2 Prill – Octavius Winslow

“Është një mik që është më i lidhur se një vëlla.” Fjalët e urta 18:24

Fuqia e simpatisë njerëzore është e mahnitshme, nëse kjo e çon zemrën tek Krishti. Por është paralizuese nëse na çon vetëm tek vetja. Oh sa të dobët dhe të pamjaftueshëm që jemi që t’i shërbejmë një mendjeje të sëmurë, të shërojmë një zemër të thyer, të forcojmë duart e dobëta, dhe të bëjmë të qëndrueshëm gjunjët që dridhen! Simpatia jonë e heshtur, qetësia jonë me lutje shpesh është është treguesi më i mirë i dashurisë tonë, dhe shprehja më e efektshme e ndihmës tonë. Por nëse e marrim për dore objektin e përkujdesjes tonë dhe me butësi e çojmë tek Perëndia – nëse e paraqesim para Jezusit, nëse i prezantojmë thellësinë e dashurisë së Tij, përsosmërinë e veprës së Tij shlyese, mjaftueshmërinë e hirit të Tij, gatishmërinë e Tij për të falur, dhe fuqinë e Tij për të shpëtuar, tiparet e jashtëzakonshme të natyrës së Tij, dhe kështu prezantojmë simpatinë e TIj të përsosur për çdo pikëllim njerëzor; e kemi lehtësuar në mënyrën më të vërtetë dhe më të efektshme pikëllimin, e kemi fashuar plagën dhe i kemi forcuar duart në Perëndinë.
Nuk ka asnjë simpati – ashtu sikurse nuk ka asnjë dashuri, asnjë butësi dhe asnjë durim – si ajo e Krishtit. Sa e ëmbël, sa inkurajuese, të dimë që në të gjitha mundimet e mia Ai mundohet; që në të gjitha tundimet e mia Ai tundohet; dhe në të gjitha sulmet që vijnë kundër meje Ai sulmohet; që në të gjitha gëzimet e mia Ai ngazëllohet. E bëftë kjo e vërtetë Krishtin edhe më të dashur për shpirtin tonë! Na shtrëngoftë që ta hapim plotësisht zemrën para Tij, me shoqërinë më plotë, më të shenjtë, dhe më të çmuar. Na inkurajoftë që të bëjmë ato gjëra të cilat janë gjithmonë më të pëlqyeshmet në sytë e Tij. Shumë të dashur, mos harroni kurrë – kumbofshin këto fjalë vazhdimisht në veshët tuaj, si ekot e muzikës që nuk humbet kurrë – në të gjitha pikëllimet tuaja, në të gjitha sprovat tuaja, në të gjitha nevojat tuaja, në të gjitha përleshjet tuaja, në të gjitha endjet tuaja të ndërgjegjshme, në jetë, në vdekje, dhe në ditën e gjykimit – ju zotëroni një mik i cili qëndron më pranë se një vëlla! Ky mik është Jezusi!


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*