24 Tetor – Octavius Winslow

24 Tetor

“Pastaj etërit tanë sipas mishit i patëm për të na ndrequr dhe i nderonim ata; a nuk do t’i nënshtrohemi edhe më tepër Atit të shpirtrave, për të jetuar?” Hebrenjve 12:9

Vullneti i zbuluar i Perëndisë është që fëmija i Tij duhet të përulet me qetësi dhe butësi nën dorën e Tij disiplinuese. Kur besimtari i munduar dhe i vuajtur “dëgjon thuprën dhe se kush e ka caktuar atë,” me një pranim të përulur dhe prej biri të urtësisë, dashurisë dhe madje të butësisë që e dërgoi atë – sigurisht që një shpirt i tillë është pjesëmarrës në shenjtërinë e Perëndisë. Në të gjitha këto gjëra të veçanta ekziston një dorëzim ndaj vullnetit të Perëndisë dhe si rrjedhim ka një përngjasim më të ngushtë me shenjtërinë e natyrës së Tij.

Lexues i dashur, pika në të cilën kemi arritur tani ka shumë rëndësi. Kjo përfshin aq shumë ecjen tuaj shenjtë dhe të lumtur ashtu edhe lavdinë e Perëndisë. Pyetja e thjeshtë është kjo – a mund të ketë ndonjë përparim të shenjtërimit në shpirt atëherë kur vullneti është duke shkuar kundër vullnetit Hyjnor? A mund të ecë besimtari i lumtur kur ka një kundërshtim të vazhdueshëm në mendjen e tij ndaj gjithë veprimeve të Perëndisë dhe Atit të tij? Oh jo! Shenjtëria dhe lumturia janë të lidhura shumë ngushtë; që të dyja janë rezultate të një dorëzimi të përulur, prej biri dhe të plotë në të gjitha gjërat ndaj vullnetit të Perëndisë. Nuk po flas për këtë gjë si një arritje në shenjtëri e cila arrihet shpejt apo lehtë. Larg qoftë. Në shumë besimtarë kjo është puna e viteve, në të gjithë është një disiplinë e dhimbshme. Nuk është në malin e lartë të gëzimit, por në luginën e thellë të poshtërimit, që mësohet ky dorëzim i çmuar dhe i shenjtë.

Nuk ndodh në ditën me diell, kur të gjitha gjërat na buzëqeshin dhe kanë një aspekt të ndriçuar – atëherë kur është e lehtë të thuash, “U bëftë vullneti yt;” por kur mbi ju vjen një qiell dimëror dhe me re – kur fryn era e acartë e kundërshtimit – kur të lë shëndeti, kur të vdesin miqtë – kur pasuria fluturon – kur dorëzohen edhe gjërat më të dashura të zemrës – kur të kërkohet të sakrifikosh Isakun tënd – kur bota të kthen kurrizin – kur gjithçka ka humbur dhe ti ke mbetur si një pemë në shkretëtirë, mbi të cilën ka kaluar shtrëngata dhe ia ka këputur çdo degë – kur je sjellë aq poshtë sa do të duket se nuk ka ku të vesh më poshtë se kaq – dhe në atë moment të shohësh lart me një vështrim prej biri dhe të thuash, “Ati im, u bëftë vullneti yt!” – oh, kjo është vërtet shenjtëri, kjo është vërtet lumturi. Ndoshta Perëndia, Perëndia dhe Ati yt është duke të trajtuar në këtë mënyrë tani. A e ka hequr prej teje shëndetin? A të ka kërkuar ta dorëzosh Isakun tënd? A kanë vënë krahë pasuritë? A të sheh bota vrenjtur?

Nuk e ke idenë se tani Perëndia është gati të të shpalosë thellësinë e dashurisë së Tij dhe ta bëjë që vullneti yt me ëmbëlsi, dashuri birërore dhe në mënyrë të plotë të bëhet një me vullnetin e Tij. Më lejo ta përsëris vëzhgimin – nuk mund të ketë një shkallë më të lartë shenjtërimi se një vullnet krejtësisht i përpirë tërësisht në vullnetin e Perëndisë. Lutu me zell për këtë gjë, kërkoje me zell të zjarrtë. Ji xheloz edhe me kundërshtimin më të vogël në mendjen tënde, ruaju kundër rebelimit më të vogël të vullnetit, përleshu për një dorëzim tërësor – të jesh atje dhe të jesh ai që Ati dhe Perëndia yt i besëlidhjes dëshiron të jesh; kështu do të bëhesh pjesëtar i shenjtërisë së Tij.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*