25 Qershor – Octavius Winslow
“Edhe ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si ofertë e flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë.” Efesianëve 5:2
Ishte një flijim i tërë. Ishte Vetja e Tij ajo që ofroi. Nuk mund të jepte më tepër; më pak nuk do të mjaftonte. Ai dha Veten – gjithë sa zotëronte në qiell, dhe gjithë sa i përkiste mbi tokë. Ai dha për llogari të dishepujve të Tij. Jetën e Tij të bindjes, vdekjen e Tij plot vuajtje, Ai i dha si “ofertë dhe flijim Perëndisë.” Ky ishte një dorëzim i plotë.
Ishte një ofertë vullnetare. “Ai dha Veten.” Nuk e dorëzoi Veten nga detyrimi apo shtrëngimi në duart e drejtësisë Hyjnore – nuk shkoi si një viktimë hezituese në altar – nuk e tërhoqën zvarrë për në kryq. Ai shkoi vullnetarisht. Është e vërtetë që kishte një domosdoshmëri solemne, pse Jezusi duhej të vdiste për popullin e Tij. Kjo rridhte prej besëlidhjes së Tij me Atin. Ai hyri vullnetarisht në atë marrëveshje: ishte dashuria e Tij e papërshkrueshme që e shtrëngoi. Por, pasi ishte bërë marrëveshja, besëlidhja e shpengimit u miratua, dhe iu dha kapari drejtësisë, kishte një përgjegjësi të nevojshme mbi Jezusin pse duhej ta përmbushte këtë vepër. Fjala e Tij, nderi i Tij, e vërteta e Tij, lavdia e Tij, u zotuan që ta përmbushnin plotësisht garancinë e dhënë prej Tij.
Ai e kishte dhënë Veten lirshëm në pushtetin e drejtësisë; prandaj, duke marrë mbi vete trajtën e shërbëtorit ishte i detyruar t’i plotësonte të gjitha kërkesat e saj. Ai ishte ligjërisht i lidhur që t’u bindej të gjitha urdhërimeve të saj. E megjithatë, ky ishte një dorëzim i vullnetshëm i Vetes së Tij si flijim për popullin e Vet. Ishte një ofertë e vullnetshme. Nëse kishte një domosdoshmëri, dhe e kemi treguar që kishte, kjo rridhte prej dashurisë së Tij të vullnetshme për Kishën e Tij. Nëse mund ta përshkruajmë kështu, kjo ishte një domosdoshmëri e vullnetshme. Shihni se si kjo pamje e bekuar e vdekjes së Jezusit mbështetet prej fjalës Hyjnore. “I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën.” Vetë deklarata e Tij e konfirmon këtë të vërtetë. “Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri.”
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!