31 Korrik – Octavius Winslow

“E kam qetësuar dhe e kam tulatur me të vërtetë shpirtin tim, si një fëmijë i zvjerdhur në gjirin e nënës së tij; shpirti im brenda meje është si një foshnjë e zvjerdhur.” Psalmi 131:2

Objekti i parë nga i cili Ati qiellor e zvjerdh fëmijën e Tij është vetja. Nga të gjitha idhujt e tjerë vetja është më i vështiri për t’u braktisur. Kur njeriu në Parajsë dëshiroi të ishte si Perëndia, e zbriti Zotin nga froni i shpirtit të tij, dhe krijesa u bë si hyjni për veten. Nga ai moment idhujtaria e vetes ka qenë krimi i madh dhe universal i racës tonë dhe do të vazhdojë të jetë derisa Krishti t’i ripërtërijë të gjitha gjërat. Në shpirtin e të rilindurve hiri Hyjnor ka bërë shumë punë për ta hequr nga froni këtë idhull dhe për të rivendosur aty Perëndinë. Megjithatë, puna është përmbushur veçse pjesërisht. Rival i poshtëruar dhe i mohuar nuk është i gatshëm ta dorëzojë fronin e vet dhe t’ia japë kontrollin suprem një tjetri. Ka ende shumë që duhet të arrihet para se ky armik i mposhtur i cili banon brenda t’i ulë armët dhe të nënshtrohet plotësisht ndaj vullnetit dhe autoritetit të Shpëtimtarit fronin dhe të drejtat e të cilit ka uzurpuar.

Prandaj, në zemrën që Fryma ka ripërtërirë dhe në të cilën banon ende ka shumë mbetje të vetë-vlerësimit, vetë-sigurisë, egoizmit dhe dashurisë për veten. Ati ynë kërkon të na çlirojë nga të gjitha këto. Nga urtësia jonë e cila është thjesht marrëzi; nga forca jonë e cila është thjesht dobësi; nga vullneti ynë i cili shpesh është si një kafshë e pazbutur; nga udhët tona të cilat janë të shtrembëra; nga vetë zemrat tona të cilat janë mashtruese; nga gjykimet tona të cilat janë të errëta; nga synimet tona të cilat janë tepër të ngushta dhe egoiste, Ati ynë kërkon të na zvjerdhë dhe shkëputë në mënyrë që shpirti ynë të mund të kthehet gjithnjë e me tepër në qendrën e tij origjinale të prehjes – te Vetë Perëndia.

Nën dritën e kësaj pamjeje të vajtueshme të vetes së rënë dhe të prishur, sa e nevojshme që është disiplina e Atit tonë qiellor e cila e bën edhe gojën tonë të thotë fjalët e Psalmistit, “E kam qetësuar dhe e kam tulatur me të vërtetë shpirtin tim, si një fëmijë i zvjerdhur në gjirin e nënës së tij.” Vetja dukej se ishte nëna jonë – nëna pjellore e planeve dhe synimeve tona dhe e frymës që e çnderonte Perëndinë. Me butësi dhe në mënyrë të efektshme Ai dëshiron të na zvjerdhë nga kjo gjë me qëllim që të mund të mësojmë të mbështetemi në urtësinë e Tij, të prehemi në forcën e Tij, të kërkojmë nderin e Tij, të kërkojmë në mënyrë supreme vetëm lavdinë dhe buzëqeshjen e Tij.

Oh në çmënyrë të efektshme që arrihet kjo gjendje kur Perëndia duke na veçuar në stinën e vetmisë dhe pikëllimit na mëson që mund t’ia dalë pa ne. Ndoshta menduam që rangu ynë, talentet tona, ndikimi ynë, apo vetë prania jonë ishin thelbësore në përparimin e kauzës së Tij, dhe që disa pjesë të saj nuk mund të arriheshin dot pa ne! Zoti e dinte më mirë! Prandaj e vendosi dorën e Tij mbi ne, dhe na tërhoqi nga skena e detyrave dhe punëve tona, nga skena e përfshirjeve dhe ambicies tonë, me qëlli që ta nxirrte krenarinë nga zemrat tona – krenarinë e rëndësisë së vetes. Oh, a nuk është një arritje e madhe në jetën e krishterë që të zvjerdhesh kështu prej vetes?

Shumë të dashur, kjo është rrënja e të gjitha bekimeve të tjera. Në momentin që mësojmë të heqim dorë nga vetja – nga urtësia, fuqia dhe rëndësia jonë – Zoti shfaqet dhe na ngre lart. Atëherë shfaqet urtësia e Tij, atëherë ushtrohet fuqia e Tij, atëherë shtohet lavdia e Tij, dhe vetë emri i Tij i madh merr gjithë lavdërimin. Lavdia e Perëndisë nuk kaloi aty pranë derisa Zoti ta kishte fshehur Moisiun në të çarën e shkëmbit. Moisiu duhej të fshihej me qëllim që Perëndia të ishte gjithçka.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*