27 Nentor – Octavius Winslow

27 Nëntor

“Me shpresë që vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë.” Romakëve 8:21

Ata tashmë e zotërojnë lirinë shumë të çmuar dhe të kushtueshme. A nuk është liri e vërtetë të qëndrosh para Perëndisë i pranuar në të Dashurin? A nuk është liri t’i afrohesh Atij me gjithë sigurinë e një fëmije që prehet në dashurinë e pakufishme të një ati të dashur? A nuk është liri të udhëtosh ditë pas dite me Jezusin, duke e parë Atë gjithmonë si një portë të hapur dhembshurie të pashoqe, dashurie të butë, dhe hiri të pamasë? Me një fjalë, a nuk është liri reale të jesh në gjendje ta vendosësh dorën e besimit mbi besëlidhjen e përjetshme dhe të shpallësh, “Tani pra nuk ka më asnjë dënim”?

Oh po! Kjo është liria me të cilën Krishti na ka bërë të lirë. Por liria e lavdishme e bijve të Perëndisë është ende për të ardhur. Ajo do të jetë një liri e lavdishme për shkak se do të shfaqet në mënyrë më të plotë. Ne do të lirohemi nga trupi i mëkatit dhe vdekjes. Çdo prangë prishjeje do të këputet dhe çdo lidhje ndjesie do të humbasë. Gjithë trishtimi do të dëbohet nga shpirti ynë, çdo brengë do të largohet nga zemra jonë dhe çdo re dyshimi do të largohet nga mendja jonë. Duke qenë të çliruar nga çdo mëkat, të liruar nga çdo vuajtje do të shëtisim nëpër banesat e shtëpisë së Atit tonë, do të shkelim rrugët e shtruara me yjë në qytetin qiellor, do të prehemi nën hijet e Parajsës, do të pumë nga uji i pastër si kristal i cili buron nga poshtë fronit – në shtëpinë tonë të pastër, të shkëqlyer dhe të përjetshme – do të ngazëllojmë në “lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë.”

Sa i goditur dhe solemn që është kontrasti mes gjendjes së tanishme dhe asaj të ardhshme të besimtarit dhe jobesimtarit! Lexues jobesimtar, gjendja jojte është një gjendje kotësie. Por, mjerisht ajo është nënshtrimi më i vullnetshëm dhe skllavëria e prishjes që të ka mbërthyer nuk sheh asnjë rreze shprese të çlirimit final. Çfarë skllavërie e tmerrshme dhe poshtëruese – skllav i vullnetshëm i mëkatit dhe Satanit! Gjithçka që po ndjek me zell është kotësi, “Zoti i njeh mendimet e njeriut dhe e di që nuk janë veçse kotësi.” Nëse do të ishte e mundur që t’i përmbushje të gjitha planet e tua për pasuri dhe dallim, për kënaqësi dhe lumturi që tani janë pjesë e vizionit tënd, ende zemra jote do të shqiptonte ankesën e saj të hidhur dhe të vajtueshme, “Gjithçka është kotësi dhe mundim i shpirtit.”

Oh, kthehu nga këto hije të kota te Jezusi, thelbi i gjithë pasurisë, lumturisë dhe nderit të vërtetë. Ajo zemër e lëkundur nuk do të gjejë kurrë prehje derisa të prehet tek Ai. Ai shpirt i etur nuk do të kënaqet kurrë derisa të kënaqet me Krishtin. Prandaj bjer në gjunjë te këmbët e tij dhe me lotët e pendimit, me varësinë e besimit dhe me pritjen e shpresës përgjërohu që të numërohesh mes të birësuarve të cilët shumë shpejt do të çlirohen nga skllavëria e prishjes në lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*