15 Maj – Octavius Winslow

“Froni i hirit.” Hebrenjve 4:16

Lexues i dashur, mos harro që është froni i hirit ai para të cilit shkon në lutje. Është fron për shkak se Perëndia është Sovran. Ai kërkon që lutësi ta dallojë gjithmonë këtë përsosmëri të natyrës së Tij. Ai dëgjon dhe përgjigjet si Sovran. Ai dëgjon atë që dëshiron, përgjigjet dhe me dhe kur dëshiron. Nuk duhet t’i jepen udhëzime Perëndisë, nuk duhet të ketë refuzim për t’u përulur para sovranitetit të Tij, nuk duhet të ketë rebelim ndaj vullnetit të Tij. Nëse përgjigja vonohet, apo duket se Perëndia nuk e dërgon atë, kujto që “Ai nuk jep llogari për asnjë nga veprat e Tij,” dhe se Ai ka të drejtë të përgjigjet ose të mos përgjigjet, ashtu si t’i duket e mirë Atij.

Përsosmëri e lavdishme e Perëndisë që rrezaton nga vetë froni i mëshirës!
Por ai gjithashtu është edhe një fron hiri. Pse? Për shkak se mbi të ulet një Perëndi i hirit, dhe skeptri i hirit zgjatet prej tij, dhe të gjitha favoret që jepen atje janë bekime të hirit. Perëndia ka shumë frone. Kemi fronin e krijimit, fronin e provanisë, fronin e drejtësisë, fronin e shpengimit; por ky është froni i hirit. Është tamam froni për të cilin kemi nevojë. Ky fron është ngritur në mes të një bote mjerimi – në mes të shkretëtirsë – në vetë tokën e armikut – në luginën e lotëve, për shkak se është froni i hirit. Mbi të është ulur Perënia i hirit dhe të gjitha bekimet që Ai shpërndan prej tij janë dhurata të hirit. Falja, drejtësimi, birësimi, paqja, ngushëllimi, drita, drejtimi – të gjitha, të gjitha janë hir. Asnjë vlerë apo denjësi tek krijesa nuk e bën këtë hir të rrjedhë – njeriu nuk mund të paguajë dot një çmim për ta blerë – asnjë lot, asnjë ankesë, asnjë mjerim nuk e shtyn zemrën e Perëndisë drejt dhembshurisë – gjithçka është prej hirit.

Perëndia është aq i mbushur me dhembshuri, dashuri dhe mëshirë, saqë Ai nuk ka nevojë të stimulohet për ta dedhur plotësinë e Tij. Ajo gufon nga zemra e Tij sikurse nga një burim i plotë dhe i tejmbushur, dhe derdhet në gjirin e të mjerëve, skamësve, të përulurve, dhe të penduarve, duke i pasuruar, ngushëlluar dhe shenjtëruar shpirtrat e tyre. Prandaj, lexues i dashur, cilado qoftë rrethana jote, mund të vish. Ai është një fron hiri, sikurse është në realitet, përse të mos jetë edhe për ty? Pse qëndron larg? Nëse këtu mikpriten të varfrit, skamësit, të pangushëlluarit, fajtorët – nëse ky fron është i rrethuar nga njerëz të tillë, pse ta përjashtosh veten? Pse të mos vish edhe ti? Cili është problemi yt, cili është pikëllimi yt, cila është barra jote? Ah, ndoshta nuk ka vesh tjetër të cilit mund t’ia tregosh këtë hall. Por mund t’ia thuash Perëndisë.

Prandaj, shko tek Ai. Më lejo të të them si inkurajim, Perëndia ka odën e tij të fshehtë, ku do të takohet vetëm me ty, ku nuk do të të shohë asnjë sy tjetër, dhe asnjë vesh nuk do të dëgjojë, përveç zërit të Tij; atje mund ta hapësh zemrën plotësisht, ta parashtrosh hallin tënd real, dhe t’ia thuash Atij të fshehtat e tua. Çfarë inkurajimi i çmuar! Vjen nga ato buzë nga të cilat rrjedh hir. “Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë publikisht.” Prandaj, duke u mbështetur tek ky premtim, shko tek froni i hirit. Cilado qoftë nevoja, e përkohshme apo frymërore, çoja atij. Perëndisë i pëlqen t’i dëgjojë të fshehtat e tua. Ai kënaqet në faktin që ia beson atij dhe do ta nderojë shpirtin që e nderon Atë në këtë mënyrë.


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*