet të rritemi. Jezusi është standardi për ndryshim dhe agjenti i ndryshimit. Ndërsa e shohim atë, Fryma i futet punës për të na bërë gjithnjë e më të ngjashëm me imazhin e tij, dhe për të na çliruar prej dëshirat e vogla qesharake dhe nga idhujt me të cilët jemi përpjekur të kënaqemi.

8. Bibla na pajis për veprat e mira që i sjellin lavdi Perëndisë.

I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia… që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë. (2 Timoteu 3:16-17)

Bibla na nxit dhe na pajis që të bëjmë vepra të mira që e zbukurojnë ungjillin. Ndërsa i bëjmë këto vepra të mira, të tjerët i shohin dhe i japin lavdi Atit tonë në qiell (Mateu 5:16; 1 Pjetri 2:12). Ne dëshirojmë që jetët tona të kenë vlerë për lavdinë e tij, dhe Perëndia na jep udhëzuesin për atë çështje madhështore në botë.

9. Bibla prodhon marrëdhënie dhe familje të shëndosha dhe të lumtura.

Fëmijë, binduni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë… Dhe ju, etër, mos provokoni për zemërim fëmijët tuaj, por i edukoni në disiplinë dhe në këshillë të Zotit. (Efesianëve 6:1, 4)

Ne s’mund ta dimë si dhe pse t’u bindemi prindërve tanë, të paktën jo në një mënyrë që e nderon Perëndinë, nëse nuk njohim fjalën e Perëndisë. Nuk mund ta dimë si t’i rritim fëmijët tanë që ta njohin, duan dhe t’i binden Zotit nëse nuk njohim fjalën e Zotit.

Familjet dhe kishat do të jeni vende më të shëndosha dhe më të lumtura për shkak të gjithë arsyeve të përmendura më sipër nëse ne jemi njerëz të ngopur me Biblën.

10. Bibla na ruan që të mos përshtatemi me këtë botë.

Dhe mos u përshtatni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë. (Romakëve 12:2)

Bota na bombardon me tundimi të marra dhe mëkatare. Bota na këlthet që të përshtatemi me sistemet dhe udhët e saj. Në mënyrë të dëshpëruar ne kemi nevojë të jemi njerëz që i fiksojmë sytë tanë tek Jezusi, njerëz që meditojmë mbi të gjitha fjalët e tij, në mënyrë që të mos përshtatemi me këtë botë por të transformohemi për të qenë më të ngjashëm me të.

Nëse duam të jemi besimtarë pa vlerë dhe sa për sy e faqe, le ta injorojmë fjalën dhe të bashkohemi me botën. Nëse dëshiron të sjellësh një ndryshim të përjetshëm për botën, transformohu me anë të fjalës së Perëndisë.

11. Bibla na mëson të lutemi.

Në rast se dikush e kthen veshin gjetiu për të mos dëgjuar ligjin, vetë lutja e tij do të jetë një gjë e neveritshme. (Fjalët e Urta 28:9)

Pa Biblën lutjet tona shumë kollaj rrëshqasin për t’u kthyer në ankesat, keqardhjet apo dëshirat tona mishore dhe të nxituar prej mëkatit. Me Biblën ne mund të shohim realitetin, të dallojmë mëkatin tonë, madje të shohim edhe mëkatet e të tjerëve kundër nesh dhe pastaj t’i afrohemi fronit të hirit për ndihmë, me një të vërtetë të thellë dhe të përjetshme që tingëllon në veshët tanë.

12. Bibla na nxit drejt bashkësisë dhe llogaridhënies së vërtetë dhe të shëndetshme.

Dhe le të kujdesemi për njeri tjetrin, për t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira. (Hebrenjve 10:24)

Bibla na ndihmon në familjet dhe kishat tona që ta bëjmë lavdinë e Perëndisë synimin tonë, mëkatin armikun tonë dhe këmbënguljen në besim prioritetin tonë. Bibla na jep guxim dhe urtësi që me përulësi dhe dashuri të pranojmë gabimet tona para të tjerëve dhe të trajtojmë mëkatin tek njëri-tjetri.

Bëjeni këtë vit të ri një vit kërkimi për të gjetur gëzim në Perëndinë duke dëgjuar prej Perëndisë. Për Atë ia vlen çdo përpjekje.

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*