14 Gusht – Octavius Winslow

“Për hir të emrit tënd, o Zot, fale paudhësinë time, sepse ajo është e madhe.” Psalmet‬ ‭25:11

Njohuria e mëkatit që banon brenda, ekzistenca dhe fuqia e tij shpesh është shumë e mangët në momentin e kthimit në besim dhe kjo padituri mund të vazhdojë për vite më pas. Ne shohim mjaft mëkat sa për të alarmuar ndërgjegjen, për të zgjuar bindjen rreth këtij realiteti dhe për të na çuar tek Krishti. Duke qenë se është një gjë kundër Perëndisë ne e urrejmë, vajtojmë për të dhe kërkojmë falje për të përmes gjakut shlyes. Kjo gjë pasohet nga një ndjesi e ëmbël dhe e dashur e fshirjes së mëkatit dhe nga një dëshirë në rritje për t’u përshtatur me Perëndinë.

Por sa të panjohura që janë thellësitë e mëkatit! Këto thellësi nuk i kemi eksploruar kurrë. Çfarë urtësi dhe dashuri e pafundme që shfaqet kur këto thellësia na fshihen nga njohuria jonë në fillim! Nëse Zoti do të na i kishte zbuluar plotësisht ligësitë e fshehura të zemrës tonë në periudhën kur hiri ishte ende në syth dhe kur besimi ishte i dobët, kur pamjet që kishim për Zotin Jezus ishin të zbehta dhe “krijesa e re” ishte ende në foshnjëri, shpirtin tonë do ta kishte mbuluar një dëshmërim i thellë dhe i errët.

Ndoshta me një njohuri të mjaftueshme për Krishti sa për të shkuar tek Ai si shpëtimtar; ndoshta me mjaft besim sa për të prekur cepin e mantelit të Tij; Fryma e Përjetshme na zbuloi ekzistencën e fajit të mëkatit; një zbulim i plotë mund ta na kishte mbyllur në një dëshpërim pa shpresë. Të dashur, është gjë e ëmbël të kujtojmë dashurinë e butë të Perëndisë në përkrahjet tona; të dallojmë butësinë e trajtimeve të Tij me ne në kthimin në besim dhe të mbajmë mend që ashtu sikurse ishte atëherë, Ai është edhe në këtë moment.

Por shihni punën e Frymës në ditët e mëpasme të përjetimit tonë. Ai vjen, në përputhje me qëllimin e besëlidhjes së hirit, për të na shenjtëruar, pasi na ka thirrur dhe rilindur. Ai është gati ta zgjerojë “mbretërinë e Perëndisë brenda’ nesh; të vulosë edhe më thellë, të sjellë edhe më shumë dhe më gjallë në shpirt konturet e larmishme të shëmbëlltyrës Hyjnore. Ai është gati ta pastrojë tempullin në mënyrë më tërësore; ta zotërojë atë sërish për Perëndinë; të dëbojë çdo rival që me shkallë të ngadalta dhe të padallueshme mund të ketë zënë vend aty; me një fjalë, Ai është gati të na shenjtërojë.

Si e fillon Ai punën? Duke na udhëhequr në dhomën e imazheve; duke na zbuluar thellësitë e mëkatit që banon brenda nesh; mëkat ky ekzistencën e të cilit nuk e kishim imagjinuar kurrë, Ai na tregon që banesa e tij kryesore është në zemër! Na tregon paudhësi të cilën nuk e kishim menduar kurrë e cila na ka zënë pritë të fshehtë brenda nesh. Oh çfarë errësire, çfarë ligësie, çfarë parimesh të malkuara zbulohen që kanë ekzistuar kaq gjatë aty ku mendonim se gjithçka ishte dritë, shenjtëri dhe ndershmëri! Shastisemi, dridhemi dhe tërhiqemi pas të pështirosur prej këtij zbulimi!

Shpirti i alarmuar thotë, “Çfarë! E gjithë kjo ligësi banon brenda meje? A i paskam mbartur me vete për kaq gjatë këto ndjenja të neveritshme? A paskan ekzistuar brenda meje faret e një shthurjeje të tillë kaq të thellë dhe të errët? Mahni e mahnive që nuk më ka çuar tej përmbytja; që këto ligësi të thella nuk kanë shpërthyer për të plagosur paqen time dhe për të çnderuar Perëndinë dhe Shpëtimtarin tim.”

Duke u njohur kështu me zemërn e tij, për të cilën deri tani ishte pothuaj i huaj, Fryma e Shenjtë zgjon në shpirtin e tij një dëshirë të zjarrtë për shenjtëri. Nën dritën e një zbulimi të tillë, ku mund të arratiset tjetër veçse tek froni i hirit? Prandaj atje shkon ai, duke qartë, duke vajtuar, duke u rrëfuer; dhe lutja e tij është kjo, “Zot, nënshtroji këto ligësi në zemrën time. Jam krejt i shastisur; po ‘jam përulur me turp dhe jam i mbuluar nga përhumbja,’ që i kam mbajtur brenda kaq gjatë këta armiq tradhtarë kundër Teje. O Perëndi i shenjtërisë dhe dashurisë. ‘Më shpëto o Perëndi sepse ujërat më kanë arritur deri në grykë. Jam duke u zhytyr gjithnjë e më thellë në llum; nuk gjej dot një vend ku të mbështes këmbën. Jam në ujëra të thella dhe përmbytja më ka vënë poshtë.’ ‘Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia. dhe shiko në se ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme.’

Dhe tani Fryma e thellon dhe e forcon këtë dëshirë për shenjtërim; besimtari është përkushtuar ndaj kërkimit me zell të shenjtërisë së zemrës; ai dallon në mëkatin e tij një paudhësi të cilën nuk e kishte dalluar më parë, dhe duke qenë se e sheh e neverit, dhe duke e neveritur e çon atë tek Fryma e shenjtërisë në mënyrë që Ai ta mposhtë dhe nënshtrojë. Kështu, duke e udhëhequr besimtarin në një njohje më të thellë të ekzistencës dhe fuqisë së mëkatit që banon brenda tij, Fryma e shenjtëron shpirtin, duke e bërë këtë rastin e ngjalljes së dëshirës së tij për shenjtëri.

Shumë të dashur, mos u dekurajoni nga zbulimi i ligësisë së fshehur të zemrës tuaj. Kjo është një provë e ëmbël e faktit që Fryma e Shenjtë po punon brenda jush. Cilido qoftë mëkati që sillet në dritë; krenaria, mashtrimi, qëndrimi mishor, ndjenjat e pabindura, mendimet e liga, mosbesimi, padurimi, cilido qoftë, Ai po ta zbulon jo për ta lënduar ndërgjegjen në mënyrë të panevojshme; oh, jo, Ai është një Frymë i gjallë dhe i butë; por Ai po e bën për të ngjallur këtë dëshirë në shpirt, “Zot më përshtat me shëmbëlltyrën tënde; më bëj të shenjtë sikurse Ti je i shenjtë.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*