30 Nentor – Octavius Winslow

30 Nëntor

“Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë Judeun e pastaj Grekun.” Romakëve 1:16

Çfarë gjëje tjetër përveçse natyrës së tij hyjnore mund t’ia atribuojmë suksesin e mrekullueshëm që e ka shoqëruar deri më tani shpalljen e ungjillit? Sisteme opinionesh fetare janë shfaqur, kanë lulëzuar për një farë kohe, dhe pastaj janë dobësuar dhe janë zhdukur. Por ungjilli, më i lashti nga të gjithë, duke qenë se është edhe më sublimi nga të gjithë jua ka kaluar të gjitha sistemeve të tjera. Ungjilli ka dëshmuar ngritjen dhe rënien e shumë sistemeve e megjithatë ai vetë qëndron. Cila fe është përballur ndonjëherë me kundërshtimin e ashpër dhe të vazhdueshëm të cilin Krishterimi të mos e ketë duruar?

Të ashtuquajturit miq janë përpjekur ta korruptojnë dhe ta tradhtojnë. Armiqtë e betuar janë zotuar që ta shkatërrojnë krejtësisht. Mbretërit dhe qeveritë janë përpjekur ta ndalojnë përparimin e tij dhe ta zhdukin nga faqja e dheut. Zjarret e përndjekjes i kanë shkrumbuar ndërtesat dhe predikuesit e tij, e megjithatë ai ende jeton! “Natyra e tij hyjnore” e ka ruajtur ungjillin. Ai që banonte në shkurre e ka ruajtur. Ku janë enciklopedistët Francezë – njerëzit me shkollim të madh dhe gjeni të shkëlqyer, ata që kanë një gojëtari mbresëlënëse, një zotësi të mprehtë dhe energji të pashtershme, të cilët kanë lidhur besë me një betim për ta shfarosur Krishtin dhe Krishterimin?

Ku është Rusoja elokuent, Volteri i mençur, Heleveti i mprehtë, Hjumi i sofistikuar, D’Alemberti tallës dhe Pejni i vrazhdë? Emrat e tyre janë zhdukur nga toka dhe veprat e tyre i kanë ndjekur. Ku është Shpëtimtari të cilin u përpoqën që ta shfarosnin? I ulur mbi fronin e lavdisë, i veshur me madhështi, i lartësuar si Princ dhe Shpëtimtar, i rrethuar, i admiruar dhe i adhuruar nga turma të panumërta qeniesh të shenjta. Kurora e Hyjnisë është mbi kryet e Tij dhe skeptri i qeverisjes universale është në dorën e Tij, para gjykatës së Tij ata kanë kaluar, janë gjukuar, kanë dëgjuar vendimin dhe janë dënuar, kurse Ai ende jeton, “për ta ruajtur Kishën e Tij dhe për t’i shtypur armiqtë e Tij.”

Ku është ungjilli, kundër të cilit ata u bashkuan dhe menduan ta shkatërronin? Ai ndjek shtegun e tij gjithnjë e më të gjerë përmes botës; përcillet mbi krahët e çdo ere, mbi majat e çdo vale deri në cepat më të largët të tokës duke shkatërruar tempujt dhe duke rrëzuar përtokë idhujt e paganizmit, duke hedhur poshtë bestytnitë dhe idhujtarinë me shenjtërore dhe kisha të krishtera; duke e zbutur mizorinë e barbarizmit njerëzor, duke i kthyer instrumentet e mizorisë në vegla pune; dhe mbi të gjitha, rezultati më i madh nga të gjithë, u ka shpallur shpëtimin më të varfërve, më nevojtarëve dhe më të ndryëve – një shpëtim të plotë dhe falas nga Krishti – faljen e mëkateve më të mëdha përmes gjakut të Tij shlyes, mbulimin e mangësisë dhe padenjësisë më të madhe përmes drejtësisë së Tij shfajësuese si dhe hapjen e mbretërisë së qiellit për të gjithë ata që besojnë.

Kështu ungjilli i lavdishëm është duke e bekuar botën tani. Ai shkon dhe i heq njollat e fajit njerëzor, i jep lehtësim ndërgjegjes së rënduar, i jep prehje shpirtit të munduar, jep ngushëllimin më të ëmbël nën pikëllimet më të thella, ia fshin lotët atij që vajton, shkëmben “frymën e rëzuar me petkun e lavdërimit,” dhe të gjithën këtë e bën sepse flet për Jezusin. Ky ungjill nuk do të ishte lajm i mirë nëse nuk do të dëshmonte për Jezusin Shpëtimtarin. Ai që nuk e sheh Krishtin si tërësinë, thelbin, urtësinë dhe fuqinë e ungjillit është i verbër ndaj lavdisë reale të fjalës. Ai që nuk e ka shijuar kurrë dashurinë e Jezusit është ende i huaj ndaj ëmbëlsisë së të vërtetës.

Po, ungjilli është hyjnor! Ungjilli është krijim i vetë Perëndisë. Ai e dha fjalën, i madh është numri i atyre që e shpallin. Pabesia mund të kundërshtojë, të pabesët mund ta përçmojnë; besimtarët e rremë mund ta tradhtojnë dhe armiqtë e betuar mund ta sulmojnë; e megjithatë ungjilli do të mbijetojë, sikurse u ka mbijetuar edhe sulmeve më të ashpra të njerëzve dhe djajve; sikurse shkurrja që digjej me zjarr, ungjilli ka për t’i mbijetuar flakës, dhe sikurse shkëmbi në mes të oqeanit do të ngrihet madhështor mbi stuhinë. Perëndia i cili e ideoi dhe e ruan buçet kundër gjithë tërbimit të tyre, “Ti do të arrish deri këtu, por jo më tutje; këtu do të ndalen valët e tua krenare!”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*