Mendime Shtjelluese Mateu 7

Ungjilli sipas Mateut kapitulli 7

nga J. C. Ryle

Mateu 7:1-11
Pjesa e parë e këtyre vargjeve është një prej atyre pjesëve të Shkrimit të cilën duhet të kemi kujdes që të mos e sforcojmë përtej kuptimit të saj të duhur. Shpesh kjo pjesë është abuzuar dhe keqzbatuar prej armiqve të besimit të vërtetë. Është e mundur që t’i sforcosh fjalët e Biblës deri në atë pikë sa nuk janë më ilaç por helm.

Zoti ynë nuk do të thotë që është e gabuar, në çfarëdo rrethane, që të japim një gjykim jofavorizues rreth sjelljes dhe opinioneve të të tjerëve. Ne duhet të kemi opinione të qarta. Duhet t’i “testojmë të gjitha gjërat.” Ne duhet “t’i vëmë në provë frymërat.” Ai gjithashtu nuk po thotë që është e gabuar që t’i qortojmë mëkatet dhe gabimet e të tjerëve, derisa të jemi vetë të përsosur dhe të patëmetë. Një interpretim i tillë bie ndesh me pjesë të tjera të Shkrimit. Atëherë do ishte e pamundur ta dënonim gabimin dhe doktrinën e rreme. Kjo do ta pengonte këdo që të provonte të merrte përsipër ofiqin e një shërbestari apo gjykatësi. Toka do të “lihej në duart e të ligjve.” (Jobi 9:24). Herezia do të lulëzonte. Keqbërjet do të shumoheshin.

Ajo që Zoti ynë ka për qëllim të dënojë është një frymë kritike dhe faj kërkuese. Gatishmëria për të fajësuar të tjerët për ofendime të parëndësishme, apo për çështje të mospërfillshme – zakoni i dhënies së gjykimit të nxituar – prirja për t’i zmadhuar gabimet dhe dobësitë e fqinjëve tanë, dhe për t’i bërë të duken sa më të këqij – kjo është ajo që Zoti ynë është duke e ndaluar. Mes Farisenjve kjo ishte gjë e zakonshme. Ka qenë gjithmonë gjë e zakonshme që nga koha e tyre e deri në kohën tonë. Ne të gjithë duhet të ruhemi prej këtij qëndrimi. Ne duhet “t’i besojmë të gjitha,” dhe “t’i shpresojmë të gjitha” ato që kanë të bëjnë me të tjerët, dhe të jemi tepër të ngadaltë për të fajësuar. Kjo është dashuria e krishterë. (1 Korintasve 13:7).

Mësimi i dytë që gjendet në këtë pjesë është rëndësia e ushtrimit të dallimit në lidhje me personin me të cilin po flasim rreth temës së fesë. Gjithçka është e bukur në vendin dhe kohën e vet. Zelli ynë duhet të qeveriset prej një konsiderimi të mençur për kohët, vendet dhe njerëzit. Solomoni thotë, “Mos e qorto tallësin, sepse ai do të të urrejë.” (Fjalët e Urta 9:8). Nuk është mençuri që t’u hapemi të gjithëve njerëzve pa dallim në lidhje me çështjet frymërore. Ka shumë njerëz të cilët për shkak të temperamentit të dhunshëm apo nga zakonet e shthurura që duken hapur të cilët janë krejtësisht të pazotë që të vlerësojnë gjërat e Ungjillit. Ata madje do të nevrikosen dhe do të lëshohen në mëkate edhe më të mëdha, nëse përpiqeni t’i bëni mirë shpirtit të tyre. T’u shqiptosh emrin e Krishtit njerëzve të tillë është me të vërtetë njëlloj sikur “t’i hedhësh margaritarët e tua përpara derrave.” Kjo nuk ju sjell të mirë por lëndim. Kjo gjë i nxit të gjithë prishjen e tyre dhe i zemëron. Me pak fjalë, ata janë si Judenjtë në Korint, (Veprat 18:6), apo si Nabali për të cilin është shkruar që ai ishte “ai është një njeri aq i keq, sa nuk mund t’i flasësh.” (1 Samueli 25:17).

Ky është një mësim i cili është veçanërisht i vështirë të përdoret në mënyrën e duhur. Zbatimi i duhur i tij kërkon urtësi të madhe. Shumica prej nesh kemi më tepër gjasa të gabojmë nga ana e të qënurit më të kujdesshëm se duhet sesa nga ana e të qenurit më të zellshëm se duhet. Në përgjithësi ne jemi shumë herë më të prirur të kujtojmë “kohën për të qëndruar në heshtje,” sesa “kohën për të folur.” Megjithatë, ky është një mësim i cili duhet të nxitë një frymë vetë shqyrtimi në zemrat tona. Mos vallë ne vetë nuk i lejojmë kurrë miqtë tanë të na japin këshillë të mirë përmes zymtësisë dhe irritimit të shpejtë? A nuk e kemi detyruar asnjëherë të tjerët që të mbajnë gojën mbyllur dhe të mos thonë asgjë përmes krenarisë dhe përbuzjes së paduruar ndaj këshillës? A nuk i kemi kundërshtuar kurrë këshilltarët tanë mirëdashës dhe t’jua kemi mbyllur gojën përmes dhunës dhe nervave tona? Mjerisht, bëjmë mirë që të frikësohemi që kemi gabuar në këtë mënyrë.

Mësimi i fundit që gjendet në këtë pjesë është detyra e lutjes, dhe inkurajimet e mëdha që na jepen për t’u lutur. Ka një lidhje të bukur mes këtij mësimi dhe atij që erdhi përpara tij. A dëshirojmë të dimë kur të jemi “të heshtur” dhe kur të “flasim,” – kur të paraqesim gjëra “të shenjta” dhe kur të tregojmë “margaritarët” tanë? Atëherë duhet të lutemi. Kjo është një temë të cilës Zoti Jezus në mënyrë të qartë i dha një rëndësi të madhe. Gjuha që Ai përdor është provë e qartë për këtë gjë. Ai përdor tre fjalë të ndryshme për të shprehur idenë e lutjes. “Lypni.” “Kërkoni.” “Trokisni.” Ai u jep premtimin më të gjerë dhe më të plotë atyre që luten. “Sepse kush lyp merr.” Ai e ilustron gatishmërinë e Perëndisë për të dëgjuar lutjet tona përmes një argumenti të nxjerrë nga praktika e njohur e prindërve mbi tokë. Edhe pse ata vetë janë “të këqij” dhe egoistë prej natyre, ata nuk i neglizhojnë nevojat e fëmijëve të tyre sipas mishit. Aq më tepër një Perëndi i dashurisë dhe mëshirës ka për të dëgjuar klithmat e atyre që janë fëmijët e Tij përmes hirit.

Le t’u kushtojmë një vëmendje të veçantë këtyre fjalëve të Zotit tonë rreth lutjes. Ndoshta pak nga thëniet e Tij njihen aq mirë dhe përsëriten aq shpesh sa kjo. Edhe më të varfrit dhe më të pamësuarit mund t’ju thonë që “nëse nuk kërkojmë nuk do të gjejmë.” Por çtë mirë të sjell të diturit e kësaj nëse nuk e përdorim? Njohuria, e cila nuk përmirësohet dhe zbatohet, thjesht ka për ta shtuar dënimin tonë në ditën e fundit.

A e kemi idenë e kësaj lypjeje, këtij kërkimi dhe kësaj trokitjeje? Pse të mos e bëjmë? Nuk ka gjë më të thjeshtë dhe të qartë sesa lutja, nëse dikush ka vërtet vullnet për t’u lutur. Nuk ka asgjë të cilën njerëzit janë aq të ngathët dhe të pakënaqur për ta bërë. Ata përdorin shumë nga format e fesë, marrin pjesë në shumë ceremoni, bëjnë shumë gjëra që janë të drejta përpara se të luten. E megjithatë, pa këtë nuk mund të shpëtohet asnjë shpirt.

A lutemi vërtet ndonjëherë? Nëse jo, në fund do jemi pa asnjë justifikim përpara Perëndisë nëse nuk pendohemi. Nuk do të dënohemi pse nuk bëmë atë që s’mund ta bënim dot, apo që nuk dimë atë që s’mund ta dinim dot. Por do të zbulojmë që një arsye kryesore pse jemi të humbur është kjo, që nuk kërkuam kurrë që të mund të shpëtoheshim.

A lutemi me të vërtetë? Atëherë le të vazhdojmë të lutemi dhe të mos dorëzohemi. Ky nuk është mundim i shkuar kot. Nuk është pa dobi. Ka për të dhënë fryt pas shumë ditësh. Ajo fjalë nuk ka dështuar kurrë, “Kush lyp merr.”

Mateu 7:12-20
Në këtë pjesë të predikimit në mal Zoti ynë fillon që ta përmbyllë fjalimin e Tij. Mësimet që thekson Ai për vëmendjen tonë janë të gjera, të përgjithshme dhe plot me urtësi të thellë. Le t’i shohim ato njëra pas tjetrës.

Ai na parashtron një parim të përgjithshëm për udhëzimin tonë në të gjitha çështjet e diskutueshme mes njerëzve. Ne duhet të “bëjmë për të tjerët gjithçka që dëshirojmë që ata të na bëjnë ne.” Nuk duhet t’i trajtojmë të tjerët sikurse ata na trajtojnë ne. Kjo është thjesht egoizëm dhe paganizëm. Duhet t’i trajtojmë të tjerët sikurse dëshirojmë që ata të na trajtojnë ne. Ky është krishterimi i vërtetë.

Ky është vërtet rregull i artë! Ai nuk ndalon thjesht çdo hakmarrje dhe dashakeqësi të kotë, çdo mashtrim dhe hile. Ai bën shumë më tepër. Sqaron njëqind pika të vështira, të cilat në një botë si kjo dalin vazhdimisht mes njerëzve. Parandalon nevojën e caktimit të rregullave të vogla të panumërta për sjelljen tonë në raste specifike. E trajton të gjithë hapësirën e debatit me një parim të vetëm dhe të efektshëm. Na tregon një ekuilibër dhe një masë përmes së cilës të gjithë mund të dallojnë menjëherë se cila është detyra e tyre. A ka ndonjë gjë që nuk do të donim të na e bënte fqinji ynë? Atëherë le të mbajmë mend gjithmonë që kjo është gjëja që nuk duhet t’ja bëjmë atij. A ka ndonjë gjë që do të donim që ai ta bënte për ne? Atëherë kjo është gjëja që duhet të bëjmë për atë. Sa shumë çështje të ndërlikuara do sqaroheshin në moment nëse do ta zbatonim këtë rregull me sinqeritet!

Së dyti, Zoti ynë na jep një parlajmërim të përgjithshëm kundër udhës së shumicës në fe. Nuk mjafton vetëm të mendosh si mendojnë të tjerët, dhe të bësh si bëjnë të tjetër. Nuk duhet të kënaqemi me ndjekjen e asaj që është në modë, dhe të notojmë bashkë me rrymën e atyre me të cilëve jetojmë. Ai na thotë që udha që të çon në jetë të përjetshme është “e ngushtë,” dhe “pak” janë ata që ecin në të. Ai na thotë që udha që të çon në shkatërrimin e përjetshëm është “e gjerë” dhe plot me njerëz që ecin në të. “Shumë janë ata që hyjnë nëpër të.”

Këto janë të vërteta shumë kritike! Ato duhet të shkaktojnë hetime të thella të zemrës dhe mendjes së të gjithë atyre që i dëgjojnë. “Në cilën rrugë po eci unë? Në cilin udhë jam duke udhëtuar?” Secili prej nesh gjendet në njërën apo tjetrën nga këto dy udhë që përshkruhen këtu. Na dhëntë Perëndia një frymë të sinqertë dhe vetë hetuese dhe na tregovë se kush jemi!

Bëjmë mirë të dridhemi dhe të kemi frikë, nëse feja jonë është ajo e turmave. Nëse nuk mund të themi më tepër se kaq, “shkojmë atje ku shkojnë të tjerët, adhurojmë atje ku adhurojnë të tjerët, dhe shpresojmë që në fund do të dalim aq mirë sa dhe të tjerët,” në fakt jemi duke shpallur vetë dënimin tonë. Çfarë tregon kjo përveçse që jemi në “udhën e gjerë?” Çfarë tregon kjo përveçse që jemi në udhën që të çon në “shkatërrim?” Nëse kjo është feja që kemi në këtë moment atëherë kjo nuk është një fe shpëtuese.

Nuk kemi arsye për t’u shkurajuar dhe për t’u mërzitur nëse feja që rrëfejmë nuk është popullore, dhe nëse pak njerëz bien dakord me ne. Duhet të mbajmë mend fjalët e Zotit tonë Jezu Krisht në këtë pjesë, “Sa e ngushtë është dera.” Pendimi, besimi në Krishtin dhe shenjtëria e jetës nuk kanë qenë kurrë në modë. Tufa e vërtetë e Krishtit ka qenë gjithmonë e vogël. Nuk duhet të lëkundemi kur zbulojmë që na konsiderojnë të pazakontë, të çuditshëm, fanatikë dhe mendje ngushtë. Kjo është “udha e ngushtë.” Sigurisht që është më mirë të hyjmë në jetën e përjetshme me pak të tjerë sesa të shkojmë në “shkatërrim” me një turmë të madhe.

Së fundi, Zoti Jezus na jep një paralajmërim të përgjithshëm kundër mësuesve të rremë në kishë. Duhet të “ruhemi nga profetët e rremë.” Lidhja mes kësaj pjese dhe asaj para saj është shumë e goditur. A dëshirojmë të qëndrojmë larg “udhës së gjerë?” Duhet të ruhemi nga profetët e rremë. Ata do të daliln. Ata filluan që në ditët e apostujve. Që atëherë filluan të mbilleshin farat e gabimit. Profetët e rremë janë shfaqur vazhdimisht që nga ajo kohë. Duhet të jemi të përgatitur për ta dhe të tregohemi vigjilentë.

Ky është një paralajmërim që nevojitet shumë. Ka mijëra njerëz që duken se janë gati të besojnë çdo gjë rreth fesë nëse e dëgjojnë nga një shërbestar i shuguruar. Ata harrojnë që klerikët mund të gabojnë po aq sa dhe besimtarët e thjeshtë. Ata nuk janë të pagabueshëm. Mësimi i tyre duhet të peshohet në peshoren e Shkrimit të Shenjtë. Ata duhet t’i ndjekim dhe besojmë për aq kohë sa doktrina e tyre bie dakord me Biblën dhe për asnjë moment më tepër. Ne duhet t’i gjykojmë “prej fryteve të tyre.” Doktrina e shëndoshë dhe jeta e shenjtë janë shenjat e profetëve të vërtetë. Le ta mbajmë mend këtë gjë. Gabimet e udhëheqësve tanë nuk do të na justifikojnë për gabimet tona. “Nëse të verbrit udhëheqin të verbrit, që të dy do të bien në gropë.”

Cila është mbrojtja më e mirë kundër mësimit të rremë? Nuk ka pikë dyshimi që është studimi i rregullt i fjalës së Perëndisë me lutje për mësimin e Frymës së Shenjtë. Bibla u dha që të ishte një llambë për këmbën tonë dhe një dritë për shtegun tonë. (Psalmi 119:105). Njeriu që e lexon si duhet nuk do të lejohet kurrë që të gabojë rëndë. Neglizhimi i Biblës është ajo që i bën shumë njerëz të bien pre të mësuesit të parë të rremë që dëgjojnë. Ata duan që të besojmë se “ata janë të pamësuar dhe nuk pretendojnë që kanë opinione të vendosura.” E vërteta është që ata janë dembelë dhe përtacë në lidhje me leximin e Biblës, dhe nuk ju pëlqen të shqetësohen për të menduar vetë. Asnjë gjë nuk jua shton ndjekësit profetëve të rremë sa plogështia frymërore e mbuluar me një petk përulësie.

E mbajtshim të gjithë në mendje paralajmërimin e Zotit tonë! Bota, djalli dhe mishi nuk janë rreziqet e vetme në udhën e të krishterit. Ka edhe një rrezik tjetër, dhe ky është “profeti i rremë,” ujku në lëkurë deleje. Lum ai që lutet mbi Biblën e vet dhe e dallon ndryshimin mes së vërtetës dhe gabimit në fe! Ka një ndryshim, dhe duhet ta dallojmë dhe të përdorim njohurinë tonë.

Mateu 7:21-29
Zoti Jezus e përmbyll predikimin në mal me një pjesë zbatimi që tejshpon zemrën. Ai kalon nga profetët e rremë tek rrëfyesit e rremë, nga mësuesit e prishur tek dëgjuesit e prishur. Këtu kemi një fjalë për të gjithë. Paçim hir për ta zbatuar në zemrat tona!

Mësimi i parë këtu është kotësia e një rrëfimi thjesht të jashtëm të krishterimit. Jo kushdo që thotë “Zot, Zot,” do të hyjë në mbretërinë e qiellit. Jo të gjithë ata që rrëfejnë dhe e quajnë veten të krishterë do të shpëtohen.

Le ta vëmë re këtë gjë. Kërkohet shumë më tepër për ta shpëtuar një shpirt nga sa mendojnë shumica e njerëzve. Mund të pagëzohemi në emrin e Krishtit dhe të mburremi me siguri për privilegjet tona kishtare. Mund të kemi njohuri mendore dhe të jemi shumë të kënaqur me gjendjen tonë. Ne madje mund të jemi predikues dhe mësues të të tjerëve dhe të bëjmë “shumë vepra të mrekullueshme” në lidhje me kishën tonë.

Por gjatë gjithë kohës a jemi duke bërë vullnetin e Atit tonë që është në qiell? A pendohemi vërtet, a besojmë vërtet në Krishtin, a jetojmë një jetë të shenjtë dhe të përulur? Nëse jo, pavarësisht gjithë privilegjeve dhe rrëfimeve tona në fund ka për të na shpëtuar qielli dhe do të hidhemi tej përgjithmonë. Do të dëgjojmë ato fjalë të tmerrshme, “Nuk ju kam njohur kurrë. Largohuni prej meje.”

Dita e gjykimit do zbulojë gjëra të habitshme. Shpresat e shumë njerëzve, që konsideroheshin të krishterë të mëdhenj ndërsa jetonin do të zhgënjehen krejtësisht. Kalbja e fesë së tyre do të ekspozohet dhe turpërohet para gjithë botës. Atëherë do të vërtetohet që të shpëtohesh do të thotë diçka më tepër se “të bësh një rrëfim.” Ne duhet të tregojmë një “praktikë” të krishterimit tonë sikurse bëjmë edhe një “rrëfim” të tij. Le të mendojmë shpesh për atë ditë madhështore. Le ta “gjykojmë veten tonë shpesh në mënyrë që të mos gjykohemi,” dhe të dënohemi nga Zoti. Çfarëdo tjetër që të jemi le të synojmë të jemi realë, të vërtetë dhe të sinqertë.

Mësimi i dytë këtu është një tablo tronditëse e dy grupeve të dëgjuesve të krishterë. Ata që dëgjojnë dhe nuk bëjnë asgjë – dhe ata që dëgjojnë dhe bëjnë, të dyja këto grupe paraqiten përpara nesh dhe na tregohet fundi i historive të secilit.

Njeriu që e dëgjon mësimin e krishterë dhe praktikon atë që dëgjon është si “një njeri i mençur që e ndërtoi shtëpinë mbi shkëmb.” Ai nuk kënaqet me dëgjimin e nxitjeve për t’u penduar, për të besuar në Krishtin dhe për të jetuar një jetë të shenjtë. Ai në fakt pendohet. Ai në fakt beson. Ai në fakt i jep fund ligësisë, mëson të bëjë të mirën, e urren atë që është mëkat dhe mbahet fort pas asaj që është e mirë. Ai është jo vetëm dëgjues por edhe bërës i fjalës. (Jakobi 1:22).

Cili është rezultati? Në kohën e sprovës feja e tij nuk e lë në baltë. Përmbytjet e sëmundjes, brengës, varfërisë, zhgënjimit, humbjes përplasen më kot mbi muret e shtëpisë së tij. Shpirti i tij qëndron i palëkundur. Besimi i tij nuk lëkundet. Ngushëllimet e tij nuk e braktisin krejtësisht. Feja e tij mund t’i ketë sjellë vështirësi në të kaluarën. Themelet e saj mund të jenë hedhur me shumë mundim dhe lot. Për të zbuluar interesimin e tij në Krishtin mund t’i jenë dashur shumë ditë kërkimi të palodhur dhe shumë orë përleshje në lutje. Por mundi i tij nuk ka shkuar kot. Tani ai po korr një shpërblim të madh. Feja që i bën ballë sprovës është feja e vërtetë.

Njeriu që e dëgjon mësimin e krishterë dhe nuk shkon kurrë përtej dëgjimit është si “një njeri budalla që e ndërtoi shtëpinë e tij mbi rërë.” Ai kënaqet me dëgjimin dhe aprovimin por nuk shkon më tej se kaq. Ndoshta i bën qejfin vetes që gjithçka është si duhet me shpirtin e tij, për shkak se ka ndjenja, bindje dhe dëshira frymërore. Ai mbështetet tek këto. Ai nuk shkëputet kurrë me të vërtetë prej mëkatit dhe ta hedhë tej frymën e botës. Ai nuk kapet kurrë fort pas Krishtit. Nuk e merr kurrë vërtet kryqin. Ai është dëgjues i së vërtetës dhe asgjë më tepër se kaq.

Cili është fundi i fesë së një njeriu të tillë? Ajo shkatërrohet plotësisht që në përmbytjen e parë të shtrëngimit. Ajo e lë totalisht në baltë, si një burim që thahet gjatë verës kur nevoja e tij është më e madhe. E lë zotëruesin e saj të rrënuar si një anije të shkatërruar në një breg rëre, një skandal për kishën, një paralajmërim për të pabesët, dhe një mjerim për veten e tij. Është shumë e vërtetë thënia që ajo që koston pak vlen pak! Një fe që nuk koston asgjë dhe konsiston vetëm në dëgjimin e predikimeve në fund ka për të dalë gjithmonë si një gjë e padobishme.

Kështu mbyllet predikimi në mal. Një predikim i tillë nuk ishte predikuar kurrë më parë. Një predikim i tillë ndoshta nuk është predikuar më që nga ajo kohë. Le të sigurohemi që ai të ketë një ndikim që zgjat në shpirtin tonë. Ky predikim na drejtohet ne sikurse atyre që e dëgjuan për herë të parë. Ne jemi ata që do na duhet të japim llogari për mësimet e tij zemër zhbiruese. Nuk është gjë e parëndësishme se çfarë mendojmë për këto mësime. Fjalët që ka thënë Jezusi, “janë ato që do të na gjykojnë në ditën e fundit.” (Gjoni 12:48).


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*