27 Qershor – Octavius Winslow
“Gjë e mirë është të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit.” Vajtimet 3:26
Besimtari mund të paraqesë kërkesën e duhur në mënyrën e duhur, e megjithatë mund të mos presë për përgjigjen e Zotit në kohën e Tij. Ai mund të caktojë një kohë, dhe nëse Zoti nuk i përgjigjet brenda kësaj periudhe, ai largohet, duke hequr dorë nga çdo pritje për një përgjigje. Ka një gjë të tillë si të priturit për Zotin. Apostulli aludon dhe nxit këtë durim të shenjtë, kur u flet Efesianëve “duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën, duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim me çdo ngulmim.” Një besimtar mund ta paraqesë kërkesën e tij – mund të ketë një masë afërsie kur përgjërohet rreth saj – mund ta theksojë me zjarr – e megjithatë, harron shpresën, qetësinë, durimin në pritje të cilat në mënyrë të paevitueshme duhet ta karakterzojnë shpirtin që lutet; kështu mund ta humbasë bekimin që ka kërkuar.
Ekziston një gjë e tillë si “pritja në Zotin.” Oh, sa gjatë e kemi bërë Atë të na presë! Ndoshta për vite me radhë e lamë Atë të trokiste, duke pritur në këmbë te porta e zemrës tonë derisa Fryma e Tij e mori këtë punë në duart e Tij, e hapi zemrën, dhe Shpëtimtari hyri brenda. Tani Zoti shpesh na lë të presim kohën e Tij për t’iu përgjigjur lutjeve tona. Nëse vizioni vonon, ende le të presim, të shpresojmë dhe të presim. Le ta lëmë vonesën që të nxitë shpresën, të shtojë dëshirën, të kalitë besimin, dhe të shumojë kërkesat para fronit të mëshirës. Përgjigja do të vijë kur Zotit t’i duket më mirë. Një besimtar mund ta humbasë përgjigjen ndaj lutjes së tij, duke i diktuar Zotit mënyrën, dhe kohën e përgjigjes. Zoti ka mënyrën e Tij për t’i bekuar njerëzit e Tij. Ne mund të përshkruajmë mënyrën si duhet të na përgjigjet Zoti, por Ai mund të na dërgojë një bekim përmes një kanali tjetër, në një mënyrë që nuk e menduam kurrë, dhe që nuk do ta kishim zgjedhur kurrë.
Sovraniteti ulet si mbret mbi fron, dhe ushtrimi i tij nuk shfaqet në asnjë aspekt tjetër më tepër se në zgjedhjen e mënyrës dhe mjeteve përmes të cilave marrin përgjigje lutjet e shenjtorëve të Perëndisë. Mos i dikto Zotit. Nëse kërkon një bekim përmes një kanali të caktuar, apo në një mënyrë të caktuar, bëje këtë gjë me përuljen më të thellë të mendjes, dhe me nënshtrim të përsosur ndaj vullnetit të Perëndisë. Kënaqu që ta marrësh bekimin në çfarëdo mënyre që mund të caktojë një Perëndi i mirë dhe besnik. Të jesh i sigurt që do jetë në atë mënyrë që ka për ta përlëvduar Atë më tepër, dhe ka për të të siguruar ty sasinë më të madhe të bekimit.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!